BREAKING NEWS

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë, zv/ministra, drejtorë e ish-anëtarë të LSI, zbulohen emrat që spostojnë veteranët

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë,
x

Opinion / Editorial

Konferenca e munguar ndërqeveritare, BE, qeveria dhe opozita shqiptare!

Konferenca e munguar ndërqeveritare, BE, qeveria dhe opozita shqiptare!

Gjatë këtyre ditëve, sapo kancelarja gjermane, zonja Merkel, deklaroi se nuk mund të thotë e sigurtë se me Shqipërinë do të ketë konferencë ndërqeveritare këtë vit që presupozon celebrimin e hapjes së negociatave, këtej nga ne shpërthyen sulmet, u nënvizua heshtja dhe u lartësuan parashikimet e tërë atyre që kishin deklaruar se Shqipëria nuk e meriton inaugurimin e negociatave përmes konferencës së parë ndërqeveritare. Për kancelaren, marsi mund të jetë muaji më i mundshëm. Kjo e pritjes për mundësitë e së ardhmes gjithnjë duke e shtyrë e shtyrë dhe pa u dukur dritë jeshile në fund të tunelit, është një praktikë e njohur e cila për ne që e duam Shqipërinë si gjithë Europa, përkthehet se Europa na ka vënë në vrapimin më të vështirë, atë të ecjes me pengesa, ku kërkohet të jesh patjetër atlet rekordmen, shumë i mirë, i fuqishëm për t`ia mbërritur në krye të rrugës. Finishi për shqiptarët, është me sa duket shumë larg. Kuptohet analiza për këto shtyrje të përsëritura edhe pas raporteve pozitive të komisioneve të integrimit të BE-së, shkakton pesimizëm dhe iluzione tek skeptikët të cilët shtohen sa herë përballemi me jo-në europiane. Nuk janë të paktë ata që janë bërë indiferentë me ato që do komunikojnë institucionet europiane dhe më të shumtë ata që përditë e kërkojnë integrimin në mënyrën më klasike që është edhe rruga më e shkurtër, por edhe më e vështira, duke u larguar drejt vendeve të Bashkimit Europian me forma nga më të ndryshmet dhe me kërkesa për azil, duke u bërë rezidentë të atyre vendeve dhe për ta pak rëndësi ka nëse negociatat marrin jetë në Shqipëri. Nuk janë të paktë ata që prej tri dekadash, sapo u hapën portat dhe mundën të merrnin një vizë pa asnjë dokument morën rrugët e kurbetit, duke kaluar dete e male, ku jo pak prej tyre përfunduan të humbur. Pas njoftimit të Kancelares Merkel, kuptohet se qeveria ka nisur të evidentojë problematikat dhe të vërë në balancë arritjet, ballafaquar me kërkesat dhe detyrat e vendosura nga BE dhe veçanërisht Bundestagu Gjerman. Nëse u referohesh fakteve dhe ndjek zhvillimet dinamike nuk mund të mohohen reformat e ndërmarra dhe arritjet në shumë prej tyre, ku në krye qëndron reforma në drejtësi, e cila është pasaporta diplomatike e Shqipërisë përmes së cilës janë shënuar arritje sinjifikative. Nga reforma e thellë në drejtësi, janë larguar deri sot 286 magjistratë dhe selksionimi përmes vetingut vijon për të larguar nga sistemi i drejtësisë të gjithë ata që e kanë shkelur me të dyja këmbët ligjin dhe janë pasuruar përmes korrupsionit ose kanë pasur kontakte me individë të dënuar dhe kanë përfituar të mira materiale të pamerituara. Largimet masive nga sistemi i drejtësisë, detyrimisht do të sillnin edhe trauma të rënda në sistem. Kështu Gjykata Kushtetuese nga ku u larguan gati njëqind për qind e gjyqtarëve dhe nga Gjykata e Lartë po ashtu do krijoheshin boshllëqe që vërtet kërkohet të plotësohen, po në fund të fundit kjo nuk mund të bëhet me një të rënë të lapsit dhe duhet koha e mjaftueshme për riparimin e zëvendësimin e boshllëqeve. Sistemi i drejtësisë, është zhveshur nga jo pak individë problematikë, të cilët duhet të kalojnë para togave të zeza dhe të japin llogari për gjithçka është konstatuar gjatë veprimtarisë së tyre që në jo pak raste kanë qenë antiligjore. Kur vjen fjala për arritjet në drejtësi të gjithë deklarohen se është merita e tyre. Kur fletët për mungesën e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese e tërë barra i hidhet mbi shpinë Edi Ramës kur dihet se institucionet që ndërmarrin veprime konkrete për të plotësuar sistemin e drejtësisë janë, Presidenti i Republikës, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë. Për opozitën që dihet se do ta përdori me të gjitha forcat mos zhvillimin e konferencës ndërqeveritare, si kalë beteje për të anatemuar mazhorancën do vijojë për një kohë të gjatë deri në ditën e zgjedhjeve, pse do të jetë kazusi më negativ për ditën e zgjedhjeve. I pari që shprehu ngazëllimin për goditjen që mori mazhoranca e sintetizuar tek kryeministri Edi Rama, ishte ish-kryeministri Sali Berisha, i cili deklaroi se më në fund Merkel e njohu Edi Ramën?! Duket sikur thotë se, Perëndimi i hoqi vizë Ramës dhe tani radha është e opozitës e cila përvetëson gjatë tërë kohës vetëm arritjet dhe deklaron për çdo rast fitore edhe atëherë kur është imponuar të japi konsensus edhe atëherë kur ikën nga Parlamenti dhe bojkoton zgjedhjet. Demokracia është raporti mes opozitës dhe mazhorancës. Nuk mund të kupthet gjysma pa pjesën tjetër. Kështu mendimi se opozita është në këtë rast jashtë dhe komode e çliruar se duhet të mburret si triumfatore, është gjykimi më i shëmtuar dhe dritëshkurtër për forcat politike, të cilat janë pjesë e demokracisë dhe kanë një peshë të jashtëzakonshme të cilën duhet ta mbajnë mbi supet e veta pasi këtu nuk flitet për merita e dobësi mes nesh, po për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shkurt për gjykimin e Berishës ka një fajtor të vetëm për mos organizimin e konferencës: Është Edi Rama me të tijët. Qeveria dështoi! Sa për institucionet e tjera të gjitha janë në lartësinë e duhur. Jo për të hequr përgjegjësitë e qeverisë pasi dihet ajo është violina e parë dhe duhet të mbajë mbi supe përgjegjësitë e zhvillimit dhe ecjes përpara, por pas nuk mbeten gjithë faktorët e tjerë të cilët kanë përgjegjësi individuale e institucionale dhe duhet të jenë në vijën e parë të frontit për t’u integruar në Bashkimin Europian. Ngazëllimi dhe larja e duarve nga përgjegjësitë për mos arritjet dhe shpallja si fitimtarë pas jo-së nga BE nga liderët politikë në opozitë, duke u fshehur pas mazhorancës nuk është reale dhe as duhet të shërbejë si armë apo komardare aq më pak si një shtesë aksionesh në rrugëtimin drejtë pushtetit, Aq më shumë për denigrimin e mazhorancës. Tek e fundit si krerët e opozitës edhe ata të mazhorancës deri tek kryetarët e partive politike mjafton të kenë seli, vulë e firmë, kanë pasaporta dhe gjithë mundësitë për të shkuar në Europë, jo vetëm në kohë të zakonshme, po edhe në mesin e pandemisë botërore, si dhe kur të duan. Ndaj çdo jo europiane, është goditje për popullin shqiptar, traumë e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi të cilët kanë afeksion të jashtëzakonshëm për Europën dhe e duan me gjithë shpirt integrimin. Po, BE, duket shumë e largët. Ndoshta jo aq larg sa mjekra e Ramës, siç ka thënë në një prononcim të arrijnë flokët e një zonje, po sidoqoftë shumë larg. Perfeksioni nuk arrihet kurrë. Nëse edhe të gjitha kushtet do plotësohen, një ditë, është e fortë bindja se do dalin kërkesa shtesë. Dhe kështu në pafundësi çdo vit do sjellë një kriter të ri. Do shuhet një skeptik do lindi një tjetër edhe më skeptik. Sot një shtet, thotë jo. Nesër do jetë një tjetër. Dhe në fund, vitet do ikin dhe BE do duket edhe më larg. Në shqiptarët që jetojmë në këto njëzetë e tetë mijë kilometër katror do zoti dhe nuk na fshihet ëndrra europiane. Ca këtu, si kushte të paplotësuara, ca në Europë si skeptikë të përjetshëm, të tjerë që na vendosin minuta shtesë dhe ne do mbajmë sytë nga BE dhe Europa për afate të reja. Pavarësisht kush është pozitë, cili do jetë në opozitë, shqiptarët, janë të njëjtët. Europa ka në dorë për pranimin ose jo për të mirën e shqiptarëve dhe jo për benefite mazhoritare apo ngazëllime opozitare!