BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Korrupsioni i vipave si lavdi, i gjithë të tjerëve poshtërsi!

Korrupsioni i vipave si lavdi, i gjithë të tjerëve

Ka një ndarje të opinionit, si prerje e artë, të atyre që rëndom bëjnë opinionistin zyrtar mbi perceptimin e korrupsionit. Nëse zbulohet një rast korrupsioni, i një individi që nuk ka emër, është si të thuash në reshtin e fundit, nuk ka zë dhe s`flet dot nëpër ekrane apo në faqet e shtypit, telashet për të nuk kanë të sosur. Ai, menjëherë mediatizohet, kthehet në hit. Zhurmohet nga mëngjesi në mbrëmje. Etiketohet e shndërrohet në kauzë politike. Njehsohet me sistemin, barazohet me qeverinë, partinë, kryeministrin. Bëhet goxha propagandë. Kthehet në tabelë qitje, ku gjuajnë të gjithë, parimorët, kompetentët, ata që s`të falin, fjalamanët, të ndershmit, të urtët e të marrët, antikorrupsionistët që hedhin mbi ta, gurë, fjalë, mallkime, urrejtje, përçmime. Ndodh kështu se i kapuri me presh në dorë, është pa grada, pa merita, pa mbështetje, nuk ka asnjë ombrellë mbrojtëse, është pa poste, pa para, thjesht një numër në gjendjen civile. Flitet për individ të punësuar në një qendër pune, arkëtarë, sanitarë, infermierë apo tregtarë çikërrimash. Sapo mësohet se dikush ka marrë një mijë lekë në emër të një shërbimi që e ka detyrë dhe për këtë paguhet apo ka pirë një kafe, diku me dikë, sulmohet me rrënjë e me degë, bëhet copash, duke i marrë, jo vetëm dinjitetin, kuletën, po edhe vetë jetën. Me këtë nuk justifikojmë korrupsionin e vogël apo mitmarrjen as i ndajmë në korrupsionistë të ndershëm, të arsyeshëm, të mirë, dinjitarë dhe të pandershëm. Veprimi, është i dënueshëm dhe nuk duhet toleruar. Bile duhet ndëshkuar sipas ligjeve në fuqi për cilindo. Ajo që të bënë të vësh alarmin, është filozofia e disave të cilët korrupsionin në nivele të larta, atyre që janë vipa, me poste e grada, me pushtet, njerëz publikë që kanë edhe mundësinë për të bërë korrupsion të madh, real, me përmasa, me efekte dërrmuese për shoqërinë e ekonominë pasi një firmë apo një vulë mund t`iu kushtojë qytetarëve miliona euro, ata që kanë në duar financat publike, tendrët apo tatimet, taksat apo janë në krye të auditimeve dhe tenderimeve, ata që bëjnë namin përmes marifeteve, fshehur, e hapur nuk u bie gjak nga hundët. Për ta nuk ka kufij për ato që fshehin apo përvetësojnë. Bëmat e tyre, shihen si ndriçim mbi pjesët e errëta dhe vetë aktorët e negociatorët, ata që nënshkruajnë për miliona, pa adresë apo adresa të gabuara, dalin të larë. Fatkeqësisht edhe si individë të mbuluar me lavdi sepse janë njerëz me para që e vërtisin politikën dhe ekonominë andej nga duan dhe kanë dëshirë apo marrin benefitet e nevojshme. Në këto tri dekada çfarë nuk kemi dëgjuar ne qytetarët e zakonshëm të këtij vendi. Akuza pa fund. Betime se sapo të vijmë ne në pushet do bëjmë namin, do vëmë ministrat e deputetët, drejtorët e gjithë ata që kanë cënuar rëndë financat publike apo kanë përvetësuar pas hekurave. Po në realitet edhe pse pushtetet kanë ndërruar, jo një herë dhe forcat politike janë alternuar në pozitë e opozitë nuk kemi parë asnjë këmbëngulje nga askush për të vënë ujin në zjarr dhe për të dërguar përmes organeve të drejtësisë, të korruptuarit, hajdutët para togave të zeza. Në këtë mënyrë të gjitha këto përbetime janë si sapun mbi gunë, siç thotë populli, sa për t`u hedhur hi syve, atyre që votojnë dhe të japin pushtetin. Këtu nuk është fjala për gjueti shtrigash as për të pritur që ekzekutivi të bëjë gjyqësorin e prokurorin, po për të dërguar para drejtësisë denoncime me fakte e shifra të padiskutueshme, të provuara, denoncime që drejtësia nuk mund të nënvlerësojë dhe është e detyruar t`i zbatojë, duke vënë para drejtësisë tërë ata që e kanë bërë baltë me veprimet e tyre të padenja e të papranueshme për moralin e shoqërisë sonë. Po në tërë këto vite, asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Dhe me të drejtë kur bëhet fjalë për të korruptuarit vipa, populli, qytetarët e zakonshëm të këtij vendi nuk përtojnë t`i lakojnë tërë ata që i kanë vendosur në memorie si zyrtarë të korruptuar. Po nëse qytetarët e japin verdiktin dhe e shënjojnë atë që ka vjedhur, organet kompetente asnjëherë nuk e kanë marrë mundimin të provojnë fajësinë e këtyre drejtuesve hajdutë, politikanëve apo zyrtarëve të rangjeve të ndryshme për t`i vënë para përgjegjësisë. Pikërisht këtu është vija ndarëse, ajo e mbrojtjes së të korruptuarve vipa, të cilët menjëherë, sa u vjen radha për të zhvilluar fushata elektorale për të rimarrë pushtetin dhe për të drejtuar vendin, shpallen si shenjta, si individë të ndershëm me klasë e parime. Siç ndodh edhe këto ditë me pretendentët për pushtet! Nuk mungojnë ata që e dinë të gjithë se si i kanë trajtuar partë publike, të shesin mend dhe të tregojnë përralla sikur kanë zbritur nga qiejt dhe kanë ardhur në tokë për të vënë në vend drejtësinë e munguar. Pikërisht, kjo ndodh para çdo beteje elektorale. Atëherë kur lypet pushtet dhe iu intereson të gjithëve të dalin para popullit, me parulla e slogane, si virgjëresha, individë që nuk u ka ngjitur në dorë asnjë qindarkë. Shqiptarët i njohin bëmat e secilit. Kanë të memorizuar, jo thjesht ato që publikohen dhe marrin erë, shpërndahen në eter, po edhe ata që kamuflohen pas dhuratave e fitmeve të trashëguara nga e kaluara, të ardhura nga kurbeti, financime miqsh e krushqish, gjyshër e grash, kunetërish e kunatash. Qytetarët e njohin shumë më mirë se institucionet tona, mekanizmin, si vepron dhe trashet korrupsioni. Ata e dinë, ku nis e ku mbaron mitmarrja dhe kush janë ata që pa dhënë asnjë qindarkë, mbushin kontot bankare apo ndërtojnë saraje e vila, pallate e resorte apo hyjnë në garë me biznesmenët që kanë tri dekada që luftojnë për të ngritur bizneset e tyre. Këta biznesmenët e politikës, ia arrijnë në një afat kohor shumë të shkurtër të vendosin pasuri të tundshme apo kesh. Në shtëpi apo në baraka. Historia e korrupsionit tek ne nuk ka moshë, një apo tetë vite. Nis me ditën e parë të qeverisë post pluralizmit. Lartësohet me piramidat. Ngjitet edhe më lart me “Rrugën e Kombit”. Me Gërdecin e famshëm. Me “Unazën e Madhe” të Tiranës. Përpjekja për të krijuar iluzionin se vetëm kundërshtarët janë të korruptuar, është një alibi që nuk e pranon askush edhe mendja e një fëmije në kopsht. Po ajo që të habit, është përpjekja për t`i ndarë të korruptuarit në dy e më shumë fasha e klasa. Njëra, ata që konsiderohen mjeranë, plebenjtë, të varfrit, pabuksat, të zakonshmit dhe ata që kanë ofiqe, poste e detyra që iu është dhënë besimi për të na udhëhequr. Kaq e fortë është beteja për të fituar përmes rrugëve të padrejta, për të vjedhur paratë publike, për të fituar miliona nga vendi i punës, sa nuk ka asnjë pretendent për të marrë në dorë një drejtori pas fitores së pushtetit, ku nuk lëviz paraja. Kështu askush nuk do të shkojë në zyrat e statistikës. Në banka, në financë, po është gati të bëjë revolt për vende me lekë. Të gjithë lakmojnë poste, ku interesat e qytetarëve, janë të mëdha. Duan të bëhen drejtorë në Kadastër në ISKSH në elektrik, dogana, tatime, porte, atje ku kanë një armë të fortë në dorë. Ndryshe nuk e pranojnë postin. Ajo që motivon një vend në administratë, është mundësia e fitimit. Është vendi me lekë. Dhe në realitet, kjo nuk është ekskluzivitet as i atyre që sot janë në pushtet as atyre që nesër mund të vijnë. Këtu askush nuk bënë dallim. Mund të ketë ndonjë diferencë në masën e përfitimeve dhe lakmisë individuale, po kurrsesi në merakun për të fituar nga pronat dhe e ardhura publike. Shembujt e ndarjes dhe etiketimeve të vlerësimit dhe dënimit apo publikimit dhe propagandës për të korruptuarit e klasave të ndryshme, ka bërë që jo pak qytetarë të deklarojnë sentencën e vjetër popullore. “Për disa, bëmat janë arra e kërcasin për të tjerët fiq e shtypen. Kuptimi është i qartë, personat me pushtet, asgjë nuk denoncohet dhe quhet normalitet dhe ata ia dalin të mos u hyjë asnjë gjemb në këmbë. Shembujt për ilustrimin e marrjes në mbrojte të individëve vipa, janë aq të shumtë, sa është humbje kohe citimi i emrave. Bëma që nisin nga viti 1990 deri në ditët e sotme. Bile ata që zhvatën më shumë shiten si më të pastrit, më të denjët, më të ndershmit. Gara për të mbërritur në majë të korrupsionit, është e njëjtë me ata që i ngiten majës së malit apo vrapimi për të mbërritur në finish. Për mos të humbur në Morinë e rasteve pafund, le të ndalemi me dy raste nga i njëjti sektor, jo se këta janë individët më vipa po si më të freskëtit në bëmat e tyre. Ditë më parë, Tirja e spitalit “Shefqet Ndroqi” u bë hit. Me të u barazua qeveria dhe gjithë administrata. Shkurt u shpall si simbol i korrupsionit qeveritar. U bë etiketë e mazhorancës. Vetëm pak ditë më vonë, një emër tjetër, mjek, zoti Edvin Prifti, u vu para drejtësisë për korrupsion sipas prokurorisë. Nuk kemi asnjë qëllim për të fajësuar doktorin. Atë le ta bëjë drejtësia. Po për të thënë një të vërtetë të madhe se si me mjekun nuk u mor askush. Bile shumë kritikë pranë opozitës, analistë të mëdhenj e opinionistë që tjerrin fjalën, mbyllën gojën. Të tjerë si ata e justifikuan. Jo pak nga ata që desh ranë theror për mbrojtjen e teatrit e justifikuan dhe vunë para akuzave drejtësinë dhe shtetin, hodhën gurë pafund mbi SPAK-un, qeverinë. I akuzuari bëri fajtor politikën, duke e cilësuar ndalimin, si gjueti shtrigash, të orkestruar nga kryeministri. Jo pak i qanë hallin se nuk mund të jetonte me një rogë. Sa shumë standarte për fajësimin dhe pafajësinë, për evidentimin dhe ekspozimin, për dënimin shembullor e amnistinë e të korruptuarve! Historitë janë shumëfishe. Ato duan netë të tëra dimri për t`i treguar. Po ajo që duhet pranuar, është ndarja e të korruptuarve, seleksionimi dhe përzgjedhja e tyre: Ca që opinioni i shqyen dhe vipat i shpallin heronj! Kësaj i thonë: Korrupsioni i vipave si lavdi, gjithë të tjerëve, atyre që i cilësojnë, si rripa e pyka, varfanjakët e pabuksat, si tradhëti, maskarallëk, paturpësi e poshtërsi!