Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kosova, “gjaku ynë që nuk falet” dhe një kronikan si Bashkim Shala në Kukës…

Postuar: 22/06/2019 - 07:14

“Jeta nuk është ajo që u jetua, por ajo që kujtohet për ta treguar”. Sepse e shkuara nuk mund të blihet me asnjë lloj paraje e pasurie. Dikush ndoshta i quan thjesht aforizma të famshme, dikush postulate të paprekshme. Por fjalët vërtet të mençura e siç ngulin këmbë me të drejtë në nahijen time “fjalë me jastëk”, shpesh marrin dhenë dhe bëhen jo rastësisht edhe botërore. Kështu më feksën edhe mua ditët e fundit, kur po shfletoja dorëshkrimet e ngjeshura të kolegut e mikut tim nga Kukësi, Bashkim Shala. Nisën të gurgullojnë vetiu mjaft përsiatje natyrshëm, të ngrohta e jo pak emocionuese nga Lufta e Kosovës në këtë vit jubilar të Lirisë. Mbi dy dekada më parë, po vija në qytetin e dashur verior, 25 vite pas shërbimeve të para gjurmëlënëse si student në Degën e Gazetarisë. Po vija drejtpërdrejt nga mitingjet e papërsëritshme protestuese të qindra e qindra refugjatëve shqiptarë mu në zemër të shtetit fqinj, në Athinë: Në mbrojtje të Kosovës martire! Po vija pas kuvendimeve jo dosido e kokë më kokë me trimin e mençur arvanitas, njeriun e penëtarin e rrallë, Aristidh Kola. Burri që theu tabutë e disa ekraneve televizive, pa iu dridhur hiç qerpiku. Oratori fjalëmelhem e syshkruar përballë opinionit vendas të çoroditur nga qarqe politike të drunjta e dhelpërake dhe nga disa media larashe që synonin t’i bënin hije historisë, realitetit drithërues, të vërtetave vezulluese. Kosto që Aristidhi ynë do e paguante shtrenjtë, deri në lëngimin e fundit në një shtrat të rëndomtë spitali… Po vija në Kukës nga bodrumet e vjetra të Pireut, kur sapo kisha flakur jo pa irritim “çelësat” dhe drejtimin e gazetës shqiptare “Zëri i Emigrantit”. Gazetë, që deri sa mbaroi demonstrimi masiv për Kosovën, nuk pranoi të mbante asnjë fije iso djallëzore nga vendi ku punonim e jetonim (pas fshesës së zezë e ulëritëse që na dhuroi pushteti piramidal e kriminal i ’97-ës në mëmëdhe!). Mallkuar qoftë cilido që sot në 2019 tund e shkund këtë kambanë kallpe në sheshbetejat e turpshme politike për kolltuqe! Boll e sfilitën Shqipërizën tonë disa horra nëpër istikamet erërënda të Pluralizmit, djathtas e majtas…

Sinqerisht, u ndjeva me fat që Qeveria “Majko”(përkatësisht Ministria e Informacionit në Kryeministri, dikaster i vogël që u pagëzua në Luftë e u mbyll pas ardhjes së Lirisë në Kosovën tonë) më besoi detyrën modeste por aspak të zakonshme në kulmet e asaj Lufte Çlirimtare. Komunikimi im i parë pas mbërritjes me një helikopter ushtarak nga Tirana, ishte me gazetarët e medias së shkruar e elektronike, shqiptarë e të huaj. Sikleti, vështirësia ime e parë ishte dhe mbeti tek marrja e pozicionit të zyrtarit sipëror të Informacionit (për herë të parë në jetën time). Pse ta fsheh, nuk dilja dot plotësisht nga lëkura e regjur e gazetarit! Por koha kërkonte rregull e jo rrumpallë informative: Bota priste e përcillte përditë lajme “bio” nga antenat, celularët e paktë, kamerat e laptopët e ngritur ekskluzivisht në Kukësin prushndezur i veçantë atdhetarie, bujarie e shqiptarie. Qytetarë që çuditën e tronditën edhe vetë Europën e Perëndimin e qytetëruar. Aq sa thanë me gojën e tyre se “e meriton Çmimin “NOBEL”! Shumëfishimi i banorëve brenda pak orëve, nuk i kyçi kuksianët në varfërinë e tyre. E as i bëri cingunë, mospërfillës e cinikë. Përkundrazi. Hapën menjëherë dyert e shtëpive e të zemrave. Shtruan e ndanë në sofra deri edhe kafshatën e fëmijëve. Si vëllai për motrën a vëllanë, pa kushte e pa fjalë, pa hesape e aspak qaramanë! Se genocidi serb çmendurak nuk kurseu as pleq e plaka, as fëmijët sypikuar dhe as gratë shtatzëna e ato me foshnjat në gji e në duar. Një ikje e eksod biblik i detyruar nën tytat e armëve të fundshekullit të njëzetë! Ikje nga trojet e tyre shekullore. Lanë prapa djepet bosh, oxhakët pa tym, shtëpi e katandi. Mikpritja shqiptare nga Veriu në Jug (mbi 500 mijë të shpërngulur), dha prova gati proverbiale. Po kështu Administrata e shtetit amë, qendrore e lokale. Veçse fillimi i bombardimeve nga NATO, riktheu mjaft shpresa e ëndrra të plagosura rëndë. Gjaku dhe sakrificat e bijve të popullit në UCK, po lëshonin më tepër dritë e nderim drejt Lirisë. Nga të parët gazetarë vendalinj që erdhi e më takoi me mall, ishte një hasian i mirë, koleg i hershëm i shërbimit të detyrueshëm ushtarak (para vajtjes me konkurs në Universitetin e Tiranës). Ishte poeti e gazetari dhimbjeshumë, Bajazit Cahani i paharruar, baba me “një tabor fëmijë”. Zhvilluam edhe një bisedë live e të thjeshtë në Radio-Kukësi… Në ato vise të bekuara, nuk mund të rrija pa kujtuar kolegë të vjetër e të rinj, Agim Spahiun pikëllimë e fatkorb që shpesh duket se thyen heshtjen mbi një kupë qielli mbi Malin e Pikëllimës; Shpëtimin dhe Ruzhdiun e udhëve të paudha të mërgimit; Mehmetin, Namikun, Halilin, Skënderin, Besnikun, Hamitin, Sadriun, Nduen, Ilirin, Antonin, Izetin, Rizain e Mujon etj. Pena të respektuara nga lexuesi…

Gazetarët e terrenit e sidomos kronikanët e përditshëm në kohë lufte, dallojnë mjaft nga ata në metropole, në zyra e studio shkëlqimtare. Duke shfletuar dorëshkrimet serioze të Bashkim Shalës, që tani paskan marrë udhën e botimit në një libër të posaçëm, gati çdo faqe më kthente vetiu në ato ditë e net pranvere të 20 viteve më parë. Kukësin e Shqipërinë e pagjumë në krah të vëllezërve kosovarë e prek nga afër në dhjetra kronika me firmën e gazetarit të heshtur e modest. Bashkimi dhe të tjerë luftëtarë të penës e pa uniformë ushtarake, pa grada e spaleta me hije mburravece, ishin dhe mbetën faqebardhë nëpër llogoret mediatike të Luftës. Pa e ditur e pa i rënë gjoksit se po shkruanin faqe të ndritura në historinë e kombit. Shprehem bindshëm kështu, sepse gjatë dy dekadave të fundit, kemi ndeshur edhe ndonjë “gojëtar” apo teksteshkrues mediokër që përpiqet të rrëfejë si nga maja e thanës dhe përtej atij realiteti ngjethës e të papërsëritshëm, përtej syrit dhe veshit të kronikanit skrupuloz që flet kurdoherë drejtpërdrejt nga vatra e ngjarjes. Shkurt, në tregun “pluralist” të medias vërshojnë edhe rrëkera me “të bëra e të pabëra”, me tema, analiza e studime pompoze që i vënë brrylin rrëfimit nga burimi. Apo rrëfimet e pehlivanëve “pas Lufte e pas Kuvendi” (pa qenë asnjëherë në terren e hiç në UCK) e kanë jetën të shkurtër në kujtesën popullore, në historinë e kombit. Veç të tjerave, këta kallpazanë ethebutë, mua më nxjerrin para syve disa donkishotë të monizmit e pluralizmit që përfituan padrejtësisht të mira materiale e favore krejt të pamerituara. Gjithnjë në emër të “trimërive” e besnikërisë së rreme… Rrëfimet e shumta koncize e konkrete për njerëz të zakonshëm në ato situata të jashtëzakonshme, sot e kësaj dite të mbajnë mbërthyer kur i lexon të përmbledhura me aq merak nga kolegu e miku ynë që punon ende si korrespondent i “Koha Ditore” të Kosovës. Se kronikanët e Luftës janë kurdoherë në skalionet e para, por përjetojnë shpirtërisht e më afër se kushdo edhe skena terri, tragjike e tmerri. Vetë Bashkim Shala nuk u bë kurrë një “Demkë” e as si aparatçik i thekur në zyra. Por as vëzhgues fillikat e as kalorës i vetmuar i fjalës së lirë, përballë të vërtetave që do të mbahen mend gjatë. (Unë ruaj ende të paprekur një fletore të madhe me plot shënime personale të hedhura shpejt e shpejt 20 vite më parë, të gjitha për trevën e Kukësit, Hasit e Tropojës. Troje e malësorë që i desha e i dua shumë për njerëzillëkun, zgjuarsinë, burrërinë, miqësinë e atdhetarinë e kulluar si burimet e Valbonës bukurimadhe…).

Te kronikani i veçantë Bashkim Shala, nuk gjen dot asnjë gjurmë manipulimi a papërgjegjshmërie qytetare e profesionale. Ai nuk bërtet dhe as bën kurrë reklama e fasada gënjeshtare. Të vetmen “rrufepritëse” të sigurt kishte saktësinë, të vërtetën e fakteve. Së pari, ky libër mendoj se do të shërbejë jo pak edhe për historianët e sotëm e të nesërm, si një vlerë e shtuar për Arkivat lokale e qendrore. Pa mbetur brenda gardhit të fjalimeve e shkrimeve panegjerike pa bukë. Së dyti, kam bindjen se do të shtohet edhe një pikë e fortë referimi e ndihmesë konkrete për çdo shkrimtar e publicist sedërli që i rri larg terminologjisë mbytëse të politikës. Po kështu lexuesit e thjeshtë nëpër bibliotekat private e publike. Së treti, shpresoj se do të mbetet e shërbejë edhe si një model për studentët dhe gazetarët e rinj, pa u ngujuar brenda unazës së Tiranës siç ndodh rëndom sot! Së fundi, autori nuk ishte nga ajo racë aguridhe që i merrte edhe krundet për miell dhe të nesërmen mjerisht mbarsnin artificialisht tregun e medias ose atë të Polit(h)ikës pa moral… Përballë ndonjë intimidimi burokratik administrativ a inatçor që përfundonin me sharje, kërcënime e hakmarrje të vockla provinciale mbi gazetarët, nuk e bëra asnjëherë një sy qorr e një vesh shurdh. I vlerësoja si bashkëluftëtarë të një fronti. Ndonjë nëpunës a drejtues mehmur në Bashki, Këshillin e rrethit, Prefekturë a në dikastere mund të thartohej, të kërciste nofullat apo të rrudhosej e psherëtinte tinëzisht përballë të vërtetave, por nuk heshta e as pranova të cënohej sadopak asnjë nga kolegët e mi të dashur. Veçanërisht ata që s’raportonin nga zyrat me ajër të kondincionuar apo nga redaksitë e studiot televizive në metropol. Ishte koha kur këndohej gjithnjë e më fort edhe vargu refren i Xhevos, poetit e gazetarit të shquar skraparlli: “Kosova është në muajin e nëntë/ dhe do të pjellë Lirinë!”. Apo i pavdekshmi i poezisë shqipe, Ali Podrimja: “Kosova është gjaku im që nuk falet!”…

U rrokullisën 20 vite! Mirëpo, mua personalisht më dhemb shumë varfëria ekonomike e Qarkut të Kukësit. Qark që e ka merituar dhe duhej të merrte Çmimin “NOBEL” pas asaj pranvere të përgjakur të Lirisë. Por pushtetet legjislative e ekzekutive që erdhën e shkuan kaluar, fare pak e prishën rehatinë e kolltuqeve të fituara me premtime e mashtrime elektorale. Kjo pasqyrë therëse migjeniane të lëndon më tepër edhe pasi ke shfletuar plotësisht ato shënime publicistike të mbajtura në kohë Lufte. Mos paçim kurrë plagë të tilla në kohë Paqe!... Ndërsa për kolegun tonë të palodhur e të urtë, mbase nuk do mjaftonte vetëm ajo kortezia dhe përshëndetja e thatë me një “Faleminderit, Bashkim Shala!”. Sepse në fund të fundit, nuk ka thënë kot i mençuri i moçëm:-Kur njeriu shkruan, duket menjëherë nëse shkruan mirë apo keq. Por kur njeriu nuk shkruan asgjë dhe rri gojëkyçur askush në botë nuk mund ta marrë vesh a e bën ai këtë se është plot me mend apo nuk ka mend fare…

Nga Kristo MËRTIRI

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 10/11/2019 - 07:40

Kaluan 30-të vite nga ajo natë dhe pastaj ditë e bekuar e rrëzimit të Murit të Berlinit, ose turpit më të madh të kohës moderne mes popullit dhe kombit të jashtëzakonshëm gjerman!

Postuar: 10/11/2019 - 07:39

Pardje në hotel Rogner në Tiranë, dy fondacione nga më aktivet në fushën e të drejtave të punonjë

Postuar: 10/11/2019 - 07:38

Një nga idiotësitë, në rrugën e hershme të antishqiptarizmit, një nga paturpësitë më të mëdha që

Postuar: 09/11/2019 - 07:15

Beteja në Astir vazhdon.

Postuar: 09/11/2019 - 07:14

Ndodhia afër mbikalimit, ishte fillimi i hapjes së detyrueshme ose plasjes së detyrueshme të atij

Postuar: 09/11/2019 - 07:12

Dikur, në periudhën e gjatë të monizmit, në shkolla ishte sundues koncepti se “nuk ka nxënë

Postuar: 09/11/2019 - 07:11

Ka disa ditë që ka nisur një debat për festivalin e përvitshëm të këngës në RTSH.