BREAKING NEWS

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë të re doktoresha e njohur (Emri)

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë
x

Opinion / Editorial

Konsakrimi i pavarësisë një akt triumfal mbi anarkinë dhe tradhtinë

Konsakrimi i pavarësisë një akt triumfal mbi anarkinë dhe

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë etnike me 28 Nëntor të vitit 1912, nga plaku i urtë Ismail Bej Vlora, mbylli një histori luftërash e përpjekjesh shekullore të kombit tonë. Ky akt i konsakrimit të saj, i dha fund zgjedhës shekullore të sundimit otoman në trojet shqiptare, duke hapur një faqe të re historie në krijimin e shtetit shqiptar. Megjithëse shpallja e saj u njoh një vit më vonë, nga konferenca e ndërkombëtarëve në Londër, për sovranitet nga Perandoria Osmane, komisioni ndërkombëtar i kontrollit la më shumë se gjysmën e territorit jashtë kufijve të sotëm. Kjo datë e veçantë historike për nga rëndësia dhe grotesku i përmasave, është një nga aktet më kulmore, që konfirmoi ekzistencën e kombit më të vjetër në Europë, duke i hapur rrugën e zhvillimit dhe progresit si të gjithë kombet e tjerë. Por rëndësia e saj pati vlera gjeografike dhe strategjike, po aq sa edhe nga fqinjët e tjerë të Ballkanit, të cilët kishin bërë hapa për shkëputje nga Perandoria Osmane. Prandaj të gjithë shqiptarët kudo që janë, festojnë me krenari të ligjshme bërjen e Shqipërisë. Ashtu siç do të shprehej poeti dhe atdhetari i madh At Gjergj Fishta, apo triteu i Shqipërisë siç e quante elita franceze e kohës. Ndër të tjera ai do të shkruante: "Ne nuk e bëmë Shqipërinë që ta gëzojmë, por gëzojmë që Shqipëria u bë". Ky akt mbi të gjitha kurorëzoi ëndrrën e rilindasve, të bazuar në platformën e ideuar nga ideologu i saj Abdyl Frashëri. Këto ide u bënë të njohura në një nga ngjarjet madhore të historisë, siç ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kjo platformë u bë motoja përpos shpalljes së pavarësisë, e cila kishte si objektiv:1-Çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha otomane; 2-Mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut; 3-Formimin e shtetit kombëtar shqiptar. Por në një situatë të mbarsur nga anarkia, tradhtia dhe përçarja midis shqiptarëve, shpallja e pavarësisë bënte apel dhe kërkonte një angazhim më të madh, për mbrojtje e trojeve që kërcënoheshin nga rreziku i copëtimit. Por trojet shqiptare përveç kërcënimit të jashtëm, ato vuanin edhe rreziqet e brendshme, por mbi të gjitha mungesën e rendit. Të gjitha trojet shqiptare nuk vuanin vetëm sundimin e anarkisë, por edhe synimet e mbretërive fqinje, të lidhur me shqiptarë mercenarë në shërbim të tyre. Për këtë ngjarje madhore që vuri themelet e shtetit shqiptar, të përhumbur nëpër faqet e historisë, kanë shkruar dhe folur mjaft historianë, studiues e hulumtues të huaj. Ata kanë mbëritur në të njëjtën përfundim, se Ismail Bej Vlora e pati shumë të vështirë shpalljen e pavarësisë, jo vetëm nga presioni i jashtëm, por më keq akoma nga kundërshtarët e brendshëm. Kjo kategori njerëzish kundërshtarë, influentë në mardhëniet shoqërore në trevat shqiptare, zotërues të mëdhenj të çifligjeve kishin në zemër sistemin feudal turk. Të lidhur me këtë sistem joshës me privilegje nga më të ndryshmet, ata bënin çmos që ai të mbetej i pandryshuar. Kjo lidhej kryekëput me interesat e tyre, nga që shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe shkëputja nga Turqia, do t'u hiqte atyre pushtetin, privilegjet, por mbi të gjitha pasuritë e legalizuara nga strukturat e perandorisë që po jepte shpirt. Në rrethanat kur u shpall pavarësia, në qytetin me tradita patriotike të Vlorës plakë, në të gjitha trojet sundonte anarkia. Vendi sundohej nga "paria" e çifligarëve, ku pjesa më e madhe e tyre nuk e njohën shpalljen e pavarësisë. Qeveria e sapoformuar ishte në kushte kritike, nga mos përkrahja dhe mbështetja si brenda ashtu dhe jashtë vëndit, për pasojë ajo nuk ishte në gjendje të ushtronte autoritetin e saj, në të gjitha trojet dhe viset shqiptare. Eksponentët e kundërshtimit dhe mos pajtimit me shpalljen e pavarësisë ishin të shumtë, por nga ata më me emër dhe influencë do të përmendnim, Preng Bibë Dodën në Orosh të Mirditës, Dedë Coku e Vath Marashi në Lezhë Breg-Mat e Shëngjin, në Myzeqe Azis Pashë Vrioni, në Elbasan Aqif Pasha, ndërsa Shkodra ishte nën pushtimin e një detashmenti të ushtrive ndërkombëtare, nën komandën e kolonelit Anglez Filips, por që kontrollohej nga admiral Bërni. Treva e bregut të Himarës qeverisej nga agjenti grek Spiro Milo, ndërsa Gjirokastra nga qeveria e Zografos. Mati sundohej nga Xhelal e Ahmet Zogu e në kufijtë verilindorë të vendit në Dibër, ushtronin pushtetin e tyre Arif Hyqmeti e Jusuf Bej Dohocishti. Ajo që vlen të theksohet është se të gjithë këta eksponentë me influencë në trojet shqiptare, nuk i shërbenin vendit të tyre por mbretërive fqinje nga të cilat edhe paguheshin. Kështu mund të themi për Arif Hyqmetin, që me dymijë ushtarë të armatosur me uniformë, ishte vënë në dispozicion të ushtrisë serbe. Në këtë situatë kaotike dhe anarki totale, nuk mbeteshin pas edhe përfaqësues të religjioneve fetare, të cilët në unison me figurat e mësipërme, mbanin qëndrim armiqësor ndaj çështjes kombëtare. Ndër drejtuesit e komuniteteve fetare, do të veçonim Myftiun e Tiranës Musa Qazimin, në Elbasan Dervish Beu, në Korçë dhespoti grek Germanos, ndërsa në Durrës një tjetër dhespot ai Jakov. Por ajo që e bënte më shumë pis situatën pas shpalljes së pavarësisë, ishin aktet e tradhtisë, si një nga fatkeqësitë më të mëdha që mund të ketë brenda lëkurës së tij një komb. Kështu kjo fatkeqësi kombëtare, u bë bashkudhëtare e qeverisë së re të sapoformuar. Brenda qeverisë së Vlorës ishin të atashuar kasnecë, që pretendonin se punonin për bashkimin kombëtar, kur në fakt bënin detyrat e ngarkuara nga armiqtë e Shqipërisë. Një nga feudalët tipik i vënë në shërbim të disa shteteve, që nuk e pranonte shpalljen e pavarësisë ishte Esat Pashë Toptani. Për veprimtarinë e tij anti-kombëtare, është shprehur edhe hulumtuesja dhe vlerësuesja e drejtë e çështjes shqiptare anglezja Edith Durham, e cila e ka quajtur Esat Pashën: "Sëpata e zezë e Abdyl Hamitit". Ky feudal anti-shqiptar, i dhënë pas orgjive dhe shthurjeve morale, përshkohej kryekëput nga mungesa e patriotizmit dhe ndjenjës kombëtare. Në një nga intervistat e tij të dhënë shtypit të kohës në maj të vitit 1913, kur u pyet nga një gazetar i huaj, ai i dha këtë përgjigje: "Unë jam turk, ç'lidhje kam unë me qeverinë e Ismail Qemalit? Si mundem unë një gjeneral turk, të kem marrdhënie me të"? Megjithëse patriotët shqiptarë protagonistë të shpalljes së pavarësisë, e njihnin këtë turkoshak që kishte bërë marrëveshje me Malin e Zi, duke e dorëzuar Shkodrën në duart e tyre, megjithatë i kishin ofruar një post në qeverinë e Vlorës. Por feudali analfabet që nuk dinte as shkrim e këndim, jo vetëm që nuk u paraqit në qeverinë e Vlorës, por u bë tellall i xhonturqve për osmanizmin e Shqipërisë. Duke filluar nga viti 1908 e deri në fund të jetës së tij, ai subvencionohej nga qeveria italiane e ajo serbe për shërbimet në dobi të tyre. Për të gjitha shërbimet që u ka bërë serbëve, ai është vlerësuar si hero i tyre, ndaj dhe në çdo përvjetor i bëhen nderime në varrezat e Beogradit. Por personazhe të tillë me tipologji të ndryshme tradhtie, që janë veshur me maska patrioti, për akte të cënimit të pavarësisë, nuk i kanë munguar kurrë Shqipërisë. Ndër ta do të përmendim aktet e tradhtisë së ish-mbretit të vetëshpallur Ahmet Zogu, i cili për ndihmën që i dhanë serbët për kthimin në krye të shtetit shqiptar, u dhuroi atyre Shën Naumin dhe malësitë e Kelmendit. Por ajo që vlen të përmendet është nënshkrimi i marrëveshjes me 16 pika midis tij dhe ish-kryeministrit serb Pashiq, për vënien e Shqipërisë nën kontrollin e Serbisë. Por veprimtaria e tij u pasua nga kthimi i Bankës Kombëtare Shqiptare, në Bankë Italiane duke e vënë plotësisht Shqipërinë nën kontrollin e saj. Me pushtimin e vendit nga ushtria fashiste e Musolinit, u premtoi shqiptarëve se do të vishte opingat dhe do dilte në mal, por jo vetëm që nuk doli, por rrëmbeu 1/3 e thesarit të shtetit dhe u arratis nga Shqipëria. Ndërsa kasta e "patriotëve" me maska që la pas, si Shefqet Vërlaci, Xhaferr Ypi, Sami e Qemal Vrioni, Dervish Bicaku e Kol Bibë Miraka, i dorëzuan kurorën e mbretit Viktor Emanuelit. Por edhe pas çlirimit të Shqipërisë, ishte PKSH me Enver Hoxhën në krye që tradhtojnë idealet dhe aspiratat e shqiptarëve, duke e vënë Shqipërinë në pozita poshtëruese me Jugosllavinë e Titos e më pas me Rusinë e Kinën. Urat me sllavizmin ishin në kundërshtim më dëshirat e shqiptarëve, që luftuan për demokraci e jo për ndërtimin e socializmit që shkatërroi gjithçka duke i lënë shqiptarët në varfëri e mjerim. Por aktet e tradhtisë nuk na janë ndarë edhe në këtë epokë të demokracisë së brishtë, kur politikanët që u vunë në krye të ndryshimeve demokratike, vunë mbi gjthçka interesat e tyre për pushtet e pasuri. Një ndër këto akte pas përmbysjes së monizmit, ka qenë shkatërrimi i Kishës Autoqefale Shqiptare të themeluar nga Fan Noli. Ajo iu dha përfaqësuesve të ortodoksizmit grek, nxitës të armiqësive shekullore dhe gjenocideve ndaj popullit shqiptar. Akti më i turpshëm ishte i qeverisë së djathtë e drejtuar nga Sali Berisha, kur ministri i tij i Jashtëm Lulzim Basha, firmosi shitjen e 12 miljeve detare nga ujërat tona Greqisë. Ky cënim i pastër i shkeljes mbi Kushtetutën dhe pavarësinë e vendit, ka shkaktuar sherr diplomatik midis dy vendeve, që kërkon zgjidhje adekuate nga një gjykatë ndërkombëtare. Prandaj shqiptarët e urtë e patriotë, që po ecin në gjurmët e atyre që na lanë një Shqipëri të pavarur, kanë për detyrë ta mbrojnë atë me çdo kusht, duke u bërë garant i saj dhe duke mos lejuar përsëritjen e akteve të turpshme, të politikanëve të degraduar e të papërgjegjshëm.