BREAKING NEWS

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i fortë i SHBA-së, ja çfarë pritet të ndodhë në vijim

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

Komisionet parlamentare të hetimit, si përralla netëve të dimrit

Komisionet parlamentare të hetimit, si përralla netëve të

Historia e komisioneve hetimore, të ngritura me bujë dhe tam-tame të mëdha, propaganduar, si zgjidhje ideale dhe përfundimtare, si t`u nxirrnin ujë të zi zyrtarëve në hetim dhe vendosjes së pikave mbi “i” kanë mbyllur siparin si çdo fund përralle me shprehjen lapidare: “Kaq e dija, kaq e thashë, mbaje mike se ta lashë”. Të gjithë kujtojmë gjyshet tona në pritje të mesnatës, ditëve të gjata dimërore, kur bora kishte shtrirë qilimin e bardhë, drutë digjeshin në vatër, tymi shpërndahej nëpër shtëpi dhe nga malet frynte thëllimi, nisnin e tregonin përralla dhe histori që zgjatnin e zgjatnin dhe përfundonin të gjitha me fund të lumtur. Mbreti mundej ose fitonte, qerosi shpallej më i zgjuari, i dobëti fitonte kurdoherë dhe merrte vajzën e mbretit për grua. I forti triumfonte në dyluftim me rojet e prijësit. Fiks, si me komisionet parlamentare të krijuara në këto tri dekada nga Kuvendi i Shqipërisë. Ka ndodhur kështu, kur dominohej nga e djathta, e majta, rilindja. Kur në podium qëndronte dhe kryesonte seancat dhe kërkonte të njiheshin deputetët me raportet përfundimtare të komisioneve parlamentare. Njëlloj, kur ishte kryetar i ndjeri Arbnori, Profesor Kastrioti, Profesor Servet Pëllumbi, Meta dhe tani Ruçi. Të gjitha komisionet hetimore, ngjajnë si dy pika ujë edhe pse ngritur në kohë të ndryshme, janë fotokopje e njëri- tjetrit. Identik pa as më të voglin ndryshim. Nisin me një objekt. Propagandohen me të madhe. Përcaktohen kriteret universale. Shkruhet skenari. Zgjidhen komisionerët që vijnë nga forca të ndryshme politike, caktohet kryetari dhe zëvendësi, anëtarët e sekretarët. Secili mbron interesat e partisë që e delegon. Kështu, qysh në fillim, ditën e parë. E njëjta stof, thurur nga e njëjta fije dhe teknologji përpunimi. Zeja, nis atje në sallën e demokracisë, ngjitet nëpër mjediset, ku mblidhen komisionet dhe përfundon në konferencën fundore të shtypit, ku kumtohen rezultatet. Është bërë traditë që kryesuesi, t`i japi edhe emrin vetë komisionit. Në kujtesën popullore janë memorizuar: Komisioni “Bezhani”, Komisioni “Ngjela”, komisioni “Manja”, ky i fundit fare, e me radhë, dje, sot, nesër, sa herë do ketë një problem që nuk i dihet fundi dhe duhet të dalin të pastër iniciatorët. Krijohet një komision që më së shumti i ngjan një alibie me të cilën dalin të nderuar të gjithë. Në përfundim edhe kur rezultati është qesharak, ose “polli mali bëri një mi”, deklarohet me pompozitet: E vendosi komisioni. Fitore vërtet! E tha dhe e vulosi. I dha drejtim. U thirrën, u pyetën, dëshmuan, persona në dijeni. U shfrytëzuan filmime, raporte, vendime, dekretime, shënime, prova. U ballafaquam me ligjin dhe Kushtetutën. Kështu nga komisioni në komision, vijon e stërhollohet e stërzgjatet, përralla jonë që ka kryepersonazh të nderuarin komision. Kaq të njohura janë përfundimet e komisioneve, sa në zhargonin e përditshëm, jo vetëm të politikanëve dhe liderëve të partive politike, po edhe në opinionin e gjerë shoqëror thuhet: Doni të mbulohet një problematikë e madhe, të futet në labirinte, të komplikohet, fshihet, maskohet, tjetërsohet, krijoni një komision hetimor parlamentar dhe gjithçka do u shkojë mbarë! Në mbledhjet e komisioneve, flitet e flitet pa pushim. Sillen prova, verifikohen akuza. Merren dhe anulohen vendime. Bëhen propozime, ndryshohen qëndrime. Shpalosen akuza, hidhen kundërakuza. Nisja e hetimit parlamentar, duket një sprint i fuqishëm, thua se do bëhet hataja, siç ndodhi me hetimin e grushtit të shtetit të improvizuar në 21 janar 2011 kur në qendër të Tiranës u pushkatuan katër qytetarë dhe u vunë para hetimit gazetarë, operatorë, e opozitarë që cenuan oborrin e Kryeministrisë. Para nisjes së hetimit propaganda bëri kërdinë se përfundimi hetimor do shoqërohej me viktima, do tronditnin Shqipërinë. Po nuk ndodhi kështu. Edhe pse janë të freskëta për vetë problematikat, memorizuar në kujtesën e shqiptarëve, janë fiksuar ngjarje të rënda, hetuar nga Komisione Hetimore parlamentare, siç kanë qënë ato pas ngjarjeve të vitit 1996 kur ra shteti, u shemb piramida e institucioneve, u rrëmbyen armët, krimi doli në rrugë, u shpartallua rendi kushtetues dhe për të shtypur lëvizjen anarkiste, u urdhërua përdorimi i avionëve luftarakë, disa prej të cilëve për mos t`u zbatuar urdhërat për bombardimin e popullit, ikën, dezertuan dhe kërkuan strehim politik me gjithë avionët luftarakë në shtetin fqinj, Itali. Komisioni Hetimor, vetëm sa tregoi disa shishe me lëndë të supozuara luftarake të përdoruara për neutralizimin e revoltave. Asnjë krim i rëndë nuk u dënua nga Komisioni Hetimor parlamentar. Pothuaj u amnistuan individët me pushtet, urdhëruesit e ekzekutimeve, u toleruan ngjarje të rënda, lejuan të binin njëri pas tjetrit komisariatet e policisë, të digjeshin dhe hapeshin masivisht depot, të pushtoheshin repartet ushtarake dhe bazat e furnizimit me armatime, municione, pajisje dhe karburante për mjetet motorike për kohë lufte. Komisioni i ngritur për hetimin e ngjarjeve të rënda, më të rëndat post pluralizmit politik, përfunduan në disa konkluzione pa asnjë masë dhe rekomandim për organet e zbatimit të ligjit. Hetimi rezultoi rehabilitim. Larje goje, sa për të thënë: Dihet, se komisionet e hetimit parlamentar nuk kanë fuqinë e marrjes së vendimeve që i përkasin drejtësisë. Deputetët nuk janë penalistë, as gjyqtarë. Mbajnë distancë nga hetimi policor dhe ai gjyqësor. Në këtë kuptim, askush nuk pret që këto komisione të japin dënime të natyrës të organeve të drejtësisë. Po masa të karakterit politik dhe administrativ, të evidentimit të përgjegjësive dhe nxjerrjen e konkluzioneve me qëllim mos përsëritjen e ngjarjeve të tilla që trondisin mbar shoqërinë dhe cënojnë rëndë rendin kushtetues të mos riciklohen. Këto masa populli i mirëpret. Komisionet parlamentare nuk na kanë dhënë deri sot asnjë shembull, nuk kanë dalë në përfundime të mirëfillta parandaluese dhe me efekte përgjithësuese për të mënjanuar akte, veprime të faktorëve shtetërorë e politikë, cënim të demokracisë dhe shkelje të ligjeve dhe rregulloreve që bëjnë të mundur organizmin e veprimtarisë së institucioneve nga maja e piramidës shtetërore deri poshtë në bazë. Për atë që bëjnë komisionet hetimore të ngritura nga Kuvendi i Shqipërisë në përgjithësi i njohin, jo vetëm politikanët dhe i kanë fare të qarta, deputetetët e Parlamentit, individët e tërë shoqëria jonë. Nuk ndalemi tek përfundimet dhe atë që është arritur nga hetimet parlamentare ndër vite. Le të analizojmë shkurtimisht veprimtarinë e komisionit parlamentar të krijuar për të shqyrtuar veprimtarinë e Presidentit të Republikës, zotit Ilir Meta, i cili u akuza nga mazhoranca se kishte shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët, duke mos dekretuar ministrat, dekretimin e zhdekretimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit dhe caktimi i 13 tetorit për të shkuar shqiptarët në votime për të zgjedhur kryetarët e bashkive. Dihen pasojat që shoqëruan këto masa ekstreme, problematikat që sollën në skenën politike. Presidenti me dekretin e zhdekretimit të vendosur më parë çorientoi tërë popullin shqiptar. Pas zhdekretimit të 30 qershorit, u miratua edhe njëri prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetues, emërim i cili nga deputetët e shumicës u gjykua shkelje e rëndë e ligjit dhe veprim që cenonte rënd ligjin themeltar, Kushtetutën. Pas këtyre vendimeve presidenciale nga Ilir Meta, mazhoranca e majtë, krijoi komision hetimor, i cili ka muaj që mblidhet e shpërndahet. Heton dhe komunikon me opinionin e gjerë shoqeror për t`u thëne shqiptarëve, se presidenti ka gabuar rëndë me dashje. Për këto akte meriton largim nga Presidenca, shkarkim menjëherë nga Kuvendi. Debatet verbale, deklaratat mes palëve, akuzat e kundërakuzat vërshuan lumë. E tërë periudha nga krijimi i komisionit, beteja mazhorancë- president, është zhvilluar e ashpër. Në kundërvënie të hetimit, presidenti ndërmori hapa të shumta. Mobilizoi militantët. Bëri pakt me opozitës. Nxiti lidët e partive të deklaroheshin pro Metës. Sulmoi qeverinë, kryeministrin, deputetët e mazhorancës, të cilët i etiketoi të paligjshëm, pa të drejtë të gjykonin e hetonin, zotin Meta. Dhjetëra herë këmbënguli, se ai nuk kishte bërë asnjë shkelje. Ishte i pastër qelibar. Se vetëm ai e mbron Kushtetutën. Vetëm ai është i drejti, i mirë, paqësori, guximtari, fitimtari. Kërcënoi se do ishte president deri në fund të mandatit. Mazhoranca i kundërvihej pasi ishte garanti i Kushtetutës nën hetim. Përplasjet vijuan për muaj me radhë deri në dërgimin për interpretim në “Komisionin e Venecias”, i cili ktheu përgjigje evazive, shoqëruar me reklama të shumta presidenciale e pritur, si ngadhënjim e fitore e Presidentit se ai nuk paska kryer faje deri në atë masë sa të shkarkohet nga president. Nga këshilltarët e presidentit, veshur me bluza të personalizuara, logo të Venecias, u parakalua në pasarela të blerta për të propaganduar pafajësinë dhe fitoren e presidentit mbi qeverinë. Slogane militantësh, Meta mundi Ramën dhe Parlamentin. Askujt nuk i intereson të gjykohet e dënohet presidenti ynë i nderuar. Dihet, tek ne, me ligjin i kanë punët grurë edhe nivele shumë më të papërfillshme. Dihet sa më lart të jesh aq më pak i rrezikuar je dhe nuk të hyn gjemb në këmbë. Problemi qëndron te serioziteti i komisioneve hetimore. Ata që lëshonin rrufe se do bëhej drejtësi dhe do vendoseshin fatet e presidentit, një ditë, e nxehnin situatën, të nesërmen e ftohnin. Sjellje tipike komisionerësh hetimorë të Kuvendit Popullor në tri dekada demokraci, që nisin procese me bujë dhe më pas hyjnë në ujë. Qëndrimi, luhatjet, të folurit, të deklaruarit me zik-zake, të komisionerëve hetimorë me sa duket nuk kanë asgjë në dorë, e bën komisionin pa ngjyrë e pa formë. Pas tërheqjes totale të komisionit dhe ndryshimin e masës nga shkarkim në këshillim, tregoi fare mirë se Komisioni Hetimor është për bujë dhe për asnjë punë. Në fund, populli shqiptar, pa një komision hetimor parlamentar që nis me betimin për shkarkim dhe në finish vulosi vendimin për këshillim!