BREAKING NEWS

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i fortë i SHBA-së, ja çfarë pritet të ndodhë në vijim

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

Kontributi i Luzatit në luftën për çlirimin e Tepelenës dhe Vlorës

Kontributi i Luzatit në luftën për çlirimin e

Shqipëria, gjatë Luftës së Parë Botërore, ishte kthyer në një shesh lufte. Shtetet imperialiste nuk po i tërhiqnin trupat tyre pushtuese nga vendi ynë. Armiku më i rrezikshëm në këtë periudhë kohore, ishte Italia imperialiste e cila kishte pushtuar pjesën më të madhe të vendit. Me mbarimin e konfliktit botëror, Shqipëria nuk ekzistonte më si shtet i pavarur. Nga kjo luftë, vendi ynë kishte pësuar, jo vetëm dëmtime e rrënime të mëdha ekonomike, por kishte humbur në radhë të parë, pavarësinë politike, për të cilën ishte derdhur shume gjak. Pavarësia e shtetit shqiptar rrezikohej, më tepër nga fuqitë mëdha fituese, si Franca, Anglia dhe SHBA, të cilat e trajtonin Shqipërinë si plaçkë tregu, që kërkonin ta copëtonin dhe për më tepër, për të kënaqur pretendimet grabitqare të Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë. Këto pazarllëqe, të cilat fuqitë e mëdha imperialiste i kishin thurur qysh gjatë luftës, u bënë të njohura për popullin shqiptar, me denoncimin nga Lenini dhe Qeveria Sovjetike e Traktatit të fshehtë të Londrës në vitin 1915.

Rrezikun kryesor në këtë periudhë, pa nënvleftësuar synimet e dy shtetet fqinjë ballkanike, e përbënte Italia, me forcat ushtarake të saj, për të aneksuar krahinën Vlorë – Tepelenë – Himarë dhe për të siguruar mandatin mbi shtetin shqiptar, që nxiste më tepër rivalitetin edhe pretendimet territorial të fqinjëve ballkanik të Greqisë dhe Jugosllavisë. Rreziku italian shtohej, gjithashtu, edhe për shkak se në territorin shqiptar ndodheshin dy divizione, D13F dhe D36F me një efektiv prej 20.000 forcash, të komanduar nga gjeneral Piaçentini. Në këto kushte, kur rrezikohej liria, pavarësia dhe tërësia tokësore e vendit, populli shqiptar mobilizoi të gjitha energjitë dhe u vu menjëherë në lëvizje për të mbrojtur të drejtat e tij kombëtare dhe tërësinë tokësore. Urrejtja e masave popullore të krahinës së Tepelenës , kundër pushtuesve italian dhe lëvizja e tyre po merrte përpjesëtime gjithnjë e më të gjerë, në Kurvelesh, në krahinën e Rrëzës Tepelenës dhe të Lopsit. Për lëvizjen tonë kombëtare, po bëhej gjithnjë e më e qartë, se e vetmja mundësi për të dalë nga kjo gjendje e rëndë, ishte mbështetja në forcat e veta të popullit shqiptar. Kjo lëvizje mundësoi thirrjen e Kongresit të Lushnjes në të cilin morën pjesë edhe delegatët nga Tepelena, që ishin Arshi Shehu dhe Dervish Seit Gusmari, i cili hodhi poshtë planet e copëtimit e Shqipërisë. Në vendimet, që mori Kongresi, përcaktoi një program politik luftarak, ku shprehej vendosmëria e popullit shqiptar, për të mbrojtur pavarësinë dhe tërësinë tokësore, qoftë edhe me luftë të armatosur. Paria e Tepelenës, duke parë se nuk mund të shpresonin në mbështetjen e ndonjë fuqie të huaj, rritën përpjekjet për organizimin e qëndresës kundër pushtuesve Italian. Në Tepelenën e pushtuar nga italianët, më 1919, u krijua një komitet, që u quajt “Komitet i Fshehtë” i cili do të merrej me organizimin e qëndresës së armatosur. Ky Komitet ishte i përbërë nga Qazim Koculi. Baba Ahmet Turani ( Luzi), Haxhi Shehu, Arshi Shehu dhe nga Kurveleshi, Riza Runa, Sulo Lekdushi e Myslim Hajno. “Komiteti i Fshehtë” bëri një takim me 26 mars 1919, – thotë Bardhosh Gaçe – ku ishin të pranishëm edhe nënprefekti i Tepelenës Qazim Koculi, si dhe Halim Xhelo nga Vlora dhe Veli Harshova nga Gjirokastra. “Komitetet e Fshehta”, me orientim të Kongresit të Lushnjes, të ktheheshin në “Komitete të Mbrojtjes Kombëtare” në të gjithë Shqipërinë. Në fillim të marsit 1920 Komiteti i fshehtë u mblodh në Teqen e Turanit, ku u vendos që kryetar i “Komiteti të Mbrojtes Kombëtare” të ishte Baba Ahmet Turani (Luzi) nga Luzati dhe anëtar ishin Arshi Shehu, Sheh Ali Bënça, Sulejman Luzati, Riza Runa, Haxhi Shehu, Selam Musai, Ismail Malo, Feim Mezhgorani, Rakip Duka, Sadulla Xhaferi, Sulo Lekdushi, Medi Shehu etj. Komitetti thirri në një takim në teqen e Malit në afërsi të Luzatit, 45 krerë të fshatrave të krahinës. Në këtë takim ishte lajmëruar edhe Shaqo Llapi dhe 80 të arratisur që ishin fshehur nëpër male si kundërshtar të pushtuesve italianë. Këtyre ju bë thirrje që t’i kthenin çetat e tyre, në çeta patriotike. Ata pranuan, që të viheshin nën drejtimin e Komitetit, për të luftuar pushtuesit. Në këtë takim u caktuan detyrat e reja, përveç marrjes së masave për fillimin e kryengritjes, dhe u ndanë detyrat për tu lidhur me krahinat e tjera.

Në këto mbledhje u bë thirrje për bashkim, ku fshatrat u lidhën me njëri tjetrin dhe lidhën besën, lanë mënjanë hasmëritë e gjaqet, ashtu si kishin bërë edhe më parë në rast luftë. U shqyrtuan edhe masat për përgatitjen e krahinës për luftë, u zbatua parimi burrë për shtëpi, u bënë listat e luftëtarëve për çdo fshat, u organizuan në çeta dhe u caktuan komandantët e çetave, që u zgjodhën nga burrat më trima dhe përvojë, për të luftuar deri në fund pushtuesin italian. Në krahinën e Rrëzës së Tepelenës, Kurveleshit dhe Lopsit, morali i lartë dhe urrejtja kundër pushtuesit italian, u shndërrua në faktor pozitiv, që ndikoi shumë në zhvillimin e kësaj lufte. Gjendja morale dëshmoi për mundësit e mëdha, që fshiheshin në shpirtin popullit të këtyre krahinave, të cilat u dukën në gatishmërinë e tyre, për t’u hedhur në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit italian.  Në pikëpamje ushtarake gjendja morale e popullit të Krahinës së Rrëzës së Tepelenës dhe Kurveleshit, tregoi shkallën lartë të gatishmërisë shpirtërore dhe vendosmërinë e popullit kryengritës, për të luftuar e sakrifikuar edhe jetën, për të fituar mbi armikun. Ja si thotë Arshi Shehu në kujtimet e tij : - Menjëherë pas kësaj filluan përgatitjen për kryengritje të armatosur, sipas udhëzimeve të ardhura nga Vlora, Tepelena ( garnizoni Italian BQ) do të rrethohej nga forcat vullnetare të cilat arrinin 600 – 700 veta. Çeta e Kurveleshit të Poshtëm kishte 150 veta, ato të Tepelenës ( Luzatit 30 vetë ) po ashtu 150 veta, kurse nga Këlcyra dhe krahina matanë Vjosës mbi 300 fshatarë të armatosur.

Sipas planit të përgatitur nga Komisioni Ushtarak i kryengritjes, veprimet luftarake do të zhvilloheshin në dy faza. Gjatë fazës së parë do të sulmoheshin garnizonet në periferi, Tepelenë, Matohasanaj, Llogara, Gjormë, Kotë, Vajzë e Drashovicë, me detyre ti bllokonin dhe ti asgjesonin ato dhe të krijonin kushte të favorshme për të sulmuar Kaninën dhe Vlorën. Pleqësia e Luzatit e përbër nga Xhemali Koçi Kryeplak dhe anëtar Xhafer Qeli, Resmi Shehu, Hasan Kaziu, Sabri Kaziu, Isuf Progonati, Sako Kopaçe, Fuat Shehu dhe Halil Braho. Në mbledhje u vendos që të mbështesim vendimet e “Komitetit të Fshehtë” dhe të mobilizonin fshatarët për të marë pjesë në luftën për çlirimin e Tepelenës . Ata krijuan një çetë me 30 vetë. Komandat u caktua Dervish Xhaferi nga Gjirokastra. Çeta përbëhej nga Xhafer Qeli, Riza Bodeci, Xhelal Çori, Qamil Guma, Mato Koçi, Resmi Shehu, Sulo Rodi, Dino Koshi, Hasan Kaziu, Shyte Garo, Adush Mehmeti, Ceno Ruçi, Sabri Kaziu, Nuro Lamani, Tahir Mane, Isuf Progonati, Fejzo Progonati, Guçe Luzi, Rifat Xhima, Dalan Qibinaj, Abedin Koçi, Rifat Qibinaj, Ali bodeci, Abaz Fejzo, Sako Kopaçi, Halil Braho, Bino Qibinaj, Qazim Shatarfili, Haki Kaziu, Fuat Shehu, Bedo Hila.

Pleqësia e fshatit Luzat mbante lidhje të pandërprerë me Kryetarin e “Komitetit të Fshehtë“, Baba Ahmet Turanin që ishte nga Luzati, i cili iu dha udhëzime si të vepronin. Në bazë të planit të miratuar, nga Komisioni Ushtarak i “Komiteti i Mbrojtjes” Kombëtare, i cli gjatë fazës së parë parashikonte, sulmin e menjëhershëm dhe të befasishëm kundër garnizoneve të vendosura jashtë Vlorës e Kaninës, bllokimin e asgjësimin e forcave italiane me anën e metodës së rrethimit, si dhe manovrimin e forcave me shpejtësi në drejtim të Vlorës. Në bazë të këtij plani çetat e Luzatit, Dervenit, Kurveleshit të Poshtëm, e Lopësit dhe çetat e Toskërisë, Këlcyrës dhe Skraparit, morën për detyrë, që gjatë fazës së parë, të sulmojnë dhe asgjesojnë garnizonet e Tepelenës, Matohasanajt dhe postat e karabinierisë nëpër fshatra. Dhe me agjesimin e këtyre garnizoneve të manovronin forcat me shpejtësi në drejtimi të Vlorës, për sulmin përfundimtar për çlirimin e qytetit të Vlorës në fazën e dytë. Sulmi ishte parashikuar të fillonte në ora 23.30 të datës 5 qershor. Komiteti i ”Mbrojtjes Kombëtare” urdhëroi, që një ditë para sulmi, të priten të gjitha linjat telefonike, që lidhin garnizonet e periferisë me komandën italiane në Vlorë dhe të lëviznin forcat për të zënë pozicionet për sulm kundër garnizoneve te Tepelenës dhe Matohasanajt. Forcat e Luzatit u mblodhën në Sasjare ( afër urës së Qarit). Në bazë të planit pranë një shtylle telefonike lidhën aparatin telefonik dhe ju bënë thirrje italianëve, që të dorëzonin kalanë, por ata nuk pranuan. Pasdite lëvizën në drejtim të fushës së Luzatit ku ngritën flamurin kombëtar, të cilin e kishin blerë 20 napolona në Gjirokastër. Këtu u takuan me forcat qeveritar dhe vullnetarët e bandës muzikore “Vatra”, që e kishin dërguar shqiptarët e Amerikës. Komandant i forcave ishte Haxhi Shehu nga Tepelena. Në mbrëmje të datës 4 qershor çetat, gjatë natës zunë në fshehtësi pozicionet, rrethuan kalanë nga ana perëndimore dhe një pjesë doli nën kala nga ana e Vjosës, qëndronin në pritje të sinjalit të sulmit. Për marjen e garnizonit te Tepelenë morën pjesë këto forca çetat e Dervenit, Luzatit, Golemit, Picarit, Kolonjës, Lekdushit, Kurveleshit të Poshtëm, Lopsit, Këlcyrës, Skraparit dhe vullnetarë të Shoqatës “Vatra”dhe forcat qeveritare gjithsej 700 vete. Lidhur me këtë R.Memushaj thotë :- Shqiptarët kishin rrethuar Tepelenën nga të tri anët, nga ana e malit prej çetës së Golëmit, të Picarit, të Kolonjs dhe të Lekdushit, gjithsej 150 luftëtarë, nga ana e fushës së Luzatit, prej forcave të Luzatit e të qeveritare dhe vullnetarëve të bandës së Shoqërisë “Vatra”, ndërsa në anën e përtejme të lumit e kishin zënë luftëtarët e fshatrave toske të Tepelenës. Në orën e caktuar të gjitha forcat hapën zjarr të fuqishëm mbi kala por pa rezultat sepse garnizonin mbronin muret e kalasë. Në Tepelenë, u zhvilluan luftime të ashpra dhe të përgjakshme gjatë natës së 5-6 qershorit, por garnizoni Italian i mbrojtur në kala dhe nga zjarri i dendur i armëve dhe i artilerisë, që bëhej në mënyrë rrethore nga të gjitha drejtimet mundi tu rezistoje forcave kryengritëse, që nuk mundën të depërtojnë në kala. Komanda e forcave kryengritëse, duke mbajtur të rrethuar nga të gjitha anët kalanë, përveç zjarrit të fuqishëm përdorën edhe metoda të tjera, si prerjen e ujit të pijshëm, duke shkatërruar tubacionin që vinte nga Bënça dhe më pas një grup prej disa vetë Halil Braho me Ali Bënçën, të cilët shkatërruan tubin, që merrnin ujë nga lumi Vjosa. Dhe ja si thotë kënga popullore, :-  Të xhumanë pa dirë mirë / Halil Braho me Alinë/ në Çekrez në Tepelenë/ ujtë e lumit e prenë. Në Tepelenë luftimet vazhduan deri me 20 qershor. Më 21 qershor, i gjithë efektivi garnizonit me në krye komandantin major Kalcinin, të izoluar nga Vlora, të rrethuar nga forcat kryengritëse, në një rrethim të zjarrtë, nën peshën e bllokimit dhe e sulmeve të vazhdueshme, u detyruan të dorëzohen. Lidhur me këtë në gazetën “Drita” shkruhej :- Më 21 të muajit, ora 4.30 p.m. ushtria italiane e rrethuar në kalanë e Tepelenës, u dha në duart e shqiptarëve. U zunë 300 ushtarë robër, një major e shumë oficerë..2 topa, 14 mitroloza, 300 pushkë, 6 mitrolozë të dorës... 3 automobila, 25 makina telefoni, 2 makina telegrafi, 32 karro, 70 mushka, 50 biçikleta. Robërit u dorëzuan në Drashovicë.”1) Megjithëse garnizoni i Tepelenës nuk u mor gjatë fazës së parë të luftimeve, siç ishte parashikuar në planin e veprimeve luftarake të Komisionit Ushtarak, por kjo vonesë nuk solli ndonjë vështirësi për zbatimin e detyrave për fazën e dytë. Ajo dobësoi raportin e forcave për dhjetëditëshin e parë të veprimeve luftarake të fazës së dytë. Kjo vonesë kishte arsye objektive, pozicion i favorshëm i mbrojtjes në kala, armatimi dhe teknika e fuqishme luftarake, që ata zotëronin dhe armatimi paktë dhe i vjetër i pa përshtatshëm për marrjen e një kalaje nga forcat kryengritëse. Megjithatë, komanda e forcave kryengritëse gjeti forma dhe mënyra të përshtatshme që i detyruan italianët të dorëzoheshin.

Me dorëzimin e garnizonit, në Tepelenë u organizua një festë e madhe, ku mori pjesë i gjithë populli së bashku me luftëtarët që morën pjesë në luftën për çlirimin e saj. Pas festimeve dhe gëzimit për marrjen e kalas, lufta nuk kishte mbaruar, italianët ishin akoma në Vlorë. Me çlirimin e Tepelenës forcat kryengritëse morën urdhër për tu nisur për në Vlorë. Kryetari i “Komiteti të Mbrojtjes” për Tepelenën, Baba Ahmet Turani urdhëroi të mblidhen luftëtarët për tu nisur për në Vlorë. Ja si thotë në kujtimet e tij Resmi Latifi ish komandanti i çetës :- Pasi u dorëzua batalioni i Tepelenës u mblodhën në Batalle të Luzatit. Dervish Xhaferi qe komandat i Luzatit, Lopsit, Turan, Dukaj. Komisioni më ngarkoi mua detyrën e komandantit të çetave të Tepelenës të përtej lumit Vjosë. U bënë 150 veta dhe shkuam në Vlorë ku së bashku me Dervish Xhaferin , komandant i çetave të tjera të Tepelenës morëm pjesë në çlirimin e Vlorës.” 2) Çeta e Luzatit nën drejtimin e Dervish Xhaferit së bashku me luftëtarët të fshtarave të tjerë u nisën për në Vlorë, ku u bashkuan me çetën e Selam Musait, morën pjesë në luftimet për çlirimin e Vlorës. Në luftimet e Vlorës morën pjesë po ato forca që luftuan për çlirimin e Tepelenës. Në luftimet për çlirimin e Vlorës ra heroikisht djali Luzatit Nuro Lamani. Me çlirimin e Vlorës të gjithë u kthyen për në Luzat ku filluan nga rindërtimi i jetës në fshat. Lufta për çlirimin e Tepelenës tregoi edhe një herë, mundësit e zbatimit të parimit të mbrojtjes së tërësisë tokësore dhe çlirimit të atdheut me forcat e veta. Ky parim tregoi aftësitë e mëdha të popullit të krahinës së Tepelenës dhe Kurveleshit, si një e krahinë e vetme, kur lufton për një çështje të drejtë, mundë të përballojë çdo fuqi të madhe dhe t’i shkaktojë humbje, kur është i bashkuar dhe i vendosur se lufton për një çështje të drejtë. Për lirin e atdheut. Luzatarët luftuan me trimëri dhe heroikisht duke pasur parasysh thënien se : - Dheut kur i hedh ujë bëhet baltë, - thotë Barmeli, por po i hodhe gjak ajo bëhet Atdhe (Vatan).