BREAKING NEWS

SPAK sekuestron pasuritë e Adriatik Llallës, vjen paralajmërimi i fuqishëm nga Yuri Kim

SPAK sekuestron pasuritë e Adriatik Llallës, vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave dhe Sharan Burrow, ja përse duhet të shpallen “non grata” e punëtorisë shqiptare

Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave dhe Sharan Burrow, ja

Ka kohë që jam në dilemë se duhet apo jo të shkruaj këto rreshta për sindikatat botërore. Por, më në fund vendosa, që nëpërmjet këtij shkrimi, opinioni të njihet me kontributin dhe bëmat e tyre. Që në fillim dua të sqaroj se ka patur dy etapa krejt të ndryshme në këndvështrimin tim. E para ka të bëjë me mbështetjen e madhe që sindikatat amerikane AFL-CIO dha në fillimet e demokracisë dhe sindikatat e tjera ndërkombëtare. Ndihmë e vyer për punonjësit e Shqipërisë të cilët po orientoheshin nga sindikatat botërore se si duhet të mbrojnë të drejtat e tyre duke u bashkuar në sindikata. Pati një mbështetje të fuqishme ligjore dhe logjistike. Në një farë mënyre, sindikatat shqiptare ishin të mbrojtura ndërkombëtarisht. Në fillimet e demokracisë shumë delegacione sindikale shqiptare iu drejtuan Rinasit për të udhëtuar drejt simotrave demokratike. Pa asnjë paragjykim, aleatët sindikalë ndërkombëtarë pritën sindikalistët e ardhur nga Shqipëria me shpresë se ata do të ishin “gardianët” e punonjësve dhe se e gjithë veprimtaria e tyre do të ishte në shërbim të tyre. Por, ngjarjet që rrodhën më pas treguan se me përjashtime krerët sindikalë harruan leksionet që morën duke e përqëndruar vëmendjen tek ana ekonomike. Është folur shumë këto ditë për shuma parash dhe asete të sindikatave që as më kanë interesuar dhe as më interesojnë. Sepse edhe kur kam qenë zëdhënës i dy grupimeve dhe kryeredaktor i gazetave tashmë të mbyllura jo për financa “Sindikalisti” e “Pasqyra”, puna ime ka qenë e përqëndruar tek lëvizja sindikale. Kam punuar me devotshmëri dhe me ndershmëri gjithashtu, jo për “kultin e individit” duke marrë një rrogë modeste sa ç’është sot paga minimale (me dhe pa sigurime shoqërore) dhe kjo është lehtësisht e vërtetueshme. Kam shkruar për gjëra që di dhe jo për ato pronësore të sindikatave, sepse as i di dhe as më kanë interesuar. Përsa i përket lëvizjes sindikale kam qenë dhe do të mbetem kritik dhe me detaje, sepse di shumë që prej vitit 1991. Po ashtu, nga shumë personazhe të sindikalizmit kam marrë informacionin e nevojshëm nëpërmjet intervistave dhe kujtimeve të tyre, përsa i përket asaj që ka ndodhur në gjithë këto vite me avokaten e punonjësve. Si gazetar në shumë gazeta të përditshme dhe në TV me detyra ose jo, kam përcjellë me shqetësim zërin e sindikalistëve dhe të punonjësve i bindur tek “pushteti i punëtorëve” që unë i cilësoj dhe dua që të jenë sindikatat. Shpeshherë kam pësuar zhgënjime nga mbrojtësit e punonjësve, sepse ata ishin dhe janë të fragmentarizuar dhe të përçarë, dje dhe sot. Shumë vonë kam kuptuar duke qenë pjesë e gazetarisë sindikaliste, se qëllimi i tyre nuk kishte në themel zgjidhjen e problemit, por përfitimin nga kuotizacioni. Për të mos u ndalur tek opinioni im për gjendjen që ndodhen sindikatat sot, dua të radhis disa rreshta për sindikatat botërore të cilët i kanë dhënë goditjen më të rëndë dhe fatale lëvizjes së punëtorëve në Shqipëri. Trishtuese. Drejtuesit e tyre dhe kur vijnë në Shqipëri si përfill njeri. Mbyllen në salla, vazhdojnë demagogjinë e radhës. Japin leksionet e para 30 viteve. Ikin pa lënë gjurmë. Flasin për mbështetje, por kurrë nuk kanë marrë iniciativën të trokasin në dyert e pushtetit dhe opozitës për sindikalizmin. Ka dy arsye. Ose kanë informacion që si pret njeri, ose janë të zhgënjyer nga sindikatat shqiptare. Se s’ka si kuptohet që drejtuesja e (ITUC) Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave të vijë në kongrese të grupimeve sindikale, të mbajë fjalime dhe të largohet nga Shqipëria si një qytetare e thjeshtë apo turiste?!!!

Ma keq akoma. A kanë sy këta botërorët apo europianët që shikojnë në seminare jashtë vendit po të njëjtat fytyra. Gjithologë për shumë fusha, apo kështu ju intereson që të përgatisin leksionin e radhës me qëllime përfitimi ekonomik. Sipas informacioneve që kam dhe për 5 Euro të papaguara si kuotë ndërkombëtare, sindikatat botërore kanë lënë jashtë sallave të mbledhjes drejtues të sindikatave shqiptare. Pra para, para, para! Gjithçka në funksion të saj dhe karrierës. Zgjedhjet e fundit për kreun e Konfederatës Botërore të Sindikatave treguan se sa pis është bërë sindikalizmi botëror. Luftë për të qëndruar në krye, për karrierë, e përfitime, intriga dhe takime të fshehta për të mundur kundërshtarin. Në lojë agjentura, e lloj lloj skenarësh. Sot në botë ka një konfederatë botërore sindikatash e një europiane. Të dyja janë në një konflikt të heshtur mes tyre. Po ashtu, po lindin lloj lloj grupimesh rajonale me tendenca nacionale dhe fetare. Kësaj po i shtohet dhe shoqëria civile. Pra një çoroditje e vërtetë. Ajo që më bën të ndjehem keq janë sindikatat ndërkombëtare që nuk u interesuan kurrë se kush e drejton propagandën sindikaliste. Apo i kanë manipuluar “shëtitësit turistë” me avion nga njëri shtet në tjetrin? Sindikatat botërore përjashtuar ato amerikane e kanë treguar në gjithë këto vite se janë varrmihësit e sindikalizmit në Shqipëri. Ata që mbrojnë gjoja në emër të sindikalizmit sindikatat në Shqipëri, nuk janë gjë tjetër vetëm disa sekserë të grumbullimit të kuotave të anëtarësisë.