BREAKING NEWS

Fluturon kurba, Ministria e Shëndetësisë zbulon sa raste të reja me koronavirus janë identifikuar në 24 orët e fundit në vendin tonë

Fluturon kurba, Ministria e Shëndetësisë zbulon sa raste të
x

Opinion / Editorial

Kryemadhi zhvilloi pronën me ligjin famëkeq 7501

Kryemadhi zhvilloi pronën me ligjin famëkeq 7501

Në emisionin “Real Story” në News 24, kryetarja e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi, përballë analistit Fatos Lubonja deklaroi se nuk i vinte keq që i shkollonte fëmijët në Londër dhe se pasuria e saj qe e ligjshme si rezultat i “zhvillimit të një prone” të trashëguar nga babai i saj agronom me ligjin 7501. Nuk mënoi të thoshte gjithashtu se arsimi në këtë vend ishte jo i duhuri për të ardhmen e fëmijëve të saj. Pra ceku një sërë temash, çështjesh të nxehta dhe të shumëdebatuara. Nuk ka dyshim se ligji 7501 mbi tokën i qeverisë Berisha, të cilës i referohet zonja Kryemadhi, është ligji më famëkeq që është miratuar ndonjëherë, që pamundësoi zhvillimin e pronës, mënjanoi pronarët e vërtetë, investimet strategjike dhe krijoi një sërë konfliktesh sociale ku viktimat nuk kanë të sosur edhe sot e kësaj dite. Ky ligj qe ribërja e Reformës Agrare, në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë, por me qëllimin e prapmë të krijonte shtresën e re të pronarëve të mëdhenj sipas Katovicës. Ish-ët e djeshëm apo falangat e tyre, rendën të forconin pushtetin ekonomik për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit politik. Ata ishin ligjvënësit, ekzekutuesit e vendimeve, përcaktuesit e të drejtës apo të padrejtës sipas optikës së tyre. Ata “zhvilluan pronat” e tyre sidomos në bregdet, teksa të tjerët vinin vërdallë dyerve të gjykatave me vite për legalizimin qoftë edhe të banesave, apo u vihej ruspa me pretendimin se tokën e kishin në përdorim dhe s’mund kurrsesi të ndërtonin. Po t’i referohemi një batute të filmit shqiptar “14 vjeç dhëndër”, ligji në duart e Maliqë-ve, është dhe kështu edhe ashtu! Zonja Kryemadhi, e cila ka qenë politikane aktive gjatë gjithë këtij tranzicioni, nuk mund të flasë apriori, të lajë duart si Ponc Pilati, për një ligj të tillë antitreg që e pronësoi, duke e shpërndarë peshën e përgjegjësisë tek të tjerët, “që i kishin dhënë lejen” apo e “kishin zbardhur vendimin”. Kjo të kujton farsën “Bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”! Nuk mbajmë mend që zonja në fjalë, apo bashkëshorti Meta (president), në kuadër edhe të LSI-së të kenë ndërmarrë ndonjë iniciativë kundër këtij ligji, për t’ia rikthyer pronën të zotit dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit. Ky ligj ka prodhuar informalitetin në ekonomi, evazioni fiskal, ka lënë tokën djerrë dhe një sërë anomalish të tjera, që na kanë lënë në stanjacion dhe jashtë rrjedhave të integrimit. Por përtej kësaj, si mund të pohosh pa as më të voglën brerje ndërgjegjeje, se arsimi në këtë vend është vajmedet dhe të mos ndjesh pjesën tënde të përgjegjësisë. Ky është i mirë vetëm për djemtë dhe vajzat e popullit të thjeshtë, që me gjasë mund të jenë edhe më të talentuar se fëmijët tuaj, por që prindërit e të cilëve mezi ja dalin t’u sigurojnë ushqimin e përditshëm. Kësisoj, në mungesë të politikave dhe strategjive efikase të merit-preferencës, legjitimohet rrjedhja e trurit dhe monopolizimi i pushtetit. Prandaj deklarimi “zhvillim i pronës” në të tilla rrethana është cinizëm dhe një nonsens i pastër.

Luan KURTI