BREAKING NEWS

Përditësimi zyrtar/ Rritet sërish numri i të prekurve me Covid-19, Ministria zbulon shifrat e 24 orëve të fundit

Përditësimi zyrtar/ Rritet sërish numri i të prekurve me
x

Opinion / Editorial

Koronavirusi dhe efektet e tij

Koronavirusi dhe efektet e tij

Në një kohë që koronavirusi ose COVID-19 po tmerron botën, krahas pasojave shëndetësore të cilat janë më lehtë të matshme, edhe në ekonomi po vihen re efektet e para negative si rezultat i masave shtrënguese të shumë qeverive të ndryshme për të parandaluar këtë virus. Ajo që po vërehet qartë është se virusi po prek me radhë njëri pas tjetrit të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë si p.sh. bujqësinë, industrinë, turizmin, transportin, aktivitetet e shërbimit etj. Veç këtyre sektorëve që përbëjnë bërthamën e ekonomisë shqiptare dhe jo vetëm, COVID-19 po prek edhe elementë të tjerë të rëndësishëm të jetës si politika, arti, sporti, kultura, besimi fetar etj. Megjithatë, siç thotë dhe fjala e urtë popullore, çdo e keqe e ka një të mirë.

Krahas efekteve negative në shëndet dhe ekonomi, efekte pozitive po vihen re në mjedis, shkencë, teknologji etj. Kërkuesit shkencorë në New York deklaruan për BBC se emetimi i monoksidit të karbonit kryesisht nga makinat është reduktuar me 50 % krahasuar me një vit më parë. Një analizë e realizuar nga “Carbon Brief” (Website në Mbretërinë e Bashkuar i cili mbulon shkencën e klimës dhe politikat e klimës dhe energjisë) theksoi se kishte një rënie prej 25% të përdorimit të energjisë dhe emetimeve në Kinë gjatë një periudhe dy javore. Ekspertët besojnë se kjo mund të çojë në një rënie të përgjithshme prej rreth 1% të emetimeve të karbonit në Kinë këtë vit. Kina, Italia e së fundmi edhe shtete të tjera evropiane si Spanja e Franca, ku situata paraqitet shumë dramatike dhe masat shtrënguese kanë qenë dhe janë më të forta se në çdo vend tjetër, kanë regjistruar një rënie të konsiderueshme të dioksidit të azotit i cili lidhet me uljen e aktivitetit industrial dhe lëvizjes së automjeteve. Kujtojmë se sipas OBSH, 4.2 milionë njerëz vdesin çdo vit nga ndotja e ajrit. Një tjetër shembull janë edhe ujërat e kanaleve të Venecias të cilët janë pastruar për herë të parë në shumë vite ndërsa qyteti është izoluar për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Ujërat e kanaleve zakonisht janë të mbushur me mbetje nga varkat dhe autobusët e ujit për turistë si dhe nga aktiviteti dhe funksionimi i përditshëm turistik. Videot dhe fotot e postuara në mediat sociale tregojnë se ujërat gjatë kësaj periudhe izolimi janë mjaftueshëm të pastër për të mundësuar sërish popullimin nga peshq të vegjël. Duket qartë se atë që nuk e kanë bërë dot qeveritë, po e bën më së miri ky virus, edhe pse me një kosto shumë të madhe, jetën e njeriut.

Pandemia po bën që shumë kompani dhe institucione të ndryshme në botë por edhe në Shqipëri të revolucionarizojnë “të punuarit on line” ose “të punuarit nga shtëpia” duke zhvilluar më tej teknologjinë e informacionit. Një nga këto institucione është edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit i cili në 7-8 vitet e fundit ka intensifikuar, përmirësuar dhe mundësuar për të gjithë punonjësit e tij akses në faqen Web të tij, në intranetin e brendshëm, në sistemin e menaxhimit të proceseve të auditimit, kryerjen e trajnimeve on line si dhe akses dhe shkëmbim informacionesh me institucione homologe të tij dhe organizatat ndërkombëtare INTOSAI, EUROSAI etj.

Nga ana tjetër shkenca dhe shkencëtarët nga të katër anët e botës po bëjnë përpjekje maksimale për të prodhuar vaksinën e shumëdëshiruar nga të gjithë. Ndoshta, ky virus do të nxjerrë në pah sa pak vëmendje i është kushtuar shëndetësisë, sidomos nëse e krahasojmë me milionat dhe miliardat që harxhohen anembanë botës për armatime të cilat sot janë të padobishme për të shpëtuar jetën e njeriut.

Edhe pse është shumë herët për të dalë jo me konkluzione, por edhe me hipoteza të qëndrueshme, sipas statistikave të deritanishme vendet më të prekura janë vendet e zhvilluara të cilat paradoksalisht kanë sistem më të mirë shëndetësor dhe gjithashtu janë vendet më pak të ndotura sot në botë (me përjashtim të Kinës). Pa dashur kurrësesi që t’i japim një kontekst konspiracioni këtij shkrimi, të vjen çudi që shtete të ndotura dhe me sistem të dobët shëndetësor si për shembull vendet afrikane, India etj., janë më pak të prekura ndaj këtij virusi. Një arsye mund të jetë edhe numri i ulët i kampionimit në këto vende por sigurisht kjo duhet thënë nga ekspertët e fushës, ndoshta në një moment tjetër. Sigurisht, do të duhen shumë studime nga shkencëtarët dhe ekspertët epidemiologë që të konkludojnë dhe të faktojnë shpërndarjen globale të këtij virusi ashtu si dhe origjinën e tij, por ajo që është më e rëndësishmja dhe që na intereson të gjithëve sot, është vaksina dhe ilaçet për ta kuruar atë.

Çështjet e mjedisit dhe veçanërisht ato të shëndetësisë kanë qenë dhe janë me shumë prioritet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i cili në vitet e fundit ka zhvilluar një sërë auditimesh në sektorin e shëndetësisë ku ndër më kryesoret përmendim “Kostimi i shërbimeve spitalore” i realizuar në 2017, “Performanca e institucioneve përgjegjëse për Urgjencën Mjekësore” i realizuar në 2018, “Cilësia dhe siguria e barnave në rrjetin e hapur farmaceutik dhe shërbimin spitalor” i realizuar në 2019 etj. Në datën 3 tetor 2017, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z, Bujar Leskaj, nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit për implementimin e projektit “Transparenca në Sistemin Shëndetësor” në Shqipëri. Ky projekt i cili ishte një financim i USAID-it u implementua nga Universiteti Research CO., LLC në bashkëpunim me KLSH, me qëllimin kryesor përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët shqiptarë me fokus luftën ndaj korrupsionit, përmirësimin e transparencës për funksionet qeveritare dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura qeveritare, organizatave të shoqërisë civile (OSHC) dhe medias për të kërkuar një qeverisje më të përgjegjshme në sektorin shëndetësor.

Direkt apo indirekt e gjithë kjo situatë e krijuar do të ndikojë në aktivitetin auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit si dhe institucioneve homologe kudo në botë duke qenë se fushat apo sektorët që ka prekur COVID-19 janë ndër sektorët kryesorë që auditohen nga Institucionet Supreme të Auditimit.

Kur kjo situatë të ketë kaluar, do të duhet që institucionet përgjegjëse, ekspertët, shkencëtarët, epidemiologët, mjekët etj., të analizojnë përse shkuam deri në këtë pikë, çfarë mësimesh kemi nxjerrë dhe si duhet të përgatitemi në të ardhmen për situata të tilla. Me shpresën dhe besimin që kjo pandemi do të marrë fund sa më shpejt, e gjithë kjo situatë mund të shërbejë për të gjithë ne si një moment reflektimi ndaj sjelljes tonë me natyrën, njëri - tjetrin dhe çdo gjë që na rrethon.

Kryeauditues në KLSH