BREAKING NEWS

Mjekësia shqiptare në zi, ndahet nga jeta mjeku i njohur (EMRI+FOTO)

Mjekësia shqiptare në zi, ndahet nga jeta mjeku i njohur (EMRI+FOTO)
x

Opinion / Editorial

Koronavirusi dhe “variantet” e tij të pashërueshme...

Koronavirusi dhe “variantet” e tij të pashërueshme...

...Variantet e koronavirusit, të cilët vijnë në shumë forma, jo vetëm do të mbeten edhe mbas largimit të tij, por kryesorja është, ato do të mbeten të pashërueshme. Sipas shumë politikanëve megjithëse këta nuk janë specialistë të fushës, bëjnë thirrje që duhet të “bashkëjetojmë” me virusin e ri korona, i cili mbas kaq kohësh na është bërë si “dhëndër brenda”!. Edhe sikur politikanëve sikur të mos ua vëmë shumë veshin, të njëjtën gjë na thonë edhe specialistët e fushës, mjekët. Por, edhe këta, pavarësisht që nuk janë në të njëjtin mendim e përbashkëta, është që sado gjatë të qëndrojë virusi i sotëm, do të vijë një ditë e do të iki. Disa prej tyre, thonë që do të largohet me ngrohjen e motit, të tjerë thonë që do të vijë një valë e “dytë goditje” edhe më e ashpër nga e para, e të tjerë e kundërshtojnë atë duke thënë që “vala e dytë nga fillimi i vjeshtës apo fillimi i dimrit do të jetë edhe më e ashpër”! U mësuam tani me të gjitha këto por nuk kemi ç’të bëjmë tjetër, përveçse t’i dëgjojmë e në fund të fundit të mos llafosim shumë, aq më tepër kur nuk marrim vesh nga zanati. Se sa do të qëndrojë virusi nëpër këmbët tona, akoma nuk ka një datë siç edhe nuk ka se kur e merr përsëri “të përpjetën”, kur do të arrijë në majën e kurbës dhe kur do të fillojë të marri “tatëpjetën”! Edhe për këtë, përderisa nuk marrim vesh, nuk mund të japim mendime, por vetëm të dëgjojmë. Sa shumë “ekuacione” të panjohura ka ky “flamë virus që na u bë peshqesh. Këto hamendësime, nuk janë “sëmundje” vetëm këtu tek ne, por edhe në tërë botën, siç janë edhe fjalët sikur këtë muaj, këtë vit, këtë gjashtëmujor apo këta dy vite do të jetë gati edhe vaksina që do t’i vijë hakut virusit. Enigma mbetet gjithashtu ku lindi ky virus, nga e ka prejardhjen dhe kur u shfaq për herë të parë. Duke filluar qysh nga teoria e Nard Ndokës sikur “virusi ka vite që ka qenë prezent të paktën qysh kur ai ka qenë ministër i Shëndetësisë”, duke vazhduar me teoritë e të diturve ndërkombëtarë që virusi u prodhua në Wuhan të Kinës pak para fundit të vitit të kaluar e deri tek studimi më i fundit i këtyre ditëve sikur virusi “ka dalë në skenën botërore në fundin e vitit të kaluar”, përsëri të gjitha këto mbeten hamendje. Sikur t’i mbledhim të gjitha së bashku këto premtime, analiza shkencore, hamendësi, studime të thella mbi bazën e eksperiencës nga shkencëtarë kompetentë apo politikanë që i janë futur shkencës së mjekësisë, dalim në një konkluzion përfundimtar. Do të vijë një ditë dhe shumë shumë, këtë virus, do ta kemi “ferrë nëpër këmbë” edhe të paktën nja dy vjet akoma. Edhe sikur ta marrim të mirëqenë këtë variant, na duhet të besojmë që i përjetshëm, virusi korona, nuk do të jetë, siç nuk kanë qenë edhe “stërgjyshërit” dhe “gjyshërit” e tij në të kaluarën. Ajo ç’ka nuk dimë dhe që nuk do ta dimë edhe në të ardhmen, është ajo që në ç’farë forme apo në ç’farë versioni do të na vijë “virusi” në të ardhmen, e ca më pak akoma nuk e dimë se si ta luftojmë. Ja p.sh, dëgjojmë ditët e fundit që këta dy muaj të qëndrimit në karantinë, janë shumëfishuar shumë rastet e dhunës ndaj grave apo anasjelltas, krahasuar me të kaluarën. Të jetë shkaku koronavirusi për këtë “plagë” që po na lë “trashëgim”? Jo, nuk është koronavirusi, sepse po të ishte kështu, me ikjen e koronavirusit do të “shërohej” edhe kjo plagë e hershme. Shumë shumë virusi i ka dhënë një nxitje kësaj “sëmundje”, por shkakun duhet ta kërkojmë shumë shekuj më parë që “bashkëjeton” tek shumë persona dhe trashëgohet brez pak brezi. Thuhet që në jo pak njerëz, kjo “vaksinë” ka bërë efekt që më shumë se në rrugët respiratore, vepron në tru. Sikur të marrim vetëm ato mbi pesëqind urdhëra mbrojtje që janë dhënë nga gjykatat vetëm këta dy muajt e fundit, do të duhet të angazhohen qindra policë. Por edhe kjo nuk është kryesore, përballë asaj që nuk po gjendet një “vaksinë” dhe as nuk ka shpresa për të ardhmen. Dhuna ndaj bashkëshortes, nënës apo babait dhe anasjelltas, është dhunë ndaj fëmijëve, është dhunë ndaj shoqërisë, është dhunë ndaj të ardhmes. Edhe përgjegjësia këtu, është e të gjithëve, është e shtetit, është e shoqërisë, e organeve të drejtësisë e të gjithëve. Ky “virus” i keq, ka zënë vendin e nivelit kulturor tek ata që kryejnë këto akte, dhe “ilaçet” janë fare të paefektshme. Nuk ka asnjë bazë justifikimi ky “virus” i keq, as koronavirusin, as fukarallëkun, as kushtet e jetesës. Ajo ç’ka dihet, është ajo që ky “virus” është ngulitur shumë herët tek ai bashkëshort apo bashkëshorte qysh në kohërat e lashta dhe trashëgohet brez pas brezi, prandaj edhe është e vështirë të gjendet një “vaksinë” sidomos në kushtet e sotme që gjen terren tek pronat, tek pasuritë, kudo. Të bësh një protestë siç kemi dëgjuar në të kaluarën me objekt “Stop dhunës ndaj grave” as më shumë e as më pak është një masë sa për të qeshur një copë herë. Një tjetër “virus” që po “montohet” dhe po na bëhet pjesë përbërëse, është papunësia, e cila është bërë “kryefjala” e ditës e çdo të riu dhe të reje, e çdo moshe të aftë për punë. Fjala “punë” pothuaj është hequr nga fjalori dhe është zëvendësuar me të gjitha pisllëqet e tjera, por vetëm punë e ndershme nuk ekziston gjëkundi apo mund ta gjesh si “ujët e pakët” në ndonjë të ndershëm tek tuk që vetëm këta, nuk kanë “ndritur” gjë tjetër përveç fukarallëkut. Këtë “virus” e nxit shteti në shumë rrugë dhe forma, përveç të kundërtës së saj, dembelizmit që është një sëmundje e hershme sipas parimit “punëtori bën sikur punon dhe shteti bën sikur e paguan”. Koronavirusi këto ditë, na ka sjellë edhe një variant të tij, atë të ndihmave nga shteti që gjoja janë nga shteti, por në fakt janë mburrje dhe propagandë për gjoja humanizëm. Thuhet që janë shpërndarë qindra e mijëra pako me ushqime, por ku shkojnë e çfarë efekti bëjnë, nuk dihet! Ajo që dihet është ajo që mënyra si propagandohen, kanë bërë vetëm efekte negative. Megjithëse shohim politikanë apo përfaqësues të mediave me pako makaronash në duar që japin “shembullin” e tyre, askush nuk ua di për faleminderit. Meraku më i madh i disa mediave, nuk është propaganda për të ndihmuar ata që vuajnë për bukën e gojës, por është justifikimi i tyre për aktet “humane” që bëjnë për ata që “shteti i ka lënë në harresë”! Sa më shumë pako me ndihma ndahen, aq më shumë ankesa ka, por jo nga ata që nuk kanë marrë, por nga ata që i marrin këto pako me ndihma, duke shprehur pakënaqësinë edhe si të pamjaftueshme, edhe të skaduara, edhe sa për t’u dukur. A mund të rritet mirëqenia duke i dhënë familjeve disa pako me miell apo makarona? Shteti, nga ana e tij, bën propagandë për ndarjen e “pagës së luftës” sikur kjo pagë do të ketë qindfishin e vlerës së “pagës së paqes”! Rrinë e sajojnë “paga lufte” në kohë paqe. Një tjetër “virus” të cilit i dihet vetëm prejardhja, por jo “vaksina” është edhe sherri, grindja, urrejtja. Prejardhja e tyre, dihet që kanë lindur qysh kur lindi prona private, “e imja “ dhe e jotja”, por “ilaçet” jo vetëm që nuk kanë bërë efekt, por përkundrazi i kanë shtuar edhe më shumë duke u shumëfishuar tani në kohën e koronavirusit. Të lëmë mënjanë, gjykatat, hipotekat, aluiznet, administratat, etj. etj. që mjerë ai që e zë halli të shkojë, vetëm në një qendër shëndetësore të shkosh do të dëgjosh vetëm sherr, e grindje. Në poliklinikën e specialiteteve Nr 3, mu në qendër të kryeqytetit, ata që shkojnë atje, do të ishin më të “kënaqur” t’i zinte koronavirusi se sa halli për të shkuar atje sepse do të qëndrojnë gjithë ditën dhe punë nuk do të mbarojnë. Pse? Sepse, atje nuk shkojnë vetëm ata që mbulon kjo qendër shëndetësore, por aty shkojnë edhe ata nga Kamza, nga Bathorja, nga Kombinati, e deri nga Laci. Pse? Sepse nuk ka organizim shëndetësia, nuk e kryejnë detyrën qendrat shëndetësore për banorët që mbulojnë. Mirë bën ministrja e Shëndetësisë që del e na propagandon një grua të moshuar 77-vjeçare që i shpëtoi koronavirusit. Shumë mirë kjo zonjë dhe i urojmë jetë të gjatë, por pse këtë “sukses” të saj ta përdorin si mburrje edhe mjekët, edhe politikanët e zëvendësministrat e deri tek ministrja në një kohë që parësore e kësaj ministre, është të organizojë këtë sistem shëndetësor që vazhdon të vuajë pasojat e mosfunksionimit të këtij institucioni që secili të kryejë detyrën e vet dhe ndodh që të sorollatin qytetarët sa në një qendër shëndetësore në tjetrën. “Viruset” e tjerë, janë të shumtë, janë edhe në variantin e vjedhjes që nga politikanët e krerët e institucioneve e deri tek qytetari më i thjeshtë, tek ata që futen e dhunojnë familjarët, që tromaksin gratë dhe fëmijët në orët e vona të natës. Po t’i referohesh organeve të drejtësisë, mbetemi në vend të parë në botë që tek ne, nuk vjedh asnjë politikan! Ashtu qoftë. Këtë “virus” nuk na e solli koronavirusi, por ky i gjeti mes nesh dhe po t’i shtosh mënyrën se politika e menaxhoi situatën e koronavirusit, këto “viruse” morën krahë dhe po bëhen edhe më të rrezikshme nga vetë koronavirusi. Edhe para ardhjes së koronavirusit kur shkonim grumbuj nëpër trotuare e në mjetet e transportit publik ngjitur me njëri-tjetrin nuk kishim dashuri e ca më keq sot që mbajmë edhe distancë sociale “të gjerë” në rrugicat e ngushta e trotuaret që maten me centimetra. Por edhe më i keqi “virus” nuk ka ardhur po të vazhdojë të ecet me këtë ritëm. Ky “virus” që nuk do të ketë asnjë vaksinë, asnjë ilaç, do të jetë mjerimi dhe merret me mend që koronavirusi do të na duket “lule”...