Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok Çupi lëshon ‘bombën’: Presidentit t’i hiqet …

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok
x

Opinion / Editorial

Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve të PD-së si pararendës i humbjes...

Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve të PD-së si

Më 3 gusht 2020 kryesia e Partisë Demokratike miratoi emrat e Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave për deputetë dhe për drejtuesit e pushtetit vendor në zgjedhjet e ardhshme. Këtë detyrë deri tashmë e pati kryer një nga intelektualët më në zë të PD-së, mjeku me reputacion të padiskutueshëm, z. H. Kosova. Por, me sa duket, luajaliteti që e ka karakterizuar atë në gjithë veprimtarinë e tij politike, domosdo edhe në atë profesionale, nuk është në një shinë me një pjesë të PD-së, të cilët preferojnë të mbajnë ndër duar pishtarë zjarrvënës, bomba molotov dhe kapsolle ndezëse, dhe t’i përdorin ato pa kursim ndaj institucioneve të shtetit apo ruajtësve të rendit dhe qetësisë publike, sikurse bënë thuajse gjatë gjithë vitit 2019, veprimtari në të cilat ra në sy mungesa e z. Kosova. Gjithsesi kjo është punë e brendshme e PD-së, prandaj edhe e drejtë e saj ekskluzive që të zgjedhë atë që e gjykon se e përmbush më mirë detyrën e partisë. Pesë janë anëtarët e këtij komisioni, por spikatin katër syresh: zotërinjtë Bujar Nishani, Genc Ruli, Besnik Mustafaj dhe Mark Marku, secili zë i veçantë, doemos me peshë në parti, por sidomos me kontribute të mjafta në fusha të ndryshme sipas profesionit të tyre. Idea e ngritjes dhe funksionimit të këtij komisioni, nga drejtuesit e PD-së dhe nga vetë të veçuarit si anëtarë, është reklamuar si “risi rajonale”, pra edhe e paprovuar në vende të tjera, i cili do të bëjë përzgjedhjen e më të devotshmëve dhe më të pranuarve nga baza, me shpresë se “do ta çojë para procesin e pashmangshëm të rrotacionit politik...” për më tepër do të shënojë “nisjen e një epoke të re”, sikurse pohoi me gojën plot z. Basha të nesërmen e konfirmimit të komisionit. Dëshirën dhe entuziazmin për rrotacion politik z. Basha në krye të PD-së, por edhe si kreu i “opozitës së bashkuar” e ka shfaqur dhe kërkuar që të nesërmen e zgjedhjeve të vitit 2013 dhe veçanërisht të 2017. Por ja që populli përmes një barsolete jo fort etike, nënvizon se jo të gjitha ëndrrat dalin, pra jo të gjitha realizohen.

Që në mbledhjen e parë të Komisionit në fjalë, anëtarët e tij u shprehën jo vetëm entuziastë për pashmangshmërinë e rrotacionit politik, detyrim politik ky, por edhe për gatishmërinë dhe përgjegjësinë që do të tregonin dhe merrnin mbi shpatulla për të përmbushur jo vetëm detyrimin e partisë, por edhe për të justifikuar besimin që ka partia për secilin syresh. Dikush u shpreh se edhe pse ka patur vlerësime kritike ndaj partisë së tij, sidomos pas mënjanimit nga listat e kandidatëve për deputetë më 2017, ftesa e radhës tregon përpos të tjerash “pjekurinë dhe hapjen e PD-së”; dikush u shpreh se u ndodh përballë një liste të gjatë me kandidatë nga baza, pra “përpara një prurje të bollshme”, por që gjithsesi shpreson “që në fund të dalë i paturpëruar në këtë detyrë të vështirë që ka marrë përsipër”. “Kreu” i komisionit, njëherësh edhe me përgjegjësi më të lartë në elitën e PD-së, me “modesti” nuk pranoi ofiqin në fjalë, sepse sipas tij ky komision nuk është institucion funksional, pra nuk është strukturë funksionale, por një organ i përkohshëm, prandaj edhe anëtarët do të kenë të drejta të barabarta pa qenë askush kryetar. Deri këtu gjithçka është krejt normale, pasi edhe kryetari i PD-së, vetëm pesë ditë pasi u arrit marrëveshja zgjedhore, loboi si zakonisht përmes nja 20 mijë dollarëve, për të realizuar një bisedë me një zyrtar të lartë amerikan. Po çfarë “nuk shkon si duhet” në këtë çështje? Një gazetar i mirënjohur menjëherë është shprehur se sajimi i kësaj krijese e monitoruar nga një sekretariat prej dy vetash, është thjesht një instrument për të justifikuar humbjen në zgjedhjet e përgjithshme të mesvitit 2021. (Por edhe kjo le të konsiderohet një nga ato ëndrrat që nuk dalin). Përzgjedhjen e katër të mësipërmve në këtë komision do ta konsideroja një zgjedhje jo fort të mençur nga kryesia e PD-së, jo se ata nuk e meritojnë këtë nder që u bën partia, por se në vetvete mbartin në këto tre dekadat e fundit ndonjë “gjynah” të merituar apo aspak të tillë, por gjithsesi “të lakuar” jo vetëm në mjediset e politikës, e cila për fat të keq e ka zakon të baltosë këdo që e gjykon të arsyeshme, por edhe në mbarë opinionin shqiptar. Personalisht nuk do ta gjykoja gjetje “të arrirë” caktimin me një mision kaq të rëndësishëm të zotit B. Nishani, sepse jo vetëm mbi ndërgjegjen e tij por edhe të partisë së tij dhe më gjerë, është fare i freskët momenti i zgjedhjes së tij si President i Republikës, duke sakrifikuar për votën e një kundërshtari politik një post ministror jo dosido. Ndoshta kjo mendësi apo ky mentalitet mund të jetë në bazën e parimësisë të z. Nishani edhe në përzgjedhjen e kandidatëve për Parlamentin e ardhshëm. Nëse do të ishte kështu kjo nuk lë shije të mirë dhe as që garanton futjen në institucionin më të lartë legjislativ të njerëzve me reputacion, me kurajo politike dhe me merita (nuk më pëlqen fjala “meritokraci” që kur i mençuri D. Agolli e epitetoi ndryshe). Kështu sipas meje, dhe vetëm gjithnjë sipas meje, z. Nishani nuk jep garanci të besueshme që të bëjë një përzgjedhje profesionale të kandidatëve, sepse mbi shpatullat dhe ndërgjegjen e tij rëndon dukshëm “mëkati” i përzgjedhjes së gabuar. Gjithsesi edhe zgjedhja e z. B. Mustafai në këtë komision, që më së shumti është një proces vetingu për parlamentarët apo drejtuesit e pushtetit vendor të ardhshëm, nuk kam bindjen e qëndrueshme se mund ta përmbushë këtë mision. Edhe ai vetë e pranon në një farë mënyre këtë kur shprehet se kjo është detyra më e vështirë që ka marrë përsipër, por që gjithsesi shpreson se në fund do të dalë i paturpëruar. Personalisht gjykoj se z. Mustafaj nuk i mungon asgjë për ta realizuar këtë detyrim në pikëpamje intelektuale, të përvojës së akumuluar apo edhe të aftësisë logjikuese. Por ka detyrim PD-ja që t’i japë sqarime anëtarësisë së PD-së se cilat ishin arsyet e vërteta të shkarkimit të z. Mustafaj nga detyra e ministrit të Jashtëm. Nëse shkarkimi i tij ka qënë i pabazuar, është detyrim i PD-së që të nxjerrë përgjegjësinë e këtij akti jo pak të rëndë apo të rëndësishëm. Unë dua të besoj se z. Mustafaj e ka munduar në vijimësi ky qëndrim i partisë së tij në një çështje kaq të rëndësishme, prandaj e gjykoj se do të ishte mirë që PD-ja të ishte transparente jo vetëm para anëtarësisë së vet, por edhe para opinionit shoqëror në tërësi. Zoti Genc Ruli është një figurë e spikatur dhe me vlera në PD. Ai edhe si shtetar ka manifestuar integritet profesional, por anëtarësia e PD-së duhet të informohet më qartësisht edhe për disa akuza që i janë bërë z. Ruli jo vetëm nga kundërshtarët politikë, çka është normale dhe e pranueshme, por edhe nga të vetët, deri në përjashtimin nga listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e kaluara. Kjo transparencë do ta lehtësonte disi vetë z. Ruli, por edhe opinioni brenda PD-së do të ishte më i qartë prandaj edhe më i qetë. Zoti Mark Marku mbetet një intelektual me vlera të spikatura, mendjehapur dhe i qëndrueshëm në mendimet e tij. Ka edhe kurajon e duhur që të shprehet qartazi për ato që mendon se duhet të ndryshojnë. Unë kujtoj që jo shumë kohë më parë, duke qenë pjesë integrale e PD-së dhe i veshur me imunitetin e deputetit të Parlamentit shqiptar, tentoi plotësisht i ndërgjegjshëm që të ndryshonte diçka në partinë në të cilën bënte pjesë dhe së cilës i kishte shërbyer me profesionalizëm dhe devotshmëri. Po ç’ndodhi? Partia e tij e priti “me këmbët e para”, e denigroi në mënyrën më të keqe të mundshme, mandej në zgjedhjet e radhës e përjashtoi nga listat për kandidatë në Parlamentin e ardhshëm. Megjithatë, i edukuar dhe gatuar më ndryshe nga disa drejtues të PD-së, z. Marku nuk mbajti qëndrim prej inatçiu. Përkundrazi në media, sidomos në debate televizive është treguar mjaft aktiv, në mbrojtje të linjës politike dhe interesave të PD-së, në ndonjë rast edhe paksa të tepruar. Për rastin konkret shtrohet pyetja: Çfarë ka ndryshuar në PD apo tek z. Marku, që ai thirret të marrë pjesë në një instrument që do të gjykojë dhe japë opinion për përfaqësimin e PD-së në Parlamentin shqiptar apo në pushtetin vendor?! Personalisht gjykoj se z. Marku nuk ka “devijuar” nga mendimet dhe qëndrimet e tij për demokratizimin e PD-së dhe hapjen e saj. Por nuk shoh as edhe ndonjë ndryshim në mentalitet të PD-së për problemin e mësipërm. Atëherë dyshoj se me gjithë dëshirën e mirë të z. Marku për të bërë diçka ndryshe nga sa më parë, mendimet apo sugjerimet e tij nuk do të gjejnë mbështetjen e duhur; ashtu sikurse mendoj se edhe z. Marku nuk do të ketë ndonjë mendim a bindje më të konsoliduar, se mendimi i tij do të jetë një zë më shumë i dëgjueshëm në PD. Nëse ka ndryshuar diçka, është e nevojshme që PD-ja, në një farë mënyre duhet t’i kërkojë ndjesë publicistit të njohur për qëndrimet mjaft të ashpra të saj ndaj integritetit të tij. Personalisht do të gjykoja që PD-ja me katër intelektualët e mësipërm, përderisa ka marrë përsipër t’u varë një këmborë me kaq përgjegjësi, të cilën z. B. Mustafaj e quan detyrën “më të vështirë që ka marrë përsipër”, pra edhe më të vështirë nga ajo e ministrit të Jashtëm, t’u besojë me transparencë, t’i dëgjojë me durim dhe t’i mbështesë me gjithçka mundet, që ata “të dalin të paturpëruar” nga kjo përgjegjësi që e kanë pranuar për t’i shërbyer motos së PD-së “... që motorët e ndezur të fushatës ta çojnë para proçesin e pashmangshëm të rotacionit politik...” për të “nisur një epokë të re” dhe jo të shërbejë si një instrument për të justifikuar çdo të papritur jo të këndshme.