Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kronikë e një ngjarje që duhej parandaluar

Postuar: 12/10/2018 - 07:02

Jo për të gjitha ngjarjet duhet fajësuar policia. Dhe jo për gjithçka mund të justifikohet. Ka raste që ndodhin në një skaje të vendit, brenda në qytet, në një rrugicë, në banesa, familje, në një klub në zonën më të populluar në Bllok, ku nxirren armët e vriten qytetarë të pafajshëm apo ata që ia kanë bërë borxh të gjithëve me bëmat e tyre. Dhe do ishte gabim të drejtohej gishti mbi policinë. Edhe pse për këto raste me të drejtë opinioni shoqëror është i ndjeshëm dhe kërkon të parandalohen. Dëshiron në pamundësi të pengimit, të zbulohen vrasësit dhe të vihen para drejtësisë fajtorët. Shumë prej ngjarjeve edhe pse fatale janë të paparashikueshme. Jo vetëm këtu tek ne. Të tilla ne kemi patur me bollëk në këto tre dekada. Po edhe këto ngjarje kanë një mjedis që i favorizon. Është një shtrat, që i kultivon.

Diku mungon informacioni në kohë reale, në një rast tjetër marrëdhëniet në komunitet, mosnjohja e situatës kriminale në një zonë të caktuar dhe jo pak herë dhe për neglizhencë dhe mbyllje sysh përball veprimeve keqbërëse të elementëve me prirje kriminale, të cilët janë futur në rrugën e krimit e të drogës duke shkaktuar trauma të mëdha që shpien doemos në humbje jetësh dhe ngjallje paniku apo terrori në pjesën më të shëndoshë të shoqërisë. Nuk përjashtohen implikimet e njerëzve të sigurisë në bashkëpunim me kriminelët dhe ortakëria me ta. Është në të drejtën e vet populli, individët, familjet dhe shoqëria civile të ngrenë zërin dhe t`iu thonë ndal veprimeve të tilla, të cilat e bëjnë jetën tonë të pasigurtë dhe i kundërvihen zhvillimit normal të ekonomisë, trembin biznesin e brendshëm e të huaj dhe jo rrallë i largojnë ata nga vendi ynë. Pa folur këtu për ngjarje të rënda në zona të caktuara me ngujim të meshkujve të shtëpisë deri edhe fëmijëve, që ndërpresin shkollën dhe mbyllen brenda nga frika e hakmarrjes. Po nëse për shumë raste edhe akte të tilla amnistohen, justifikohen dhe nuk përgjegjësohet policia drejtpërsëdrejti, po mjedisi shoqëror që është prita e parë e parandalimit dhe sinjalizimit të organeve kompetente për t`i ndalur aktet kriminale, ka ngjarje që janë të paracaktuara, të kuptueshme, të parashikueshme, të ditura që do të ndodhin doemos. Pikërisht për ndarjen e klasifikimin e rasteve të tilla që janë kronika të paralajmëruara, qytetarët përgjegjësojnë organet e policisë dhe ato ligjzbatuese me përgjegjësi. I akuzojnë se nuk kanë pasur interesimin dhe investimin e duhur për ti ndalur dhe për të mos i lejuar të ndodhin. Më të drejtë, opinioni shoqëror e qytetar është kritik dhe i pamëshirshëm me policinë nga rangjet më të ulëta deri tek ministri i Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit, Drejtorisë Kundër Krimit ndaj Personit e Terrorizmit, tërë hallkave që përbëjnë ngrehinën e kësaj ministrie, që ka detyrë numër një, mbrojtjen e jetës dhe lirisë së qytetarëve dhe rendin kushtetues.

Prej ditësh jetojmë në një vorbull që ka ngjallur shfaqja me Xhisiela Malokun. Duke i kërkuar ndjesë që i përmendim emrin edhe pas kaq ditësh në kushtet kur ajo përjeton dhunën më të egër politike e mediatike, por në sensin për të dalë hapur në mbrojtje të saj, duam të nënvizojmë disa fakte post debateve që ka përfshirë politikën shqiptare, ku secila palë ka hedhur e ka pritur deklarata dhe insinuata për ta mbajtur të gjallë këtë serial të bezdisur, i cili nuk ka hallin e një vajze në periferi të Tiranës, nuk i qan shpirti për jetën e saj, as të mbrojë nderin a ti lehtësojë dhimbjen, po vetëm për të fituar kredo politike dhe për ta shndërruar në një mekanizëm përmes së cilës luftojnë palët njera- tjetrën për përfitime politike. Dhe kjo është e dukshme sapo mëson për individët që akuzohen në këtë histori të cilët e eklipsojnë fare hallin e vajzës dhe shqetësimet e saj. Ajo është vetëm karremi, është alibia, është preteksti përmes së cilës liderët tanë politikë, hedhin e presin sharje dhe akuza pa fund. Në këtë histori nuk merret njeri me zonjushën Maloku. Ajo është lënë në vetmin e vet. Secili bën hesapin sa do jetë copa që do shqyejë nga preja e radhës. Problemi është Balla, Rraja dhe kryetari i Bashkisë së Krujës, Bushi, duke e ngritur edhe më lart shënjestrën tek Rama dhe tërë qeveria. Këtu është halli, kjo është tabela mbi të cilën qëllohet pa pushim, duke e kapërcyer së fundi Shqipërinë dhe ndërkombëtarizuar rastin me kërkesën për të përjashtuar deputetin Balla nga delegacioni shqiptar i stabilizim asocimit pasi virgjëreshat dhe të virgjërit që kanë zbritur sot nga kometat blurozë nuk mund të qëndrojnë, jo vetëm në një parlament kombëtar me këta njerëz të krimit, por as në Parlamentin Europian. Në këtë mënyrë, çështja është bërë nga kombëtare në ndërkombëtare. Po le ta lëmë politikën në rrugëtimin e saj maratonë. Të ndalemi në kronikën e një ngjarje që duhej parandaluar. Pas nxehjes së situatës me Xhisielën, shkëmbimit të akuzave, ultimatumeve, parashikimeve se këta apo ata do t`i kërcënonin jetën vajzës që u bë molla e sherrit të politikës për ditë me radhe, ajo që pritej ngjau. Pas gjëmimeve, filloi rrebeshi. Në afërsi të banesës së gjyshërve të saj, atje ku jeton u shpërthye dinamit nga një dorë, e cila është zgjatim i aksionit disa javor që nisi nga njoftimi i qytetarit dixhital dhe intervista e oficerit Nuhu dhe deklarata se ishte kërcënuar me jetë për të mbrojtur djalin e deputetit. Dhe kjo dorë, në kulmin e debatit në një moment që kazani zien, ky apo ata individë kriminalë, të paguar apo nxitur, vullnetarë apo militantë ekstremë, nën dritën e prozhektorëve të policisë dhe ndjeshmërisë qytetare dhe organeve që paguhen për të mbrojtur jetën tonë dhe që në këtë rast edhe dinjitetin dhe autoritetin e shtetit, rendin dhe integritetin e vendit ia arritën të depërtojnë deri në banesën e Xhisielës. Dora u zgjat deri tek shtëpia e protagonistes së serialit të fundit. Kush ishin? Nga erdhën? Kush i dërgoi? Cili është qëllimi i një vepre të tillë? A mund të parandalohej dhe sot të vendoseshin para drejtësisë dhe popullit këta maskarenj që duan ti vënë zjarrin Shqipërisë? E kujt është përgjegjësia dhe a është në lartësinë e vet policia dhe organet e specializuara që paguhen me taksat tona? A duhet të na e kursenin edhe këtë akt që shton tym dhe e bën edhe më të errët këtë ngjarje të rëndë? Pse duhej lejuar përmes saj t`i jepej oksigjen edhe vet politikës për ta vijuar serialin me Xhesielën? Shumë pyetje mund të bënim për cilindo: Të pyesnim Ministrin Xhafa. Drejtorin e Përgjithshëm Veliu. Drejtorët e tjerë deri në Krujë e Durrës. Në Fushë Krujë, deri kryetarin e fshatit ku ndodhi shpërthimi. Pa pasur asnjë tedencë për të fajsuar askënd. Pa bërë aludime. Po për t`u thënë gjithë atyre që duhet të na mbrojnë se edhe një qytetar i zakonshëm parandiente se kjo lojë do vazhdonte. Edhe një bari në majë të malit pas ulërimave të çakejve, ruan ditë-natë shtigjet nga mund të vërshojnë lukunia për ti shqyer kopenë. Po ai qëndron syzgjuar nën breshërinë e shiut, në të ftohtë në kufijtë e mbijetesës për të mbrojtur gjënë e gjallë. Po policia kur pritej se diçka do ndodhte? Ata që e kanë iniciuar këtë serial me shpifje e kërcënime, me aludime e me ultimatume nuk do e mbyllnin aq shpejt filmimin. Seritë do vazhdonin. Dhe fatkeqësisht, gjasat janë se aktet nuk kanë mbaruar. Të tjera seri janë duke u xhiruar në studiot e montazhit. Ky ishte akti i radhës. Gjëmimit të fjalëve i duhej shpërthimi dhe u realizua. Cila është e pritshmja? Këtë duhet të na e thonë organet kompetente, të cilat duhet ta kishin trajtuar rastin si një ngjarje të jashtëzakonshme, jo thjeshtë për një individ, po për të mbrojtur të vërtetën, shtetin, qetësinë, rendin.

Në realitet, shpërthimi nuk u bë në muret rrethues të shtëpisë së gjyshit në fshatin e largët. Shpërthimi u bë në themelet e Ministrisë së Brendshme. Tek Kryeministria. Në sheshin Skënderbej. Në gjithë pikat strategjike të shtetit. Pse e themi këtë? Sepse ngjarja më e nxehtë me të cilën luhet sot është pikërisht dhunimi, përdhunimi, mbrojtja apo dënimi i këtij rasti, i cili është bërë çështje shtetërore. Po a duhet të qëndronte e qetë e në pritje policia dhe organet ligjzbatuese? Si mund të shkohej me logjikën e indiferentizmin klasik si në gjumin letargjik apo me idenë se nuk mund të ruhet çdo shtëpi? A justifikohet për këtë rast indiferenca? A nuk duhej marrë në mbrojtje ky rast? A nuk duhej parashikuar nga specialistët se mund të ndodhte? Dhe mund të priten edhe akte më të rënda. Ata që e kanë shndërruar në moto të jetës së tyre këtë histori, duan ti shtojnë të tjera dramacitete. Ti shohin jo vetëm tymin, po edhe flakën, mundësisht edhe gjakun. Jo vetëm viktima të fjalës, po presin edhe viktima fizike. Ky është mesazhi që është përcjellë ditë me radhë. Nuk pretendojmë të bëjmë rolin e organeve të zbulimit të së vërtetës dhe nuk kemi të drejtë të vëmë gishtin e të hamendësojmë. Përballë rastit të shpërthimit në fund, si një epilog i dhimbshëm, duam të nënvizojmë faktin se është mungesë profesionalizmi dhe indiferencë e organeve kompetente që lejuan të ndodhte një ngjarje e tillë, e cila nuk ishte rastësi as spontanitet. Ajo nuk ndodhi nga hiçi. Ishte preludi, akti i radhës për ti dhënë serialit një kulminacion të ri. Është përpjekja për të vazhduar dueli mes palëve. E bëtë ju. E bënë ata. E bëmë ne. Ishte dora e filanit. E fistekut. Erdhën nga Tirana. Mbërritën nga Kruja. Ishin kosovarë. Nuk janë shqiptarë. Të paguar. Dorëzanë. Të shitur. Të blerë. Dhe për të gjitha këto hamendësime, përgjegjësia është tek ata që nuk morën masa drastike që terroristët, cilëtdo të ishin, ti kapnin në çark. A nuk kemi në Policinë e Shtetit kaq profesionalizëm sa të parandalohej e të neutralizohej një rast i tillë? A nuk duhet të na ishte kursyer ky rast? Sigurisht që po. Po kjo do këmbëngulje, ndershmëri, përgjegjësi, aktivizim. Shërbime të përforcuara. Net pa gjumë. Do atdhetarizëm. Do by.. të forta. Si mund të justifikohet një akt i tillë në kulmin e ngjarjes përpara atyre që presim të na shpëtojnë edhe ndaj akteve të sofistikuara të terroristëve më në zë të botës? Si mund t`i lihet rastësisë dhe të justifikohet me sloganin se terroristët ikën në drejtim të paditur? Janë bërë shoqërime, janë marrë në pyetje, kur terroristët e mesnatës duhet të mbeteshin atje në murin rrethues të shtëpisë së fshatit si dëshmitar të një akti të rëndë. Duhet të ndodhte kështu, jo vetëm në emër të mbrojtjes së viktimës, po në emër të shtetit. Pas shpërthimit askujt nuk i lejohet të thotë:- Dora e zezë kreu një akt kriminal. Ajo që duhet të na thonin sot duhet të ishin fjalët: -Ja ku i keni, këta janë njerëzit që duan ti vënë flakën Shqipërisë! Këta duan të luajnë me jetën e qytetarëve. Këta janë masha e politikës. Apo banditët hakmarrës. Ja forcat destruktive të brendshme apo të jashtme. Është dora e atyre që nuk e duan integrimin dhe kërkojnë të mbajnë ndezur konfliktet civile në këtë vend. Me thashethemet se mund të ishin këta apo ata. Se është dora e këtij apo e atij. Se e bëri filani i nxitur nga lideri i një partie apo një bande, janë slogane të cilat nuk thonë asgjë, veç tregojnë pafuqinë e shtetit dhe organeve të tij. I hedhin më shumë benzinë zjarrit. Trazojnë mendjet e shqiptarëve. Shtojnë mjegullën politike. Askujt nuk i lejohet të bëjë deklarata në fund të kësaj historie, e cila ishte kronikë e paralajmëruar për të cilën do zoti nuk do ketë seri të tjera më të dhunshme. Se nuk e dimë si do justifikohet shteti pas tyre?!

Shpërthimi e ka fitilin në çdo instancë shtetërore që e ka për detyrë të mbroj jetën tonë. Se në cilën zyrë është ndezur fitili, le ta gjejë shteti. Mirë do ishte ta kishim përballë atë apo ata terroristë të errësirës dhe sot të vendosnim gishtin atje ku duhej dhe mos të flisnim me simbolika. Po këtë shans nuk na e dhanë organet kompetente, të cilët nuk ishin në gjendje të parandalonin një kronikë të paralajmëruar përditë nga të gjithë faktorët politikë e shoqërorë të Shqipërisë. Që të funksiononte kjo do duheshin më shumë net pa gjumë, më tepër përkushtim, më shumë profesionalizëm. Organet kompetente në krye të detyrës. Më shumë sedër profesionale. Dhe ndershmëri. Natyrisht më shumë guxim dhe këllqe më të forta!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 2

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/10/2018 - 07:22

Miku im pensionist, që ka qenë oficer dhe është rritur me një disiplinë të fortë e një jetë përgjithësisht të ashpër, nëpër dasma kërcen vetëm valle dyshe me daulle, ose nuk ngrihet fare.

Postuar: 17/10/2018 - 07:21

Çfarë ndodhi dy ditë më parë në Bruksel me shqiptarët askush nuk e kishte llogaritur.

Postuar: 17/10/2018 - 07:20

Ca të mira i keni bërë, po me këtë që ke bërë këtë radhë, i ke prishur dhe ato.

Postuar: 17/10/2018 - 07:19

Debatet mes Greqisë dhe Shqipërisë për detin dhe kufijtë që kërkohen të ndryshojnë sipas diktatit

Postuar: 16/10/2018 - 07:15

Kanë vite e vite që krahët politikë duke u alternuar në pushtet e tyre, prej më shumë se 25-së vi

Postuar: 16/10/2018 - 07:13

Bashkia e Tiranës nuk vlerëson siç duhet bustin e Sulejman Pashës.

Postuar: 16/10/2018 - 07:11

Këto ditë para opinionit të gjerë, shqiptarëve të bombarduar me seriale pafund filmash me “