BREAKING NEWS

“Ka për ta parë qirje Qirjako Micotaqis”/ Nuk përmbahet Artan Hoxha, i bën kërkesën e papritur kryeministrit Rama për situatën në Kakavijë: Pse, vetëm greket i ha COVID-19?!

“Ka për ta parë qirje Qirjako Micotaqis”/ Nuk
x

Opinion / Editorial

Kujdesi i posaçëm për shtatzënat pas tërmetit

Kujdesi i posaçëm për shtatzënat pas tërmetit

Shtatzënia është një periudhë e rëndësishme dhe e veçantë në jetën e gruas dhe gjithashtu në ndikimet e mundshme në jetën dhe zhvillimin e pasardhësit. Shtatzënia paraqet problemet e veta dhe kërkon një kujdes të veçantë edhe në çdo situatë sado e ekuilibruar të jetë ajo. Shtatzënia si një periudhë e veçantë e jetës së gruas, shoqërohet edhe normalisht me ndryshime të thella enzimatike, hormonale dhe veçanërisht të qarkullimit të gjakut për veçantitë e stabilizimit të dy sistemeve, që kërkojnë harmoni të specifikuar, që të realizohet mbështetja e posaçme e qarkullimit te embrioni dhe fetusi. Edhe në konditat normale të zhvillimit të shtatzënisë, pa faktorë të tjerë që mund të ndërhyjnë në zhvillimin e embrionit e më tej fetusit, kërkohet vëmendje e veçantë dhe ndjekje e rregullt periodike si e nënës dhe shëndetit të saj po ashtu edhe e pasardhësit. Edhe në zhvillimin e shtatzënisë pa pasur ndikime të veçanta me potencial të ndjeshëm eventualisht dëmtues, kërkohet ndjekja periodike e gjendjes së shtatzënës dhe pasardhësit sipas protokolleve të stabilizuara për këtë ndjekje klinike, laboratorike dhe ekografike sistematike. Bazuar në vlerësimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shtatzënia e cila zhvillohet gjatë 180 ditëve, ka veçori specifike në të tre tremujorët: I pari, i dyti dhe i treti dhe gjithashtu vlerësohet edhe mosha e shtatzënisë deri në 20 javë zhvillimit të fetusit, kur ndërprerja aksidentale para javës së 20-të të saj, vlerësohet se fetusi është realisht i pajetueshëm dhe se pas javës së 20-të në fakt nëse ndërpritet shtatzënia, ajo vlerësohet si një lindje e parakohshme. Kështu një fëmijë i lindur për shembull nga shtatzëni e zhvilluar deri në 21, 22, 24 javë, konsiderohet si fëmijë i lindur parakohe, i cili në rrethana të një shërbimi të specializuar duhet të jetojë. Në mundësitë aktuale të vendit tonë, parakohshmëria për qëllime statistikore vlerësohet shtatzënia e zhvilluar deri në 28 javë dhe fetusi me peshë 1000 gram, pavarësisht se në rrethana ndihme të specializuara të neonatologëve, bëhet e mundur të mbijetojnë të porsalindur të parakohshëm me moshë më të vogël zhvillimi të shtatzënisë dhe me peshë lindje më të pakta. Jemi të mendimit se në rrethanat e ngjarjes së jashtëzakonshme, pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit, që shkaktoi shumë humbje të jetëve njerëzore, por edhe shkatërrime të shumë banesave, është e nevojshme që krahas shumë problemeve të tjerë për t’u zgjidhur, të rivlerësohet edhe për shtatzënat në rrethanat shumë rënduese në këtë periudhë. Mendojmë se në rrethanat e një stresi të tillë shumë të rëndë fizik dhe psikologjik si tërmeti shkatërrimtar i datës 26 nëntor, priten ndikime negative të mundshme, në veçanti te shtatzënat, ndikime që janë përveç natyrës së një vuajtje fizike, në rrethana të caktuara sipas vendndodhjes e pasojave mbi organizmin e gruas shtatzënë, por edhe ndryshime të rënda dëmsjellëse të sferës emocionale të shtatzënës me pasoja edhe mbi pasardhësin. Në këtë periudhë me ngarkesë të lartë emocionale për të gjithë njerëzit, por në veçanti për shtatzënat, ndër pasojat më të mundshme të afërta, mund të vlerësojmë rrezikun për dështim, ose rrezikun për lindje të parakohshme. Ndër pasojat më të vonshme të mundshme për shtatzënat mund të jetë edhe lindja e fëmijëve hypotrofe, me zhvillim më të vogël dhe peshë-lindje më të ulta në raport me atë që vlerësohet normale. Gjithashtu është më e mundshme në rrethanat e krijuara që shtatzënat të zhvillojnë anemi nga mungesa e hekurit, mbasi në këtë periudhë edhe ushqyerja është më pak e kontrolluar. Disa masa të rekomandueshme për shtatzënat në këtë periudhë do të mund të vlerësojmë:

1. Të krijohen kushte sa më të favorshme jetese për shtatzënat brenda të mundshmes.

2. Të krijohen kushte sa më të favorshme për kohën e gjumit për shtatzënat.

3. Shtatzënat do të ishte me vend të përsërisin një ekzaminim të gjakut për anemi eventuale.

4. Rekomandohet të kryhet një ekzaminim i shtatzënës shtesë për rrethanat e veçanta.

5. Nëse gruaja ka pasur shqetësime sidomos ndjesi peshe në abdomen, të kryhet një ekzaminim ekografik shtesë ndaj protokollit për të vlerësuar zhvillimin e fetusit dhe për të vlerësuar shkurtimin e mundshëm të qafës së mitrës.

6. Të vlerësohet në veçanti gjendja e shtatzënës dhe e pasardhësit sidomos në tremujorin e parë dhe të dytë, por edhe për të gjitha shtatzënat.

7. Të vlerësohen mundësitë e hipertensionit të shtatzënisë, që është më i mundshëm pas stresit të rëndë të përjetuar si dhe shqetësimeve më të shumta të pastërmetit.

8. Të vlerësohen edhe shqetësimet më të vogla të shtatzënave në këtë periudhë dhe të merren masat e nevojshme mjekuese në kushte shtëpie ose me shtrim në maternitet në rastet me probleme të veçanta.

9. Të shtohet kujdesi mjekësor në tërësi për shtatzënat pas tërmetit.

10. Të riparohen në mënyrë të ngutshme dëmtimet në këshillimoret e grave shtatzëna dhe në shtëpitë e lindjes në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti.

Nga Gjergji THEODHOSI*

*Doktor i shkencave mjekësore