BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Kryetari, që “shkrep” si “kobure” plastike me mulli!

Kryetari, që “shkrep” si “kobure” plastike me

Nuk është as me “ujë”, sepse si e tillë do të duhej të bëhej “investim” për shpenzimin e ujit, por është me “erë”, pra punon, vetëm nën efektin e saj dhe në drejtimin që ajo fryn. Në mënyrë të veçantë, mbas marrëveshjes për reformën zgjedhore, kryetari Basha, është më entuziast se kurrë. As njëra palë në këtë marrëveshje, as tjetra, nuk janë të humbur, përkundrazi, janë të fituar dhe i humbur, si përherë, është populli, i cili, duke qenë se “nuk di ku është, do të mbajë mbi kurrizin e tij” edhe në të ardhmen këta të ashtuquajtur përfaqësues, por që në të vërtetë, nuk janë përfaqësuesit e tij të vërtetë. Marrëveshja e fundit zgjedhore, është vazhdim i marrëveshjes së prillit të vitit 2008 dhe si e tillë ajo u “rinovua” mbas pak më shumë se dymbëdhjetë vitesh dhe nuk dihet se sa dekada akoma do të qëndrojë në fuqi. Po të dëgjosh Hajdarin që thotë: “Edhe unë e firmosa marrëveshjen për hir të integrimit të vendit në Europë”, në të vërtetë, zbulon një mendjendritur. Mos vallë ne Europa, na do të integrohemi të përçarë? Nejse, Rudina gjykon aq sa i rëndojnë sepse po t’i heqësh asaj atë që është e bija e Azemit, mbetet një Rudinë apo më mirë mbetet një “hiç”! Megjithatë, kjo është një temë më vete që do të trajtohet në të ardhmen dhe teksti i shitur për marrëveshjen sikur kjo është “çelësi i integrimit”, nuk ka asnjë lidhje me reformën zgjedhore që prisnin shqiptarët dhe që nuk përputhet me asnjë “standard europian”! Edhe disa ambasadorë të huaj, më shumë e bënë për të “hequr qafe” disa “grindavecë” që nuk shtrojnë. Duket sikur edhe ata mendojnë “këta, këtë avaz kanë gjithmonë”.Them që këtë, edhe Basha duhet ta kuptojë, por le të vazhdojmë me këtë personazh, i cili duket sikur ka “rilindur” për këtë rehabilitim që i është bërë atij në politikë që edhe në të ardhmen do të vazhdojë të drejtojë opozitën dhe jo opozitë sidokudo, por opozitën e bashkuar. Brenda kësaj opozite, janë edhe partia e Mediut, që nuk di nga i kanë ikur “ushtarët” edhe e Nard Ndokës, nëqoftëse ka mbetur ndonjë antar në partinë e tij “fantazmë” edhe ajo e kryetar Idrizit që i ka bërë çamët “entuziastë” edhe ajo e Monikës që i  ka mbetur vetëm presidenti, që edhe ky lufton për mbijetesë në “kullën” e tij duke u mbajtur me “thonj” mbas kangjellave të Presidencës dhe të tjerët, ose janë larguar në drejtim të paditur, ose janë bërë gati më mirë t’ia mbathin sesa të qëndrojnë nën “hyqmin” e Bashës. Po vazhdojmë me zotërinë Basha, i cili qysh kur “merhumi” i  tij e bëri kryetar të partisë e deri më sot, nuk ka bërë “shkrap” në politikë. Diçka ishte atëherë PD-ja, kurse sot janë bërë të tërë “kamberë”. Të gjithë kryetarët e partive, kush më shumë e kush më pak, kanë bërë diçka, kurse ky përveçse disa “qyfyreve” për të qeshur, nuk ka bërë asgjë tjetër. Nuk është e vështirë të njohësh një politikan e aq më tepër një kryetar partie. Populli thotë që “kali i mirë, njihet kur ai e shin lëmin”. Edhe politikani, i mirë apo i keq, ashtu si komandanti në luftë, njihen në mënyrën se si e organizojnë betejën, qoftë kjo zgjedhore apo luftarake. Por sa “lëmenj me grurë” duhet të shijë Basha, apo sa “beteja” duhet të humbasë ai që të njihet? Nga katër “beteja” zgjedhore që ka bërë ka humbur pesë prej tyre. A nuk u bën përshtypje anëtarëve të partisë së tij apo atyre krerëve të partive, që janë në koalicion me të që ky kryetar, nuk është për këtë punë? Ka ndërmarrë kohët e fundit, një turr takimesh me biznesmenë të vegjël apo të mesëm për t’u shpjeguar siç u shpjegon prodhuesve të bugaçeve në Elbasan që: “Deri më sot, bugaçet tuaja i përvetësojnë oligarkët dhe megjithëse prodhimi ka rënë, taksat janë rritur dhe kjo qeveri po ju rrjep dhe ka asfiksuar ekonominë”. Pyetjes së tyre se si do ta rrëzojmë Ramën nga pushteti, Basha i përgjigjet: “Do ta rrëzojmë me votë, me votat tuaja dhe të të gjithëve ne sëbashku”. Lexoni me kujdes: “Do ta rrëzojmë me votë”, thotë. Çudi e madhe! Si është e mundur që ai mbas kaq shumë kohësh u bind që një qeveri e një kryeministër, rrëzohen me votë? A e dini pse e tha këtë të vërtetë? Sepse, andej i fryu era “mullirit” të kësaj “kobureje”! Po ç’do të thotë kjo? Në momentin që përfundoi marrëveshja për reformën zgjedhore, qëlloi që andej frynte era, pra e siguroi që ai do të vazhdojë të jetë kryetar, do të vazhdojë të bëjë listat e përfaqësuesve të tij sepse të popullit ata nuk do të jenë dhe kështu ai e ka të sigurt që edhe në të ardhmen, do të përfitojnë vetëm ata që do ta kenë mirë me kryetarin, pavarësisht nëse ky quhet Basha apo Monika, pra do t’u japin të gjithëve “nga pak” me një “lugë bosh”. Edhe në të ardhmen, disa do t’i lëpihen kryetarit Basha apo Rama qoftë që, vetëm e vetëm që këta të vendosen në krye të listës së kandidatëve për deputetë. Bukur! Po të tjerët që do të jenë si “Lipe Shtogu” nga mbrapa listës dhe që “Gjuzë” apo “Ralfë” të tillë do të jenë me shumicë si do të veprojnë? Me siguri do të fillojnë sherrin me kryetarët edhe në Parlament, edhe në qeveri, e kudo dhe ky sherr do të shtrihet deri në njësitë bashkiake e deri tek çdo individ. Duam apo nuk duam, ky është një realitet që të gjithë e ndjejnë dhe e heqin mbi kurriz, por kështu i do “mushka drutë” dhe ne, jemi të gjithë të pafuqishëm përpara dy apo tre kryetarëve. Një ditë para se të miratohej marrëveshja zgjedhore, ambasadorja Kim, tha: “Topi është në fushën e Bashës”! Ndoshta ajo nuk e njeh shumë Bashën, por të tjerët që e njohin e dinin fare mirë që ai këtë “penallti”, do ta gjuante me sy “mbyllur” pavarësisht që nuk ishte në kohë gjumi dhe këtë e gjuajti në “portën” e vet megjithëse pa “portier”! Është e vërtetë që “golin” e bëri dhe ai i gëzohet kujt? I gëzohet “golit” që e bëri në “fushën” e vet, dhe jo humbjes! Z.Basha, një gjë nuk e kupton akoma, ose edhe nëse e kupton ai nuk e “kapërdin” dot. Sot, ai është në pozicionin e një “kobureje”, “mulliri” i së cilës xhiron bosh. Por edhe kur ai ishte një “kobure” e mbushur me nja dy tre “saçma” që lëshonte vetëm “tym” dhe flakadanë, në krye të simpatizantëve të tij duke bërtitur “Rama i ka orët e numëruara”, asnjërin prej tyre nuk e bindi në më shumë se dhjetë apo dymbëdhjetë protesta që bëri, i rrethuar nga krerët e partive opozitare. Është e vërtetë që “bashkimi bën fuqinë”, por bashkimi me “disfatistët”, do të sjelli vetëm disfata. Nuk ishte bindës z. Basha as si “patriot” edhe kur këndonte Himnin Kombëtar, duke imituar Luciano Pavarotin me atë zërin e tij “melodioz” dhe që simpatizantët, jo vetëm nuk e dëgjonin, por qeshnin... E thënë ndryshe, ai, asnjëherë nuk ka qenë bindës në alternativat që shtron, në argumentat që përdor. Kujtoj një shprehje të të nderuarit Pjetër Arbnori kur thoshte: “Edhe kungulli që është kungull, e do një ditë diell që të rritet dhe jo vetëm në hije”! Si i tillë, z. Basha jo “diellin” apo të themi eksperiencën që nuk e ka, por tërë jetën ka bërë punë të rëndomta si përkthyes në Kosovë apo kamerier dhe nuk ka bërë as edhe një orë punë që të njihet e të dijë vështirësitë e punës të atyre që i dëgjon me duar në brez si “udhëheqës” i ardhshëm kur u “qan hallin”. Nuk është e mjaftueshme të të vërë në përdorim “era” vetëm për të sharë e mallkuar Ramën, por duhet bërë të paktën një “gol” në “portën” e Ramës. Me “sulmues” të tillë që ai ka si Gazmendët dhe Maliqët edhe si “trajner” edhe si skuadër humbjen e ka në xhep sepse ata, më shumë e diskreditojnë sesa e nderojnë. Rama, nga ana e tij, nuk është “me një sy midis qorrave” por, është me katër “sy” përpara “qorrave” dhe këta “sy”, jo të mbyllur si të Bashës, por si të “shqiponjës” dhe të qeshur, ja kanë dhënë z. Basha me shokë. Ky zotëri, edhe në detyrat që ka kryer, si ministër dy herë dhe si kryetar bashkie, ose ka vjedhur, ose ka vrarë, ose ka fjetur. Edhe si kryetar i opozitës ka bërë dallavere me të huajt, si lobime për të fituar zgjedhjet. Por, a i janë vërtetuar këto? Po kush t’i vërtetojë, përderisa nuk ka drejtësi? Herë ka marrë raport mjekësor, herë nuk është paraqitur dhe herë tjetër ka përfituar nga gjyqtarë të partisë së tij sepse era e “plepave” ndihet akoma në këtë drejtësi e do të ndihet për shumë kohë dhe kështu që edhe z. Basha, del palagur siç edhe dalin shumë të tjerë. Z Basha, e ka humbur besimin edhe si kryetar i partisë më të madhe opozitare, edhe qytetar i këtij vendi, edhe si qytetar i Europës (me shtetësi holandeze) edhe si “amerikan”! Nga Amerika deklaroi me tërë seriozitetin: “Në zgjedhje, nuk do të futemi me Ramën kryeministër, në zgjedhje do të hyjmë me lista të hapura që populli të vendosi etj. etj”. E tha këtë nga Washingtoni si për t’u thënë qytetarëve shqiptarë që “po ju flet një amerikan”apo po ju flas si demokrat nga vendi më i madh i demokracisë në botë”! Si “amerikan” nuk tha kur bënte lobingje me paratë e taksapaguesve shqiptarë kurse si qytetar me pasaportë holandeze bëri ç’është e mundur të pengonte Shqipërinë të integrohej në Europë. Gjithçka ka thënë e ka bërë i ka hedhur prapa krahëve dhe ja ku e shohim entuziast që qoftë si kryetar i opozitës apo qoftë si “kryeministër” nesër (mos o Zot), ai do të qëndrojë edhe një mandat tjetër. Më pas shohim e bëjmë…