Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Korriku i një fshati

Postuar: 21/07/2019 - 07:48

Prej javësh qëndroj orëve të pasditeve në fshat. Jemi dashuruar së bashku me bashkëshorten aq shumë me një pjesë toke, ku kemi mbjellë perimoret e stinës, saqë një pasdite të mungojmë atje, na duket sikur kemi braktisur një pjesë të vetes, është një gjymtyrë që na dhemb aq shumë, që nuk ka medikament të na qetësojë. “Jeni të çmendur ju? Rrini ore rehat në qyte dhe shijoni verën në plazhe”!-na thotë shumëkush. Përpjekja e një kategorie njerëzish në qytet për të prodhuar ngjarje, padurimi i një kategorie tjetër për të mbllaçitur ngjarje, dhe dëshpërimi i një pjese tjetër të tretë njerëzish në mostretjen e plotë të ngjarjeve, shumë herë na e kanë kthyer korrikun qytetar, në një fetus të destinuar që të vdesë. Telefonata nga një bankë e nivelit të dytë që më ofron ndihmë për kredi dhe zëri i një femre që më fton të përfitoj si një klient i besueshëm, më pasurojnë mendimin se, këtu në qytet jemi nga njëri-tjetri një telefonatë larg. Atje në fshat, jemi një bimë larg njëri tjetrit.

Sa herë që shkoj atje me bashkëshorten time, (24 vjet ka punuar në atë zonë si mësuese), më ndodh një fenomen i çuditshëm. Pësoj një zhvendosje në kohë dhe hapësirë. Më transformohen bashkëfshatarët e mi në disa shtiza të ngulura në tokë, ditë-natë aty, të larë në djersën që të jep puna. Nuk po arrij që nuk po arrij dot t’i njoh më me emër dhe mbiemër. I identifikoj sipas një gjendjeje të çuditshme civile, i kam shkruar aty emrat sipas prodhimeve që nxjerrin nga duart e tyre. Renin e njoh nga luleshtrydhet. Xhikun e njoh nga domatet. Hamitin e njoh nga shalqinjtë. Papin e njoh nga pjeprat dhe shalqinjtë. Gazin po nga shalqinjtë, Xhemalin nga specat e luleshtrydhet, Fetiun nga pjeshkat, Qazimin dhe Luanin, Edin dhe Bakën, Shpëtimin dhe Arsenin nga prodhimet shumë-stinëshe bio. Iu kam harruar vërtet emrat? Ndërsa në qytet nuk po e kuptoj pse po ngatërroj emrat e shokëve dhe të njohurve të dikurshëm me emra kafenesh, ku shkurajimi që iu bëhet bashkëfolësve, lidhur me ditën dhe të nesërmen, është më shumë se sa cinik. Nga fshati, po më ndodh kjo metamorfozë e çuditshme. Kam arritur të dalloj efektin që jep zhurma që lëshon një pompë vaditjeje, nga lodhja që të shkakton zhurma e një autoveture, kënga e gjinkallave përballë një kompjuteri me këngë të zgjedhura, zhaurimën e currilit të ujit të bekuar në këtë vapë përvëluese, nga ajo e ekspresit të kafesë. Të dalloj aromën që lëshon bima dhe toka kur prashitet nga era që lëshon asfalti kur spërkatet me ujë për të mos ngritur pluhur. Mbi të gjitha po perceptoj gjuhën e etjes, ftesën që i dërgon në mënyrën më të veçantë njeriut bima për miqësi, besën që ofron dheu për të të mbajtur gjallë dhe me shëndet. Tamam si një nxënës i klasës së parë po mësoj dalëngadalë, gjuhën e zhurmës së dungfungëve siç i quajnë në fshat mjetet që kanë përdorim të shumëfishtë, herë si frezë punuese toke, herë si vaditës dhe herë si mjet ngarkesë për perimoret. Kur dëgjoj zhurmën e motorit dyrrotak të Papit, ai më ofron një timbër të veçantë. Është si një bemol që gurgullon në rrugë, të nxit të urosh. “Vrapo Nxito! Edhe gërgëllitja e fugonit të Klodit, dallohet nga mërmërima e palodhur e fugonit të Xhikut, të dy të ngarkuar me prodhime të stinës. Ata të përshëndesin:” Ngjatjeta! Ikëm! S’kemi kohë! Pastaj largohen duke u kolovitur si në një lisharës rrugës së fshatit tim të paditë dhe të panatë. Në këtë rrugë më kujtohet dita e kolektivizimit të bagëtive në kohën e monizmit. Aradhet si fizarmonikë e prishur që krijonin me lëvizjen e tyre bagëtitë. Në krye të rrugës, afër koçekëve, ishte vendosur orkestra. Nuk e kuptoja atëherë përse krijonte më shumë se sa muzikë festive, zhurma bokullash muzikorë. I mbaj mend orkestrantët që iu dridheshin duart ndërsa iu binin veglave muzikore. Ata tinguj mbillnin mort. Kujtoj se si iu zu melodia në fyt klarinetistit, ndërsa pa të vinte me galop drejt tij, kali pullali. Bjeri..mos ndalo, i pëshpëriste në vesh defaxhiu, ndërsa klarineta bënte piu..piu, dhe stononte në tingujt që nxirrte nga gryka e saj. Kali Pullali përfundoi si gjithë bagëtitë i kolektivizuar. Kanë kaluar shumë vite që atëherë. Tashmë si një rishtar që nuk di se si të falet para zotit, në shtëpinë e tij, po arrij të mësoj të falem para tokës. “Beni, ajo tokë merr frymë. Është e ngrohtë. E dalloj frymëmarrjen e saj, kur jam në mes të bimëve duke punuar. O zot çfarë fryme !” shprehet bashkëshortja. Në fshatin tim shumë rrallë i ndezin televizorët. Për të mos thënë fare. Aty nuk po njohin politikanë. E jo më të flasin për politikë. Më parë ata edhe mua po më identifikonin nga ekrani. Kur iu shfaqesha mëngjeseve dhe darkave në edicionet e lajmeve, më përmendnin si një djalë i lindur aty, por i rritur andej. Pastaj, filluan të mos më njihnin më. Sepse nuk po shikonin më TV. Ku të më shikonin tjetër? Kur brofja në fshat, më përshëndesnin dhe nxitonin drejt tokave. Pastaj nuk po gjenin kohë as të më përshëndesnin. Unë jetoja në qytet, ata në fshat. Ehuuu ku unë dhe ku ata! Pastaj, ata mbetën fushave të zbatonin formulën që askush që nuk banon aty, nuk ia gjen dot kuptimin. Formulën e tokës. Unë bridhja ku të më çonte profesioni dhe s’puqeshim që s’puqeshim bashkë e jo më të përshëndeteshim. Njëherë kur një mik i ardhur nga larg kishte pyetur për shtëpinë time në fshat disa bashkëfshatarë i ishin përgjigjur se unë jetoja në qytet. “Ajo shtëpi, me atë pak gjelbërim është e Agurit”. Kur Arbeni të punojë që ta mbajë përherë në mes të gjelbërimit atëherë do të thotë se ai është kthyer në fshat dhe banon aty” kishin thënë ata. Fshati im i lindjes quhet Adë. Fillimisht ka qenë i ndërtuar në deltën e lumit Vjosë, atje ku bashkohet derdhja e një përroi të quajtur Kalinorë, i cili mbledh ujërat e kodrave të Peshtanit dhe Frakullës, me një pjesë të ujërave të një dege të Vjosës, deltë e cila kishte marrë emrin Bunacë. Pas vërshimeve të Vjosës dhe përmbytjeve që pësonte fshati, banorët migruan në një tjetër tokë, këtë radhë në kodër. Dhe emrit të fshatit Adë i bashkëngjitën për kujtim dhe respekt emrin që e morën nga delta e lumit Vjosë dhe e përjetësuan në atë kodër, vendbanimi i tyre i ri. E quajtën fshatin Adë Bunacë, duke ndërtuar qendrën e re urbane, rreth 1 km larg deltës së lumit, përballë qendrës së banimit të dikurshëm. Poshtë shtrihet fusha që ka lidhje të çuditshme me banorët. Toka dhe banorët jetojnë si në balada me njëri-tjetrin. Kanë një alkimi,që askush nuk arrin ta shpjegojë. Një formulë që ia përcjellin njëri-tjetrit ndër breza, njësoj si një testament. Puna mban tokën e shëndetshme, toka e shëndetshme, mban njerëz të shëndetshëm.Do të doja shumë që fshati im të kishte histori të madhe dhe të pasur,emra lavdimtarëqë i kanë dhënë kombit nëpërmjet mendjes veprën e tyre,të ishte i mbushur me lapidarë, apo ku di unë. Thjesht të ishte fshati që duhej ta dinin si emër të gjithë, të rrezatonte dhe të ishte i shkruar madje në vepra studiuesish historikë. Por fshati im ka njerëz të thjeshtë fare. Punëtorë deri në kockë. Fundja ku të gjej kohën fshati im që të prodhojëheronj? Ai thjesht prodhon fruta, perime dhe dinjitet.  Dy ikje e kanë gërryer fshatin tim. Ikja e parë prej vetes nga përmbytja e lumit Vjosë në vitet 1937, dhe ikja e bijve te vet larg tij. Parafytyroj përmbytjen e banesave,njerëzit mes ujit, thirrmat për ndihmë, britmat e bagëtive dhe lehjet e qenve, të gjithë së bashku, mes frikës dhe pasigurisë teksa notonin dhe largoheshin mes rrjedhave të ujit,larg shtëpive dhe pasurisë së tyre. Më duket se ka diçka pambarimisht të ngjashme midis të parëve të mi dhe besimtarëve që i luteshin Krishtit për të shpëtuar nga mbytja. Dhe ata shpëtuan. Ikja e dytë e ka zanafillën e valës së saj nga ikja e elitës së shkolluar. Përfytyroj se si ikën me disa valixhe druri nga shtëpi, ata që u bënë oficerë, ata që u bënë inxhinierë, doktorë, mësues. Ikën dhe valixhet nuk i kthyen më në shtëpitë tip elbasanase. Harruan? Përfytyroj kthimet e tyre pas shumë vitesh, kthime disa orëshe. Në portat e oborreve i përcillnin prindërit. Këta të fundit përballë fëmijëve rrezatonin krenari, i takonin, i uronin dhe kur ata iknin, lotonin. Pastaj vala u zmadhua dhe u bë dallgë në vitet ‘90, me ikjen e njerëzve të thjeshtë. Të papunë që ikën drejt Italisë dhe Greqisë, të brengosur që ikën drejt vendeve të tjera të Evropës dhe deri në Angli e Amerikë. Pas viteve 2005 e këtej njerëzit e thjeshtë nisën të kthehen e të investojnë në vendlindje. Atje janë shumica e tyre, tani kur unë po shkruaj, duke punuar. Disa mundohen të luftojnë zhegun. Disa sëmundjet ndër bimë. Të tjerë mungesën e tregjeve për shitje. Të gjithë përpiqen të jenë njerëz të ndershëm. Unë nuk e di në cilën vale ikjeje bëj pjesë. Di që nuk rri dot pa shkuar dhe punuar te toka. Bashkëfshatarët kam arritur ti njoh me emër nga prodhimet e punës së përditshme. Ndryshe nga më parë kur unë isha ai që jeton në qytet, tani jam fshatari që jetoj mes tyre. Ata nuk më quajnë të ardhur si bujtës për të kaluar kohën. Përkundrazi na kanë pranuar brenda metamorfozës që të jep puna, unë dhe bashkëshortja tani jemi dy prej tyre.

Në dallim nga fshatrat e tjerë të zonës, në fshatin tim janë vetëm dy lokale bashkëngjitur me njëri-tjetrin. Gjatë gjithë ditës thuajse janë të boshatisur. Po bosh fare, gati pa njerëz. Në mbrëmje pas orës 21 lokalet gjallërohen, vetëm për një orë, e shumta një orë e gjysmë.  “Një birrë vëlla”! “Më bëj një kafe turke se jam për punë sërish”! “Dua të vadis pemët”! “Më jep një pije freskuese se dua të iki deri te shalqinjtë, kam lënë pompën takuar”! Vëlla të të qeras me një birrë sepse i shita sot pjeprat”! Pak ulët në çmim, por i hoqa nga parcela”! “A ke disa arka për luleshtrydhe”.  “Kush ka një tubo 50-she se dua të vadis domatet nga kanali i madh” ? “Mundesh nesër të më japësh hua një pompë sepse dua të çoj ujin te ullinjtë”? Si t’ia bëj me sëmundjet e perimeve. Pesticidet nuk po i luftojnë. Duhet të jenë të skaduara. Ku të marr? Ore duhet bërë kujdes! “Duhet parë mirë përdorimi”, “Ehh more vëlla, askush nuk kujtohet për tregje për ne, s’ka tregje për këtë prodhim”. Dhe e gjithë hapësira mbushet me dialogë të tillë. Pas gjithë asaj zhurme, pastaj rrëshqasin biçikletat, ulërasin motorët e dyrrotakëve. Të gjithë shpërndahen sikur të ketë rënë një sinjal alarmi. Por jo atij alarmi në kohën e diktaturës. Atëherë në krye të fshatit ishte vendosur një çangë që urdhëronte me tingujt e saj lëvizjet e banorëve. “Bam” çanga e parë.. Leximi i gazetave kolektivisht. “Baam” çanga sërish. Nisja në drejtim të tokave për punë.. “baam baaam”, në drekë, pushimi i mesditës.. “Baaam, baaam bam”, mbarimi i ditës së punës. Dhe nëse binte në mesnatë, të gjithë në mbrojtje të atdheut nga armiku imagjinar. Por jooo! Është një sinjal i pashpjegueshëm që i thërret dhe i mban lidhur me tokën. I thërret me emër dhe mbiemër dhe ata nxitojnë që tokën të mos e lëndojnë duke pritur dhe mërzisin duke ikur.

Nuk kam pasur asnjë mundësi këto kohë për të shkruar. Në letër kam hedhur në këtë kohë pjesë të një tregimi që lidhet me një kopsht të krijuar nga dora e dikujt i cili sa herë dashuronte mbillte një pemë. Kështu arriti të krijoj një kopsht aq të bukur sa ia la trashëgim të birit të vet kur vdiq. Ky i fundit sa herë që zemërohej në kafenetë që mbillnin pashpresë, priste nga një pemë nga kopshti i dikurshëm i babait, dhe kur arriti që atje të mbetej vetëm një pemë, e ruajti atë për të patur si hije që të flinte gjumë në vapën e korrikut.

“Hajt na sill disa domate dhe kastravecë nga të tutë. Ti shikojmë çfarë shije kanë”! Është Papi ai që më flet. Papi është me një dorë cung. Fëmijë i pëlqente të ndizte zjarr në ajër. Po, po në ajër. Hidhet kallama në telat elektrikë, pa e ditur se shpikësi i zjarrit, perëndia Hefesti, pasi ia vodhi zjarrin Prometeu dhe ua dha njerëzve, e dënoi këtë të fundit duke e lënë të lidhur derisa ta shklyenin shkabat në majë të një shkëmbi. Papi nuk e di këtë histori nga antikiteti i lashtë. Se ka ditur asnjëherë, dhe as tani.. Ai i hidhte kallamat sipër telave përcjellës elektrik, duke u kënaqur me zjarrin dhe flakët që krijoheshin në ajër. Patjetër që zemërimi i Hefestit duhet të ketë qenë, sepse të vidhje zjarr në ajër,të ndizje flakë atje e jo më pastaj të luaje me dëshirë fëmije, ai nuk mund ta lejonte! Ndaj këputi telat dhe ia hodhi prushin e zjarrit nëpërmjet telit që pasi e këputi ia lëshoi në dorën e vogël dhjetëvjeçarit. Fatmirësisht inati ishte i vogël. Fatmirësisht Hefesti në një farë mënyre e fali. Nuk i mori jetën, por një pjesë të dorës. Që atëherë ai mbeti me dorën cung. Por, është aq punëtor dhe i lidhur me tokën, sa nuk ia ka shokun e jo më të njoh lodhje. Kurrë!. Atë e gjen kudo. Njëherë në mezarak, ku ka mbjellë shalqinj. Njëherë në tokën e zezë, ku ka mbjellë pjepra e domate. Pastaj në kodrën e dheut të kuq, ku ka ullinjtë. Sikurse bashkëfshatarët e mi, nuk mund ta kuptoj ditën ti iki kot dhe natën të flejë shumë orë gjumë. Bashkëfshatarëve të mi në këtë verë iu mjaftojnë vetëm disa orë gjumë. Sepse jeta për ata është zemrek pune. “Aaaa, po shumë mirë. Paska shije dhe të kënaq kur e ha” më jep notën e cilësisë fermeri 36 vjeçar. “Sapo fola për të shitur 150 kg shalqinj me një nga Gjirokastra. E pres nesër ia lashë me 27 lekë kg”-vijon Papi.  “Dëgjo, të kam sjellë dy kokrra shalqinj. Provoji dhe me jep edhe ti notën tënde.”me befason ai. Unë kam kaluar provën për tu bërë fermer? Duhet të provoj dhe jap mendim për cilësinë e prodhimeve ?  Kjo nuk është pak. Hëna në qiell është e plotë 15 ditëshe siç e quajnë bashkëfshatarët e mi hënën e rrumbullakosur.

“Mos harro. Ne nuk i falim në fshatin tonë asnjë prodhim atij që nuk punon. Jooo! Të punoj, pa të provoj e kur ta ha ti themi të bëftë mirë! Ti po punon! Ndaj merri, të bëfshin mirë e më thuaj nesër a të shijuan shalqinjtë e mi”? Ndihem mirë. Po mbaj në duar ditë-netët bio të fermerëve të fshatit tim, të transformuar në shalqinj. Por ndihem edhe keq sepse nuk po di ta shkruaj dhe them për ju atë që ndiej brenda meje dhe që duhet thënë për bashkëfshatarët e mi.

Nga Arben VELO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/08/2019 - 19:41

Jetojmë në milleniumin e ri dhe syri më sheh ende femra që ndezin qiri në terr. Në këto pirgje imazhesh të ngjallin fobi, shoh shpresë pak të ardhmen e tyre, të binjakezuar me atë që shkoi dhe vazhdon të jetë.

Postuar: 25/08/2019 - 08:03

Nuk ka e si mos të ngjallë indinjatë dhe revoltë të brendshme te njerëzit e ndershëm, jo vetëm at

Postuar: 25/08/2019 - 08:01

Oratori i shkëlqyer, luftëtari trim dhe Hero i Popullit Memo Meto, kur është pyetur se ç’ës

Postuar: 25/08/2019 - 07:58

Një udhëtim drejt humnerës.

Postuar: 25/08/2019 - 07:56

Po po, e dogjën malin e Shëngjinit me qëllim dhe sigurisht te ne është absolutisht epidemi kjo ll

Postuar: 24/08/2019 - 07:51

Studio më e freskët televizive me moderator Çim Pekën nuk kishte si të çelte siparin ndryshe, veç

Postuar: 24/08/2019 - 07:49

Një fushatë malinje dhe ç’kombëtarizuese po vazhdon prej kohësh me ulje ngritjet e saj nga