Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kuksianet, leksion transparence qeverisë dhe jo vetëm

Postuar: 21/09/2018 - 07:23

Një ditë pas protestës të kuksianëve kundër tarifës në “Rrugën e Kombit” kundër vendimit të qeverisë për të paguar pa asnjë përjashtim secili që kalonte këtë rrugë edhe kur ishte banor i kësaj zone ishte i detyruar të paguante për çdo kalim edhe tre apo katër herë në ditë 5 euro për atë që ndodhi kudo mbisundoi pyetja: Përse kështu? A mund të parandalohej kjo shfaqje e egër dhune? Si mund të barazohej një kalimtar i rastit dhe të vlerësohej njëlloj me qytetarin e kësaj zone për të shkuar në qytet e për t’u kthyer pranë familjes në shtëpi? Protesta e kuksianëve atë ditë na dhëmbi të gjithëve, jo për kërkesat e tyre, po për mesazhin që dha, frenimin që pësoi rehabilitimi i këtij segmenti rrugor strategjikë. Pa lënë mënjanë dëmtimin e pajisjeve dhe mjediseve ku do kryhej pagesa si në të gjitha vendet e shtetet e botës. Nuk ka shtet në botë të mos paguajë për çdo autostradë pasi e di shumë mirë se u shërben atyre se janë përdorues dhe konsumues të këtyre investimeve të kushtueshme. Dhe “Autostrada e Kombit” dihet sa u ka kushtuar shqiptarëve të sotëm dhe çdo brezi miliona euro për të shlyer pagesat e saj. Ndoshta mund të mos kishte ndodhur ajo përleshje e ashpër, ku u shfaqën anët më të errëta të karakterit të disa individëve që rrëmbyen urën e zjarrit, levat e varet për të shkatërruar aparaturat llogaritëse e matëse, kompjuterat e kamerat që i ishin kushtuar koncesionarit miliona lekë. Po këtu nuk është fjala për ti qarë hallin askujt. Po për të nënvizuar shkaqet që shpunë në këtë shpërthim urrejtje. Për të evidentuar vlerën që ka transparenca dhe puna paraprake për zbatimin e një vendimi të rëndësishëm, i cili prek interesa madhore të mijëra qytetarëve, të cilët duhet të dinë pse dhe kur duhet të paguajnë. Të njohin thelbin e vendimmarrjes dhe të sqarohen një për një deri sa të binden për dobishmërinë e një takse dhe përdorimin e saj. Natyrisht që këto nuk mund të mësohen nga një fjalim në televizion. Aq më pak nga një urdhër u kujtdo qoftë. Apo sqarim të një eksperti burokrat nga Tirana, kur qytetarët jetojnë buzë kësaj rruge dhe është arteria jetëdhënëse për ata e familjet e tyre.

Pas ngjarjeve të shkurtit, unë në një analizë të hollësishme evidentova si dhe pse ngjau kjo revoltë dhe a mund të parandalohej? Kush ishte zanafilla që ngriti në këmbë qindra banorë të Kukësit, ata që vetëm vite më parë i dhanë një leksion vendit dhe rrezatuan edhe në shkallë ndërkombëtare me vërtitin e mikpritjes dhe kthimin e qytetit të tyre në bazën më të madhe të strehimit e akomodimit të depërtuarve nga lufta në Kosovë. Histori që u përcoll deri në shtëpinë e çmimit “NOBEL”, ku ishte kandidat për një vlerësim të tillë prestigjioz. Në të theksoja se kjo që ndodhi e kishte bazën në aplikimin, jo i një rasti të veçantë po fillimit të punëve të rëndësishme, duke nisur nga “Zh” e në fund të kujtohesh për “A-në”. Me fjalë të tjera të fillosh nga fundi për të dal në krye. Pas protestës së Kukësit, kryeministri Edi Rama kërkoi ndjesë publike pasi qeveria nuk kishte ndjekur rrugën e duhur për konsultim me qytetarët. Informimin e hollësishëm të tyre. Dëgjimin e zërit dhe njohjen me kërkesat specifike që ata kishin në lidhje me një tarifë që vendosej për herë të parë në Shqipëri dhe që do shkaktonte surpriza edhe në se eksperimenti kryhej në një vend me demokraci dhe mirëqenie të zhvilluar. Pas Ramës bënë të njejtën detyrë edhe ministrat e tjerë që kishin detyrimin ligjor e shtetëror të kontaktonin me njerëzit. Të uleshin me ta. Të bashkëbisedonin, duke hedhur në tavolinë tërë problematikat që nxirrte në dritë një nismë e re, e cila kishte lidhje direkte me xhepat e qytetarëve, por që është edhe një element i ri i ekonomisë së tregut që po ndërtohet këtu në Shqipëri, ku taksa dhe tatimet janë përditshmëria e jetës së secilit, i pasur, i varfër, i rrënuar i shëndetshëm, i punësuar apo që jeton me ndihmë ekonomike. Tërheqja e qeverisë pas protestës së Kukësit nga shumëkush u pa si heqje dorë nga një nisëm taskimi të rrugëve. Dikush e konsideroi frikë. Të tjerë paburrëri. Po në administrimin e shtetit, qeveria kurrsesi nuk mund të këmbëngulë se “unë jam zoti! Po thash unë, ka marrë fund! Askush nuk ka të drejtën të ndalojë reformën që iniciova! Ligjin që miratova. Vendimin që firmosa”. Po dale beg, se ka hendek. Përballë është populli, ai që të ka deleguar vullnetin e vet. Dhe askush nuk qëndron mbi këtë vullnet. Asnjëri nuk gëzon të drejtën të bëjë sipas mendjes dhe kokës, udhëhequr nga mentaliteti bajraktar se:-Unë jam! Unë vendos dhe firmos! Unë vulos! Pikërisht revolta kuksiane e ashpër dhe me pasoja bëri më shumë mirë se dëm. Qëndrimi i protestuesve ia mbërriti që qeveria të kthejë sytë nga qytetarët kuksianë. Të ulet me ta. Grupe të shumta ministra, administratorë, koncesionarë, pushteti lokal, këshilli bashkiak, intelektualë kuksianë, prefektura, qarku, tërë faktorët me peshë të këtij qarku u bënë bashkë në një debat që zgjati jo pak. U dhanë mendime. U dëgjuan dhe u mbajtën shënim kërkesat e tyre. U kontaktuan shtresa në nevojë. Individë influentë, ata që kuptonin më mirë pse kërkohej respektimi i pagesës së kësaj tarife, e cila nuk do shkojë në xhepat e qeverisë, po do rikthehet mbrapsht në rehabilitimin e rrugës së dëmtuar përfundimin e saj dhe rritjen e masave të sigurisë, duke e mbajtur gjatë tërë kohës nën monitorim dhe duke ndërhyrë për mirëmbajtje në gjithë gjatësinë e gjerësinë e saj. “Rruga e Kombit” u ka sjell kuksianëve lehtësira të mëdha. Po kështu kosovarëve dhe gjithë atyre që kalojnë në këtë arterie. Në kontakte me ta, kam mësuar se e vlerësojnë rrugën dhe shprehen me superlativa për lehtësirat që u ka krijuar një rrugë e tillë, e cila nuk u shërben vetëm shqiptarëve këtu, po edhe atyre përtej kufirit, të cilët lëvizin ditë- natë drejt brigjeve shqiptare në verë, po edhe drejt porteve dhe aeroporteve gjithë vitin. Po para se të ndodhte protesta që u shoqërua me dhunë dhe arrestime të protagonistëve që dëmtuan pajisjet, ishte faji i zyrtarëve të shtetit që nuk e nisën punën e tyre nga ata që do të kryenin pagesën e taksës së rrugës. Shteti nuk kontaktoi me gjithë shtresat shoqërore. Nuk bëri aleatë ata që do e përdornin këtë segment rrugor, pothuaj ditë për ditë e shumë herë brenda ditës. Njëherësh nuk u arrit një sintoni me përfaqësuesit e pushtetit lokal. Ndryshe flisnin qendrorët e me tjetër zë lokalët. Dhe kjo mungesë kohezioni e kishte bazën tek mungesa e transparencës qeveritare qysh përpara një vendimi që pa frikë mund të konsiderohej si një kalim ylberi, pasi ishte jo vetëm një risi por edhe përballë mijëra kundërshtive. Pikërisht pas protestës, e cila mund të konsiderohet një leksion demokracie e papërlyer në thelb me politikën, edhe pse pati përpjekje për ta shfrytëzuar politikisht bëri që qeveria të mendojë thellë dhe të veprojë me maturi. Larg urdhërave dhe presioneve. Pa përdorur politikën me forcën e ligjit. Po ndaluar dhjetra qytetarë vetëm se kundërshtuan një taksë të pranuar për ta. Shkurt, qeveria mori një leksion demokracie se si të bëjë punën e vet me përkushtim e transparencë, kudo e kurdo. Dhe populli ynë nuk është i paemancipuar dhe i pandjeshëm. Përkundrazi është sy e vesh nga vendimmarrja e shtetit. Dëgjon. Shënon. Mendon dhe gjykon për vendimet e reformat e drejta dhe për ato që janë të nxituara e të pastudiuara. Në këtë kuptim, edhe vetë qeveria nxjerr konkluzione e përfundime për të ecur jo symbyllur as me galop. Po me ndjeshmëri, me kujdes pa cënuar interesat e askujt. Dhe leksioni që mori qeveria nga ajo që ngjau dhe mesazhet që i dhanë kuksianët me protestën që ndërmorën, nuk mbetën pa rezultat. Qeveria dhe strukturat e saj u sollën ndryshe me banorët e Kukësit. I ndanë problemet. I grupuan kërkesat. I matën dhe i peshuan shqetësimet. Dhe në përfundim morën vendime që u përkrahën e u mbështetën nga banorët e qytetit verior. Asnjëri nga banorët në Kukës nuk vijoi ti bjerë fyellit në atë vrimë dhe të këndojë atë melodi që donte opozita. Secili mbajti një pozicion të dinjitetshëm. Nuk i dha oksigjen aventurave të disa politikanëve që bëjnë sikur jetojnë në kapitalizëm dhe i kanë sytë e zemrën nga komunizmi. Që i thonë: Jo taksave, jo tatimeve! Që kërkojnë të paraqiten si bamirës dhe të krijojnë iluzionin se sapo të vijnë në pushtet, të gjithë do jetojmë pa taksa. Pa paguar asnjë kacidhe. Do rrëmbejnë lugët se do ta kenë edhe detin kos. Se lumturia do mbizotërojë. Se mirëqenia do ngjitet në majat më të larta. Po e gjithë kjo falë “magjistarëve” opozitarë që kanë strategji të panjohur dhe të paprovuara ndonjëherë në këtë planet. Kuptohet këtu nuk bëhet fjalë për transparencë. Kjo sjellje është mashtrim. Me sa duket propaganduesit e kësaj taktike nuk e kanë mësuar leksionin kuksian e shqiptar. Po transparenca qeveritare u ndikua nga leksioni kuksian sidoqoftë. Ata nuk u bënë lektorë të zhurmshëm. Nuk u bënë pre e politikës. Po dëgjuan sqarimet. U njohën në hollësi e detaje. Dhe ditën e fillimit të pagesës së tarifës së rrugës, pranuan me dinjitet të veprojnë siç e kërkon ligji dhe interesi për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”. Transparenca qeveritare ishte edhe fryti i leksionit kuksian. Dhe shikoni sot se si asnjë prej tyre nuk iu bind thirrjes së ngatërrestarëve për t’u bërë barrikadë për pagesën e tarifës në kalimet drejt veriut. Përkundrazi, ata e pranuan këtë tarifë, natyrisht të reduktuar në 100 lekë për çdo kalim. Kështu edhe për mjetet publike, diferencat janë të ndjeshme. Po në këto tarifa u arrit pas bashkëbisedimit me qytetarët. Kur asnjëra palë nuk e mbajti kokën përpjetë. Fjala u gjend, se gjuha është mjeti më i mirë i komunikimit. Dhe populli shqiptar ka treguar se është me ndjeshmëri të theksuar ndaj arrogancës e mospërfilljes ndaj dhunës shtetërore pasi i ka provuar në këto tre dekada të gjitha. Ka provuar se si ti rrëmbejnë paratë nga xhepat në emër të piramidave. Se si mund të goditej me plumb në ballë nëse ngrihej në protestë. Se si i humbet të gjitha kur i kundërvihesh politikave të politikanëve që nuk kanë as mend as veshë, as përgjegjshmëri për t`u marrë vesh me popullin.

Leksioni kuksian nuk mbeti brenda një qarku. As nuk është reflektim vetëm për një vendim të caktuar. E vërteta është se qeveria shqiptare, pas këtij leksioni është më e matur. Më e dëgjueshme. Më e ndjeshme. Dhe jo më kot. Strategjia e drejtimit të saj është bashkëqeverisja me popullin. Dhe kjo reflektohet: Vendime më transparente për teatrin, aeroportin, linjën e re “Air Albania”. Reformën në Drejtësi, aksionet e policisë në zbatim të ligjit. Edhe pse transparenca nuk ka përsosmëri, mbetet detyrë e qeverisë dhe e shtetit që leksionin kuksian ta shtrijë në tërë shoqërinë tonë. Populli ka nevojë për transparencë dhe qeveria detyrë të zbatojënë çdo fushë, kudo. Ndryshe leksione për transparencën mund të japin edhe të tjerët. Po ai kuksian do ishte i mjaftueshëm!

Nga Bardhyl BEJKO

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 22

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/12/2018 - 07:34

U hap kuvendi i PD-së në konfuzionin e kohës së sotme!

Postuar: 16/12/2018 - 07:33

Protesta e studentëve e ka kaluar dhjetë ditshin dhe mesa duket do të vazhdojë vijueshmëria e saj

Postuar: 16/12/2018 - 07:31

Në ekstazën e këtyre ditëve të protestës së studentëve, veçanërisht partitë opozitare, liderët e

Postuar: 16/12/2018 - 07:28

Pas akuzave të kryeministrit Rama se pedagogët (senatet) kanë qenë shtysa kryesore për qorollepsj

Postuar: 15/12/2018 - 07:22

U nisën në dhjetor 1990, 28 vite më parë protestat e famshme të rinisë studentore, të cilat ashtu

Postuar: 15/12/2018 - 07:20

 

Postuar: 15/12/2018 - 07:19

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi mbetet shumë origjinale në përpjekjet për menaxhimin e prote