BREAKING NEWS

Bashkimi Europian nuk e futi Shqipërinë në listën e vendeve për lëvizjen e lirë, mjeku Alimehmeti tregon ‘provat’ pse kjo nuk duhet të ndodhte

Bashkimi Europian nuk e futi Shqipërinë në listën e vendeve
x

Opinion / Editorial

"Korrupsion & absurd" modeli që pengon edhe ndërkombëtarët të "kuptojnë"!

"Korrupsion & absurd" modeli që pengon edhe

Tashmë është e kotë të besojmë dhe shpresojmë, se një klasë politike e tillë, mund të përfundojë qoftë dhe një reformë normale, apo të krijojë kushte normale të një jete në demokraci. Është iluzion, sepse ka diçka që prej kohësh është ditur dhe është shkruajtur apo treguar dhe nëpër kancelaritë ndërkombëtare që duke filluar nga vitet 1900 kanë bërë të mundur dhe krijimin e territoreve të cunguara të shtetit shqiptar. Tani në Shqipëri, janë problem dhe ndërkombëtarët të cilët kanë sigurisht të sqaruar zyrat e tyre të larta mbi ne, por kanë të vështirë ta kenë të qartë të gjithë ata ambasadorë dhe të dërguar të tyre në Shqipëri modelin e veçantë tonin. Model që i bën dhe politikisht dhe diplomatikisht jo "kompatibël" me ne. Që përballen me atë që dikur kam botuar në këtë testatë mediatike si gazeta “SOT” për Robinson Vandeleur, shkrimtar britanik, bir koloneli dhe mbaruar në Kembrixh, aktiv në "Lidhjen e Kombeve". Ai ka qënë “Organizator rajonal, për Europën Juglindore” dhe një njeri që njihte problematikën e rajonit dhe sidomos Shqipërinë. Mbasi ka kaluar vetë personalisht në Shqipëri, ai ka botuar edhe librin e tij “Rruga e Shqipërisë për liri” ose “drejt lirisë” i botuar në Londër, në vitin 1942. Ja vlen të lexojnë të gjithë ambasadorët në Shqipëri pjesën e qartë të tij mbi zyrtarin shqiptar. Jo vetëm ia vlen të dëgjojmë “veten tonë” (Konicën, Fishtën dhe Nolin), por normalisht kanë pjesën e tyre edhe të huajt, që kanë shkruar sidomos për të vërtetuar përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar shtetin e tyre, duke ardhur nga një trashëgimi aspak normale e një perandorie turke, që vitet e fundit kishte lënë vetëm korrupsion dhe mënyrë banale të trajtimit të zyrtarit dhe shtetit në përgjithësi. Padyshim të fundit në Ballkan të dalë nga një perandori në zgërlaqe e sipër dhe korrupsion, do të kishin edhe pasoja të mëdha. Në një nga pjesët e botuara nga Robert Elsie, të cilën e ka titulluar “Korrupsion në absurd”, Vandeleur, mundohet të trajtojë vështirësitë e Ahmet Zogut në krijimin e një administrate ndryshe nga trashëgimia. Por në shkrim, vërtetohen ngjashmëri si “dy pika uji” me të sotmen. Midis viteve të regjimit të Zogut dhe ato të demokracisë sot, është brenda edhe regjimi diktatorial i ashtuquajtur komunist, por me shumë brendi turkoshake të një periferie (e kam fjalën jo të kontrolluar mirë dhe aspak zyrtarisht e përmirësuar si në vende të tjera) otomane që i ka shtuar dozën e keqe të administrimit absurd, prandaj është e rëndësishme të shikojmë se si e ka njohur bota pikërisht “daljen në liri të Shqipërisë në kohën e Zogut”. Gjithsesi ai sqaron në mënyrë të qartë se shqiptari në administratën e tij, në formën dhe përmbajtjen e tij, arrin të ketë modelin "korrupsion në absurd"! Vandeleur i bën një analizë të hollësishme dhe me shembuj kësaj tragjedie të madhe dhe në ndryshim nga shumë vende të tjera, duke bërë të qartë se kemi qenë periferi e Perandorisë dhe vendi më fatkeq në këtë drejtim. Përpjekjet për administratë normale, gjithmonë kanë dështuar, përpjekjet për gjyqësor normal kanë dështuar dhe po ashtu politikisht e ideologjikisht të dështuar nga korrupsioni dhe të korruptuarit absurd. Vandeleur në një batutë të tij e gjen saktë duke thënë se: Një shërbëtor i shtetit si i varfër në origjinë ka bërë një shtëpi të bukur, çmimi i saj mund të vijë në një mënyrë apo një tjetër nga fondet publike, nga tangjentet nën dorë, qartëson Vandeleur. As që dyshohet dhe bëhet fjalë se kështu është në mos shumë më keq dhe sot. Pasuria e njerëzve lart në administratë vjen jo nga pronat dhe jo nga paga e lartë, por nga marrëzia në korrupsion. Pra absurdi që ndodh në Shqipëri! Pa asnjë dyshim shumë i paskrupullt se në Mal të Zi, Serbi, Maqedoni, Kosovë, Rumani, Bullgari dhe Turqi. Kudo në këto shtete ka korrupsion, por absurd e kemi vetëm ne dhe për këtë gjë ndërkombëtarët janë në tre poza të qarta: në hall, në çuditje dhe sidomos në pabesueshmëri, se qoftë dhe një reformë e vetme do të përfundojë me të tillë tipa të modelit "korrupsion absurd"! Ndërkombëtarët dhe sidomos ata ambasadorë të rëndësishëm që kanë "pushtet mbi shtetin" dhe shoqërinë tonë, janë thjesht njerëz të "hyrjeve dhe daljeve” në zyrat e politikanëve shqiptarë, pushtetarëve dhe lidershipeve shqiptare, duke bërë kështu dhe humbjen e dinjitetit diplomatik dhe duke qëndruar afër, shumë afër degradimit të jashtëzakonshëm të politikës shqiptare që rrezaton shumë keq dhe te ata. Në fakt, ka tridhjetë vite që vjedhin dhe kaq. Vetëm vjedhin dhe vrasin po për vjedhje. Mbas tridhjetë vitesh është e qartë se nuk e kanë seriozisht dhe as sinqerisht me shtetin ligjor dhe demokracinë. Sot hyrjet a daljet e ambasadorëve dhe trupit diplomatik në Shqipëri në zyrat e politikës dhe shtetit janë një paradë e shëmtuar diplomatike, e cila tregon qartë se palët përpara tyre, nuk duan as reformën në drejtësi dhe as shtetin e së drejtës. Nuk duan vullnetin e popullit realisht të dalë nga zgjedhjet. Ambasadorët e akredituar në Shqipëri nga momenti që janë qartësuar për modelin "korrupsion në absurd" sigurisht kanë kuptuar se pasurimi i klikave pushtetare, në drejtësi, polici, administratë dhe kudo përbën pastaj pamundësinë e tyre për të arritur qoftë dhe një sukses në drejtim të reformave. Po ti shtosh dhe uljen e reputacionit të shteteve të tyre kjo është pastaj një punë... Kështu janë mbrojtur të tillë levendë (pushtetarë dhe politikanë) që flasin në emër të popullit si Edi Rama me një teatralizëm arrogant dhe të shëmtuar që zvarrit fjalët, i cili rrëzon (pa u zvarritur) teatro jo thjesht se i urren, por se fiton, ka pjesë të pasurimit, jo vetëm të një personi, por dhe shumë prej tyre që jo vetëm kanë nga katër punë e borde, por nesër, mund të urdhërojnë që të prishin të gjithë trashëgiminë për të ndërtuar pallate! Kështu ka bërë dhe "adashi" i Ramës ose Berisha, me traditën dhe kulturën. Kulturën këta tipa nuk e kanë problem, sepse njerëzit e saj janë jo vetëm të politizuar, por dhe të dobët për t’u përballur me regjime. Jo nuk janë si ata, as në Ballkan dhe jo më ti krahasosh me ata në Europë. Ambasadorët mund të takojnë të tillë levendë, që sigurisht i kanë hipur shoqërisë në kurriz nga të gjitha anët, por sëpaku të dinë dhe besoj e dinë se është pikërisht kjo shoqëri që nuk di më mirë se sa kaq. Duhet të dinë se opozita nuk e ka seriozisht me opozitizmin se sa me ardhjen në pushtet për të "korruptuar" dhe u "korruptuar" kurse pozita nuk e ka seriozisht me pozitizmin politik dhe administrativ, se sa me "korruptimin" e sigurtë në pushtet. Si në kohë të perandorisë që gjithçka bëhej me korrupsion, po ashtu dhe në kohë të Zogut dhe padyshim sidomos 20 vitet e fundit në diktaturë, ku çdo drejtor dhe çdo njeri lart merrte dhe jepte bakshish dhe ku shoqëria mësoi të mbijetonte vetëm se vidhte çdo gjë në shtet! Akoma më keq këto tre dekada marrëzi në korrupsion! Pyetja lind e qartë: Prej këtyre individëve dhe këtyre klikave, por dhe këtyre imoralëve në "korrupsion absurd" duhet të presim dhe reformën në drejtësi? Të presin ndershmëri dhe integritet për të ngritur institucione dhe pasur njerëz normalë në to! Ka shumë pak shanse, po shumë shumë pak! Sepse të gjithë kanë dalë pothuaj nga ky sistem dhe as që kanë mundësi të luajnë rol të sigurtë në drejtësi, sepse nuk dinë dhe nuk munden ndryshe. Nuk do të bëjnë reformë në drejtësi efikase, SPAK dhe BKH do të "marmalatizohen" dhe nuk do të prodhohet ligj zgjedhor normal dhe i zbatueshëm për të dalë nga tuneli i zgjedhjeve të kontestuara! E mbase kjo është dhe pamundësia e ndërkombëtarëve realisht për të "kuptuar"!