Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Kryetari i shtetit, si pelegrinët e Mesjetës

Kryetari i shtetit, si pelegrinët e Mesjetës

(Vijon nga numri i kaluar)

…Kontaktet e shpeshta të udhëheqësve tanë me drejtuesit e feve këto vitet e fundit i mendoj si një element shumë pozitiv. Isha kurioz të dija se për çfarë bisedonin. Me këtë arsye i kërkova një kolegut tim, vëllai më i vogël i Babait të Teqesë pranë Tomorrit që të na mundësonte një audiencë. Do kemi rast së shpejti, mbasi do jem në Tiranë me rastin e një simpoziumi për bashkëjetesën fetare”, ishte përgjigjja e tij.

… “Këta të rinjtë e dikurshëm” e nisi bisedën Babai i teqesë, dikur viça, si puna e leshit të palarë, sot janë bërë buajt e harbuar të politikës. E kuptoj qartë kur duan që biseda mes nesh t’u bëhet e ditur njerëzve, të komentohet në popull. I njëjti stil me atë të kohës së qoftëlargut, me stilin e ujit që buron i kulluar nga lart. Kështu që mund të tregoj ndonjë gjë deri ku ma kanë lejuar ata vetë. Më ngazëllon shpirti kur shikoj kryetarin e shtetit që me shkop në dorë, si bariu i vlerave më të çmuara të shtetit, ngjitet maleve, pastrohet në përrenjtë e kristaltë dhe zbret livadheve si pelegrinët e Mesjetës. Dikur, larg syrit të turmave, pelegrinët rrugëtonin vetmitarë, çdonjëri në hallin e vet përballë të Plotfuqishmit. Ishin të sinqertë, të besueshëm në atë që bënin, njëlloj si dhimbja e atij që qan në fshehtësi. Në fund të një prej disa udhëtimeve në malin e Tomorrit, si të kishte nxjerrë një mësim historik i pari i shtetit kapur me qenin për qafe, na la një këshillë profeti: Zbuloni si të vizitoni të kaluarën, do gjeni dashurinë dhe qetësinë e humbur, sillni sot në jetën tonë tregimet e djeshme. Pas një heshtjeje prej mendimtari vazhdoi: “Një jetë thellësisht e përmbushur nuk është diçka që gjendet, por krijohet përmes veprimeve tona”. Ka ikur ajo kohë kur pëshpëritnim vargjet – Porsa Presidentin, më fal, porsa Komandantin një paranojë e kaplon, zemërimin e tij si një ferr mjer kush e përjeton. Vrisnin mendjen analistët. Shtrydhnin trutë opinionistët për të zbërthyer të pathënat. Dikush mund të thotë që kjo është shenjë maturimi. Ndoshta, por ne besimtarët kemi një tjetër peshore për maturinë. Sidoqoftë ndihemi të vlerësuar sepse të parët e shtetit na vizitojnë edhe në ditë të zakonshme. Kanë dëshirë të shkëmbejnë mendime, nganjëherë janë interesantë. Madje të habitshëm do thosha. Kështu ndodhi kur njëri prej tyre duke më dhuruar një pagurë me vaj ulliri më impresionoi kur u shpreh: “Në detyrën e Presidentit kam ndjekur një traditë si tiranas autokton, shpesh kam folur me heshtjen time”. Tjetri që i zuri vendin më vonë, duke pirë një çaj dafine papritur më tha: “Kam sukses kur ndodh që përdor taktikë ushtarake, marr vendim të shprehem me mungesën time”. Kam mbetur pa fjalë. Më kanë bërë të mendohem gjatë. Të ngjashme si eksperiencat nga jeta e shenjtëve. Të jenë origjinal kur thonë citime të tilla apo kanë lexuar për shenjtorët. Kisha vënë re se të dy këta reflektonin staturë zyrtari me dukje intelektualiteti. Në fakt nga këta e prisja pyetjen e mençur që përkundrazi, çuditërisht ma bëri ky që më vizitoi i fundit, tip sportiv, me sjellje babëloku, rrufjani popullor. Te ky tip kam shumë shpresa sepse ka aftësinë që ulet në gjunjë. Gjunjëzimi është fuqi. I thashë: “Kur jeta të shtyn të ulesh në gjunjë, je në pozicion perfekt për lutje Zotit. Satanai dridhet kur shikon në gjunjë edhe shenjtorin më të dobët”. Pasoi një heshtje. Me një ndjesi meraku për çfarë thashë prisja si do reagonte. Mu ngroh shpirti kur pas një rënkimi të thellë e dëgjova që kërkoi një gotë raki Leskoviku. Më pëlqen se është shumë i dashur dhe i duruar, sidomos me qentë dhe macet. Krokodilin e ka dobësinë e tij të jetës. Madje gjithë qejf, me një degë ulliri në dorë, më tregoi një anekdotë me krokodil. Me zor e mbyste të qeshurën. Një djalë me prindër militantë kthehet në shtëpi dhe e pyet të ëmën: Mama, a e di që krokodilët fluturojnë? A je i sigurtë bir, mua më duket se jo. Po mama, jam i sigurtë, krokodilët fluturojnë”. Dëgjo bir, duhet ta diskutojmë me babanë. Babai: A je i sigurtë, unë them që jo. Por pa dale pak, kush ta ka thënë një gjë të tillë? E tha sot në miting Doktori. Babai: Ulët bir, shumë ulët fluturojnë. Shpirtra skllevërish të mjerë. Si duket presidenti e vuri re pështjellimin tim dhe për të më nxjerrë nga gjendja vazhdoi: “Besoj e ke ndjekur bisedën e para pak ditëve mes dy moderatorëve televizivë të njohur. Drejtuesi i bisedës i drejtohet të ftuarit: Më është krijuar përshtypja se në studiot tuaja ju jeni shumë të pamëshirshëm me kryeministrin, nuk e toleroni, nuk e kurseni fare. Në një kohë që vazhdoni të jeni mjaft të sjellshëm e tolerues me të mëparshmin e të tjerët para tij. Po i përgjigjet i ftuari, konstatimi është shumë i drejtë. Pyetja se, përse ndodhte kështu, u shoqërua me ngritje supesh. Të shkretët, sa të padjallëzuar janë. Nuk e kanë ditur se 500 vjet më parë Makiaveli e kishte dhënë përgjigjen kur këshillonte Princin e Fiorentinës: “Njerëzit kanë përherë më pak drojë të fyejnë atë që sillet mirë me ta sesa dikë që u kall atyre tmerrin”. Librin e Makiavelit, Enveri e kishte të nënvizuar. Unë e mbaj nën jastëk. Me kaq biseda u mbyll. “Të pres të më vish për vizitë te resorti buzë detit”. Ai u largua duke më lënë në mendime. Akoma si para 500 vjetësh? Edhe pse pesë shekuj më parë, njëlloj si fjalët edhe njerëzit, tani si atëherë. Korrupsion-antikorrupsion, reformë-antireformë. Pesë shekuj bota vazhdon të jetë në betejën që me reformën lutheriane nisi si zgjimi mbas gjumit mesjetar. Kur pas 2 muajsh u takuam në Hamallaj në vizitën e kthimit te pallati i tij buzëdetit, më kaploi një thatësirë shpirtërore. Skena që kisha para syve tek shikoja “Atë” me qenin që ngadalë i sillej rrotull, më solli të gjallë vetminë në egzil të ish-kryeministrit italian, eurosocialistit Betino Kraksi në Al-Hammamet të Tunizisë. Atje e ka varrin merhumi, nuk e pranojnë në vendin e vet. Era e vjeshtës që frynte buzëdetit merrte me vete gjethet e pakta të pemëve. Bashkë me gjethet si një trishtim në lëvizje largonte në harrim portretin dhe historinë e këtij shtetari që korrupsioni e kishte ndëshkuar me mbylljen e jetës në egzil! Mu dhimbs ky i yni. Mallkova veten që erdha. Kuptova se do ishte biseda më e djersirë në jetën time. Pas shkëmbimit të përshëndetjeve, sikur përpiqej të kalonte një prag, hyri në temë. Në çfarë raporti është sëmundja me mëkatin, ishte pyetja e tij befasuese. U shtanga. Një pyetje që shkon shumë thellë në kohë, e trajtuar në librat e shenjtë. Për njerëz me përgjegjësi udhëheqëse, nisa t’i shpjegoj, mëkati është dy funksional. Përpara Zotit dhe përpara popullit të vet. Më ka intriguar shumë interpretimi filozofik që ka bërë Tomasi nga Aquino për dy mënyrat bazë sesi njeriu mëkaton. Mëkati i parë ndodh atëherë kur njeriu duhet të bëjë një akt që është i drejtë, e injoron, mëkati nga neglizhenca ose nga mosveprimi. Konkretisht, kam dijeni që ti je në një mëkat të drejtë, nga mosveprimi. Fjala është për rrethprerjen, e ke neglizhuar, nuk je bërë synet. Por mos u dëshpëro, nuk je vetëm ti edhe paraardhësit e tu, të tërë në një kazan zieni. Kur u bëre 45 vjeç dhe lajmërove darkën e ditëlindjes pata një ndjesi dehjeje hyjnore. Çadra për 600 veta, sazet e papara të trevës jugore dhe sidomos ekipi i specialistëve arab nga Meka me “Ghutra”, që u harlisej nga era e detit, ishin në stilin e festimeve për synet. Si nuk e bëre?! Ç’shejtan të pëshpëriti në vesh? Për pozitën që zotëron do ishte një mëkat më pak. Nuk e di çfarë ta ndryshoi mendjen. Megjithatë ti je si një engjëll i bekuar nga Allahu. I Plotfuqishmi në qiell për synet të ka rezervuar një moment historik. Pas një muaji hapet fushata elektorale. Daullet e festës kacafytëse do lajmërojnë rrethprejen tënde si një kurban me gjak. Me gjak dashi e bëri Lulush Fluturuesi, por te Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i dashit. Prandaj i vajti për ibret. Duhet kurban me gjak që rrjedh nga burimi, atje ku fillon jeta. Ai gjak nuk shkon dëm. Parafytyro lumturinë në sytë e popullit. Ajo lumturi do jetë mbarësia e zgjedhjeve dhe lumturia jote në këtë dhe në atë botë. Do jesh i shënuar në histori mbi të gjitha për këtë akt të denjë shenjtëror. Rastet e synetit për ditëlindje janë të bukura gjithashtu, por më pak të bujshme. Ndërsa mëkati tjetër-vazhdova me qetësi dhe dashuri-është një akt absolutisht i padrejtë, që nuk duhet bërë, e megjithatë prapë se prapë njeriu e bën. Kur….si të ta them, kryen një krim, direkt ose indirekt. Nuk gjej dot ndonjë shembull. Praktika jonë e përditshme është e varfër. Por mund të huaj një rast nga literatura. P.sh. Dy hajdutë dekoduan hyrjen e një banke, hapin kasafortën, nuk gjejnë ar apo diamante, ka vetëm kuti metalike. Hapin një kuti që brenda ka një kupë plastike me kos frutash dhe të zemëruar në kulm e të uritur nga tensioni psikologjik hanë nga dy kupa secili. Të nesërmen lexojnë në gazetë që ishte grabitur një bankë sperme. Atë që prisja më pak, ajo ndodhi. Shtrëngoi nofullat e tundi kokën. Mendueshëm më nguli sytë e po thoshte me vete: “Nuk kanë pasur informacion të saktë për thesarin. Nuk janë kapur, krim është po të kapesh”. Si për kundërshti fati, u hutova dhe vazhdova: “Mirëpo duam s'duam ligji këtë e përcakton si krim grabitje banke. Nuk di ç'të them tjetër. Por e rëndësishme është që në thelb mëkati i dytë mbart ngarkesën e penalitetin e fjalës krim. Ndërsa kur flasim për raportin mëkat-sëmundje duhet theksuar se që prej kohëve antike ka pasur debat midis klerikëve dhe njerëzve të dijes. Librat e shenjtë thonë se mëkati, ndryshe nga sëmundja, është diçka që mund ta shmangim dhe ta tejkalojmë. Mëkati nuk është një forcë jashtë vetvetes, është një pjesë themelore e luftërave mendore dhe emocionale të njerëzve. Zoti mund t'ia falë mëkatet njeriut, por e keqja mbetet brenda tij, sistemi i tij nervor e konservon të keqen". Depresioni, ankthi, armiqësia, frika, tensioni dhe në raste më serioze, psikozat me tentativa vetëvrasjeje janë vërtet sëmundje të ndërgjegjes, të cilat mund të përshkallëzohen revolucione të vërteta. Për njerëzit e ngarkuar me përgjegjësi udhëheqëse librat e shenjtë thonë se njerëzit mund të zgjedhin të pendohen për mëkatin, ta rrëfejnë atë dhe të pushojnë së ushtruari përgjegjësinë. Fakti që Zoti u thotë njerëzve të braktisin, dëshmon se ata duhet të gjejnë forcë që të braktisin dhe se ata janë të vetmit përgjegjës për ta bërë këtë. Në fakt kjo është zgjidhja që në kohët biblike për problemin e mëkatit. Për të bërë zgjedhjen e duhur në këtë fazë të jetës duhet të kontaktosh me shpirtin tënd. Kjo arrihet duke përjetuar vetminë prej së cilës shumica e njerëzve kanë frikë. Në heshtje do dëgjosh të vërtetën dhe do dish të zbulosh zgjidhjet. Ke dy modele të shkëlqyera me të cilat të ballafaqon historia. Françesku i Asizit hoqi dorë nga të gjitha çfarë kishte dhe shkoi jetoi duke u shërbyer të varfërve, iu dedikua atyre. Historia e njeh si shenjtin protektor të të vobektëve. Ke edhe rastin e Papës që u tërhoq në vetminë e kuvendit. Ndonjë model vrasësi, hajduti, trafikanti shqiptar edhe ka, por protektor vetmitar të varfërish një lloj Françesku shqiptar nuk ka. Kap momentin historik që të jesh i pari shqiptar i dërguar i Zotit si protektor i të varfërve. Me siguri që do të mirëpresin. Hiq dorë nga të gjitha, dorëzoja të varfërve. Shko në vetminë e eremitit te Teqja e Sari Salltikut, në shoqërinë e të dashurve të tu, të qenit, të maces dhe të krokodilit ku do të ndeshesh me Ferrin për të fituar Parajsën”. U ndamë të heshtur, Ai drejt vilës, unë drejt largimit me shpresën e madhe që “Ai” me siguri do arrijë të ulet në gjunjë për herë të dytë.