BREAKING NEWS

Pëllumb Pipero optimist jep mesazhin që na qetëson të gjithëve: Vetëm këto do jenë ditët e pikut, ndërsa lajmi i mirë është se numri i të prekurve do të ulet...

Pëllumb Pipero optimist jep mesazhin që na qetëson të
x

Opinion / Editorial

Konferenca e Donatorëve çeli negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian

Konferenca e Donatorëve çeli negociatat e Shqipërisë me

Konferenca e Donatorëve konfirmoi publikisht se Bashkimi Europian çeli negociatat me Shqipërinë. Ishte një arritje surprizë, jo vetëm për Shqipërinë, për kryeministrin Edi Rama, por edhe për vetë Europën, për vetë shtetet donatore, të cilat shprehën realisht solidaritetin, mbështetjen solemnisht për rindërtimin e Shqipërisë nga shkatërrimet masive, në përmasa apokaliptike të tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019. Ishte një solidaritet i vendeve të Bashkimit Europian, të institucioneve financiare, por edhe të vendeve të tjera në botë, që i dhanë vlerë të jashtëzakonshme humanizmit njerëzor, të prekurve nga tërmeti, por shprehën njëkohësisht vullnetin e mirë për fqinjësi e vëllazëri të shëndetshme. Janë një numër i madh shtetesh që bashkuan dëshirën, vullnetin, rritën shpresën për një botë në harmoni midis komuniteteve atje ku janë.

Duhet përshëndetur iniciativa, këmbëngulja e kryeministrit Edi Rama, që pas tërmetit të tmerrshëm, ku humbën jetën 51 vetë dhe u plagosën me qindra të tjerë, shprehu bindjen, këmbënguljen e tij se nga dheu do i nxirrte paratë për ndërtimin e banesave, institucioneve arsimore, shëndetësore në zonat e shkatërruara nga fuqia e natyrës. U desh të vinte Konferenca e Donatorëve që të provohej se popujt, qeveritë, institucionet e tyre publike e kanë dashur dhe e duan Shqipërinë në gjirin e tyre. E kanë dashur popullin shqiptar për vitalitetin dhe bashkëjetesën e tij me popujt e qytetëruar. Grumbullimi i 1.15 miliardë euro në formë huaje dhe donacione për ndërtimin e banesave, institucioneve të shkatërruara nga forca e tërmetit, nga mbi 40 vende, kaluan çdo pritshmëri dhe përmbushën faturën e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet sizmike të forta të tokës. Për të mbërritur deri këtu u punua dhe lobua fort nga drejtuesit e institucioneve të Bashkimit Europian, Bundestagut gjerman, SHBA, të cilët e morën seriozisht detyrën për ta ndihmuar me gjithë zemër Shqipërinë. Grumbullimit të donacioneve i parapriu një punë e mundimshme për të sensibilizuar vendet që të bashkonin vullnetin, dëshirën, por edhe financat e tyre për të rindërtuar Shqipërinë e re europiane. Shqiptarët gjejnë rastin të përshëndesin përzemërsisht shtetet donatore, udhëheqësit e tyre, të cilët u treguan të gatshëm të shtrijnë dorën e bashkëpunimit duke i ardhur në ndihmë konkrete Shqipërisë për të rindërtuar zona të tëra të shkatërruara, të rrënuara nga tërmeti i frikshëm i nëntorit të vitit që lamë pas. Konferenca të tilla janë mbresëlënëse, janë të rralla dhe mbahen mend gjatë. Me fjalë të zgjedhura, prekëse u shpreh edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen. “Sot është çasti ynë të tregojmë solidaritetin tonë. Sot jemi krah Shqipërisë në një moment nevoje. Shqipëria do ngrihet më e fortë dhe më e sigurtë nga hiri i tërmetit. Unë mbështetem tek të gjithë ju për këtë”, tha Ursula në Konferencën e Donatorëve, mbajtur më 17 shkurt 2020. Konferenca shënoi një arritje të paimagjinueshme, jo pse donatorët nga e gjithë bota ofruan ndihma financiare e morale, por Shqipërinë e afruan edhe më shumë me Bashkimin Europian, e afruan edhe më shumë me popujt dhe qytetërimin perëndimor. Konferenca e Donatorëve mundësoi, afroi edhe më tepër çeljen e negociatave të Shqipërisë me Europën. Shtetet europiane, por edhe vende të tjerë miratuan donacione për rindërtimin e zonave të dëmtuara, ndërkohë kanë votuar, janë shprehur “PRO” për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Nuk prishin punë ca procedura statistikore për të finalizuar zyrtarisht këtë mision të shumëpritur. Edhe më skeptikët është mirë ta kuptojnë se shqiptarët janë njerëz që e duan Europën, për të cilën kanë afro tre dekada që po bëjnë luftë të ashpër kundër korrupsionit, betejë që do ta fitojnë pa kusht. Lufta për fitoren e demokracisë nuk bëhet me molotovë, nuk bëhet duke shembur institucionet e shtetit, por duke ndjekur rrugën institucionale dhe ligjore. Vetëm kështu ndërtohet shteti ligjor, për të cilin kërkohet konsensus, mirëkuptim, kërkohet maturi. Në të kundërt thyen kokën dhe ku ishe asgjkundi. Lista e donacioneve është e gjatë dhe të gjithë ata që kontribuan kanë mirënjohjen e shqiptarëve. Janë donacione të spikatura në botë, donacione lider për rindërtim e zhvillim, siç mund të përmendim Banka Botërore, Banka Europiane e Investimeve, Banka e Këshillit të Europës, Banka Europiane për Rindërtim (BERZH), Emiratet e Bashkuara të Arabisë dhe shtete të tjera si Franca, Italia, Suedia etj. Për ziliqarët, hileqarët, nihilistët, Konferenca, ku u bashkuan shtete nga e gjithë bota, nuk dha mesazhe të qarta për shqiptarët. Nuk u erdhi mirë. Kërkonin dështim, donin të mos mblidheshin aq shumë fonde. Qëllimi? Rama të dështonte në këtë sipërmarrje që do i kushtonte shumë, ndoshta tërheqjen nga qeverisja, para përfundimit të mandatit legjitim. Askush nuk doli të përshëndesë frymën e bashkëpunimit, solidaritetit, humanizmit, sepse “një pjesë e konsiderueshme e financave të grumbulluara janë hua, nuk janë donacione, dhuratë, ndihmë për të rrënuarit nga tërmeti”. Gjykime të tipit ziliqar! Bota vullnetplotë bëri gjithçka mundi për t’i ardhur në ndihmë shqiptarëve të lodhur nga tranzicioni i stërzgjatur, ndërsa ca opozitarë, ca njerëz të skaduar, fyejnë institucionet, donatorët, popujt duke thënë se paratë do i vjedhin qeveritarët, pushtetarët, sekserët e rilindjes. Paratë ende nuk janë në destinacion, ndërsa shqiptarët e shfrenuar e dhanë zgjidhjen e tyre! Kujtojnë se duke motivuar këtë moral do sigurojnë të ardhme politike. Kjo fashë njerëzish e ka të vështirë të shprehë kënaqësinë e saj për këto ndihma kolosale, që kanë ardhur në adresë të Shqipërisë, në adresë të shqiptarëve që flenë në çadra. Donacionet ishin dhe mbeten e vetmja shpresë për të ndërtuar e bërë banesa të bukura, më të bukura se ato që kanë qenë para tërmetit. Bëjnë sikur nuk shohin, sikur nuk ka ndodhur gjë, sikur gjithçka e sajon qeveria e Rilindjes dhe kryeministri Rama. Ta zëmë se është si thonë opozitarët. Po homologët e familjes së tyre politike, në vendet europiane, me të cilët mbajnë lidhje të ngushtë, nuk i kanë pyetur se çfarë po ndodh me Shqipërinë? Zilia ka arritur kulmin. I mundon shumë fakti që Edi Rama mblodhi kaq shumë ndihma nga ana e anës për të ndërtuar shtëpi banimi për shqiptarët. Për këtë bëheni ziliqarë? Shqiptarët janë me shumë fat që kanë një kryeministër si Edi Rama në kohën e këtij tërmeti të frikshëm. Të ishte ndonjë tjetër nuk do kishte guxuar të shkonte në Italinë fqinje për ndihmë, jo lëmoshë, siç e quajnë nihilistët, e jo më të shkonin në Emiratet e Arabisë për të kërkuar ndihmë njerëzore, për të mos i lënë njerëzit të flenë me çadra. Trokitja për ndihmë nuk është dobësi e Edi Ramës, as e qeverisë së tij. Shqipëria e vogël kaq i ka mundësitë për të përballuar e vetme fatkeqësitë natyrore. Kështu e sollën këtë vend ata që kanë qeverisur në këto dekada. Shqiptarët i varfëroi korrupsioni galopant, politika e inkriminuar e këtij tranzicioni që nuk ka fund. Xhepat e shqiptarëve do kishin dhe ca kacidhe më tepër, po ku të lënë peshqit e politikës të ngrenë kokë fukarenjtë. Në këtë kohë fatkeqësie natyrore bota e afërt dhe e largët u ndodh pranë shqiptarëve të rrënuar, ndërsa opozita, ca politikanë të zgjebosur akuzojnë se ndihmat, huatë po i vjedhin qeveritarët. Absurditet me birë! Duket se këta syresh jetojnë në botën e ufove!