Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kultivimi i kapaciteteve institucionale në institucionet perëndimore

Postuar: 12/09/2019 - 07:19

Që nga viti 2012, KLSH ka sfiduar vazhdimisht vetveten. Një nga sfidat më kritike për suksesin dhe vitalitetin institucional është dhe mbetet ajo e rritjes së kapaciteteve njerëzore. Vizioni i kryetarit dhe hierarkisë drejtuese institucionale, ka qenë kahershëm për një trupë audituese të aftë profesionalisht, të mbrujtur me vlera dhe mendësi bashkëkohore, me theks në pjesëmarrjen aktive në auditimet e përbashkëta dhe ambicioze në përthithjen e trajnimeve nga institucionet lider në auditim, ku spikatin padyshim ECA dhe GAO. Trajnimi i stafit auditues është një prioritet strategjik institucional. Çdo auditues është trajnuar disa herë në institucionet simotra jashtë vendit dhe pareshtur në mjediset e KLSH-së dhe ASPA-s. Një ndihmesë të çmuar, veçoj, kanë dhënë NIK-u polak, TCA turke, SAI kroat, austriak, slloven, hollandez, suedez, etj, etj., të cilët përveçse kanë ftuar vazhdimisht audituesit e KLSH-së në institucionet e tyre, janë investuar realisht në njohjen e realitetit shqiptar, duke u bërë madje edhe mentorë të auditimeve, kryesisht të atyre të performancës. Një pjesë e mirë e auditimeve të prezantuara rishtaz me ligjin e ri institucional, siç janë ato të performancës, teknologjisë së informacionit, mjedisit, integritetit, etj, nuk do të ishin të mundura pa asistencën dhe trajnimet e ofruara nga kolegët tanë të huaj. ECA është padyshim një nga motorët më të fuqishëm në këtë aspekt. Në saje të marrëdhënieve të bashkëpunimit të vendosura me Gjykatën Evropiane të Audituesve, KLSH ka marrë pjesë në Programin e Zhvillimit të Kapaciteteve për Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve kandidate për anëtarësimin në BE. Përmes një procesi selektimi, ECA mirëpret çdo vit auditues nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Turqia. Që prej fillimit të këtij programi në 1998, më tepër se 160 auditues të niveleve të ndryshme, nga shtete të ndryshme të Evropës (disa prej të cilave tani janë pjesë e BE-së), kanë punuar në Luksemburg, për një periudhë 5-mujore, si pjesë e grupeve të auditimit të ECA-së. Shkëmbimi i ofron mundësinë audituesve të SAI-ve të vendeve kandidate, të vështrojnë nga afër auditime mbi menaxhimin financiar të fondeve të BE-së si dhe të japin kontributin e tyre në drejtoritë të cilave i atashohen, duke ndihmuar kështu rritjen e konvergjencës në metodologjinë e auditimit dhe praktikat e punës së përdorura. Që prej 2015-ës, audituesit e KLSH-së janë pjesë e përvitshme e Programit për Zhvillimin e Kapaciteteve në ECA. Rreth 50% e audituesve, të cilët kanë kaluar fazat e procesit përzgjedhës, janë pjesë e Departamentit të Auditimit të Performancës. Kjo e dhënë, jo rastësore, përfaqëson qasjen e unifikuar të KLSH-së, me qëllimet strategjike të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t, për të vendosur theksin në rritjen e numrit dhe të cilësisë së auditime të performancës, si dhe filozofinë e ECA-së për ta vendosur këtë auditim, gjithnjë e më tepër në qendër të vëmendjes. Pjesë e këtij programi për periudhën Mars-Gusht 2019 ishin tre auditues nga Departamenti i Performancës në KLSH, si dhe dy auditues nga Institucioni Suprem i Auditimit të Serbisë. Eksperienca e punës në ECA ishte veçanërisht frytdhënëse, pasi atashimi ynë në grupet e auditimit ishte në koherencë me interesin dhe formimin profesional të gjithësecilit prej nesh. Kështu, patëm mundësinë të ishim pjesë e aktiviteteve audituese që realizonin homologët tanë në ECA, të thelloheshim më tej në fushat tona të interesit, të dallonim ndryshimet dhe të përbashkëtat në praktikat e auditimit, si dhe të identifikonim praktikat e mira që mund të sillnim në “shtëpi”. Si një audituese në fillimet e karrierës, qëllimi im është zhvillimi i aftësive teknike për të konsoliduar dhe zgjeruar mendësinë dhe filozofinë e audituesit brenda meje. Me programin e intership-it në ECA u njoha nëpërmjet njoftimit, pjesë e programit të KLSH për zhvillimin e stafit. Ndërsa, kolegët që e kanë ndjekur më herët atë, më treguan më në detaje për organizimin dhe funksionimin. Trajnimi është mjaft praktik dhe task oriented. Me mbërritjen në ECA, audituesit nga vendet kandidate i bashkohen grupeve të auditimit tashmë ekzistente, si dhe marrin detyrat në të cilat do të angazhohen përgjatë 5- muajve. Auditimi, në të cilin isha pjesë e grupit të punës ishte mbi veprimet e BE-së për të përmirësuar lëvizshmërinë urbane të njerëzve dhe kryesisht në zona me popullsi të dendur. Mbështetur në përgatitjen dhe eksperiencën e fituar në KLSH: realizimi dhe analizimi i rezultateve të studimit të “Lëvizshmërisë Urbane në Evropë”, analizimi i Rekomandimeve Specifike të Komisionit Evropian për Shtetet Anëtare mbi transportin, analizimi i të dhënave statistikore makro etj., ishin disa prej detyrave kryesore të cilat m’u besuan gjatë periudhës së qëndrimit. Eksperienca praktike e punës në ECA më dha një pamje të qartë të fazave dhe aktiviteteve audituese që performojnë “gardianët” e fondeve të BE-së, në auditimet e performancës. Gjatë trajnimit pata mundësinë të bashkëpunoja me një staf kolegësh mikpritës dhe motivues. Mora pjesë në takime të ndryshme të zhvilluara në kuadër të auditimit apo aktivitete në kuadër të BE-së. Gjithashtu, përfundova disa trajnime me tematika të ndryshme, të lidhura ngushtësisht me anën teknike të auditimit, si dhe me komunikimin, etikën, etj. Të qenit pjesë e një institucioni të tillë multikultural, të jep mundësinë të zhvillohesh jo vetëm profesionalisht, por edhe personalisht. Edhe pse në një ambient të ri, fryma gjithëpërfshirëse që mbizotëron në ECA të vendos në zonë komforti, ku, duke dhënë kontributin në detyrat e caktuara, mund të shpalosësh dijet pa barriera. Përpos ambientit të brendshëm zhvillues në ECA, vlen për t’u përmendur se sa shumë faktorët e jashtëm mund të ndikojnë punën audituese, duke e lehtësuar atë. Fakti se informacioni publik gjendet online në faqet zyrtare të institucioneve evropiane dhe të shteteve anëtare, i ndihmon audituesit në ECA të aksesojnë dokumentacionin e nevojshëm për një auditim, pa humbur në kohë, çka i bën edhe më eficientë. Ndërsa gjithashtu, krijohet mundësia që të verifikohet i njëjti informacion online, nga më shumë se një burim, apo hallkat e veprimit ekonomik të ndiqen online midis institucioneve të ndryshme. Afishimi i informacionit publik në faqet zyrtare, sikurse gjendet në mënyrë të përsëritur në listën e rekomandimeve të KLSH për institucionet publike shqiptare, ndihmon dukshëm jo vetëm në rritjen e transparencës ndaj publikut, por edhe në rritjen e cilësisë së auditimit. Në përfundim të programit, audituesit e KLSH-së u vlerësuan për punën e bërë në grupet e auditimit, si dhe për profesionalizmin e treguar. Përfaqësuesit e ECA-së vlerësuan ftesën për të rritur bashkëpunimin në të ardhmen. Me kthimin në vendin e punës, audituesit pjesëmarrës në programin e ECA-së, të këtij viti, do të realizojnë së bashku me audituesit pjesëmarrës në intership-in e GAO-së, auditimin që po kryhen Departamenti i Performancës në KLSH, mbi përafrimin e metodologjisë dhe praktikave tona të auditimit me ato të këtyre dy institucioneve ndërkombëtare. Në këtë auditim, secili prej nesh do të vërë në dispozicion njohuritë dhe dijet e përftuara nga këto eksperienca. Në retrospektivë, krahasuar me trajnimet dhe eksperiencat e mëparshme të punës, jo vetëm në KLSH, e konsideroj një nga investimet më të vyera të karrierës sime, pjesëmarrjen në këtë shkëmbim disamujor dijesh dhe kulture pune. I jam mirënjohëse mentorëve të mi në ECA, për dashamirësinë dhe profesionalizmin e treguar në këtë rrugëtim timin atje, si edhe drejtuesve të KLSH-së. Sekreti i lidershipit të suksesshëm është investimi tek të tjerët dhe në KLSH ky sekret është moto zhvillimi.

Nga Megi Kurushi*

*Audituese në KLSH

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/09/2019 - 07:43

Gjatë periudhës së pushimeve në qytetin e Vlorës, më ndodhi, ashtu sikurse i ndodh gjithkujt, që të takoja shumë shokë e miq.

Postuar: 15/09/2019 - 07:42

Bashkimi Evropian e zgjidhi qesen për reformën në drejtësi.

Postuar: 15/09/2019 - 07:40

Nuk është hera e parë që zonja Monika Kryemadhi, Kryetarja e LSI-së, sot bashkëkryetarja e opozit

Postuar: 15/09/2019 - 07:39

Shqipëria e një establishmenti politik tashmë fajtor, për zgjatjen në tranzicionin tonë pa fund,

Postuar: 15/09/2019 - 07:36

Me armë që këndonin në duar të 23 luftëtarëve, partizanë e territorialë.

Postuar: 14/09/2019 - 07:22

 Sherre bëhen gjithandej nëpër Shqipëri.

Postuar: 14/09/2019 - 07:18

 Në takimin e rastit më të rëndësishëm përpara tetorit të mundësisë së hapjes së negociatave