Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ku janë kryeveprat e atyre krijuesve që i pati ndrydhur diktatura?

Postuar: 19/08/2018 - 07:59

Para ca ditësh lexova në një kritikë të botuar në shtyp, midis të tjerash se “Diktatura ndrydhi lirinë krijuese të artistëve dhe në kushtet e sotme, për hapësirat e krijuara, ne do të kishim vepra me vlera shumë më të arrira!” Për diktaturën, që nga dita që filloi shembja e saj e deri tani ku po harrohen edhe ata që ishin pjesëtarë të asaj lëvizjeje për demokraci, janë bërë kritika e sulme nga më të ashprat, shpeshherë injoruese dhe ofenduese, edhe pse ajo në disa aspekte realisht krijoi pengesa për lirinë krijuese, dhe mjaft shkrimtarë dhe artistë nuk patën hapësirën e duhur të shpërthenin talentin e tyre. Dhe me të vërtetë nëse do të përmendnim një nga të metat e letërsisë së realizmit socialist ishte mungesa e lirisë krijuese, mungesa e hapësirave të lidhjes së krijuesve me homologët dhe kolegët e tyre në botë. Por të mos harrojmë se letërsia dhe arti nuk janë vetëm liri e hapësira të papengueshme frymëzimi, krijimi, por është në radhë të parë talent, dhunti, predispozitë e lindur. Për të shkruar, thoshte Maksim Gorki, duhet 99 % vullnet dhe 1 përqind talent, por pa këtë një përqindësh, nuk mund të bëhej art. Pra shkurt nëse nuk ke talentin, dhuntinë e lindur, nuk mund të bëhesh kurrë shkrimtar e poet.

Në fillimet e viteve 90, me shpërthimin e demokracisë në të gjithë sektorët, disa të ashtuquajtur shkrimtarë e artistë “të dhunuar e ndrydhur” nga diktatura, në vend që të nxirrnin në dritë kryeveprat e tyre, e cila do të ishte akuza më e fortë ndaj atij regjimi diktatorial dhe prova më e mirë e ndrydhjes së “gjeneralitetit” të tyre, filluan t’i bëjnë kritika denigruese regjimit diktatorial dhe të shkruajnë biografi vetë-mburrëse, me histori burgjesh e disidenca të fshehta. Në regjimin e Enver Hoxhës nuk ka patur shkrimtarë e artistë disidentë, as vetë Kadareja nuk e pranon një gjë të tillë, edhe pse në mjaft vepra të tij ka aludime anti-diktaturë. Ata që shfaqën një farë mospajtimi me regjimin enverist të kohës, duke u shprehur metaforikisht ndaj diktaturës, në fakt bënë veprat më të bukura, të mbrojtura me ide të mëdha e me mjeshtëri të lartë artistike. Shkrimtarët me talent, nuk u larguan nga vendi, as në diktaturë dhe as në demokraci, dhe as bënë “llogje” pazari me diktatorët e pushtetit, por akumuluan material e u shprehën metaforikisht ndaj diktaturës dhe në fakt bënë veprat më të bukura, që i shërbyen denjësisht lexuesit të kohës. Disa vepra të Kadaresë si “Dimri i vetmisë së madhe” apo “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” e “Krushqit janë të ngrirë”, të cilat u ndaluan përkohësisht për “një nevojë përpunimi”, u shpalosën para lexuesve si veprat më të mira pas kontrollit të censurës, e u radhitën në panteonin e letërsisë shqipe më me dinjitet artistik.

Vetëmburrjet prej disidenti të shumë autorëve që me fillimin e demokracisë nisën të tregojnë biografitë e tyre prej “heroi” e anti-diktaturë, me mediokritetin e tyre, bënë diferencimin e qartë në opinionin shqiptar dhe atë botëror, duke treguar përfundimisht se krijimet e demokracisë, nuk do të ishin asgjë para perlave artistike që ishin shkruar “nën thundrën e diktaturës!” Deri më sot ne nuk kemi parë ndonjë vepër artistike, ndonjë roman apo dramë, ndonjë poemë apo film artistik që të shkëlqejë me artin dhe idetë e tij dhe të lejë në hije krijimtarinë madhështore të kohës së diktaturës. Kështu opinioni dashamirës i artit dhe letërsisë priste që demokracia me “hapësirat e lirisë krijuese” të nxirrte Ismailë e Agollë të rinj, Fatos Arapë e Xhevahir Spahinj të demokracisë, që t’i linin në harresë këta shkrimtarë të diktaturës, po nuk ndodhi një gjë e tillë. Kritika të rrepta i drejtuan “disidentët” e diktaturës edhe filmit e dramës, inskenimit dhe interpretimit të aktorëve e këngëtarëve, por ne nuk pamë e nuk lexuam të tjerë më të mirë që të sfidonin paraardhësit e tyre. Se të mohosh një kohë si antivlerë, duhet të pohosh një kohë tjetër me vlera më të larta. Në vend të kolosëve të letërsisë e poezisë shqipe, ne pamë në përgjithësi të vërshonin në kohën e demokracisë ca grafomanë, që iu turrën me mllefe diktaturës dhe mbushën fleta të tëra me vetë-lëvdata e elozhe demokracie, që vetëm letërsi nuk mund ta quaje.

Në vend të këngëtarëve gjigant, si Vaçe Zela e Gaqo Çako, Fiqërete Rexha e Mentor Xhemali, Demir Zyko e Fatime Sokoli na dolën ca zhurmaxhinj, që jo vetëm nuk ua mban të këndojnë live, por fshehin mungesën e talentit dhe interpretimit dinjitoz, pas videoklipeve mbushur me aheng vulgar, me ekspozime erotike e përdredhje eksituese. Në vend të aktorëve të mëdhenj si Kadri Roshi e Sandër Prosi, Tano Banushi e Roland Trebicka, Tinka Kurti e Violeta Manushi, na dolën në skenë ca gagarela që kur duhej të qanin, qeshnin dhe mungesën e talentit interpretues përpiqeshin ta kompensonin me skena vezulluese e dialogë zhurmues.

Kështu, askush sot nga krijuesit nuk ka të drejtë të qahet se talentin e tij e ndrydhi diktatura dje, se ja ku janë. Hë, le ta thonë fjalën e tyre e të sfidojnë me talentin e tyre atë kohë që lamë pas. Artist i madh nuk është ai që shkruan biografi me elozhe për vetveten, por kur e vlerësojnë të tjerët si të tillë. Është si puna e qeverisjes, pavarësisht se një qeveri mund të lavdërohet tërë ditën se po punon mirë, por ama efektivitetin e saj e vërteton populli, i cili në çastin e duhur e vlerëson atë edhe me votë. Duhet thënë se të gjitha veprat që u shkruan në periudhën pas-diktatoriale, me përjashtime të pakta, janë shumë të dobëta si nga ana ideore, ashtu edhe nga mjeshtëria artistike. Vërtet këta artistët dhe krijuesit e kohës së demokracisë e larguan letërsinë nga mali, ideali, partia, uniteti, suksesi e përballja me armikun, që ishin simbole të krijimtarisë së Lindjes, por ama nga mungesa e talentit dhe mjeshtërisë artistike e kthyen përgjithësisht në një letërsi e art bulevardesk, duke futur frymën e deklarativizmit dhe servilosjes ndaj Perëndimit.

Jo vetëm krijuesit e rinj nuk arritën të bëjnë art të vërtetë, por edhe gjigantët e artit si Kadare e Agolli, në periudhën pas-diktatoriale shkruan vepra që nuk u ngritën dot në lartësitë e kërkesave të kohës. Kam mendimin se veprat e Kadaresë, shkruar në këtë periudhë si, “Aksidenti”, “E penguara” e ndonjë tjetër, në përgjithësi nuk e nderojnë emrin e madh të Kadaresë. Ajo epokë qe diktatoriale dhe pati shumë të meta, por e keqja është se ne nuk po ndërtojmë një kohë tjetër më të mirë e me vlera të arrira morale e artistike që ta mohojë e sfidojë plotësisht dhe rrënjësisht atë kohë. Që të mohosh, duhet që pa tjetër të pohosh. Është kjo arsyeja që edhe për Enver Hoxhën e socializmin ka ende nostalgji sepse ende nuk janë arritur e kultivuar ato vlera që kërkon populli, që të mohohet ai rend e ai udhëheqës shteti plotësisht. /Nga Ramazan Sherja

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 15

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/11/2018 - 07:34

Askush nuk do të donte të ishte pensionist, jo vetëm për arsye të moshës së tronditur nga trokitjet e fundit të jetës, por edhe nga mënyra se si trajtohen ata në shoqërinë tonë.

Postuar: 18/11/2018 - 07:33

Sipas një sondazhi të Gallup, 79% e të rinjve shqiptarë të moshës 15-29 vjeç duan të largohen për

Postuar: 18/11/2018 - 07:32

Këtë titull të këtij shkrimi do të doja ta shpjegoja me fjalë të thjeshta – “Sindroma

Postuar: 18/11/2018 - 07:30

Ish kryeministri maqedonas, që qeverisi vendin për 10 vjet më radhë, Nikola Gruevski u dënua

Postuar: 17/11/2018 - 07:48

Më në fund teqeja e Likes u dorëzua.

Postuar: 17/11/2018 - 07:18

 Disa veprime dhe angazhime politike të kohëve të fundit të opozitës e kanë bindur plotësish

Postuar: 17/11/2018 - 07:15

 Tashmë besoj është e qartë se të gjithë ata lloj politikanësh që kanë të përbashkët "a