BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Kujt i bëri “nder dhe kujt qeder”, provokacija e Vuçiç”!

Kujt i bëri “nder dhe kujt qeder”, provokacija e

Do fliste në B92 për atë “hartë” të re gati të pastër etnike që “shpiku” Sllovenia, por Aleksandri u përgjigj dhe për zgjedhjet tona. Ai dinte biles dhe sondazhet reale që ndanin nga 1 deri në 3% dy madhësitë politike nga njëra-tjetra në Shqipëri, për garën elektorale. Serbët janë të “kujdesshëm” për se çfarë bëhet politikisht në Shqipëri. Vuçiç dinte biles se Lulzim Basha kishte nga pas (por kryesor) Sali Berishën dhe këta të dy shfaqen haptas për Shqipërinë e madhe. Ai ishte dhe krenar pse kishte penguar këtë gjë. Kë ka penguar, çfarë gjëje? Bashkimin Kombëtar apo, çfarë, integrimin. Hahaha, unë di se ka penguar deri tani integrimin e Serbisë për hatër të Kosovës, por... Akoma më shumë, ai dinte se ishte një problem i veriut të Shqipërisë, por që pak (medemek) ishte punë e tij, por ishte e jona. Në fakt, ne ankohemi se “kemi politikanë provokatorë” dhe tashmë unë në respekt të shkrimit me bazament kombëtar, nuk dua të them se kush është kryesori i tyre, por kanë dhe serbët dhe njëri prej tyre gati gati në “sherr budallëk” është sigurisht Aleksandri sikundër i drejtohet Edi Rama. Asnjë kryeministër shqiptar dhe president shqiptar kur ka zgjedhje në Serbi, nuk flet as për opozitën dhe as për pozitën, sepse për ne nuk kanë asnjë lloj dallimi. Kryesisht në qoftë se flasin thonë diçka për “Luginën e Preshevës”. Pra nuk është se i plas kujt në Shqipëri, se kush dreqin fiton në Serbi. As se kush është për “Serbinë e madhe” dhe as se kush e thotë hapur, apo nëse mbas këtij politikani është ky tjetri. Thjesht nuk flasin, sepse nuk kanë asnjë arsye të ndikojnë fare, por fare fare fare. Por Aleksandri ka folur dhe ka bërë një prej atyre provokimeve që në Serbi i thonë – provokacija. Thjesht Aleksandri, ka dashur të provokojë sikur po bën nder dhe diku qeder. E kujt na paska dashur t’i bëjë nder dhe kujt qeder? Po të merresh me përgjigjen e tij jashtë pyetjes së gazetarit, del se ata që përmenden me emra si Basha dhe Berisha dhe i nxjerr si njerëzit e Shqipërisë së madhe që ky e paska penguar nënkuptohet se pjesa tjetër e politikës ose Rama është pjesa që për Serbinë dhe Vuçiçin duhen – premiuar. Kështu ka dashur të thotë apo provokon një “filozof sherrxhi” politik si Aleksandri? Apo e ka seriozisht? Ka diçka në fakt. Po të kemi parasysh përfundimin e planit Trump dhe sidomos planet e një anti-europiani si ish-ambasadori Grenell në Gjermani dhe “njeriu i iniciativës Trumpiane për qetësimin Serbi Kosovë”, por dhe prerjen shkurt nga administrata Biden dhe nga vetë ky i fundit për njohjen e Kosovës – provokimi i Aleksandrit nuk është më provokim, por afirmim se paska qenë dakord për një plan tjetër ku një pjesë e politikës në Shqipëri, ishte më afër. Miqësitë për “Shengenin Ballkanik” sigurisht që pastaj do të jenë të pathëna, por dihet se kush ishte kundër tyre në Shqipëri dhe Kosovë. Aq më tepër se imiton Tiranën, kur thotë Basha ka mbrapa Sali Berishën. Kjo imiton për mua është pjesë e provokacionit për të lënë të kuptohet ashtu si në dukje pa faj, se me kë qëndron më afër. Kur Vuçiç thotë: “Unë jam duke ndjekur nga afër hulumtimet e opinionit publik dhe dallimi është rreth 2 për qind dhe unë nuk përcjell hulumtime pa lidhje joserioze të hulumtimit publik, por ato që janë shumë serioze. Dhe në fakt dallimi është nga 1 deri në 3 për qind”. Për çfarë është “interesante” për një president Serb ky dallim?! Ka ndonjë dallim mes dy palëve për Serbinë. E sigurisht këtu qëndron dhe provokacioni. Mos vallë ka dallim për Serbinë ky 2% në preferencën politike për to?! Këtë ka dashur të thotë?! Por pa thënë se kush është preferenca. Pse duhet të thotë medoemos se “lideri vërtet është Sali Berisha dhe jo Lulzim Basha”?! Çfarë peshe politike ndërkombëtare dhe po themi kombëtare ka sot Sali Berisha dhe çfarë interlokutori me amerikanët dhe europianët na qenka ky që Vuçiç duhet medoemos të rrisë PH – elektoral politik nga njëra anë, duke imituar anën tjetër të batutës së Ramës për pikërisht këtë pikë?! Është provokacion apo afirmim?! Se po të jetë kjo e dyta, sigurisht e kalon limitin e provokacionit me anësimin e tij nga Rama. Por Vuçiç shton me malinjitet provokativ se: Pas Lulzim Bashës qëndron Sali Berisha dhe ju e dini, e gjithë historia pas saj, nga veriu i Shqipërisë, me gjithë barrën e së kaluarës, por kjo është çështje e tyre. Çfarë do të thotë kjo – nga veriu i Shqipërisë? Kush Kosova, trevat shqiptare, gjakderdhja e serbëve dikur dhe kohët e fundit ndër shqiptarë, origjina e Berishës dhe Bashës apo...? Mos vallë do të ndajë toskë dhe gegë. E kanë bërë shumë si ai, për të ndarë kombëtaritet, kur në fakt ne jemi gegë e toskë, por kombëtarisht jemi njësoj. Në zgjedhje politike mbase ka liliputë që ndajnë kështu për vota më shumë majtas nga jugu dhe djathtas nga veriu, por sa është veriu kombëtar është dhe jugu. Sa janë demokratët, janë dhe socialistët dhe po t’i pyesësh për kombin nuk dallojnë fare. Atëherë çfarë ka veriu dhe për çfarë përmendet në cilin funksion? Për këto zgjedhje e kam fjalën. A po këtu, në këtë pikë, kemi të bëjmë me provokacion dhe të poshtër. Por ai thotë se: “Dhe sigurisht që unë jam krenar që jam pengesa e tyre më e madhe, sepse ata flasin hapur (Berisha me Bashën pra) për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Dhe ata flasin hapur për këtë gjë dhe askush nuk reagon”, ka thënë Vuçiç. Vuçiç pengesa e tyre më e madhe?! Po pse Vuçiç mendon se nuk flasin hapur majtas në Shqipëri?! Ky na paska qenë pengesa që nuk është realizuar “Shqipëria e Madhe”. E thënë për zgjedhjet e 23 prillit? Si pengesë, me kë pengesë? Po Vuçiç është pengesë për Serbinë në Europë, kur nuk njeh Kosovën, por pengesë për Shqipërinë e madhe? Vuçiç pengesë për këtë gjë dhe me kë e paska realizuar, me çfarë njerëzish?! Se ai nuk pengoi hyrjen e Shqipërisë në NATO, nuk pengoi dot vizat dhe nuk pengon dot integrimin përveç faktit që saboton Kosovën, por çfarë lidhje ka me Shqipërinë kjo gjë? Po e përsëris pengon vetëm integrimin e Serbisë kur nuk njeh Kosovën. Por kjo nuk ka të bëjë me pengesën e Shqipërisë së Madhe, e cila është projekt kombëtar më tepër se 100 vjeçar si të dojë dhe mos dojë Vuçiçi, dhe si të duan apo nuk duan, kudo qofshin, sepse i takon një të ardhmeje integruese dhe padyshim kombi që ka një ADN, gjuhë dhe tokë ku jeton etnikisht prej shekujsh nuk harron dot projektin e Rilindjes sonë Kombëtare. Pra Vuçiç nuk ka as kohë, as mundësi dhe as projektim politik kaq të gjatë që të pengojë gjë në këtë drejtim. Ai thjesht provokon për të bërë “nder dhe qeder” si ndikim nganjëherë budalla dhe nganjëherë sherrxhi në Shqipëri. Ai sigurisht ka dikë më mik në Shqipëri dhe dikë më pak mik politikisht, e kjo tashmë është e qartë. Por provokimet i ka si gjithmonë – jo kaq të zgjuara.