Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kot trokisni te dera e shurdhit! I mbyturi të mbyt

Postuar: 10/07/2019 - 08:24

Historikisht, pavarësisht emrit të saj, PD që endet sot rrugëve ka qenë gjithnjë ‘kontrapedal’ për zhvillimin normal demokratik. Ndonëse e shet veten si partia që pruri demokracinë duke përvetësuar kontributin e studentëve të dhjetorit dhe pashmangshmërinë e kontekstit historik, PD e rrugës i ka hyrë më shumë se kushdo në ‘gjynah’ asaj.

Guri në këpucën e demokracisë

 Janë të shumta gjëmat e njollat e zeza historike të 30 viteve të fundit. Nga piramidat financiare, hapja e depove të armëve, përpjekjet për grushte shteti në bulevard, shpërfytyrimi urban, zallamahia me pronën, grabitja e dhunshme apo ashiqare e votës - 26 maji, 2013, bashkia e kryeqytetit etj, dhunimi i të drejtave njerëzore - heqjet politike nga puna, Gërdeci, 21 janari etj, futja e përçarjes mes njerëzve si rrjedhojë e politikave e etiketimeve bardhë e zi e anatemimit absurd të gjithçkaje të së shkuarës, zbythja apo lëshimet ndaj kontekseve antishqiptare në rajon - ‘rubinetat’ e naftës për ish-Jugosllavinë, marrëveshja detit, varrezat greke, trashëgimia ortodokse etj, ekspozimi ndaj ekstremizmit fetar oriental, karshillëku ndaj perëndimit e posaçërisht SHBA si aleati historik – ’97, Rambujeja, armët kimike, 30 qershori etj, provokimi i anarkisë sociale – ’97, 30 qershori etj pafund. Që nuk kanë ndodhur në ‘turnin’ e qeverive socialiste por të PD që dhe kur ndodhet në opozitë provokon anormalitet me bojkotin e intimidimin së fundi të votës si unik në llojin e saj. Për ironi, politika e sjellje të tilla kanë bërë vaki aq shpesh sa që ose nuk bëjnë më përshtypje ose bëjnë shumë më pak përshtypje edhe sesa disa përgjime të fundit të filtruara me kujdes e ‘rastësisht’ të korrupsionit elektoral socialist që denoncohen paradoksalisht nga syresh që kanë një thes me bëma abuzimi elektoral ditën me diell pas. Turpit të abuzimit elektoral i duhet shkuar deri në fund por përgjimet nuk janë as fillimi dhe as fundi i tij. ‘Thesi’ abuzimit duhet shkundur i tëri dhe krimi 30 vjeçar është më shumë se elektoral. Vet-përjashtimi i politikës së rrugës nga jeta institucionale në vend nuk është humbje për demokracinë. Përkundrazi, një shans për demokracinë, reformat, integrimin dhe vetë të djathtën në vend. Bëhet fjalë për një takëm politik që në mënyrë konstante dhe të vetëdijshme i është kundërvënë interesave të qytetarit pa dallim në dëm të normalitetit demokratik dhe integrimit në BE dhe që jo një herë por disa herë i ka bërë karshillëk aleatit historik SHBA duke bërë që për ironi të jenë ish-komunistët ata që perceptohen dhe respektohen më shumë si parterë seriozë dhe luajal prej SHBA e perëndimit demokratik. Vendi nuk duhet të mbetet peng i një partie që kërkon ta tërheqë zvarrë atë. PS dhe faktori politik vendas e ndërkombëtar nuk ka pse presin sa të ‘ftillohet’ PD e rrugës pa të vijohet me reformat që vendi ka nevojë. Urtësia e deritanishme, lutjet, letrat, kandisjet, ftesat për dia-llogje ‘kavaje’ etj, koha i ka provuar si humbje kohe. PD e rrugës nuk del dot nga natyra e saj sektare, autokratike dhe tension sjellëse që i bën karshillëk qytetarit, politikës dhe perëndimit dhe nëse është e rëndësishme që çdo parti të ketë lirinë e saj për të zgjedhur rrugën e saj, po aq rëndësi ka që dhe shoqëria të jetë e lirë ndaj çdo presioni apo pengmarrjeje prej partive të ditës.

‘Samaritani’ dhe ‘kamikazi’ kronik politik

 Rama mund të bëjë thirrje për negociata për shtetformim por ftesat ai po i nis në adresë pa zot. Me politikën e rrugës ai nuk ka punë përveçse mund të qorrollepsë veten dhe vendin mbarë. Politika e rrugës ka bërë zgjedhjen e lirë e të vullnetshme të saj dhe rasti i çadrës së 2017 dëshmoi se ftesa ndaj anarkisë që nuk respekton rregullat e demokracisë, është thjesht riciklim i problemeve dhe tensioneve social-politike në vend. Nëse lyp dialog për reforma, Rama opozitën institucionale e ka tashmë në parlament. Ndryshe, nëse PS insiston me integrimin me pahir të rrugës atëherë jo vetëm që i bën karshillëk interesit të shoqërisë dhe perëndimit që nuk na i ka borxh krizat pafund por dhe krijon përshtypjen se lepuri fle gjetiu dhe se PD e rrugës nuk është veçse pasqyra e asaj që po ndodh me mbarë politikën në vend. Të gjithë flasin për reformat në vend por ndërsa ajo në drejtësi u vonua në kalendat greke, të njëjtin fat nuk ka pse ta ketë dhe ajo elektorale. Koha tregoi se të kërkosh ujdi me politikën e rrugës, gjërat, në mos zvarriten, edhe kur bëhen, lënë ‘litarin’ jashtë apo dalin çyryk. Nëse PS është e sinqertë për reformat, partnerin e ka qysh sot në parlament. Dhe nëse nuk bëhen numrat, zgjedhje të parakohshme. Shoqëri nuk ka pse të presë ata në rrugë që e kanë kaosin arsenal politik dhe që janë atje sepse nuk duan reformat që fusin shtetin në binarë ligjor dhe shkurajojnë anarkinë. Mbi të gjitha, ajo që mundet të rikthejë sadopak shpresën për bërë prokopi në këtë vend, është reforma në drejtësi. Qytetarët janë pushtuar nga një stres alarmant për të ikur sa më parë e nga sytë këmbët nga ky vënd teksa përjetojnë kriza pafund politike dhe BE mbetet mirazh pafund për ta. Ndëshkimi i korrupsionit politik pa dallim do të ishte një pikë kthese për të reduktuar mllefin e panikun qytetar.

I mbyturi të mbyt

Për shumë syresh reforma në drejtësi shpjegon edhe irracionalitetin e sjelljes politike të rrugës në vend. Por ndërsa një pakicë ende verbazi beson se një pjesë e PD ka dalë rrugëve e po refuzon demokracinë për më shumë demokraci, shumëkush beson se ajo gjendet atje sepse ka humbur toruan prej reformës në drejtësi. E nëse paniku nga drejtësia është real, të presësh gjysmën e PD në rrugë të kontribuojë më tej në këtë reformë është e pakuptimtë dhe karshillëk ndaj qytetarit e perëndimit dhe çdo inisiativë ‘samaritane’ vetëm hedh hije dyshimi ndaj vetvetes. Shoqëria i ka dalë borxhit prej kohësh PD dhe vëndi nuk ka pse mbetet peng i tekave të një politike që kurrsesi nuk po provokon katrahurë për standarte demokratike që vetë i ka përdhosur sistematikisht dikur. Paniku nga drejtësia nuk është arsye për kaos dhe anarki apo më keq ‘ujë në mullirin’ e antishqiptarizmit në rajon gjë që do të ngrinte hamendje edhe për ‘misionarë’ që do i shpien gjërat deri në fund, pavarësisht ftesave për bashkëpunim. Reformat bëhen me gjysmën tjetër që respekton institucionet dhe jo me ‘endacakët’ e politikës që fobia ndaj reformave i nxori në rrugë dhe sillen sikur kanë ‘mizën nën kësulë’ duke i treguar deri dhe ‘arat’ perëndimit. Lëreni PD e rrugës në fatin e saj. Demokracia nuk i mbyll derën askujt por ‘çelësi’ mbetet vota. ‘Autobuzi’ i demokracisë nuk ka pse të rri ‘tako’ në anë të rrugës se i teket cave në PD të zbresin vend e pa vend. Në demokraci ecet me ligje dhe jo llogje. Dhe nëse nuk ka unanimitet për reformat në vend, të jetë referendumi që t’i vërë kapak’. Drejtësia duhet bërë dhe ndërsa deri dje thuhej se korbi korbit nuk ia nxjerr sytë, sot minimalisht është lajm pozitiv që politika i përmend politikës reformën në drejtësi. I fituari është qytetari shqiptar, qoftë dhe kur politikanët do të hahen si qentë në kasaphanë. Të gjithë do të largohen një ditë nga politika, qoftë ai dhe politikani më popullor e punëtor. Çështja shtrohet si do të mbahesh mënd më pas. Me 30 qershorin iu dha fund precedentit të pengmarrjes së votës prej politikës së mbrapshtë. Anormaliteti i këtyre zgjedhjeve nuk zbehu imazhin e PS por fundosi atë pseudo-demokratik e pseudo-shtet të PD së rrugës. Me lënien e PD së rrugës në fatin e saj, refuzimin e pseudo dia-‘llogjeve’ në kurriz të ligjit e Kushtetutës dhe ritmit të reformave në vend dhe ecjen përpara në partneritet me forcat e reja politike në vend, do i jepet fund edhe precedentit të monopolizimit e ‘tapive’ politike dhe shantazhit të rëndomtë me kaosin demokratik e ligjor të syresh në vend. Sjellja prej ‘samaritani’ ndaj çadrës së 2017 të ‘kamikazit’ kronik politik, vetëm shtyri gjërat në kohë. Demokracia, vetë e djathta meriton më shumë ndaj mazhoranca dhe e djathta moderne properëndimore nuk kanë pse humbin më kohë me politikën e rrugës që mbijeton e lulëzon në kaos e qorrsokak. Humbitet kohë e vyer për to vetë, bashkëpunimin për reformat, demokracinë për të mos thënë se i mbyturi edhe të mbyt.

Nga Prof.As.Dr. Artan XH. DUKA 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 07:15

Kjo farë demokracie, që s’po hyn ende në brazdë, ka sjellë një çoroditje, që fjalën e lirë po e shpërdorojnë pa asnjë efekt,por as nuk po mjedisohemi me këto mendësi.

Postuar: 18/07/2019 - 07:13

Nuk do të rrinte pa bërë demagogji dhe llafollogji prej somnambuli politik dhe të pa afti të meri

Postuar: 18/07/2019 - 07:11

Lajmin se Monika Kryemadhi, ka një pallat në “Unazën e re” e kumtoi Presidenti Meta n

Postuar: 17/07/2019 - 07:15

Nëse i kthehemi retrospektivës për t'u ballafaquar me shprehjen epokale të bashkimit kombëtar

Postuar: 17/07/2019 - 07:14

- 422 mijë të punësuar nuk paguajnë kontributet!182 milionë euro deficit të skemës fundosin buxhe

Postuar: 17/07/2019 - 07:10

(Nuk di, pse mu kujtua kjo thënie e Shvejkut nga Bugjeovica)

Postuar: 17/07/2019 - 07:08

Ai socialisti i mirë aty në periferi, apo në qendër të Tiranës, ai që lexon i vetëm gazetat, ai q