Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kriteri opozitar i klasifikimit “armiku i partisë”

Postuar: 24/03/2019 - 07:28

Prej vitesh, shpallja e individëve të veçantë, me poste apo të zakonshëm si armiq të partisë, popullit dhe Shqipërisë është bërë gati rutinë. Etiketim, armiku im personal, i partisë time, i gruas time, i vajzës time, i kauzës tonë, ideologjisë i takon ngado. Armiq të traditave, zakoneve, miteve, legjendave, betejave, fitoreve, luftërave dhe gjithçkaje që na shoqëron në shekuj na ka ndjekur si një mallkim i egër. Jemi klasifikuar në një skedinë gjigande në miq e armiq. Etiketime që kanë funksionuar pandërprerë, duke na damkosur me kryqin e zi mbi shpinë. Si në një renditje absurde, jemi klasifikuar në miq e amiq. Të dashur dhe të urryer. Kriter për etiketime të tilla më së shumti perceptime subjektive, ka qenë pozicionimi ndaj interesave të një pale përballë një pale tjetër. Midis shtresave dhe individëve, deri mes shteteve dhe komuniteteve, shtresave shoqërore. Treshja e tyre ka krijuar problematika të cilat shumë herë janë zgjidhur përmes luftërave. Po kur klasifikime të tilla vijnë nga përpjekjet për të denigruar dhe anatemuar ata që nuk të vijnë pas interesave të tua, veçanërisht atyre partiake, atëherë këto qëndrime janë, jo vetëm të dënueshme, po edhe përçarëse me pasoja në jetën tonë shoqërore. Të gjithë përjetojmë luftën e egër që bëhet këtu tek ne, mes palëve politike. Ditëfillimi i kësaj beteje nuk ka kufi. Vjen nga shekujt deri në ditët tona. Ndryshon vetëm forma dhe faktorët, lojtarët, protagonistët, aktorët e regjisorët që i nxisin dhe i organizojnë veprime të tilla që bien ndesh me interesat jetike të qytetarëve. Për të mos shkuar shumë thellë në historinë e marrëdhënieve të tilla të ndarjeve dhe etiketimeve ekstreme në grupime atdhedashës dhe tradhtarë të interesave të vendit, le të ndalemi vetëm në një segment kohor të dy- tre muajve të fundit, ku shfaqja dhe dalja në sipërfaqe luftës për të shpallur sa më shumë tradhtarë nuk është kufizuar vetëm këtu brenda vendit, po ka marrë përmasa ndërkombëtare. Mjafton të deklarohet një qëndrim që i djeg PD apo LSI-së, qoftë reagim i një personaliteti të rëndësishëm nga një vend mik apo kancelari perëndimore dhe menjëherë të vendoset përballë shigjetave të helmatisura të Lulzim Bashës, Berishës, Kryemadhit apo deri tek fyerjet e Palokës e Nokës. Të duket se qëndrojnë syzgjuar, vigjilentë deri në ekstrem me antenat drejtuar nga çdo burim që mund të emetohet një lajm që cënon strategjinë e qëndrimin e frontit të bashkuar opozitar për të hedhur në sulm skalionet e panumërta të baltëhedhësve dhe katrannxirësve, që bëjnë pluhur e hi cilindo që prek sadopak interesat e ditës së opozitës. Edhe në këtë klasifikim tradhtarë e miq apo atdhedashës e atdhevrasës, liderët tanë janë vërtetë origjinalë.

Shpallja armiq e tradhtarë nuk njeh asnjë kufi dhe etikë. Është fjala e parë dhe e fundit kur duan të denigrojnë Kryeministrin e Shqipërisë. Ndaj tij nuk ka asnjë moment pushimi. Asnjë pauzë. Nuk ka asnjë përpjekje për të zgjedhur fjalën dhe epitetin. Emërtimin apo etiketimin. Ai është armiku dhe tradhtari i përjetshëm. Më saktë, sa të jetë Kryeministri i Shqipërisë. Edhe pse i renditen vese e ligësi që lënë në hije figurat më të urryera të globit në pesëqind vitet e fundit, edhe pse arsenali i mallkimeve është i paimagjinueshëm, dëshira e zjarrtë për ta parë përtej të gjallëve edhe si njeri. Ajo që është e njohur për etituesit, qëndron në faktin që ditën që nuk do jetë në fron ai do shpallet burri i nderuar. Njeri që bëri për Shqipërinë. Njeriu i ndryshimit. Dhe mund të ndodhë që selitë e PD dhe LSI-së ta ftojnë në Kongrese e evente. Pas ikjes, ai nuk është më tradhtari e gjakatari. Sot po! Është pengesa për të arritur tek froni. Ndaj është shpallur e keqja më e madhe kombëtare në këto dy -tre shekujt e fundit. Ngjashmërisht siç ka ndodhur me tërë ata që kanë drejtuar këtë vend dhe kanë qenë përballë PD-së dhe LSI-së. Kush është në krye të qeverisë është automatikisht tradhtar, armik, hajdut e vrasës. Bile, jo për ngjarjet e mëdha, po deri detaje episodike, siç mund të jetë shtypja e një maceje në rrugë fajtor është ai. Jo vetëm për fenomene shoqërore, po edhe natyrore e biologjike. Mos u habitni që për mosrënien e reshjeve këto tre muaj të fajësohet Rama si kryeministër. Që aksidenteve automobilistike t’u vihet emri i tij. Që kur bie breshër, fajtor është ai. Kur bën ftohtë, po ashtu. Kur bie dëborë e njejta gjë. Ai është tradhtari i shpallur botërisht, brenda dhe jashtë vendit. Është kjo arsyeja që, kudo që ndodhet përgjegjësitë i faturohen si me magji.

Po armiku dhe tradhtari nuk është vetëm Rama. Janë gjithë deputetët e krimit. Tërë ata që nuk hapin portat e parlamentit dhe turmat të hynë në sallë për të vendosur demokracinë. Dhe këtu etiketimi tradhtar i shkon Ruçit, Ballës ca më shumë, tërë ministrave dhe deputetëve. Së fundi damkën tradhtar e kanë fituar tërë ata që nuk iu bindën partisë dhe morën mandatin e deputetit, duke rithemeluar opozitën e re. Po pikërisht këtu u ngrit cunami. Kryemadhi ka vënë në shënjestër tërë ata që zunë vendin e deputeteve ikanakë. Ata që dogjën mandatin. Dhe etiketimi “tradhtar” është shoqëruar me linçim fizik deri edhe me atentat në portën e shtëpisë. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Duhej ndëshkuar deputeti Gjoni, i cili nuk ishte vetëm anëtar i LSI-së, po edhe miku i Ilirit dhe këshilltari i tij. Dhe për këtë, në portën e shtëpisë u përskuq me mavi. Thonë me bojë. Me lëndë helmuese. Me lëndë gërryese. Le të presim. Ai është kryetradhtar pasi në logjikën e Monikës, ka tradhtuar bash familjen presidenciale. Dhe kjo nuk mjafton vetëm me shpalljen tradhtar. Kjo është minimalja. Tradhtia e tij kalon të gjitha caqet. Sipas kanunit dënohet me vdekje se ka prekur nderin e shtëpisë që të ka pritur e përcjellë! Shkelet neni 80 i Kanunit të Lekës! Po nuk është i vetmi tradhtar. Të tjerë armiq janë vënë në radhë. Para gijotinës. Të gjithë tradhtarët në litar. Deklaratat e Monikës për tradhtarët e rinj të partisë më kujtojnë një burrë të moshuar, vite më parë. Ishte një beqar i përjetshëm. Nuk ishte martuar kurrë. Kishte një dhunti të veçantë. I bënte tërë punët e grave. Thurte triko. Qëndiste e këndonte me zë gruaje. Po kishte edhe një ves tjetër. Ishte i ashpër në diskutimet e fshatit. Sa herë dikush kritikohej për një dardhë a një vesh rrush të marrë në vreshtë, ai i vinte damkën. I bënte pretencën ekstreme. Armik i partisë dhe i pushtetit. Dhe kërkonte: Të pushkatohet! Të varet! Dhe i ziu çunak i vockël, mblidhej sa një grusht në pritje se dikush mund ta varte vërtetë për dy kokrra dardha, apo një vile rrush. Ka mbetur si etalon i dënimeve më të rënda burri që fliste me zë gruaje.

Kështu edhe me gjuhën e partive tona. Nëse në tërë botën demokratike palët konsiderohen si kundërshtarë me të cilët mund të debatohet e të dialogohet, të lidhen marrëveshje për objektiva në interes të vendit, të gjenden zgjidhje, të flitet, sqarohet, të vendoset për çështje që prekin tërë kombin, ndryshe ndodh në vendin tonë. Në ballafaqimin mes mazhorancës dhe opozitës, hendeku i mosmarrëveshjeve është aq i thellë sa nuk ka masë ta përcaktoj. Tek ne ndodh çudia. Mosmarrja vesh është shndërruar në tipar dallues. Nëse njëra palë kërkon dialog, pala tjetër do përplasje. Në se njëra palë fton të ulen në tavolinë, tjetra kërcënon me luftë civile. Me braktisje të institucioneve, ikje nga parlamenti, dalje jashtë sistemit në emër të demokracisë. Po armiq nuk shpallen vetëm shqiptarët, të cilët janë kthyer gati në një rutinë të përditshme dhe nuk çuditin askënd. Radha më së fundi u erdhi të huajve. Ata që asistojnë vendin tonë në rrugëtimin drejtë demokracisë. Edhe me ata vepron i njejti mekanizëm. Deri sa nuk dëgjohen ose mbajnë anën e opozitës ,janë burra të shkëlqyer. Priten e përcillen me nderime. U jepen tituj e dekorata. Shpallen miq të Shqipërisë. Mbështetësit e mëdhenj të këtij vendi. Dëgjon të deklarohet nga liderët e partive: Është miku im më i mirë! Është mbështetës i pakrahasueshëm. Është me ne në çdo çast. Ka bërë shumë për këtë vend. Mbështet politikën tonë. Është burrë zotëri. I ditur. Kompetent në njohjen e ligjit dhe arkitekt i reformave. Lavdet e ngjitin në qiell, sa thua se po tejkalohet çdo cak etike e modestie. Po pllaka ndryshon sapo kritikohen qëndrime e veprime që i bien ndesh me demokracinë. Nis demaskimi me libër shtëpie. Të numërohen bëmat e gjëmat. Kujtojmë zonjën Vlahutin, e cila u shpall armike. E paditur, injorante. Deri edhe hajdute dhe e korruptuar. Po ajo nuk është e vetmja. Të njejtin fat kanë pasur gjithë ata të huaj që kanë guxuar të prekin folenë e grerëzave. Dhe kjo sjellje nuk është e re. Ajo ka nisur nga viti 1990. Të huajt i ndanë në dy kampe. Tradhtarët dhe heronjtë e Shqipërisë. Sot shpallja armiq e tradhëtarë ka arritur kulmin. Është një rutinë e zakonshme, ku mjafton një vështrim të etiketohesh njeriu i blerë. I korrutuari i shekullit. Peng i drogës. Kujtojmë këtu etiketimet që iu bën zotit Knut Flekenshtejn. Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë. Ai, miku i deri djeshëm, njeriu që i bëri shërbime të jashtëzakonshme vendit tonë sapo mbajti një qëndrim ndryshe sa shkeli në vijat opozitare iu vërsulën Monika e Vasili. E etiketuan me fjalët më fyese. E shpallën njeriun me dy klasë shkollë. Person që bën lojën e Ramës. Shkurt, nga mik u shpall armiku më i egër. Nuk mund t’i shpëtonte ndëshkimit Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernard Borchard. Edhe Bernard vëllai, u trajtua si individ që ka ardhur në Shqipëri për para dhe seks. E tha Kryemadhi vetë. U bë baltë i ziu ambasador. I thanë ato që nuk mund t’i artikulohen asnjë ordineri. E goditi brinjë më brinjë kryelësëistja. Po cili është faji i ambasadorit? Ai tha të vërtetën. Pikërisht atë nuk duhet ta bënte. Si guxoi të deklaronte se reforma është në rrugën e duhur dhe zëvendësimet në parlament janë ligjore? Si mund të sfidohej opozita, se zgjedhje do të ketë edhe pa të? Kur njihesh me qëndrime të tilla thua: Opozita jonë ka të njejtat standarte e kritere për shpallen e armiqve të partisë dhe Shqipërisë. Me këtë qëndrim, jo vetëm shqiptarët, po edhe ndërkombëtarët kuptojnë sa pa baza është baltosja që u bëhet kundërshtarëve politikë. Kur nxijnë kaq shumë të huajt, po të vendit çfarë mund të pësojnë?! Ky është kriteri i shpalljes armik i Shqipërisë dhe partisë nga Basha e Monika. Këtë duhet të dinë të gjithë dhe të presim se shumë shpejt me këtë ritëm, këtu nuk do ketë më atdhedashës, po tradhtarë e atdhevrasës! 

Nga Bardhyl BEJKO

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 22:58

Sistemi bankar në Shqipëri është në ditën e vet më të zezë, duke u kthyer në institucion jokredibël dhe aspak transparent për publikun shqiptar dhe grupet e interesit.  Kjo bankë sot drejtoet nga një guvernator m

Postuar: 18/07/2019 - 07:15

Kjo farë demokracie, që s’po hyn ende në brazdë, ka sjellë një çoroditje, që fjalën e lirë

Postuar: 18/07/2019 - 07:13

Nuk do të rrinte pa bërë demagogji dhe llafollogji prej somnambuli politik dhe të pa afti të meri

Postuar: 18/07/2019 - 07:11

Lajmin se Monika Kryemadhi, ka një pallat në “Unazën e re” e kumtoi Presidenti Meta n

Postuar: 17/07/2019 - 07:15

Nëse i kthehemi retrospektivës për t'u ballafaquar me shprehjen epokale të bashkimit kombëtar

Postuar: 17/07/2019 - 07:14

- 422 mijë të punësuar nuk paguajnë kontributet!182 milionë euro deficit të skemës fundosin buxhe

Postuar: 17/07/2019 - 07:10

(Nuk di, pse mu kujtua kjo thënie e Shvejkut nga Bugjeovica)