BREAKING NEWS

“Kam të dhëna se...”, Spartak Ngjela bën deklaratën ‘bombë’ për atë që fshihet pas pandemisë së COVID-19: Ky krim nuk del me armë në dorë, është i nivelit të lartë!

“Kam të dhëna se...”, Spartak Ngjela bën
x

Opinion / Editorial

"Kovidterapia" lufta e re klasore sot!

"Kovidterapia" lufta e re klasore sot!

Në vitin 1957 njërit prej themelueseve realisht të grupit komunist të Shkodrës, themelues i PKSh dhe idealist komunist, (por absolutisht mbas viteve 1956-të i marrë me sy të keq për të drejtpërdrejtën e tij nga regjimi), ju desh të lutej për vajzën e vogël e cila kishte kaluar një meningjit. Dërgimin e vajzës së mitur si lutje, e mori në atë kohë një ish-anëtare e byrosë politike ( e cila u dënua dhe ajo nga regjimi dhe i vdiq dhe vajza e mbas internimeve u pendua), e cila i thotë këtij komunistit idealist se "vajzën tënde nuk mund ta çojmë në Bullgari ose Çekosllovaki për kurim, sepse ti je treguar tepër kritik me partinë". Sigurisht fëmija për një gjë kaq të vogël, përfundoi keq e mos më keq, duke e çuar në psikiatri ku më vonë vdiq. Lufta e klasave e PPSH-së, mirë se ishte një marrëzi dhe krim i pamasë kundër "klasës së përmbysur", por dhe kundër vetë komunistëve rebelë si modeli i "luftës së klasave brenda klasës". Sot në Shqipëri, në sajë të një klase politike "lumpen proletariat" dhe një qeverisjeje arrogantësh të pamëshirshëm dhe që as që kuptojnë realisht të vërtetën poshtë në shoqëri- po zhvillohet "kovidterapia" si lufta e re e klasave në Shqipëri. Shoqëria jonë është ndarë keqas në katër klasa në - kovidterapi. Ajo parulla "ligji i barabartë për të gjithë apo njeriu i barabartë përpara ligjit" është eufemizëm për sistemin e drejtësisë, por në fakt te ne njerëzit në mënyrë tragjike janë të pabarabartë në sistemin shëndetësor dhe arsimor dhe deri në punësim. Lufta e klasave e imponuar prej kohësh nën regjim, ka tentakula të fëlliqura edhe këto tre dekada. Ajo në radhë të parë shikohet në zyrat e punësimit kur "flet punësimi" merret me teserë partie apo kontribut dhe aferë partiake. E ka filluar Sali Berisha me "të bukurën e dheut PD" dhe vazhdon Rama me "nuk ka më të mirë se sa ne". Po dhe e ka fjalën për Rilindjen. Nga këta tipa pritet dhe "ndërtimi" shtetit dhe forcimi i tij? Por në kovidterapi shtresat janë këto: e para shtresa e plutokracisë marroqe dhe idiote shqiptare. Janë të pasurit politikë dhe biznes politik si aferë. Këta kanë çartera, kanë mundësinë të shkojnë të kurohen ku të duan dhe jo vetëm në Turqi, por Itali dhe Amerikë po të duan dhe urimet e mia për shërim, sepse po shkojnë me paratë e tyre, sigurisht të nxjerra nga fitimi që i kanë bërë kësaj shoqërie. Ato nuk kanë pse besojnë te spitalet në Shqipëri, sepse janë vetë që i administrojnë. Pra e dinë mirë këtë punë. Edi Rama thotë se nuk është e nevojshme të shkosh në Turqi dhe ne i kemi kushtet, por marrëzia në të vërtetë ka shkuar deri aty sa që vërtet mund të kesh shtretër dhe aparatura, por nuk ke njerëz ti përdorin dhe të profesionalizohen dhe ato pak që janë, lodhen me turne të gjata ndërkohë që konkubinat e tij në shëndetësi mundohen të bëjnë bukuranet në ekrane, për të lavdëruar sistemin e ndërtuar nga kryeministri i tyre legjendar. Por mjekët dhe infermierët janë kthyer tashmë në kulm të punës si "zombie" dhe të tjerë nuk ka. Pse nuk ka? Po sepse kanë ikur në Gjermani dhe Itali. E përditë duan të ikin. Pastaj ka klientelizëm në barna dhe kura, e sidomos ka një disproporcion të jashtëzakonshëm dhe trajtim sepse padyshim vijon të jetë modeli "radha e qumështit 200 veta dhe 30 shishe qumësht". Askush nuk ka kurrgjë me mjekët dhe infermierët se sa me konkubinat e shëndetësisë mashtruese dhe demagoge. Klasa tjetër e ndarë në kovidoterapi është ajo e preferencës së shtetit dhe partisë. Ato për të cilët ndërhyn shteti. Ato që i duken atij një "superstrukturë" njerëzore. Kjo është pothuaj si në regjimin e Enverit. Sepse, nuk mund të jetë ndryshe. I bëhet nder dhe me paratë (taksapaguesve) apo dhe ndërhyrjen e shtetit bëhet e mundur të kurohen ata njerëz që mendon partia, konkubinat dhe Rama. Sa probabilitet kanë realisht njerëzit me vlera të futen në këtë "tarikat" individësh që vendosin se kush do superkurohet jashtë dhe brenda - kjo është pastaj esenca e luftës kovidiane të klasave në Shqipëri. Nuk po flas këtu për krerët e religjioneve të sëmurë që si shteti jonë dhe ndonjë shtet mik i merr për t’i kuruar. Atyre shërim të mbarë sa në Greqi, Turqi dhe Itali dhe zoti i ruajt me ndihmën e shkencës së mjekësisë. Zoti ju ruajt dhe mjekët që t’ju shpëtojnë jetën. As flas për ata persona që shteti mik turk i merr përsipër dhe për këtë gjë duhet falenderuar ai dhe shteti italian. Kurse klasa tjetër është ajo që nuk është e pasur, as ka ndihmën e shtetit, por i kanë tepruar disa lekë të vogla për t’u kuruar në shtëpi. Po pra, vazhdojnë "kovidterapinë" në shtëpi deri në oksigjen dhe padyshim kura dhe blerje barnash apo shërbim nga privati. Ka dhe prej atyre që shtrohen te privati me ato kursime që kanë. Nuk besojnë se do të kenë shërbim cilësor te shteti dhe Manastirliu dhe kurohen vetë me paratë e tyre dhe me borxhe. Klasa e fundit, ajo e poshtëruara është pjesa më e madhe e shoqërisë. Ajo që s'ka lek, euro, miq dhe nuk merr dot as borxh, sepse nuk i jep kush. Kjo është 90% e shqiptarëve. Zakonisht këta janë që kur shkojnë në intubim kanë fatalitet. Ose vdesin dhe në shtëpi pa hyrë fare në statistika. Nuk kanë as lekë, as kohë dhe mund të jenë tepër të sëmurë apo të shoqëruar nga sëmundje të tjera. Rama nuk do ta mbylli vendin dhe nuk ka arsye sepse me mesataren 7 të vdekur në ditë kur Italia ka shkuar 500 të vdekur në ditë - nuk mbyllet vendi. Ai nuk do dhe pse nuk është për mbyllje (e mbylli dikur për të bërë sa tendera dhe hedhur teatrin) por dhe pse po ta mbylli nuk ka asnjë dëshirë të paguajë lekë dhe se nuk ka as lekë për të paguar. Për mua bën mirë që nuk e mbyll. Por ai tashmë ka humbur vetëdijen, e kam fjalën atë jo politike, sepse atë nuk mund ta ketë dot, por vetëdijen kulturore. Ai na kujton të gjithëve ne që kritikojmë si atë që ka bërë President dhe që luan një zhanër akoma të pashpikur të dramës dhe komedisë në postin President. Na kujton se jemi Sanço Panço i PD-së ose si Lulzim Basha me të cilin ka sigurinë e pushtetit të stërzgjatur në saj të komedisë opozitare, e cila është caktuar në maj të 2017-ës, për të vazhduar deri në fillimet të mandatit të tretë e pak më gjatë. Na di si "Margaritën që ka zëvendësuar Monikën", e cila i do të rinjtë në pushtet, që ata pastaj t’i sjellin paratë në shtëpi. Na di të gjithëve si komunistin e fundit që do të kandidojë dhe në vitin 2021 ose doktori i PD-së dhe sigurisht kush e kritikon atë (Ramën) ai e barazon me këta levendët që me marrëzinë e tyre e mbajnë në pushtet duke e kthyer në delirantin më të madh të tij (pushtetit) këta tridhjetë vite në medemek demokraci. Kujton se duke na thënë jeni me Lulin, Monën, Metën dhe Berishën na plas fort mangalli... Kujton se mban fjalime të bukura për kovidin, spitalet dhe punët e mëdha që Rilindja dhe "satanizmi" i saj i përditshëm po bëjnë për Shqipërinë? Por e vërteta është kjo: Ai ka ndarë shoqërinë shqiptare në klasa dhe ashtu po i pëlqen ta përdorë. Shërbimet e tij në spitalet Kovid janë padyshim një aferë e politikës korruptive në shëndetësi, e aferave të miqve të tij të stërpasur që furnizojnë me ilaçe, shërbime dhe mbajnë sistemin e qelbur që kemi. Çdo shpikje që bëhet është në shërbim të tyre dhe jo të shoqërisë. Shpikja konsiston në faktin se afera niset për të shërbyer medemek popullit dhe pastaj fitimet i kanë miqtë e satanizmit të Rilindjes. Një nga këto shpikje e këtij modeli është dhe ndarja në klasa të "kovidterapisë" po pra, kurimit nga covidi në shoqërinë shqiptare.