BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Opinion / Editorial

(Krye)vepra njerëzore me naftëtarët

(Krye)vepra njerëzore me naftëtarët

Janë 580 milionë lekë të reja ose 4.7 milionë euro që qeveria kumtoi pardje se do t’u paguajë 870

ish-punonjësve të Rafinerisë së Naftës në Ballsh. Çdo naftëtar në Ballsh do të marrë 400 mijë lekë të vjetra në muaj për 12 muaj rresht, në rast se Rafineria nuk rifillon prodhimin më parë. Shifra që naftëtarët kërkonin me grevën e tyre të urisë ishte 6.2 milionë euro për 13 rroga të papaguara nga privati për 560 punonjës e Rafinerisë gjatë periudhës gusht 2015-shtator 2016 (kohë kur rafineria ka punuar). Naftëtarët u qetësuan disi, pas dy grevave të urisë. E para 11 ditë në shkurt 2020. E dyta 35 ditë në tetor-nëntor 2020. Me fondin e dhënë nga qeveria për 12 muaj, qindra familjet e naftëtarëve nuk do të kërcënohen nga uria për një vit. Qeveria nuk kishte asnjë bazë ligjore për ta dhënë këtë fond. E lidhi me gjendjen që po kalojmë nga pandemia, duke marrë për bazë pagën e luftës prej 40 mijë lekësh të reja. Pra, çdo naftëtar do të mund të çojë në shtëpi 40 mijë lekë në muaj dhe do t’ i paguhen 15 mijë lekë të reja çdo muaj sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Një vepër (kryevepër) e mirëfilltë njerëzore, për arsye se shumica e naftëtarëve të Ballshit nuk kanë mënyra për ta siguruar mbijetesën e familjeve të tyre, jashtë punës në Rafineri. Ai qytet u ndërtua për Rafinerinë që nga viti 1978. Ka 42 vjet që jeton prej saj. Po u ndryshk Rafineria pa punuar, Ballshi shuhet ngadalë. Qeveria fitoi kohë mos gjejë një investues të huaj për Rafinerinë. Pavarësisht se rindezja e saj duket mision i pamundur, në kushtet e çmimit tejet të ulët ndërkombëtar të naftës nga Koronavirusi, teknologjisë së vjetërsuar të punës dhe borxheve kolosale të grumbulluara nga ata që e zotëruan dhe e drejtuan atë në 13 vitet e fundit. Megjithatë qeveria po e provon. Ndoshta dhe si larje e një faji (mea culpa) që Shteti ka me indiferencën e tij vrastare gjatë viteve 2008-2017, periudhë kur rafineria u keqtrajtua, u abuzua dhe praktikisht u rrënua me borxhe. Dhe shteti rrinte e vështronte edhe pse kishte 14.7 për qind pjesë (aksione) në Rafineri! Gjatë kësaj periudhe, të dy rafineritë e naftës, ajo e Ballshit dhe e Fierit (të quajtura ARMO) u privatizuan në nëntor të vitit 2008 nga një sipërmarrës privat shqiptar për 128 milionë euro. Ky sipërmarrës bleu 85.3 për qind të kapitalit të tyre. Shteti mbajti 14.7 për qind të aksioneve të rafinerive. Ndërsa Rafineria e Fierit ngeli e mbyllur dhe më vonë, për të paguar borxhet e ARMO-s, iu shit një banke private, sipërmarrësi privat shqiptar e keqmenaxhoi rafinerinë e Ballshit, e cila punonte, duke grumbulluar në 5 vjet mbi kokën e saj 350 milionë euro borxhe. Nga 70 milionë euro çdo vit! Në gusht 2013 ia shiti për 50 milionë euro një kompanie azere të regjistruar në Ishujt Virxhin Britanikë, një parajsë fiskale. Shteti ynë ruajti 14.7 për qind, pjesën e tij të aksioneve në Rafinerinë e Naftës së Ballshit. Në vitet 2014-2015, kompania azere, nëpërmjet dy kompanive qiramarrëse me sipërmarrës private shqiptare, vijoi keqadministrimin e rafinerisë, duke grumbulluar edhe 150 milionë euro të tjera borxhe. Gjatë vitit 2016 (vit kur borxheve të rafinerisë ndaj tatimeve, doganave, OSHEE-së, Albpetrol dhe dy bankave tregtare iu shtuan edhe 6.2 milionë euro të 13 rrogave të papaguara për 560 punonjësit e saj për periudhën 2015-2016) ndodhi një ngjarje shumë e rëndë. Më datë 10 qershor 2016, një shoqëri private përmbarimore vlerësoi 54 prona të kompanisë ARMO Sh.a (ku përfshihej edhe Rafineria e Ballshit), të regjistruara në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Mallakastër, me vlerën 31,2 milionë dollarë amerikanë. Katër muaj më vonë, më datë 13 tetor 2016, përmbaruesi privat i nxori në ankand këto prona të ARMO-s për 80 për qind të vlerës së pasurive, ose 25 milionë dollarë amerikanë. Në datën 28 tetor 2016 u mbajt ankandi, në të cilin fituese u shpall një bankë private kreditore e ARMO-s, e cila zgjodhi të mos e paguajë vlerën e pronave të nxjerra në ankand, duke i shkëmbyer me detyrimin kreditor që ARMO kishte kundrejt saj. Një marrëveshje shitblerje e tillë në një ankand është unikale në botë, për rastet kur shteti është palë si kreditori më i madh me mbi 90 për qind të borxhit të kompanisë ndaj të tretëve dhe madje është edhe pronar minoritar i kompanisë! Dhe nuk merr asgjë nga ankandi! Nëse do të ishte zbatuar ligji, ku Kodi i Procedurës Civile (https://www.drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2017/11/Kodi_i_Procedures_Civile-2014-perf-1.pdf ) e përcakton qartë radhën e kreditorëve preferencialë, të cilët kanë të parët të drejtën për të marrë paratë për ekzekutimin e mallit (pronës), të 560 punonjësit, autoritetet fiskale, kompanitë publike e pastaj kreditorët e tjerë privatë, bankës private që fitoi në pronësi Rafinerinë nuk do t’i vinte kurrë radha. Megjithatë, shteti ynë nuk veproi dhe Rafineria e Ballshit përfundoi në pronësi të bankës private, e cila një vit më vonë, në nëntor 2017 ia shiti një tjetër kompanie azere ( https://ëëë.monitor.al/allum-enterprises-eshte-kompania-qe-po-blen-armo-n-nje-tjeter-offshore-ne-horizont/ ), edhe ajo e regjistruar në parajsat fiskale. Të gjitha këto pakujdesi dhe kjo indiferencë vrastare e Shtetit tonë prej 12 vitesh tashmë (2008-2019) sollën situatën e sotme dëshpëruese të naftëtarëve. Pa përmendur dhe dëmin kolosal në Buxhetin e Shtetit, me mbi 440 milionë euro të ardhura të munguara në formën e taksave dhe kamatëvonesave të pambledhura, në detyrime ndaj energjisë elektrike të furnizuar nga OSHEE, në tarifa doganore të pashlyera dhe në naftë të furnizuar nga AlbPetrol dhe të papaguar. Qeveria duhet përshëndetur për zgjidhjen e përkohshme njerëzore që bëri për naftëtarët. Po me 440 milionë eurot e detyrimeve të pambledhura, ç’do të bëje?