BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Komunist dhe ballist

Komunist dhe ballist

Slogan që mban peng një popull

Kurrë se do të ndahemi një herë në jetë nga ky binom komunist dhe ballist. Edhe kur na mbytin halle edhe kur na zënë fatkeqësitë njëra pas tjetrës, si tërmete, Covid-19, fenomenet e natyrës etj., shfaqet në horizont ky slogan dhe vijojnë debatet pa fund. Është për të ardhur keq që pas gati 77 vitesh përsëri ndeshim me këtë fenomen. Nuk di kush do që ta mbajë gjallë, le ta mbajë. Historia është shkruar dhe komunistët dalën fitimtarë, kjo dhe për faj të ballistëve që bashkëpunuan me pushtuesit dhe ju humbi logjika, kështu dhe dolën të humbur nga lufta.

Ligjet u shkruan nga fituesit e mëdhenj të luftës, u bënë gjyqe, u dënuan fajtorët dhe bashkëpunëtorët e fashizmit dhe të nazizmit. Një pjesë e udhëheqjes balliste iku me pushtuesit dhe përfundoi deri në Amerikë. Kush ishte me mend nga ata e kuptoi dhe filloi një jetë të re dhe u nda përfundimisht nga strategjia e mbrapshtë e bashkëpunimit me pushtuesin. Të tjerë që ëndërronin kohën e humbur, erdhën disa herë në Shqipëri të përmbysnin pushtetin e demokracisë popullore, por ngelën symbyllur. Të tjerë që ishin njerëz të thjeshtë iu përveshën punës për të nderuar Shqipërinë dhe u integruan në jetën politik të saj. Disa u bënë dhe komunistë.

Në vija të përgjithshme ky ishte përfundimi i kësaj organizate, e cila që në fillim nuk e përcaktoi qartë strategjinë për të ardhur në pushtet dhe për të luftuar për çliruar vendin. Çlirimin e vendit e mbështeti tek bashkëpunimi me pushtuesin dhe jo në traditën tonë luftarake të popullit tonë të trashëguar nga brezi në brez. Janë të shumta dokumentet arkivore në Shqipëri dhe në vende të ndryshme të botës që e vërtetojnë këtë bashkëpunim. Më ka rënë rasti të studioj për fenomenin e Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër 1943-1944 dhe ka mjaft dokumente për këtë dukuri, sa që edhe anglezët e kanë vlerësuar në maksimum, duke u shprehur se një dokumentacion i tillë nuk e kishin dhe ushtritë më moderne të kohës. Ndaj Balli Kombëtar humbi, pavarësisht se në mesin e tyre kishte patriotë, intelektualë, trima dhe besnikë ndaj fjalës së dhënë. Në Akademinë Ushtarake të Mbrojtjes nga fillimi i viteve 2000 është mbrojtur dhe një disertacion për organizimin ushtarak të Ballit Kombëtar gjatë LANÇ-it, por drejtuesit e rinj të Ballit edhe kur iu thanë për një studim të tillë, nuk u interesuan fare për ta njohur, për të parë luftën e tyre me dokumente dhe për të dhënë mendime. Kështu të dashur ballistë i latë çdo gjë rrugëve dhe nuk e sistemuat historinë tuaj për luftën, por dhe më pas në vitet që kanë vijuar deri më sot. Kush e ka fajin edhe këtu komunistët? Jo të nderuar ballistë, kur nuk u korrigjuat për kaq vite, s’keni për të pasur kurrë hajër dhe prokopi thotë populli.

Ballistët nuk përpunuan identitetin e tyre fisnik

Ju të nderuar ballistë, kur ju përmendet emri ballist bëheni me xhinde. Nuk është turp, sepse kështu e quajtët veten dhe kështu ju njohu dhe populli i thjeshtë. Luftoni dhe punon që populli tu admirojë dhe t’u mbështesë. Po ju si gjithmonë edhe kur erdhi demokracia, u qepët pas të tjerëve dhe jo pas identitetit tuaj fisnik. U lidhet pas një force politike që nisi si studentore, por nuk dihet se ku është tani. Nuk mbrojtët sërën dhe fisnikërinë tuaj, e harruat atë për një çikë plaçkë si dikur në luftë. Dhe ku jeni katandisur, pjesë pjesë në parti të ndryshme. “Ne ballistët i duam gratë, por i duam në shtëpitë tona”, kjo është deklarata e fundi e deputetit ballist në Kuvendin e Shqipërisë. Shoqëria shqiptare dhe botërore kanë ecur shumë përpara me gratë. Gratë kanë shekuj që i kanë fituar të drejtat e tyre me luftën këmbëngulëse, por dhe me përkrahjen e burrave dhe të shoqërisë. Si ka mundësi që në shek. XXI një ballist i emancipuar dhe me përvojë të bëjë një deklaratë të papërgjegjshme në lidhje me gratë. Gruaja nuk është vetëm për në shtëpi, por dhe për në shoqëri, për të çuar më përpara jetën politike, ekonomike, sociale dhe shoqërore të një vendi. Sami Frashëri, filozofi ynë thoshte se gruaja duhet të jetë dy herë më e nxën se burri, sepse riprodhon shoqërinë dhe mëson fëmijën për Atdheun. Kaq inat kini marrë me gratë sa t’i mbani në shtëpi, apo se siç theksuat në deklaratë “jo nëpër male”. Komunistët i nderuar ballist në horizontin që u shfaqën në fillimet e Luftës së Dytë Botërore së bashku me Antifashizmin, ishin fenomene të kohës që u ngritën kundër një të keqe të madhe siç ishte nazi-fashizmi që juve ju pëlqeu shumë. Qemal Stafa, një i ri komunist frymëzoi rininë shqiptare dhe deklaroi hapur se jam komunist para gjyqit fashist. Nuk ka asgjë të keqe të deklarosh se në cilën prirje je dhe cilat interesa mbron. Në këtë luftë të madhe të popullit shqiptar, rreth 6000-7000 vajza dhe gra shqiptare shkuan në male me vëllezërit dhe burrat e tyre për të çliruar Shqipërinë dhe ruajtur nderin dhe dinjitetin e tyre, sepse i huaji na ishte shtruar në vatër dhe bënte ligjin e shqiptarëve. Ndaj gratë, si dikur në histori nga mbretëresha Teuta, Mamica, Bubulina, Maro Kondi, Tringa, Shote Galica, Sado Koshena dhe luftëtaret e Luftës së Dytë Botërore Qeriba Derri, Margarita Tutulani, Shejnaze Juka, Persefoni Kokëdhima, Bule Naipi, etj., shkuan me dëshirë në male dhe luftuan bashkë me burrat dhe vëllezërit e tyre. Lufta atyre iu dha dinjitet. Po si mund të thuash sot që gratë i doni në shtëpi, kur shoqëria po lufton që ato të jenë të barabarta me burrat, ku ka ligje dhe luftohet çdo ditë, që ato të zbatohen, një deputet ballist del kundër tyre. Kështu do të ecim përpara, pa pjesën më vitale të shoqërisë që është gruaja. Edhe regjimet naziste, komuniste, diktatoriale i kanë aktivizuar gratë dhe vajzat e i kanë pasur shtysë për të ecur përpara. Studio fashizmin, nazizmin, ku gatë loznin një rol të rëndësishëm si në front, por edhe në prapavijë. Këtë gjë e vërteton edhe LANÇ-i, ku gruaja shqiptare në prapavijë ishte një forcë kolosale dhe mbajti gjallë shpresën e fëmijëve, të atyre që më pas ndërtuan Shqipërinë. Ishte po gruaja shqiptare që pas çlirimit të vendit, mes një reaksioni të paparë, u hodh në punë, nisi luftën kundër analfabetizmit, nisi jetën në aksione për të ecur përpara edhe pse reaksioni i persekutoi Mrikë Lokja, Shkurte Cara, Prenda e Marta Tarzhi, ato ecën përpara.

Kush i fryn zjarrit me fjalën komunist

Tashmë i nderuar ballist, nuk di kush i fryn zjarrit dhe ku kërkon të dalësh me fjalën komunist. Ishin komunistët ata që i vunë shpatullat ndërtimit të Shqipërisë, e morën analfabete dhe e bënë me universitete, akademi dhe institucione shkencore, e morën nga pisha dhe kandil dhe e bënë me dritë elektrike, e morën nga punishte farkëtare dhe e bënë me kombinate e uzina, e morën kënetë dhe e bënë pjellore, e radhitën me dinjitet në vendet kryesore të botës dhe këtë besoj se e dini mirë. Komunistët bënë gabime dhe u ndëshkuan për to. Ndaj dhe cikli i tyre zgjati deri në 45 vite. Por demokracia që erdhi pas 1999 bëri shumë gabime dhe cikli i saj tashmë ka përfunduar, partitë politike po përpëliten me disa drejtues të rraskapitur që mendua për vete dhe fëmijët e tyre, por më e keqja, edhe ata që studiuan jashtë vendit deri në Amerikë dhe vendet e Perëndimit, kur erdhën në Shqipëri drejtuan me mendjen e Lindjes. Cikli i tyre bashkë me “përvojën” që sollën nga Perëndimi ngeli në vend. Komunistët dhe ballistët tashmë janë të evidentuar në histori. Në qoftë se koha do t’i kërkojë, le të hyjnë në valle, por jo me mendësitë e vitit 1944, por me mendësi të reja, me prurje kapitale dhe dukuri që të shmangin këtë katrahurë që po përjetojmë. Nuk vjen gjë me të shara, me inate shekullore, me ndarje klasore, por bëhuni bashkë dhe përvishuni punës për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Mundësitë janë.

Ballist i nderuar e kaluara ju mban peng

Ajo që ju mungon i nderuar ballist është e kaluara, e cila ju mban peng. Nuk e riparoni dot, veç ju duhet punë, jo fjalë boshe. Këtu kujtoj se shumë po flitet për emigracionin ekonomik të rinisë. Po rrugët ndaj u hapën, që të rinjtë të jetojnë më mirë. Ju rinisë ia pretë shpresat, i morët të gjitha për vete dhe fëmijët tuaj, çfarë të bëjnë njerëzit e thjeshtë. Do të hanë dhe ata bukë dhe do të jetojnë edhe ata mirë. Ne që ngelëm në vend dhe punuam, mezi siguruam jetësen, se kështu deshëm! Për ta mbyllur i nderuar ballist, në Ramicën time në Vlorë, në monizëm kishte shkollë të mesme, qendër shëndetësore, shtëpi lindje, të rinjtë ishin vitalë, mësuan dhe nisën punë kudo në atdhe. Kishte gjallëri. Por u larguan se plasi demokracia dhe komunistët i tradhtuan idealet e tyre. Ata u rregulluan në Europë dhe Amerikë, ndërtuan jetë. Fshati ka ngelur i shkretë. Po pse, sepse politikat që u ndoqën ishin të mbrapshta. Tani ia vendosni fajin njëri-tjetrit. Vazhdojeni se mirë e kini. Në Ramicë, që ishte qendra e luftës, e punës, sot është errësirë, nuk ka rrugë, ujë që është mes ujit, bagëti që rrit mali pamasë, por që nuk i shesin dot, tokë të pacertifikuar, shtëpi pa tapi. Këto kërkoi që të bëni o të mjerë deputetë dhe jo me komunist dhe ballist. Lus zotin çdo ditë që të bëhet më e mira, por ende jo. E fajin përsëri e kanë komunistët se kështu duan ballistët...