Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Kukuvajkat dhe laraskat e historisë nuk mund të krahasohen me shqiponjat e malit!

Kukuvajkat dhe laraskat e historisë nuk mund të krahasohen me

(Në përgjigje të ballistit të vogël “Çelo” dhe laraskës që shpif për “lugën e floririt”)

Absolutisht nuk kisha ndërmend të shkruaja për “ballistët” dhe sojin tyre, sepse ata i ka damkosur me vulën e tradhtisë vetë historia e Shqipërisë. Nuk kam ndërmend as të vë në vend dinjitetin e Epopesë së Lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare, sepse ajo ka folur aq mirë, aq bukur dhe aq pastër, sa dhe vetë aleatët e mëdhenj të asaj kohe, si USA, Anglia dhe Rusia me aktet e tyre zyrtare e kanë njohur këtë luftë, si një nga veprat më dinjitoze me një vetëdije të lartë të popullit shqiptar. Ajo që më bëri kureshtar ishte, një video me titullin “Dëshmorët e Bulevardit”, video kjo e regjistruar dhe drejtuar me kompetencë nga gazetari i mirënjohur i televizionit i nderuari Alban Dudushi.

Çelo “ballisti”, si e kundërta e “Çelo partizanit” meqenëse ka qenë i vogël, nuk mundi dot ta hidhte armën në sup, as me partizanët, por as me ballistët, madje me këta të fundit më mirë që nuk e pati rastin ta hidhte, sepse do hante ndonjë “koqe plumbi” do vente dëm, apo si i themi ne nga jugu do shkonte “ për dhjamë qeni”. Puna nuk është aty, sepse të lindësh, para apo mbas lufte, është krejt një rastësi që varet vetëm nga pajisjet apo më saktë popullorçe, nga hallatet e prindërve. Puna qëndron se pseudo historiani Çelo Hoxha, i cili hidhet e përdridhet si rruspitë, na i quante se një pjesë e “Dëshmorëve e Kombit” apo, disa prej atyre që janë vendosur atje në pllakatat fotografike na qenkëshin kriminelë, sepse na pakëshin qenë anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, disa të tjerë ant. të KQPKSH dhe e mbyll ligjëratën se ata që ranë, një pjesë këtyre dëshmorëve nuk na paskan luftuar direkt me armë në dorë etj. etj. etj. Madje analisti mëkëmbës i Tufës së Butkës shkon aq larg, sa e konsideron PKSH-në si një organizatë terroriste, si gjatë lufte ashtu dhe mbas saj. Problemi është se Çelo “trimi”, bëhet trim mbas beteje dhe duke qenë se i hedhin ca thërrime padronët e tij antikombëtarë, ai nis e kakaris e na bën “zbulimet e mëdha” duke i mbajtur iso edhe një laraskë marmarake që i merrej goja, duke shpifur se një pjesë e heronjve dhe dëshmorëve tanë na qenkëshin “spiunuar” nga vetë shokët e tyre e deri te shpifja tashmë e rëndomtë, se gjoja komunistët gjatë lufte paskëshin premtuar “lugën e florinjtë” etj. etj. etj.

Pikë së pari duhet theksuar se ishte fati më i madh dhe meritë e jashtëzakonshme e PKSH-së dhe vetë Enver Hoxhës, sepse së fundmi në kushtet e një shtypje të dyfishtë si nga sundimi i brendshëm ashtu dhe ai i jashtëm (pushtimi fashist) do të ishte pikërisht kjo parti politike, e cila do të merrte përsipër fatet e atdheut, ishte njëkohësisht një fitore e madhe që tonin të gjithë luftës për çlirim kombëtar e shoqëror ja dha PKSH-ja, partizanët legjendarë të formacioneve tona luftarake që kishin marrë formë të organizuar me mbështetjen pa rezerva të të gjithë popullit shqiptar. Dhe këtë mision kurrë sesi s’mund ta merrte balli që përfaqësonte ajkën dhe elitën e pasanikëve feudo-borgjezë të Shqipërisë, sepse me pushtuesit ata i lidhnin interesat e mëdha ekonomike. Pa këtë faktor politik dhe pa mbështetjen e popullit, ose më saktë nëse në këtë luftë do të dominonte “Balli” si forcë politike (pa lëre ushtarake) sepse ata ishin të radhitur me formacionet e pushtuesit, pra nëse në krye do të ishte “Balli i Kombit”, i cili tërë kohën rrinte në bisht duke menderosur nga frika, Shqipërinë do ta kishte marrë lumi. Por “ballisti i vogël Çelo” është në hall të madh dhe me të vërtetë për t’i qarë hallin, në hall, sepse mirë që nuk e do bulevardin të quhet “Dëshmorët e Kombit”, por është në hall për faktin se nuk gjen dot portrete ballistësh t’i vendosi si heronj. Nuk gjen dot sepse ballistët e ndershëm e kuptuan rrugën e shtrembër dhe i hodhën armët teksa kapo ballistët shtynin njëri-tjetrin se kush e kush të hipte i pari në makina të gjermanit dhe kur është hall koke, në djall dhe partia e tyre! Pse a nuk bëri të njëjtën gjë dhe Mussolini që desh shqeu poturet dhe veshi një kapotë gjermane, në makinë të Werhmatit deri se e kapi për veshi partizani italian Giuseppe Negri në fund prillin e vitit 1945?! Epooo kur këtë e bëri Musolini pse të mos e bënin dhe aleatët e “Protokollit Dalmazzo-Këlcyra”? Puna është se Çelo trimi që na merr poza “Kompetenti” ( jo si “kompetenti i Sudes”) në fund na shtron pyetjen se çfarë fituan shqiptarët se kishim një regjim ushtarak pushtues dhe na erdhi një tjetër regjim (nënkupto pushtues komunist).

Këtu stop Çelo të kam rixha!

Natyrisht që aludimi i juaj gjithë helm, për të njollosur luftën me idenë tuaj se partizanët dolën vërtet në mal, por ata (sipas jush) na udhëhiqeshin pikërisht nga kjo organizatë terroriste (PKSH-ja) ka qëllime me larg hedhje ( këtu të mbështet larska e “lugës së florinjtë”) dhe në fund të fundit ti pyet: Po çfarë fituam ne?

Aaa këtu stop Çelo “trimi”! Ti jo se nuk e di, por e bën me qëllim sepse nga urrejtja që ke për PKSH-në dhe komandantin e saj të luftës, Enver Hoxhën, bëhesh një nihilist i keq, jo vetëm për atdheun tënd, por ti mender u dhjet në shkresa vetë anglo- amerikanëve, të cilët dhe për pak vite mbas lufte ne i kishim aleatë! Ata, edhe mbasi ne u prishëm në marrëdhëniet diplomatike e shtetërore asnjë herë nuk e kanë bërë një akuzë të tillë sikurse tentoni të bëni ju. Madje duke dashur të “mbështetesh në traditën popullore” na këshillon, se ata që paskëshin vendosur fotot e heronjve dhe dëshmoreve pikërisht më 29 Nëntor, që është moment feste, (këtu ti harrove që the moment festiv, sepse ju nuk e pranoni as 29 Nëntorin si ditë çlirimi) pra, nuk duhej sepse është moment i trishtë dhe zakonisht (sipas mendjes tënde të ndritur) kur ka festa, nuk përmenden të rënët...

Jepi Çelo “kapoballi” jepi, jepi më të lumtë sqepi! Po nuk e di ti ore ditë zi, se populli ynë i ka kënduar heronjve të vet dhe në ditë zie kombëtare? Dhe a e di pse? Sepse gjaku i dëshmorëve dhe heronjve tanë i kapërxen kufijtë e një feste dhe aspak nuk është moment i trishtë, por nder dhe lavdi për një popull që di të eci me ballin lart dhe krenar. Ti sëbashku me laraskën e diplomuar në kohë të Enverit, thua se ata nuk na qenkëshin të gjithë të rënë në fushë beteja! (Uaaa.. ç’zbulim! )

O e mjera Shqipëri në dorë të kujt ke rënë! Po pse ore, patjetër duhej të ishin në male të gjithë?

Ja po marrim “Këshilltarët e Hekalit”. Asnjeri nga ata nuk ra me armë në dorë, por akti i tyre heroik përpara armikut është një legjendë. Kemi dhe Sado Koshenën, e cila nuk mori pjesë në luftën e dytë, por në të parën ajo doli bashkë me djemtë në Luftën e Vlorës, madje me armë në dorë dhe para asaj lufte... kundër andartëve grekë. Ti mirë që pushkë nuk ke hedhur kurrë po ç’dreqin ke që hedh p.... ë?! Pra dhe për këtë na u dashka pyetur mëndje jote, e Tufës së Uranëve (që radioaktiviteti u humbi që gjatë lufte) dhe gjithë sojë e sorollopit diversant që ne u treguam vendin?!

Po që na marrke dhe poza “filozofi” me zbulimet e tua të mëdha se PKSH-ja nuk na qenkësh as subjekt politik?! Po çfarë ishte sipas teje? Organizatë terroriste? Ja po e quajmë për momentin si të tillë, por kundër kujt? A e njeh ti historinë se qëkurse doli si subjekt politik traktin e parë e kishte kundër fashizmit apo jo? Pra, ne u treguam terroristë ndaj fashistëve? Po çfarë do të na rekomandoje ti zotrote nëse do ishe në strukturat e Ballit dhe të “Legalitetit” të mos e luftonim fashizmin dhe nazizmin, sepse kanë ardhur të na japin makarona dhe zhvillojnë “Shqipërinë etnike” nën thundrën e tyre? Pra me diskutimin tënd në studio dhe luftën dëshiron ta kanalizosh si një luftë civile. Po a e di ti se pikërisht Konferenca e Pezës dhe ajo e Mukjes kishte për qëllim evitimin e planit djallëzor të fashizmit për të na përçarë?! Dhe meqenëse merr si shembull M.Matohitin heroin e popullit, se ishte kryekomunar a nuk e kupton, se pikërisht shembulli që sjell të bën “vetasgjësim” madje kjo flet se sa shumë influencoi Konferenca e Pezës për këshillat Nac- Çl të predominuar nga simpatizantët e luftës kundër pushtuesit?! Në të parën ju, u hoqët se do bashkëpunonit, por ikët madje u bëtë dhe anëtarë të qeverisë Kuislinge të Vërlacit e më vonë kur erdhi “gjerman agai” anëtarë të Regjencës. Edhe pse këtë epope të lavdishme dëshiron ta kanalizoni si luftë civile, nuk mundeni dot, sepse lufta civile nga pikëpamja politike e ushtarake është përleshje e brendshme nacionale midis dy forcave kundërshtare, ( por ti këto koncepte të luftës e të paqes nuk i di sepse në krye sot janë injorantët). Mësoje të paktën të mos gabosh herën tjetër se lufta civile zakonisht është karakteristikë e revolucioneve demokratiko- borgjeze, por dhe atyre proletare. Nëse ti Qarkoren e Mithat Agës (Frashërit) që me futjen e trupave naziste në Shqipëri (kur kapitulloi Italia fashiste), e cila bën fjalë që Balli të mos e luftojë gjermanin do e kishe zbatuar drejt sikurse të porosiste Tatja, do të ishte gjysma e të keqes, sepse ballistët në këtë rast do ta konsideronin veten qytetarë të thjeshtë., po ç’dreqin patët që fill mbas kësaj qarkoreje jo që nuk e luftuat, por dhe u futët dhe në qeverinë kuislinge, apo mendonit se gjerman aga e kishte të siguruar fitoren në tavolinë, si një kampionat futbolli?! Tani pa më thuaj ti mua si tju kuptoja unë partizani ju, kur me helmetë të gjermanit dhe pushkë të italianit shëtisnit përkrah tyre?! Edhe unë kot e them shëtisnit, sepse ju në fakt i bënit roje gjermanit të flinte rehat ngaqë të nesërmen, do çohej në luftë kundër partizanëve.

 

Diku aty nga fundi i emisionit ju na bëni zbulimin tjetër, se ne u futëm nën vartësinë ekonomike të Jugosllavisë së Titos. Të të akuzoj si komunist që kopjon atë që ka shkruar vet Enveri?! Këtë e ka pranuar dhe vetë Komandanti, sepse ai Koçua i Xoxajve (që sot në Beograd është një rrugë “Ulice Koci Xoxe”) u vu në shërbim të Jugosllavisë. Është e vërtetë që ne i besuam sepse është parim internacionalizmi proletar, por ja që “miqtë” na dolën armiq, apo sikurse i themi ne të Labërisë që “të mora për kunadhe, por më dole maç”. Po të kishim vazhduar më tej me ta do kishe të drejtë.

Ne u distancuam e denoncuam, shkëputëm dhe marrëdhëniet diplomatike, kur e vërejtëm se ata jo vetëm se nuk e lëshonin Kosovën, por deshën gjithë Shqipërinë. Tani ju pyes ju “historian” i kapardisur në kolltukët e ballistëve të rinj: Si vepruam? Bëmë mirë që i vumë kufijtë te thana neoshovinizmit serb titist të maskuar me “bratsvo-jedintsvo” apo jo? Eee meqenëse ne, apo më saktë Enveri na i paskësh miq pse Jugosllavët për nder të tij (Enverit) nuk kanë një rrugë institucion apo diçka tjetër me emrin e tij?! Ja kështu është kjo punë, por duhet ta mësosh mirë historinë e luftë tonë sigurisht dhe tuajën, që ka vulën e tradhtisë, pavarësisht se të hedhin thërrimet si ai ekonomati i filmit “Lulëkuqet mbi mure”. Ta mësosh mirë dhe ta dish sepse kukuvajkat dhe laraskat e historisë nuk mund të përzihen dot me shqiponjat e malit partizane. Por në fakt je dhe për t’u “përgëzuar”, sepse na kujton që pishtarin e gjakut të tyre që ranë për liri ta mbajmë të ndezur si flakadan për t’ua u rikujtuar brezave se kush ishim ne të luftës dhe ju të pulave.

Një shënim për laraskën historiane që i merret goja: I lutem të publikojë dokumentin origjinal se ku Shtabi i Përgjithshëm, Këshilli Nac-Cl. PKSH-ja, si para ashtu dhe mbas lufte, ka deklaruar se mbas lufte “do të hamë me lugë floriri”. Nëse në ndonjë person, apo individ të veçantë mund te jetë përdorur kjo shprehje dhe PKSH-ja direkt ka ndërhyrë me kritikë serioze ndaj tyre, atëherë ky mund të quhet vërtet dokument, por është një dokument, që vërteton të kundërtën e shprehjes. Nëse historiania në fjalë, nuk e gjen dhe nuk e boton, atëherë kam të drejtën time si qytetar t’i propozoj autoritetit që i ka dhënë gradën doktore e shkencave, me urgjencë ta rishikojë si një mashtruese e historisë duke ja hequr titullin. Jo për gjë, por mëson keq gjeneratat që vijnë mbas.