Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kujdes LSI, se do të hanë me si (y)

Postuar: 10/09/2019 - 07:25

Revanshi që ka marrë LSI-ja, që kur ka ardhur në krye të saj Monika Kryemadhi, ngjan me një urugan në politikën shqiptare, që e kooperuar dhe me PD-në, me në krye Lulzim Bashën, ka krijuar një binom shpresëndjellës të çimentuar, që Shqipërinë kanë për ta “shpëtuar” e “shëruar” nga pushteti që e ka “uzurpuar”. Binomi Kryemadhi-Basha na shfaqet çdo ditë në median elektronike shumë euforik, folklorik, aluçinant, e kjo sëmundje politike nuk i bën mirë shëndetit publik dhe pushtetarëve të radhës, që vijnë në qeverisje me sloganin: “Ha, merr dhe ik”. LSI-ja, është një parti që është specializuar të drejtojë pushtetin sa majtas-djathtas, se ka qeverisur gjatë këtyre 15 vjetëve të krijimit të saj, sa me Partinë Socialiste po aq dhe me Partinë Demokratike, duke u ulur në dy karrige. Gjatë qeverisjes së saj 15 vjeçare, ajo ka nostalgji për periudhën që ka qenë në pushtet me Partinë Demokratike me në krye Sali Berishën, që e deklaron me solemnitet të shndritshëm si një periudhë të artë, që i kanë krijuar popullit “mirëqenie”, “qetësi”, “siguri” dhe “lumturi” vezulluese. PD-ja, ka treguar se gjatë qeverisjes së saj në tre dekada demokraci, është një kënetë që kushdo që noton në ujin e saj të qelbur, s’mund të dalë i pastër, pa u lyer, sado t’i fshehi bëmat e saja ogurzeza, nuk e bën dot miop popullin shqiptar. Basha e Kryemadhi, dueti verior dibran, që përgjërohen e qajnë natë e ditë pa pushim për fukaranë, një fund e kanë. Partitë simotra iu kanë varur nga një këmborë, që të mashtrojnë popullin me sofizma kundër pushtetit, që në emër të korrupsionit, krimit, padrejtësive shoqërore, të kalojnë në anarshi popullore, deri në prag lufte. Këto dhunti që i ka krijuar me meritë klasa politike që ka udhëhequr PD-në, në vitet e demokracisë, duan ti përdorin për interesat e tyre duke bërë kurbanin e radhës. Sa herë që dalin në ekranet televizive janë në garë me njëri tjetrin kush të shpifi më shumë, të shajë, të manipulojë dhe akuzojë mazhorancën për mjerimin që e ka zhytur vendin. Lëshojnë piskama të shqetësuar se gjatë qeverisjes së tyre vendi ka lulëzuar, e tani është varfëruar, thua t’i se populli ka humbur kujtesën dhe kohëqeverisjen e tyre e ka harruar. Që kjo qeverisje ka gjynahet e veta, s’ka asnjë dyshim dhe kush thotë ndryshe, bën gabim. Por opozita duhet t’i evidentojë, t’i pasqyrojë dhe të kërkojë që qeveria t’i korrigjojë. Por, kur nxin gjithçka, humbet besimi në opinionin e shëndosh. Rituali i pazakontë i “shpëtimtarëve” të Shqipërisë vënë kushte absurde, që dialogun me mazhorancën në të gjitha rastet e kushtëzojnë duke përjashtuar Ramën. Me këtë logjikë, po të ndërrojnë portat dhe të dalë e majta dhe të vërë të njëjtin kusht që ne do ulemi për bisedime, por pa prezencën e Bashës, ku shkon litari i kompromiseve?! Dy liderët opozitarë, që janë bërë të ndërkëmbyeshëm dhe komplementar me njëri-tjetrin, alternojnë fjalimet dhe idetë për situatën që kalon vendi. Monika në kuadrin e 15 vjetorit të krijimit të LSI-së, lëshoi një deklaratë, që kur e dëgjon ndihesh rehat, e thua me plot gojën, se Shqipëria qenka me fat. Ajo citon me forcën e deklamimit të saj: “Ky është momenti për të shpëtuar Shqipërinë”, e kjo përgjegjësi bie mbi LSI-në. Opozita e bashkuar PD-LSI, të shoqëruar nga kori i kukuvajkave, bëjnë thirrje që të ndezin motorët për të intensifikuar e kualifikuar protestat, për të përmbysur pushtetin e Edi Ramës dhe të shpejtojnë popullin nga kjo e keqe që e ka pllakosur. E veçanta që e dallon Monikën nga liderët e tjerë të opozitës, është se për të zhdukur të keqen ka nxjerrë në avangardë rininë, si forcën më potenciale për të ardhmen e vendit. Kjo gjetje të kujton thënjen e Leninit se: “Kush ka me vete rininë, ka të ardhmen”. Dhe kur themi LSI, themi rini. Çifti euforik Basha – Kryemadhi, herë na shfaqen të eksituar, herë të ekzaltuar e herë të trishtuar për gjendjen e mjerueshme që kalon vendi. Ata, përditë përmendin me keqardhje mjerimin e popullit duke ju qarë hallin të varfërve, të papunëve dhe të vobektëve. Dhe kur i sheh në ekranet e televizioneve në gjendje të trishtuar e të pikëlluar shpirtërisht, menjëherë të shkon mendja se do bëjnë ndonjë gjest fisnik (siç ju ka hije njerëzve mendjendritur), që nga paratë e tyre të kursyera, që nuk u dinë fundin se ku i kanë, disa thërrime qoftë në lekë, dollarë, euro apo flori, ti falin për bamirësi. Po sjell në vëmendje të lexuesit një ndodhi të vërtetë, që i përket kohës së monizmit, nga një fshat i Dibrës, nga ku janë dhe dy liderët tanë “karizmatikë”, zoti Bash e zonja Monikë. Në zonën e Murrit ishte dhënë një fond nga Ministria e Arsimit për ngritjen e një shkolle të re. Nga ky fond kishin përvetësuar një pjesë të tij kryetari i Kooperativës dhe Sekretari i Partisë. Me këto lekë kishin bërë secili nga një shtëpi të re. Një i moshuar i bën një letër anonime Komitetit Qendror të Partisë. Me porosi të udhëheqjes dërgohen dy instruktorë për të folur me popullin për këtë ankesë. Drejtuesit e kooperativës mblodhën kooperativistët në prani të udhëheqjes së fshatit dhe të kryetarit të Degës Brendshme, si një mesazh që të kishin frikë për të folur. Dhe kështu ndodhi. Megjithë thirrjen e të deleguarve për të denoncuar të vërtetën, nga frika, askush nuk foli. Ikën instruktorët të dështuar në misionin e tyre. Pa shkuar në Komitet Qendror, mbëriti letra tjetër ku akuzonte dhe instruktorët se u bënë palë me të korruptuarit. Atëherë u përdor një metodë tjetër nga Udhëheqja e Komitetit Qendror, u dërgua një ekip ku do kontaktonte me popullin në mungesë të udhëheqjes. Të deleguarit i siguruan pjesmarrësit se nuk do kishin asnjë konsekuencë, por veçse të thonin të vërtetën. Në këtë takim u ngrit një burrë i moshuar dhe iu drejtua me atë dialektin dibran plot finesë me këto fjalë: “O ju të delegum, - Urdhëro- i thanë ata. E shikoni çi atë vilë (duke treguar me dorë shtëpitë e kryetarit dhe sekretarit të Kooperativës), po ju përgjegjën. Çi ajo vila në krah të djathtë është e krietarit të Kooperativës, ndërsa ajo tjetra e sekretarit të Partisë, a kanë vjedh a s’kanë vjedh, unë sun di gjë. Por kam një kërkesë, që çi atë kurs ta bëj në verë, se sun e bëj dot në dimër, se jam i moshum”. Instruktorët nuk po e kuptonin gjuhën e të moshuarit se për çfarë kursi bëhej fjalë. Ja sqaruan shokët e tij, se e ka fjalën që do e fusin në burg për këtë denoncim që bëri. Por nuk ndodhi kështu. Në vend të plakut, shkuan në burg kryetari dhe sekretari i partisë. Pushtetarët tanë që qajnë për hallet e popullit, janë mbushur me vila anë e mbanë Shqipërisë dhe vuajnë se nuk i numurojnë dot paratë, pronat dhe privilegjet, që i kanë fituar me “punë, djersë e sakrifica”. Vilat fillojnë te “ Gjiri i Lalsit, e mbarojnë te Bishti i Pallës, kanë vjedhur a s’kanë vjedhur atë e dinë vetëm ata”. Një pyetje mbetet enigmë: “A do shpërblehen pushtetarët tanë demokratë një ditë për veprat e tyre, si dy kuadrot e monizmit që treguam më lart?!... Ndërsa për LSI-në, do thonim: “Kujdes LSI, se do të hanë me si (y ), je e kuqe, blu, apo mavi, këtë vetëm t’i e di!...

Prof. Dr. Ago Nezha

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2019 - 19:17

Dita e sotme si një ditë përkujtimore për çlirimin e kryeqytetit nga formacionet partizane u festua nga të gjitha palët e politikës si një ditë e veçantë për kontributin e shqiptarëve në a

Postuar: 17/11/2019 - 07:47

“Nga të gjitha fatkeqësitë që mund ta gjejnë një Komb, asgjë nuk është më tragjike dhe me k

Postuar: 17/11/2019 - 07:45

Për mendimin tonë, për politikën shqiptare në përgjithësi, sindroma e mosrespektimit të të rinjve

Postuar: 17/11/2019 - 07:44

Jam një nga tre milionë shqiptarët që jetoj në Shqipëri.

Postuar: 17/11/2019 - 07:42

Një njeri kërkon të marrë një për qind të produktit tonë të përgjithshëm të Shqipërisë.

Postuar: 16/11/2019 - 20:43

Reforma në Drejtësi përpos çlirimit të drejtësisë nga turlilloj injorantësh, hajdutësh, sharlatan

Postuar: 16/11/2019 - 07:21

Është një ulërimë e madhe, është një gjëmë pa përmasa, është një apokalips dhe përmbysje rrënjëso