BREAKING NEWS

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik raportimesh për UFO-t në Itali, ja rasti i paprecedentë që ka kapur radari në aeroportin Malpensa në Milano dhe lidhja me pandeminë e COVID-19

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik
x

Opinion / Editorial

Kronikani i vdekjeve! 

Kronikani i vdekjeve! 

Po mbushen gati nëntë muaj qysh se startoi koronavirusi dhe u shënua pacienti i parë që në Shqipëri dhe viktima numër një që flitet nga mëngjesi në darkë për vdekjet. Bashkëkombësit që ikin nga kjo jetë na sjellin trishtim, na shtojnë dhimbjen pasi janë pjesë e shoqërisë tonë. Individë që, pavarësisht nga mosha, i kanë dhënë këtij kombi atë që kanë pasur mundësi. Kanë punuar e ndërtuar, kanë lartësuar diga e kanë montuar hidrocentrale, kanë mbajtur në jetë qytetarët e sëmurë, shtruar në spitale, duke u shërbyer në pavijone nga Vermoshi deri në Konispol. Kanë mbjellë e korrur. Kanë ndërtuar rrugë e kombinate, aeroporte e porte, kanë çarë tunele e tharë këneta, kanë lindur dhe rritur fëmijë, kanë mbushur radhët e ushtrisë me djem e vajza në shërbim të atdheut, auditoret me nxënës e studentë. Kanë shkruar historinë e jetës së tyre në ditarin e madh të kombit tonë. Kanë mësuar breza të tërë për një kohë të gjatë. Ashtu siç ka nga ata që ikin ende pa nisur jetën. Fare të rinj pavarësisht shkakut të ikjes. Jetët e humbura për çdo arsye, aksidentale, sëmundje, pandemi, viruse, shkaktojnë trauma të thella në familje, të afërm, banorë të lagjes, fshatit apo qyteteve. Ne, shqiptarët, mbetemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin në gëzime e hidhërime. Fatkeqësitë na bëjnë bashkë. Dhe ka qenë kjo marrëdhënie shpirtërore që na ka dhënë vitalitet, i kemi rezistuar kohës dhe shpërbërjes e copëtimit të atdheut tonë ndër shekuj. Populli ynë ka një shprehje brilante, sa herë i takon të ngushëllojë për një humbje jete: Vetë shëndosh! Dhe familjarët i përgjigjen: Miqtë shëndosh! Ditë mortet shndërrohen në kuvende ku dëgjohet ligjërimi filozofik i jetës dhe vdekjes si dy segmente start dhe finish, i cili nga njeriu i parë e sa të jetë jeta ka për të ndodhur. Është biologjia e jetës. Në thelb, kjo përbën atë korrelacionin që thamë më lart, atë lidhje të thellë shpirtërore që nuk na ndan, përkundrazi na bashkon. Çdo humbje jete i rrafshon ndasitë,i përbuz politikat, propagandën me vdekjet që synojnë të bëjnë politikë edhe me ata që ikin pa kthim. Po ja që ndodh edhe kështu. Pothuaj nuk ka politikanë fatkeqësisht të opozitës që mos të flasi për humbje jetësh, jo në kuptimin altruist për ndjeshmëri në emër të respektit për jetën, për solidaritet apo për t`iu qëndruar në krah atyre që kanë humbur të afërmit, po për të ngacmuar nervin dhe sensibilitetet njerëzor, ndjenjat e atyre që vuajnë humbjet. Edhe pse të plagosur rëndë, familjarët i riplagosin, i dërmojnë përditë me lajmërim vdekjet, ku lajmësit nuk zverdhen e as skuqen për këtë mision nefrelogjik. Çdo minutë në komunikimet direkte nga ekranet e televizioneve në fjalimet e oratorëve, liderëve tanë të cilët flasin shumë pak për jetën dhe tmerrësisht shumë për vdekjet. Ekranet gati po shndërrohen në arkmorte. Lajmërimet për humbjet e jetëve janë bërë racion ditor i politikës. Që në pikë të mëngjesit sapo hap sytë, me zë të lartë jepen njoftimet për aksidente me vdekje. Për vrasje. Për ikjen nga jeta për shkaqe të sëmundjeve, veçanërisht nga goditja e pandemisë. Aq të dashura janë bërë këto “sihariqe” sa për një tufë kronikanësh që japin njoftimet nga terreni për televizionet në ekuivalencë të njëqind lekëve, hidhërohen shumë kur një vdekje nuk është për shkaqe aksidentale që të përbëjë lajm apo rrjedhojë e ndonjë vrasje, atentat, përplasje nga makina në rrugë. Kur nuk ka vdekje nuk ka lajm. Pa humbje jete nuk shkruhet asnjë fjali sepse kërkohet sensacioni. I gjendur në një televizion në Austri, e pyeta një gazetar të kronikës, sa vdekje regjistrohen këtu tek ju nga aksidentet në një javë apo muaj? Ka disa raste mu përgjigj. Po ne bëjmë kujdes mos të ngjallim panik dhe të bëjmë sensacione me numrin e të vdekurve për çdo arsye. Ah, po ju nuk jeni transparent atëherë iu drejtova kolegut tim. Ai buzëqeshi dhe mu përgjigj: Kjo nuk është çështje transparence. Është e lidhur me ndjenjat njerëzore, psikikën e qytetarëve, dashurinë reale për jetën! Sa larg jemi ne në këtë arsyetim. Nuk kemi asnjë pikë takimi dhe qëllimisht ngatërrohet transparenca me terrorin psikologjik. Po në këtë kohë pandemie kur virusi ka pushtuar botën dhe raportohen mijëra vdekje në ditë pranë dhe larg, në vendet e varfra dhe super të pasura, në qytete moderne me sisteme të sofistikuara shëndetësore, përditë raportohet numër i lartë vdekjesh. Edhe në shtete që janë baras me Shqipërinë në popullsi, numri i vdekjeve është disa herë më i lartë, pa folur për numrin e të infektuarve dhe të shtruarve në spitalet infektive. Në asnjë vend të paktën kaq demonstrativisht, asnjë politikan edhe ata që presin radhën për të ardhur në pushtet nuk bën kronikanin e vdekjeve. Tek ne, puna ndryshon. Jemi vendi ku flitet pa fund për varret. Zhurmohet e zhurmohet dhe vërshojnë akuzat për lënien e qëllimshme të qeverisë dhe Edi Ramës të qytetarëve për t`iu dorëzuar pandemisë. Dhe kjo paraqitet si rezultat i mosinteresimit dhe paaftësisë së organeve kompetente. Kjo është vërtet e tmerrshme. Duket si një simfoni tingëllimash të kambanave që bien, jo në kisha e manastire apo pëshpëritjeve në vendet e kultit, po në selitë e partive politike, atje ku duhet të jepet mesazhi për kurajo dhe mbështetje, bashkëpunim e solidaritet me cilindo që sot gjendet në frontin e parë të betejës anti kovid. Nuk janë të paktë politikanët që po ua kalojnë edhe lajmëtarëve të vdekjeve. Duket se liderët e partive bëjnë administratorin e shërbimit funeral. Po konkurrojnë hapur ata që kryejnë shërbimet e fundit për t`i përcjellë të ndjerët në varreza. Kaq shumë patos, kaq energji nëse do viheshin në shërbim të kujdesit për jetën dhe të drejtoheshin kundër pandemisë do kishim tregues shumë më të lartë në përballimin e saj dhe mënjanimin e rasteve ekstreme. Thuajse liderët e politikës, janë shndërruar në tellall të atyre që janë ngjitur në majë malesh e kodrash dhe japin lajmin për vdekjet. Këta kronikanë modernë lajmës të vdekjeve sikur bëjnë rutinën e afishimit të lajmërim vdekjeve në qoshet e pallateve apo shtyllat e tensionit të lartë që përdoren rëndom për të afishuar me emër e ditë varrimin e të ndjerëve. Po në ndryshim nga lajmësit e vdekjeve në shërbimet funerale, ata përdorin mjetet e fuqishme të informacionit. Shfrytëzojnë ekranet e radiot, faqet e shtypit, konferencat e takimet, podiumet e sallat, takimet me militantët. Mbledhjet e partive për të dhënë sihariqin e madh se sot në shkallë vendi vdiqën për faj të Ramës për papërgjegjshmëri të mjekëve, për faj të ministres dhe mungesës të ilaçeve x pacientë. Dhe në fund kërcënimi si marsh funebër. Sapo të vi unë në pushtet, siç deklaron Kryetari i PD, i cili ka marrë përsipër të bëjë kryelajmësin e kronikanin e vdekjeve si të ishte nëpunësi i taksës së gjakut, personazhit te “Prilli thyer” të Kadaresë, Lulzim Basha i vetëshpallur si kryelajmës i vdekjeve dhe numërimit të tyre do mbajnë përgjegjësi ata që sot qeverisin për çdo humbje jete! Do doja që Lulzim Basha me buzëqeshjen e përhershme në fytyrë të ishte jo lajmëtari i vdekjeve, jo lideri i arkivoleve si gjenerali i ushtrisë së vdekjes që luan me shpirtin e jetën e të gjallëve, po më shumë me kujtimin e atyre që humbin betejën me virusin. Do donim të jepte shpresën. Të inkurajonte organet kompetente për përballimin e pandemisë. Dhe për më shumë se kaq të mobilizonte gjithë personelin e mjekëve që ka në radhët e partisë së tij në këtë betejë që nuk është e qeverisë, po kërkon kontributin e të gjithë shoqërisë dhe së pari të opozitës pretendente për pushtet. Kronika me vdekjet nuk të bënë as të fuqishëm as të famshëm aq më pak fitimtar. Ata që ikin nuk votojnë. Nuk janë numër votuesish për t`i shtuar fuqinë dhe peshën elektorale Lulzim Bashës. Nuk e lartësojnë dhe nuk e afrojnë me pushtetin. Përkundrazi e bëjnë të padëshirueshëm e përjashtojnë nga mundësia për ta bërë kryeqeveritar. Populli pret sot që të jenë në front në këtë betejë për të shpëtuar shqiptarët edhe opozitarët dhe jo duke numëruar ata që ikin në botën tjetër. Në mbështetje të njoftimit dhe dokumentave të paekspozuara të Bashës se qeveria fsheh vdekjet nga pandemia u vu edhe zëvendësi i tij Edi Paloka. Bile ai e konkretizoi fshehjen e vdekjeve nga Rama me mos përfshirjen në numrin e vdekjeve nga pandemia edhe vajzën e tezes së tij. Në realitet për zonjën e nderuar u dhanë njoftime specifike. Po gënjeshtra i duhet kryesisë së PD-së në emër të argumentimit të deklaratës së Bashës. Shqiptarët nuk presin që kryeministri i ardhshëm të bëjë kronikanin e vdekjeve. Ata duan që ai të jetë kronikan i shpresës dhe besimit, të ardhmes dhe progresit, lumturisë dhe jetës! Çdo qëndrim për të ekspozuar vdekjen në emër të poshtërimit të pushtetit të sotëm është atentat ndaj vetë jetës! Po ajo që ke dëgjuar e parë në kronikat e vdekjeve nga kronistët e skenaristët tanë politikë nuk është asgjë përball një montazhi fotosh që sipas autorëve vijnë nga morgu i QSUT. Pamje horror, gati si ato të filmuara në kampet naziste të shfarosjes në masë për të shpërndarë frikë e tmerr. Pamje të denja për filmat aksion apo për të ilustruar masakrat e Kalifatit në Siri, Irak apo kudo ku u shtrinë tentakulat. Këto pamje të llahtarshme janë ideuar në selinë e PD-së me regjisor Bashën. Në rastin konkret ka dalë përtej çdo logjike dhe njerzillëku. Këto pamje nuk janë për publikun. Dhe qytetarët që i kanë parë kanë mallkuar ideatorët e regjisorët e politikës të cilët kërkojnë të ngjallin panik dhe t’i vënë themelet një shpifje që nuk ka asnjë bazë apo logjikë si ajo e mohimit të vdekjeve dhe minimizimit të numrave. Sa larg ka shkuar hakmarrja politike! Sa shumë ka rënë dinjiteti i liderëve që kërkojnë të poshtërojnë betejën e shoqërisë me Covid-19! Pamje vërtet horror që të ngjallin krupë. Vetëm një mendje diabolike mund të shfaqi të tilla pamje edhe nëse do ishin reale. Janë Babalizmat e partisë që kërkon të fitojë aksione politike me filmime e foto të denja vetëm për skena nga ferri. Është logjika më e shëmtuar dhe mungesa më e thellë për respektin ndaj atyre që ikin nga kjo botë dhe goditje në kokë e tru e familjarëve që duhet të durojnë pamje të tilla.