Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Opinion / Editorial

Komision testimi apo transferim përgjegjësi lidershipi?

Komision testimi apo transferim përgjegjësi lidershipi?

Propaganda e PD-së dhe komentuesit e analistët e shumtë pranë saj, opinionistët së pari, ata që e këndojnë këngën sipas parasë i janë turrur shqiptarëve për t`u mbushur mendjen se gjetën çelësin magjik. Kryetari Basha, si nuni i komisionit, iniciuesi i tij, pa mbetur pas ish-presidenti, Bujar Nishani që sakrifikoi karrigen e deputetit dhe mori përgjegjësinë për të qënë përzgjedhës në komisionin e filtrim-seleksionim-evidentim-përzgjedhjeve, siç e cilësojnë iniciuesit, zgjidhje që e vlerësojnë ekskluzivitet dhe gjetje e partisë në prag zgjedhjesh, porta e mrekullive që do i hapi Partisë Demokratike dhe opozitës, parajsën e fitores. Garimi para zgjedhjeve i kandidatëve dhe paraqitja e CV-ve të tyre para mbështetësve të partisë nuk është risi shqiptare. Ka mbi njëqind vjet që këto forma përzgjedhjeje janë në veprim dhe eksperimentimi i tyre. U takon partive që herët, si parti moderatore dhe modern autorësia. Kanë ekzistuar prej vitesh këto forma. Kot bën Basha si origjinal dhe zbulues i planetit të komisionit të filtrimit të kandidatëve. Më e shumta, testimi dhe përzgjedhja paraprake, është fotokopje e keqe edhe pse e tillë, ka një vlerë që duhet parë si përpjekje për të mos mbetur listat në dorë të një individi, qoftë edhe kryetari i partisë, në rastin konkret Basha. Në zgjedhjet e 2017-ës, i ra me top, fshiu nga qarkullimi pjesën më të mirë të elitës intelektuale me kontribute, figura të njohura të kësaj force politike, dalluar në fushata elektorale, debate, diskutime me tharm, hartimin e programeve të partisë për ekonominë, kulturën, politikën dhe shoqërinë në tërësi. Surpriza e listës së vitit 2017, e cila duket sikur ka ndodhur dje, ishte hekuri i skuqur që i mbeti ndër duar Bashës dhe një nga plagët që i shkaktoi partisë me treguesit më të ulët historikë që nga themelimi i saj në 1990. Jo vetëm me emrat pa peshë, të panjohur, po edhe me tërësinë e listave, çka u provua pas eksperimentit të braktisjes së Parlamentit, djegies së mandateve nga emrat e rreshtit të parë, fitues të cilët ua lanë vendimmarrjen me vullnet skalioneve të dyta e të treta, që sot i anatemojnë si t’i kenë regjistruar me hile kundërshtarët politikë dhe jo vetë drejtuesit e partisë. Lista e 2017-ës kaloi pa asnjë filtër. Nga kompjuteri i kryetarit, drejt e në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku u arkivua, si produkt i kryetarit Basha me firmë e vulë dhe mori fuqi ligjore nga komisionerët. Kjo lëvizje, lista “Basha” u bë bazë polemikash që tronditi kryetarin e PD-së për një kohë të gjatë. Zërat kritikë brenda partisë, ia kanë tundur listën si bezen e kuqe toreadorët, demave në ring, deri në detaje prej tre vitesh. E kanë pagëzuar listën, si veprim në nxitim i kryetarit pa përvojë, pa u thelluar në mungesë të plotë konsultimi me forumet partiake, të cilët u ndjenë të çuditur kur njohën listën “Basha”. Listë anonimësh në shumicë me peshë pupël. Pa frymëzim. Pa tharmë. Pa ngacmim të shpirtrave të demokratëve nga jugu në veri. Sot gjendemi para zgjedhjeve të pranverës së vitit 2021. Dhe Basha ndërroi skenar. Nga vetmitar u bë kolegjial. Partitë politike, të gjithë spektrit politik, nga e majta në pushtet deri tek konservatorët dhe partizat minore që qëndrojnë në fushë betejë me lojtarë gjithnjë në stolin e rezervave, presin të njihen me përfaqësuesit që do kalojnë në filtrin e komisionit testues parazgjedhor, peshën dhe frytet e të cilit do e verifikojmë në fushatën në pritje. Është komisioni që në portën e zyrës në SHQUP do ndezi dritën e kuqe për disa e jeshile për të thënë, stop dhe go, për secilin kandidat të propozuar. Në pamje të parë, duket sikur demokracia në PD është ulur këmbëkryq dhe ka hapur rrugën për të zbatuar strategji, që janë tipike për partitë moderne në shtetet më të zhvilluara dhe me demokraci të thelluar. Në sallat e mëdha të PD-së, deri në kuzhinën e gatimit të garniturës së deputetëve është ulur këmbëkryq pak Danimarkë e Norvegji dhe ka vërshuar si lumë shumë demokraci. Nëse do ndodhte kjo, shqiptarët duhet të krenohen me përzgjedhjen që do bëjë Komisioni i seleksionim-testimit apo miratimit të kandidatëve më të spikatur. Pa pasur asnjë iluzion në personalitetin e komisionerëve të zgjedhur, burra dhe gra të zgjedhura si me gogla, figura përfaqësuese të PD-së nuk mund të besojmë apriori se kandidatët do marrin vizën për t`u paraqitur në fushë betejë do jenë të përkryerit, më të mirët dhe do mënjanohet subjektivizmi apo njohjet dhe ndikimet për emrat që do kalojnë filtrin e komisionerëve. Duket se përgjegjësia nga një individ, kryetarit, do transferohet tek komisionerët që janë një organ kolegjial. Në realitet partitë, kanë organe të zgjedhura dhe presupozohet të jenë individët më kualitativë, figura të spikatura me përvojë politike dhe të provuar për ndershmërinë dhe kualitetin e tyre kulturor e politik. Përse mos të shërbente kryesia apo këshilli kombëtar si filtri më cilësor dhe kjo puna e përzgjedhjes t’u lihej në dorë komisionerëve, të cilët vërtet kanë qënë figura të rëndësishme të partisë ndër vite, po tek e fundit kanë qëndruar në hije. Gjithsesi, komisionerët e partisë, janë specialistë që në realitet kanë dalë nga skena politike dhe bëjnë jetën e pensionistit. Shumica prej tyre luanin tavëll. Të tjerë  duke bërë studime shkencore apo shkruajnë kujtime dhe libra për motet e shkuara. Në këtë mënyrë spostimi i organeve të zgjedhura dhe zëvendësimi me të emëruar nuk është se jep më shumë garanci se do kemi një listë me personalitete të shquara, aq më tepër që partitë do vrapojnë për individët më kredibël që mbledhin vota dhe nuk përjashtohet që individë me para të zënë ballinat e listave pasi ata përballojnë fushatat e shtrenjta, mbulojnë shpenzimet dhe ia arrijnë të sigurojnë vota. Kjo nuk është një praktikë vetëm shqiptare. Fushatat nuk duan vetëm entuziazëm, kërkojnë mbështetje financiare të fuqishme, çka nuk mund të arrihet me financimet e shtetit. I trembur nga listat e 2017, ku Basha u përgjegjësua për përzgjedhje të rastësishme, eksperiment i dështuar, me shumë sforco, të pabalancuar, duke shmangur individë me peshë dhe solli individë për mbiemra apo bijë të atyre që kanë shkruar biografinë e PD-së. Frika nga akuzat, largimi i përgjegjësive nga vetja për sjelljen në Kuvend të deputetëve anonimë e individë që kanë shfaqur vese dhe kanë futur edhe partinë në qorrsokak me video përgjimet dhe skenarët e pistë për të bërë politikë me akuza e shpifje, ia kanë gërryer autoritetin zotit Basha. Komisioni i të pestëve do jetë fuqiplotë, i pafuqi, simbolikë apo tërë frikë? Mbetet për t’u testuar. Mos vallë do lëvizi si kali në lëmë, ku shihet gruri dhe detyrohej të rrotullohej aq sa e lejonte litari i lidhur në boshtin e drunjtë të lëmit? Kjo mbetet për t’u verifikuar. Ajo që kuptohet me mekanizmin e ri që shitet si një gjetje madhështore, sikur të jetë eksperimenti i parë në glob nuk është se garantohet ndonjë demokraci e drejtpërdrejtë, se seleksionimi do të jetë objektiv dhe në Parlament do shkojnë yjet. Qytetarët shqiptarë do donin që vërtet komisioni i testim-seleksionimit të ishte filtër i vërtetë, transparent, i fuqishëm, serioz, i pacenueshëm dhe i pagabueshëm. Të jetë njëqind për qind objektiv dhe të shmangë subjektivizmin dhe ndërhyrjet. Të mënjanonte porositë, rekomandimet, të dinte që mos të përsëritej historia, si me rekomandimet për Andon Ledhin për të fituar një vend në shkollën e arteve, ku u ndërhy nga mijëra miq, deri sa u kthye në fabul humori. Përzgjedhje të përsosura nuk ka. Objektivitet absolut as që mund të pretendohet. Edhe pse komisioni do jetë vigjilent zor të verifikojq nga vijnë, ku kanë qënë shkollimet që kanë kryer, kanë shkelur ndonjëherë në dërrasë të kalbur, kur kanë qënë jashtë shtetit për të shmangur të implikuarit që nuk janë kontigjentë të një partie të vetme. Parë në tërësi, komisioni, është një trup që ka në përbërje figura si ish-presidenti Bujar Nishani. Ndoshta do jetë një komisioner ndryshe nga president, që nuk do kopjojë veten me dekorimet apo dhënien e titujve pa hesap si Mjeshtër i Madh, urdhëra e medalje nga këtu në Amerikë. Ndoshta Mark Marku, profesori i gazetarisë nuk do jetë aq i njëanshëm sa në debatet në Opinion. Dhe Ruli nuk do krjojë hije për gojët e këqija si me zgjedhjet e kohëve më parë përballë Makbule Çeços në Gjirokastër, ku kutitë u përmbysën. Po pa paragjykuar komisionerët me iniciuesit e krijesës më të re që e shesin si ekskluzive, ajo që lexohet nga larg, është manovra politike për të shmangur përgjegjësinë nga frika e humbjes së lidershipit të partisë, i cili nëse fiton do i marrë të gjitha meritat po nëse humb, faji i mbetet në shpinë komisionerëve që do kërkojnë t`i shpien në gijotinë. Është llogari si në matematikë. Kur votën e llogarit si fryt të komisionerëve të partisë dhe jo popullit të Shqipërisë!