BREAKING NEWS

I përfshirë në korrupsion për lirimin e një të burgosuri, GJKKO merr vendimin dhe ndryshon masën e sigurisë për bashkëshortin e ish-gjyqtares Mimoza Margjeka

I përfshirë në korrupsion për lirimin e një të
x

Opinion / Editorial

Konflikti Francë-Turqi ose teza e përplasjes së qytetërimeve

Konflikti Francë-Turqi ose teza e përplasjes së qytetërimeve

Franca është bërë sërish shënjestër e terrorizmit duke shtuar bilancin e personave të pafajshëm që kanë humbur jetën. Dhe shkak janë bërë në mënyrë të përsëritur karikaturat e Profetit Muhamed në faqet e revistës “Charlie Hebdo”. Por ajo që bie në sy është se deri dje autorësinë e sulmeve e merrte ISIS-i, me militantët e vet, që deklarohej se po bënte “luftë të shenjtë” ndaj të pafeve. Kjo mënyrë radikale e zgjidhjes së problemeve dukej se nuk gjente përkrahje as në Perëndim dhe as në Lindje dhe shteti islamik dukej si çiban për botën demokratike. Por së fundmi kemi të tjerë protagonistë në këtë skenë makabre mesjetare, presidentin e Turqisë, Erdogan dhe atë të Francës, Macron. Tani problemi bëhet vetvetiu më i komplikuar dhe me shumë të panjohura. Duket se palët po ashpërsojnë tonet dhe duke shkelur etapat në mënyrë të sforcuar po shkojnë drejt një kulminacioni. Erdogan po shfaqet si simbol i mbrojtjes së “kulturës myslimane”, ndërsa rivali i tij si mbrojtës i “qytetërimit perëndimor”, të “sekularizmit”. Dhe ky duel “mitik”, kalorësiak shoqërohet me humbje jetësh njerëzore. Dhe ajo që e bën edhe më absurd këtë përballje është se po zhvillohet në kulmin e pandemisë së coronavirusit. Duket si një përshkallëzim i paralajmëruar shumë herët nga Samuel Hungtinton në lidhje me Luftën e Tretë Botërore, për “Përplasjen e Qytetërimeve”. Tezë që bie ndesh me thelbin e globalizimit, ku kufijtë humbasin vlerën fillestare dhe integrimi, gjetja e pikave të përbashkëta, zgjidhja e konflikteve me konsensus dhe krijimi i kohezionit janë terma reference. Por kur nisi konflikti midis dy burrave të shteteve të sipërcituar? Sipari u çel me konfliktin greko-turk për ujërat detare, ku kryesisht Franca, u rreshtua jo vetëm diplomatikisht, por edhe ushtarakisht në mbështetje të grekëve, duke e cilësuar çështjen në fjalë si një problem jo vetëm territorial, por edhe të qytetërimit helen, perëndimor. Ka patur deklarata, ulje e ngritje tonesh respektive nga protagonistët dhe kërcënime për sanksione. Dhe në gjetje të një akordi, një zgjidhjeje të pranueshme, nuk kanë munguar as fyerjet në zhargon, në nivelin e turmës. Sa më shumë shitet mbrojtës Erdogan, aq më shumë shitet sfidues Macron! Me arsyetimin, se: “përderisa ne kemi “liberalizuar” Jezusin përse u dashka të mos e bëjmë me Muhamedin”?! Dhe revanshi ka kaluar në terma ekonomikë, abandonim të mallrave franceze dhe një izolim dhe përjashtim të paralajmëruar të Turqisë nga proceset integruese në BE. Në fakt nga kjo lloj qasje absurde për mendjen e çdo njeriu normal në këtë planet, teksa dy liderët kanë objektiva të qarta të rritjes së audiencës sidomos brenda vendeve të tyre, në përmirësim të imazhit të dëmtuar prej problemeve ekonomike dhe sociale të krijuara në mënyrë permanente dhe ruajtjen e statusquosë, të humburit janë vetëm qytetarët në një shtrirje gjeografike mjaft të gjerë. Teksa një sërë vendesh përballen me pandeminë, me krizën e ushqimeve dhe sfidat mjedisore, disa syresh po nxitojnë të armatosen, shesin dhe blejnë armatime dhe përpiqen të nxisin zjarrin e konflikteve, të rihapin llogaritë e vjetra. Përtej fasadës (feja, sekularizmi) nuk heqin dorë nga planet përhegjemoni dhe rindarje të zonave të influencës në kufijtë e vjetër.