BREAKING NEWS

Shtohet presioni ndaj partive politike, pas SHBA edhe OSBE kërkon që të inkriminuarit të lihen jashtë zgjedhjeve, pritet ndryshim rrënjësor në Parlament

Shtohet presioni ndaj partive politike, pas SHBA edhe OSBE kërkon që
x

Opinion / Editorial

Koronavirusi do ikë nga frika e komitetit me tre Petrita!

Koronavirusi do ikë nga frika e komitetit me tre Petrita!

Në botën e qytetëruar e gjithë shoqëria bëhet bashkë për të përballuar fatkeqësitë natyrore apo njerëzore, për t`u vënë fre shpërthimeve, vullkaneve, përmbytjeve tërmeteve e së pari pandemive, si kjo që ka pllakosur tërë botën dhe Shqipërinë tonë dhe që jo pak shtete mezi ia dalin ta përballojnë me humbje sa më të vogla. Mjekët janë në vijën e parë, përballen me virusin e tmerrshëm. Ata sakrifikojnë me të gjitha forcat mendore e fizike, me dijet e përvojën e tyre, me medikamentet e pajisje, me kurajon qytetare për t`i vënë fre pandemisë, këtij rreziku që po merr jetë njerëzore. Mjekë të shquar, ata që kanë mbi supe përvojë gjysmë shekullore dhe që ia kanë zbritur në beteja me sëmundje më të rrezikshme, gjatë jetës së tyre profesionale, sot janë përballë rrezikut për të humbur edhe jetën e tyre pasi virusi nuk bën dallim edhe për bluzat e bardha. Nëse çdo sëmundje tjetër përballohet me përkushtim shkencor, me përvojë dhe sakrifica, siç është pagjumësia apo qëndrimi në këmbë për orë të tëra, konsulta, shërbimi pandërprerë në roje të jetëve njerëzore dhe mjekimit intensiv, nëse vihen në eficencë pajisjet moderne që nga pajisjet me ultratinguj, skanerët tre dimensionalë, testet e shumta të analizave të përgjithshme dhe ku ka vlerë absolute përvoja, me pandeminë puna ndryshon. Përballimi i virusit, Covid-19 nuk është i lehtë. I sëmuri me virusin e rrezikshëm kërcënon dy jetë. Vetë pacientin dhe mjekun. Është kjo betejë dipolare që ka shkaktuar edhe humbjen e jetëve të jo pak mjekëve dhe infermierëve. Dhe kur ikën një mjek pasi ka sakrifikuar dhe përjetuar humbjen e pacientëve, ka shkaktuar dhimbje të thellë për familjen dhe të afërmit, miqtë e shokët, kolegët që ka punuar një jetë. Ikja e një mjeku është si ikja e një meteori nga qielli i stërmadh i bashkësisë, armatës së mjekëve tanë që qëndrojnë brenda bluzave të bardha si rojtarë të pagjumë të jetëve njerëzore. Sot më shumë se kurrë vlera e punës së mjekëve është e pamat dhe respekti ndaj tyre duhet të jetë në maksimumin e mundshëm. Ndaj tyre duhet të përulemi të gjithë me respekt e mirënjohje pasi pa ta të gjithë të shtruarit në spitale nga virusi, Covid-19 nuk do ia dilnin. Janë të tmerrshme akuzat kundër tyre. Janë gati kanibaleske insinuatat keqdashëse. Ndaj edhe revolta që ndodh nga çdo qytetar, veçanërisht gjatë këtyre tetë muajve që përjetojmë pandeminë më të rëndë të shekulli, sytë e qytetarëve janë drejtuar tek mjekët, bluzat të bardha si shpresë për t`ia dalë mbanë, të cilët sot me veshjet e tyre të sofistikuara ngjajnë me kozmonautët që eksplorojnë planetet dhe satelitët në kozmos. Ra pandemia të njihnim thellë, përkushtimin dhe gadishmërinë e mjekëve tanë. Të mësonim biografinë e jetës së tyre shkencore, njerëzore e familjare. Të shkurtonim distancat dhe të korrigjonim opinionet. Të kujtonim përvojën e fituar në betejat pa fund me vdekjen. Kuptohet se Komiteti i Ekspertëve për pandeminë, ka peshën më të madhe dhe përgjegjësinë më të rëndë në këtë betejë me armikun e padukshëm, virusin shkaktar që as shfaqet as duket as përfytyrohet pasi është tinzar dhe i fshehtë, i maskuar dhe i kudondodhur. Intelektualë me dije dhe histori, mjekët ekspert të Komitetit Shtetëror po shkruajnë historinë e jetës së tyre. Me analizat e përditshme. Me transparencën. Me përkushtimin. Ata kanë vënë bast me virusin. Janë ata që ndjekin në çdo sekondë kurbën e ngjitjes dhe rënies, shtrirjes së virusit, ndjekin në çdo sekondë zinxhirin e të infektuarve dhe si gjeneralët në betejë, lëshojnë rekomandime si do veprohet, ku do ndërhyhet, cili do shtrohet në spitalet e infektivit apo kovidit, një, dy a tre apo në pavijonet e spitaleve rajonale. Në këtë betejë pas nuk mbeten as prapavija, ata që shërbejnë me furnizimin e pavijoneve me aparatura të posaçme të cilat blihen me urgjencë pasi askush në çdo cep të globit nuk i ka pasur të instaluara sepse askush nuk e paramendonte një situatë të tillë. Dhe spitalet për përballimin e kovidit, çelin portat për t`u shërbyer pacientëve më të rënduar, ashtu sikundër shumë të tjerëve u shërbehet në banesë dhe shteti mori së fundi përsipër edhe mbulimin e shpenzimeve për medikamentet dhe pagesat për mjekimin e tyre. Duke sikur jemi në një luftë me fronte të hapura, ku duket vetëm pacienti dhe mjekët. Virusi, armiku përballë është i padukshëm është tinëzisht i fshehur në skuta në çdo cep në pajisjet që prekim, në tastierat ku shkruhet, në bankomate që tërhiqen para apo në dyert e makinave në të cilat hipim e zbresim. Gjendet kudo dhe nuk konstatohet askund. Dhe për të mbikëqyrur këtë betejë të jashtëzakonshme përkrah mjekëve që gjenden në vijë të parë disa prej tyre janë në pultin e komandimit andej nga lëshohen urdhëresat dhe jepet drejtimi i goditjes, vija e frontit dhe llogoret. Është vërtet një luftë në përmasa botërore. Edhe dy luftërat e fundit nuk krahasohen me këtë betejë. Së paku atëherë dihej armiku. Ishte i pozicionuar. Njiheshin armët dhe kundër armët. Marshimet dhe lëvizjet. Pandemia është ushtria që nuk ka as armë as njerëz, po që gërryen më shumë se lufta e vërtetë me armë dhe betejat që zhvillohen në male, fusha apo qytete. Virusi është pozicionuar në rrugë e lokale, spitale e zyra, shtëpi e markete, njësi tregtimi, kudo. Të gjithë qytetarët mendjehapur, janë aleatë të bluzave të bardha. Janë inkurajues dhe mirënjohës, mbështetës dhe bashkëpunues. Shikoni si qytetarët e zakonshëm u binden vendimeve të Komitetit të Ekspertëve. Maskat kërkojnë ata. Menjëherë vendosen maskat. Kufizimi i orarit të lëvizjes, mbyllen në shtëpi. Mospjesëmarrja në festa apo morte, menjëherë i binden vendimeve dhe mbajnë qëndrime të qytetëruara. Po fatkeqësisht një numër jo i vogël nga ata që bëjnë politikat e mëdha i kundërvihen një populli të tërë. Dhe këtu shembullin negative, mosbindjen e japin nga qytetari i parë i Shqipërisë, presidenti Ilir Meta deri tek Zonja e Parë, shkencëtarë të dikurshëm që kanë drejtuar këtë vend, ish-deputetë që i kanë shpallur luftë viruset, duke e deklaruar se është imagjinar. Po faktet flasin ndryshe. Shembulli më i fundit është ai i Zonjës së Parë, Monika Kryemadhi, e cila edhe pse e di nga biologjia që virusi është i padukshëm dhe njëlloj i rrezikshëm nuk vendosi asnjëherë maskë dhe u infektua edhe për vete, siç deklaroi nga ekrani i televizionit ditën që hoqi bajamet. Duke uruar shërim të shpejtë së paku le të kërkojë të zbatohet vendimi për maskën. Po nuk është vetëm Zonja e Parë që bën rebelen ndaj virusit. Janë shumë vipa që e neglizhojnë maskën dhe nuk i binden ligjit. Fatkeqësitë e mëdha kërkojnë bashkërendim forcash dhe bashkëpunim tërësor. Beteja anti kovid ka nevojë për të gjithëve. Nuk ka asnjë individ që mund të vetëpërjashtohet. Bashkimi dhe bashkëpunimi bëjnë fuqinë. Rritin vendimmarrjen reale. Nuk është numri i komiteteve që mbinë si kërpudhat pas shiut, foto nga morgu, loja me numrat e vdekjeve, njoftimet për sensacione as takimet e shkëputura, shpëtimi. Aq më pak nuk janë rezultative deklaratat për komitete paralele dhe mbledhjet me mjekë të partive nga Presidenca, siç po veprohet gjatë këtyre ditëve. Më shumë se zgjidhje është një karshillëk institucional, i cili veç përballjes së komiteteve dhe ekspertëve, kundërvënies, konkurrencës absurde, lojës me komitete nuk sjell asnjë fryt. Nuk mund të mohohet se intelektualët me përmasa kombëtare, ashtu siç pretendohet, janë thirrur në ndihmë nga presidenti Meta. Të tre vijnë nga radhët e partive politike, LSI dhe PD. Me tesera dhe diploma. Janë Tani, Titi, Panariti ose tre Titat. Po tesera nuk është asgjë para diplomës që ata kanë marrë në auditoret e universiteteve. Nuk mund të thuhet asnjë fjalë negative për doktor Tritan Shehun, reanimatorin e njohur. As për shkencëtarin e veterinarisë Panariti apo mjekun politikan, ish-ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili. Idetë e tyre mundet të jenë brilante. Tre Titat apo tre muskëtierët mundet të sjellin risi të jashtëzakonshme në ndryshimin e gjendjes së Covid-19. Ka shumë gjasa të tejkalojnë edhe shkencëtarët e zbulimit të vaksinës dhe të hartojnë platforma efikase për të përballuar pandeminë. Po si do të arrijnë këtë produkt dhe a nuk do ishte më e udhës që me urdhër apo lutje presidenciale t`i bashkoheshin Komitetit Shtetëror të betejës kundër pandemisë? Besojmë se po! Vetë presidenti sa herë është gjendur në mauzoleumin e Skënderbeut në Lezhë na ka kujtuar amanetin e famshëm të Heroit tonë Kombëtar se bashkimi bën fuqinë. Po ndarja nuk na jep asgjë. Veç rrëmujën dhe anarshinë. Tre mjekët, tre Titat nuk mund të bëjnë asgjë më shumë kundër virusit, veç karshillëk kundër shëndetësisë dhe të prekurve prej pandemisë!