BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Kosova mes Uashingtonit dhe Brukselit

Kosova mes Uashingtonit dhe Brukselit

Në mars të këtij viti, administrata Trump ushtroi presion të hapur ndaj qeverisë kosovare të një kryeministri që hoqi taksën 100 për qind mbi importet nga Serbia dhe kërkoi barazi në raportet tregtare me partnerin numër një ekonomik të Kosovës. Ca nga mungesa e eksperiencës qeverisëse të këtij kryeministri, ca nga stërkëmbëshat e brendshëm të partnerëve politikë në qeveri, ca nga presioni amerikan, kjo qeveri ra. Ndërsa Uashingtoni ishte i zënë me presionin ndaj Kosovës, Moska dhe Pekini bënë të kundërtën në Serbi. Ato vepruan, duke siguruar një mbështetje kritike për nevojat e qeverisë serbe për të përballuar pandeminë nga Covid 19. Furnizuan Beogradin me pajisjet e domosdoshme mjekësore, nga maskat, dorezat, pajisjet mbrojtëse personale e deri te ventilatorët(respiratorët) për të shpëtuar jetë. Ekspertët rusë të luftës biologjike dezinfektuan spitalet në Serbi. Ekspertët kinezë të shëndetit publik nga Wuhan-i udhëzuan zyrtarët serbë në modelin e rreptë të gjurmimit të infeksionit dhe karantinimit, të cilat u bënë baza për përgjigjen serbe ndaj koronavirusit. Rezultati: sot dy në çdo tre serbë beson se partnerët kryesorë tregtarë dhe ekonomikë të Serbisë janë Kina dhe Rusia, kur dy të tretat e eksporteve dhe importeve të këtij vendi zhvillohen me vendet e Bashkimit Evropian. Pandemia, e cila, ende ndodhet e ulur këmbëkryq në Ballkan, kërcënon ta shndërrojë gadishullin tonë në një zonë me ndikim të fortë kinezo-rus. Prandaj dhe takimi i shumëpritur këtë të shtunë në Shtëpinë e Bardhë midis Serbisë dhe Kosovës për një marrëveshje tregtare, konsiderohej si një përparim historik për interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, për heqjen dorë të modeleve ruse dhe kineze në rajon. Për fat të keq, kjo nismë amerikane nuk u koordinua ngushtë me aleatët e saj evropianë. Administrata Trump, me këtë përpjekje të nxituar ka shkoqur unitetin perëndimor në Ballkan, në momentin kur Rusia dhe Kina po mbyllin radhët në një axhendë të përmbysjes rajonale të palëve të interesit. Njoftimi i pardjeshëm që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është paditur për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë, i ka hequr takimit të së shtunës të gjithë perspektivën e një suksesi ndërkombëtar të mirëfilltë. Vetë Presidenti amerikan Donald Trump përcaktoi qëllimet e administratës se tij në letrat e dërguara në vitet 2018 dhe 2019 Presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, duke i nxitur ata të arrijnë një "marrëveshje historike" për një "paqe gjithëpërfshirëse", që do të kishte si elementin e saj kryesor njohjen e Kosovës nga Serbia. Trump emëroi ambasadorin e atëhershëm në Gjermani Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm për negociatat në Kosovë dhe Serbi. Grenell u përqendrua në krijimin e vendeve të punës, në një rajon që po largon çdo ditë në emigracion të rinjtë e vet. Ai bëri kauzë të tij në këtë mision shumë të vështirë, përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike mes të dyja vendeve. Marrëveshja që duhej të nënshkruhej këtë të shtunë për bashkëpunimin ekonomik parashikonte rënien dakord për lidhjen ajrore, hekurudhore dhe lidhjen e autostradës midis Serbisë dhe Kosovës. Vizioni i Genell ishte të krijonte "vrull" nga "normalizimi ekonomik", duke i hapur rrugën zgjidhjes politike. Por realiteti ballkanik është shumë më i vështirë dhe i ndërlikuar, nga sa thjesht interesa ekonomike. Për shembull, Greqia është partneri numër dy ekonomik në investime në Maqedoninë e Veriut (pas Gjermanisë). Megjithatë, për gati tre dekada Athina ka vepruar kundër interesit të saj financiar, duke e mbajtur fqinjin e saj verior larg nga NATO dhe BE, me veton e saj ndaj emrit “Maqedoni”. Në bisedimet për afrimin e Kosovës me Serbinë, i dërguari i posaçëm i SHBA-ve Grenell gaboi disa herë. Po ku gaboi ai? Së pari, i dërguari special i Trump zvogëloi dinamikën e bisedimeve, në favor të Beogradit. Për të filluar negociatat, Grenell kishte kërkuar që secila palë të heqë në mënyrë reciproke pengesën e saj – Kosova tarifën doganore 100 për qind për importet serbe, Serbia fushatën për heqjen e njohjes së Kosovës si shtet sovran (Serbia ka bindur një numër vendesh në botën në zhvillim që të heqin njohjen e tyre për Kosovën). Në njoftimin e tij për marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë në fund të kësaj jave, Grenell lëvizi gurët në favor të Serbisë. Përtej heqjes së tarifës (veprim i kryer tashmë nga pala kosovare), Kosova duhej të pajtohej të pezullonte përpjekjet e saj për t'u bashkuar me organizatat ndërkombëtare. Ky lëshim është një gabim serioz në bisedime. Delegacioni kosovar iu dorëzua një pikë presioni që pati mbi Beogradin, i cili u detyrua të shpenzojë energji të konsiderueshme diplomatike për ta mbajtur Kosovën jashtë organizatave ndërkombëtare, si p.sh. Interpol. Kosova nuk ka fituar asgjë në këmbim të këtij lëshimi, madje as e ka rritur ndihmën politike të SHBA-ve. Nga ana tjetër, Grenell njoftoi këtë javë se të gjitha çështjet e vështira politike do t'i lihen Bashkimit Evropian në një dialog me dy faza, ndërsa Shtetet e Bashkuara përqendrohen ekskluzivisht në ekonomi që në fillim. Ky përqëndrim vetëm në fushën ekonomike ishte një gabim tjetër i rëndë i Grenell. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 për Normalizimin e Marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës u arrit vetëm në sajë të bashkëpunimit politik të ngushtë të SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian. Vetëm ky bashkim i Perëndimit krijon forcë dhe ndikim real në rajon, ndërsa përçarja e SHBA-ve dhe BE-së nuk shpie gjëkundi. Së fundmi, pritshmëria amerikane, e mbrujtur nga Grenell, se Bashkimi Evropian më vonë do të marrë drejtimin e duhur për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura politike mes Kosovës dhe Serbisë shkon ndesh me realitetin. Në asnjë vend tjetër evropian, Evropa e Bashkuar nuk paraqitet më e përçarë politikisht sot, sesa në Kosovë. Pesë vende anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Duke përfshirë Sllovakinë dhe Spanjën. Sllovakia është vendi i të dërguarit special të Bashkimit Evropian për Serbinë dhe Kosovën, Mirosllav Lajçak. Spanja është atdheu i Ministrit të Jashtëm dhe të Sigurisë të BE-së, Josep Borrell. Për shkak të ndarjes, sot BE as nuk flet për njohje politike të Kosovës nga Serbia, duke kërkuar vetëm që Beogradi "të normalizojë" marrëdhëniet e tij me Prishtinën, në mënyrë që të kualifikohet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Edhe pse perspektiva e nismës amerikane për paqen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë është e turbullt, nga këto gabime të të dërguarit të posaçëm të Presidentit Trump, sërish Kosova duhet të luajë rolin e saj dhe të mbrojë interesat e saj nesër në Uashington, edhe pse pa Presidentin e saj të akuzuar dhe pa Kryeministrin, i cili hoqi dorë. Në lojë është e ardhmja e sigurt e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo e ardhme është shumë më e rëndësishme, se sa e ardhmja personale e drejtuesve të saj kryesorë të sotëm.