BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Opinion / Editorial

"Konformizmi" frikacak i intelektualizmit shqiptar, suksesi i tiranucëve korruptivë!

"Konformizmi" frikacak i intelektualizmit shqiptar, suksesi i

Sigurisht që është një gabim të akuzosh për faje retro kulturalizmi dhe sidomos për shoqëri në bindje ekstremisht të sunduara dhe shtet korruptiv - thjesht pjesën poshtë të shoqërisë. Deri dje e kam bërë edhe unë një gabim të tillë. Por sot është një faj të mendosh kështu. Faji kryesor në shoqërinë tonë i takon shtresës intelektuale, e cila është më frikacakja, më e turpëruara nga përdorimi, më e varfra në ide politike që do të thotë më e "konfirmuara" me të zakonshmen e pushteteve sipër saj. Pjesa intelektuale e thërrmuar, e dërmuar, e shantazhuar dhe e përdorur në diktaturë, nuk ka dalë nga vesi i frikës dhe pikërisht konformizmit frikacak dhe sot e kësaj dite. Nuk ka dalë nga frika e cila e konformonte në diktaturë, në kohë të Saliut të parë dhe të dytë dhe në kohë të Edi Ramës. Sot ka frikë të bëjë një "like" haptas, sepse ka frikë kjo pjesë e intelektualizmit se mos e largojnë nga puna, se mos e persekutojnë, se mos e dhunojnë me tatim, taksa, se mos e përgjojnë partitë dhe militantët, se mos i prishin punë në avenirin e fëmijëve, biznes, shkollim dhe profesion etj etj. Nëqoftëse në fillimet e tiranive intelektualët jashtë nesh kanë "lepurin në bark", në Shqipëri, në saj të një reprezalje dhe konformizmit absurd deri në frikësim total e kanë "lepurin në bark me gjithë gëmushë ose kaçube". Nuk thonë atë që mendojnë, përtypen pa fund dhe pa ndalim dhe fyhen gjithmonë, por vazhdojnë jetën sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Përndryshe nuk shpjegohen marrëzitë tona politike dhe ekonomike deri në kriminalitet dhe krijim të tiranucëve që janë një hiç gjë humane, por që bëhen "zota" në sajë të konformizmit frikacak të intelektualëve shqiptarë. Arthur Schopenhauer thotë: Ne humbin tre të katërtat e vetes tonë për të "qenë si të tjerët". Sepse këto janë kërkesat e tiranive dhe uniformiteti absurd dhe kështu bëhet pjesa intelektuale në konformizëm. Humbet veten, cilësitë personale dhe humbet origjinalitetin ideor dhe kreativ. Humbet mundësinë për mendim të lirë dhe të shprehur haptas. Përndryshe si mund të shpjegohet që Shqipëria ka 30-të vjet mbas 45 viteve diktaturë, që nuk përballet intelektualisht me maskarenjtë që sundojnë, vjedhin, vrasin dhe korruptojnë gjithçka? E ka paralajmëruar Erich Fromm këtë rrezik të kthimit në fashizëm të djathtë dhe të majtë të një natyre moderne. Si kushtet politike dhe ekonomike e favorizojnë epokën tonë në izolimin në rritje, por dhe rritjen absurde të pafuqisë së individit dhe sigurisht nga ekzaminimet psikologjike është demonstruar që kjo pafuqi çon ose në tipin e një drejtimi karakteri autoritar ose në një konformizëm obsesiv, gjatë të cilit individi kthehet në një automat, humbet individualitetin. Në të vërtetë e ka paralajmëruar dhe Seneka, i cili thotë: Detyra jonë parësore është të mos ndjekim, siç bëjnë kafshët që kthehen në tufën e atij që i udhëheq. E për fat të keq konformizmi i intelektualizmit shqiptar është i tillë prej dekadash. Sigurisht shumë e kanë pësuar dhe leksioni i dënimeve apo pësimeve ka qënë i rëndë, por ky konformizëm absurd dhe i frikësuar po ju bindet sot pjesëve më të korruptuara të politikës që nga vitet ‘90-të e deri më sot. Tendenca për të qenë konform, edhe nëse është vetëm në pamje, me doktrinat, zakonet, opinionet e përhapura nga shoqëria dhe politika është një sëmundje e rëndë te intelektualët shqiptarë. Konformisti ka tendencë në fakt që ta bëjë pasivisht të tijën, doktrinat politike, por dhe fetare të ndjekura nga shumica e anëtarëve të grupit, të cilit ai i mendon se përket. Në një kuptim më të gjerë, shihet si kuptimi negativ i atyre që përshtaten lehtësisht me mendimet ose zakonet që mbizotërojnë, në politikën zyrtare, me dispozitat dhe dëshirat e atyre që janë në pushtet. Akoma më shumë sot në "konformizmin e dëmshëm mediatik". Të opinioneve të paguara mirë nga pushtete që bëjnë dhe shpëlarjen e trurit dhe "urtësinë" e pjesës tjetër në masën intelektuale. Te ne shikohet qartë në dy apo tre televizione me njerëzit (gazetarë opinionistë, pronarë emisionesh që në fakt pronarin e vërtetë e kanë diku lart në politikë dhe financë) e superpaguar të klikave korruptive financiaro politike, të cilat qëllimin e parë kanë rritjen e konformizmit të intelektualizmit ose frikësimin sa më shumë të kësaj shtrese në Shqipëri. Edhe ajo pjesë e anti-konformistëve ose atyre refraktarëve të ideve mbizotëruese është nën kontroll apo sulm të një grupi madhështor të super paguar që pastaj kontrollojnë fijet e pushtetit dhe parasë duke sulmuar, lënë pa punë, shkatërruar biznes dhe deri në kërcënime fizike, apo dhe familjes. Në psikologjinë sociale pranë konceptit konformist është dhe ai i "të bindurit". E kudo "bindja" pastaj implikon dhe konformizëm. Mësohen nga bindja e ushtruar si shenjë frike në shoqërizim që njerëzit të mësohen të konformohen me disa norma, tju binden disa figurave dhe autoriteteve. Po pra, janë katër konceptet kyçe të shpjeguara nga Stanley Milgram. Ose hierarkia, imitimi, përmbajtja e qartë dhe vullnetarizmi akut. Të zbatuara nga një pjesë e mirë e intelektualizmit dhe në diktaturë dhe pa kuptim me një ritual grotesk dhe të turpshëm sot. Ju binden dhe pse nuk i duan, pikërisht klikave, imitojnë persona dhe çmojnë mediokritetin fitues të tyre. Kanë të qartë atë përmbajtje që i bën fitues dhe pse në shkelje të individualitetit dhe të drejtës për të qenë i veçantë dhe në fund bëhen vullnetarë të së keqes korruptive. Përndryshe pa konformizmin e intelektualizmit shqiptar nuk do të vazhdojnë sundimin tiranucë të tipit Berisha, Meta, Rama dhe të tjerë tipa që përbëjnë dhe shkatërrimin moral dhe ekonomik të shoqërisë, po dhe pasurimin e këtyre klikave me herë dhe jo përqindje. Intelektualizmi konformist dhe frikacak shqiptar, ka pranuar sundimin e të tillë tiranucëve të pasuruar me gjak dhe djersën e kësaj shoqërie, duke e futur në borxhe dhe shkatërruar ekonomikisht njëherë në dhjetë vjet. Po, po, ky konformizëm i turpshëm dhe frikacak i intelektualizmit shqiptar ndaj këtyre klikave politike është suksesi i tiranucëve që trashëgojnë njëri-tjetrin në Shqipëri. Absolutisht që nga monarkia dhe deri tani. Ky konformizëm që ka frikë dhe një "like" në Fb apo Instagram është negativ. Ai është pothuaj njësoj me klikat politike në fuqi. Në mos është më i pabesë dhe më i shëmtuar, kur vazhdon kaq gjatë dhe kur nuk është i zoti të luajë fatet e kombit në drejtim të së mirës, prosperitetit dhe demokracisë.