BREAKING NEWS

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora
x

Opinion / Editorial

Koronavirusi dhe  “korono-politika” e “viruseve” politikanë!

Koronavirusi dhe  “korono-politika” e “viruseve”

Përveç të tjerave, të dyja këto infeksione, kanë edhe të përbashkëta. U dihet burimi prej nga vinë dhe deri tani, nuk i është gjendur ilaçi. Të veçantë kanë atë që ndërsa koronavirusi me prejardhje nga Wuhani i Kinës, ka afro tre muaj që ka dalë në skenë dhe po “pushton” tërë botën, “korono-politika” jonë, ka afro tridhjetë vjet që ka ardhur. Burimi i tij janë politikanët që vijnë e ikin. E veçanta është që ky “virus” qarkullon brendapërbrenda kufijve tanë. Pavarësisht “luftës” që i bëhet këtij “infeksioni” të keq, jo vetëm që nuk është dobësuar, por në të kundërtën ka ardhur vazhdimisht duke u forcuar. Ky “virus” politik, ka pushtuar të gjitha moshat qysh nga më të moshuarit e deri më të rinjtë me bindje të majta apo të djathta, të qendrës, të pavarur apo të papërfillshëm. Dukej sikur “korono-politika” nuk trembej nga coronavirusi real kur deklarojnë me mburrje: “Në Shqipëri, nuk ka asnjë rast me infeksionin e koronavirusit, apo po të shprehemi me gjuhën e Kryeministrit”; “Shqipëria, është e paprekur nga koronavirusi”; “Me këto deklarata, politikanët e qeverisjes, kërkonin të tregonin që “Ja ne i kemi marrë të gjitha masat dhe mikrobi i koronavirusit e ka të pamundur të depërtojë në kufirin tonë të “blinduar”, ku nuk mund të kalojë as “miza”! Po rasti më i fundit ç’farë tregoi? Mbartësi i koronavirusit kaloi pa u shqetësuar askush në doganë se prej nga vinte dhe ku shkonte. Askush nuk i bëri kontroll dhe për më shumë se dhjetë ditë askush nuk u shqetësua. Nga ana e opozitarëve, edhe ata kanë të drejtën të japin mendimet e tyre, por në të kundërtën e atyre që thonë politikanët e mazhorancës. Ja ç’thotë “koronodixhitali” i Berishës: “Në Shqipëri koronavirusi ka disa javë që qarkullon dhe nuk dihet se sa njerëz janë të infektuar”. Po të kesh parasysh atë që Berisha është edhe mjek, dhe po kështu edhe një tellall i tipit Tritan Shehu, edhe ky mjek, këto konkluzione nuk janë as më pak e as më shumë përveçse hapje paniku. Tendenca e tyre, si edhe në të gjitha rastet e tjera të fatkeqësive, është që të shumëfishojnë rrezikun dhe të mos flasin mbi gjendjen konkrete ashtu si është e për t’i kushtuar më shumë vëmendje masave që duhen marrë. Të tilla qëndrime mbajtën edhe në rastin e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, të tilla qëndrime kanë mbajtur edhe në raste të tjera të fatkeqësive për të “helmuar” sa më shumë të jetë e nevojshme, që nuk i shërben askujt dhe as atyre vetë që nuk fitojnë pikë, por humbasin. Ç’kërkojnë të thonë me këto këta panik-mbjellës që asnjëherë nuk kanë pushuar së hedhuri helm e për të mbjellë panik vetëm e vetëm që të dëmtojnë sa të jetë e mundur kundërshtarin politik? Dihet që opinioni ndërkombëtar, po bën gjithçka për të izoluar dhe asgjësuar këtë mikrob vdekjeprurës, i cili ka filluar të përhapet me shpejtësi. Të gjithë janë ngritur në këmbë për t’i bërë “derman” kokës, edhe organet shtetërore, edhe organet e specializuara edhe secili për veten e vet. “Lavdi Zotit” të themi sepse tek “corono”politikanët tanë, askush nuk ka më besim. Është “meritë” e Zotit, që këtë virus të rrezikshëm na e solli në fund, në mënyrë që ne, të kishim mundësinë të merrnim masa e të përgatiteshim duke parë edhe masat që po merrnin fqinjët tanë për t’i bërë ballë, me ato mundësi që kemi. Edhe mburrjet, e atyre që qeverisin edhe paniku që përhapin opozitarët, të dyja janë “viruse” të rrezikshme që kërkojnë ta injektojnë kudo. Presidenti nga ana e tij deklaron sikur ka paralajmëruar qysh më 31 janar që “Të merren masa për parandalimin e dhe mospërhapjen e coronavirusit”. Sikur për asgjë tjetër të mos vlejë ky president, gjë të cilën e ka treguar me kohë përveç mbrojtjes që i ka bërë “kapakëve” të Kushtetutës, vetëm për atë që ka paralajmëruar në kohë fatkeqësitë natyrore dhe përhapjen e virusit të Wuhanit, duhet të “qëndrojë” edhe shumë vite në atë “kullë”. Edhe nëqoftëse presidenti ka paralajmëruar, pse nuk ka ndjekur si zbatohen udhëzimet e tij, por është mjaftuar vetëm me kaq? Mos vallë detyra e tij është vetëm të hedhi një “shashkë” në erë? Po sikur të ishte shqetësuar siç u shqetësua për “grushtin e shteti” që i u bë “Kushtetutës” dhe që ai e ka mbrojtur me “jetën” e tij, a do të ishin marrë masa? Të gjithë tani kërkojnë ta heqin nga vetja përgjegjësinë siç kanë bërë gjatë tërë këtyre viteve dhe në këtë rrugë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Më keq akoma, tani që koronavirusi është ulur “këmbëkryq” edhe tek ne, ky president vazhdon me mesazhe të koduara si “Lulet po shtohen, pranvera, nuk ndalet”. Me sa duket kësaj “bukurie” të rrallë po i shtohen “lulet” e në mënyrë të veçantë në këtë pranverë. Ky është “gëzimi” më i madh për këtë president, që “lulet” për personin e tij po shtohen pavarësisht që “gjembat” nga coronavirusi për qytetarët e pambrojtur kanë filluar të shpojnë. Rëndësi ka që “pranvera” për këtë farë burri nuk do të ndalet, paçka që “dimri” i koronavirusit po troket. Para disa ditësh ky president u shpreh: “Shumë prej jush mund të kenë pasur ndonjëherë vërejtje për tonin tim. E di, por duhet të dini një gjë që unë, në publik për hir të disa interesave shtetërore nuk kam treguar as 10% të krimeve që kanë ndodhur kundër sovranitetit tuaj dhe kundër reformës në drejtësi. Prandaj, dua t’ju siguroj se kjo pranverë kuqezi, nuk ndalet më deri në rivendosjen e plotë të sovranitetit tuaj të rendit kushtetues demokratik dhe llogaridhënës në Shqipëri”. Presidenti ynë, di akoma 90% të krimeve që janë “kryer” mbi qytetarët dhe këto, nuk ja tregon qytetarëve, por i mban rezervë, për t’i thënë një ditë kur të mos jetë në atë “kullë”, sepse sot për sot ajo i rrezikohet. Mund të thotë ç’farë të dojë Komisioni i Venecias apo “komisioni i zhaparozhasve”, por e vërteta e tij njihet mirë vetëm këtu, në Shqipëri, të vërtetat e tij dhe të të tjerëve politikanë të majtë që nuk janë aspak më “të larë” nga ai. A mund ta quajmë normal këtë njeri që e kemi në krye të vendit? E vërteta, është vetëm një. E vërteta është që po të kishte shtet, ky nuk do të ligjëronte, por vepron kështu, megjithëse me dhjetra dosje të hapura në tërë karrierën e tij politike, ne, përsëri e mbajmë në krye të “qoshesë”. Që “corono-politika” e ka treguar deri më sot që edhe fatkeqësitë natyrore i shfrytëzojnë për të luftuar kundërshtarët politikë kjo dihet, por që të shfrytëzohej edhe coronavirusi për të sulmuar palën kundërshtare, këtë e mësuam kohët e fundit. Janë shfrytëzuar edhe fatkeqësitë natyrore si përmbytjet, zjarret, tërmetet nga politika dhe kjo është e qartë, por jo për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe eliminimin e pasojave, por për të fituar terren politik. E “zgjidhi” qesen qeveria dhe dha 3.5 milionë euro për mospërhapjen dhe izolimin e koronavirusit, sepse buxheti nuk ka para. Këtë e di edhe Tritan Shehu, i cili po të ishte ai do të jepte 30 milionë euro qysh në momentet e para. Të jetë e vërteta që qeveria nuk ka, apo të jetë e vërteta ajo që qeveria i ka me shumicë dhe nuk do të zgjidhi “qesen” për më shumë para, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. Edhe në këtë rast, të dy janë të pabesueshëm. Për fatkeqësi natyrore, shteti nuk ka para, për rrugë nuk ka, për studime shkencore nuk ka, për investime nuk ka, për pensione nuk ka, për artin e kulturën nuk ka e po t’i marrim të gjitha me radhë për asgjë nuk ka para. Po t’i shtojmë këtyre “nuk ka para” edhe ato borxhe me miliarda euro që kanë atëherë na mbetet të themi që këtu është “rrumpallë” hesapi dhe secili duhet t’i mbajë sytë nga Zoti sepse askund nuk ka se ku të mbështetet qytetari e aq më pak të luftohet mikrobi i rrezikshëm që po kërcënon. Me koronavirusin as nuk bëhet shaka dhe as nuk tregohet trimëri. Vetëm një gazetare “trime” në një stacion televiziv e pyet qytetarin: “Keni frikë nga koronavirusi”? Koha, nuk është as për panik, por edhe as për frikë nëqoftëse do të zbatojmë me rreptësi masat e nevojshme. Nuk është shumë larg qendrës së kryeqytetit një “mejhane” ku “luftëtarët” pijetarë “luftojnë” ditë e natë për të “shpartalluar” koronavirusin. Aty shkojnë disa herë në ditë edhe punonjësit e qendrës shëndetësore, aty në afërsi është edhe dyqani ku shitet mishi, ku një qen i madh qëndron në hyrje të tij dhe askush nuk e ngre zërin. “Ho mo a nuk ke fryk nga koronorusi a”? “Ca thu mo, ca koronorus mo, njih shplaji duart me raki dhe je m’rregëll”! Gjithçka bëjnë, sidomos të flasin për politikë e t’i mrarin të gjithë politikanët me radhë, kurse përsa i përket coronavirusit, vetëm për atë që nuk duan të dinë. Ja, kështu luftohet koronavirusi paçka që edhe urinimin e kryejna atje në afërsi, mbrapa makinës! “Corono” politika, ka hyrë shumë thellë në genin e secilit dhe nuk po i gjendet vaksina, ndërsa për koronavirusin, do të vijë një ditë e t’i gjendet “armiku”, por politikës jo. E keqja më e madhe që po bën “corona-politika” është ajo që të ngrejë në këmbë opinionin e të gjithë si të themi të jenë në një mendje sepse coronavirusi është një rrezik real dhe nuk luftohet me fjalë, por me masa e veprime konkrete. Në këtë kuptim kjo farë “corono”politikë, jo vetëm që nuk po ndërgjegjëson qytetarët për të qëndruar përballë tij të bashkuar, por përkundrazi i ka përçarë edhe në rastin e këtij virusi të rrezikshëm. Disa politika i ndan në mburravecë sikur ne të jemi të imunizuar sikur nuk ka ç’ti bëjë virusi dhe disa të tjerë për ta paraqitur gjendjen alarmante me qëllimin e keq për të përhapur panik. Më e pakta që mund të bëjmë të vlerësojmë gjendjen me tërë seriozitetin dhe të bëjmë ato që mundet secili për veten, për të afërmit dhe shoqërinë në përgjithësi.