Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kundërshtarët e ndryshimit

Postuar: 14/03/2018 - 08:37

Është bërë e zakonshme dhe jemi familjarizuar me individët, që tani janë palë të kundërshtimit të çdo ndryshimi, ideje, zgjidhje, reforme, arritjeje apo progresi në shoqërinë tonë. Pothuaj përditë shtohen “specialistët”, që i thonë jo përparimit. Kjo jo vetëm në rrafshin fizik, por edhe atë politik. Fjalën e parë që dëgjon prej tyre është: Kjo nuk bëhet! Nuk është normale. Nuk e duam. Është e parakohshme. E tepërt. E panevojshme. Punë që pret. Radha i vjen pas shumë vitesh. Bëhet për të fituar qeveritarët. Të kënaqen klientët e qeverisë. Të vidhet. Të pasurohen oligarkët. Zhurmuesit dhe përfaqësuesit më tipikë që i kundërvihen me forcë ndryshimit, pa asnjë argument, vetëm se kështu i shërbejnë partisë, janë politikanët tanë. Ata që duhet të ishin lokomotiva e përparimit, me ide dhe përvojat e tyre. Po jo. Ajo që u shkakton dhimbje koke, kundërshtarëve të përjetshëm, që kanë lindur bashkë me “jo-në” binjak me tersin, që bëjnë Kasandrën, janë “profesionistët” që zgjohen në mëngjes me merakun se cilën fjali do zgjedhin për të nxirë gjithçka në vendin tonë. Pasi memorizojnë dhe analizojnë në laboratorin e tyre mendor, reforma të ndryshme, masa që ndërmerren nga institucionet e agjensitë që veprojnë në Shqipëri, pasi mësojnë për një rrugë të re, një kënd lojnash për fëmijë, një skulpturë në një lulishte, një pikturë në faqen e një ndërtese, rehabilitimin e fshatrave, deri tek mbjellja e pemëve, nxjerrin tytat e topave të baltës nga frëngjitë e urrejtjes dhe gjuajnë pa pushim për të përbaltur cilindo që u del në shteg. Nuk ka reformë politike, sociale apo ekonomike që të mos jetë vendosur përballë sulmeve të egra dhe histerisë së “intelektualëve vizionarë” e “largpamës”, të cilët zbresin në marshime e protesta në përleshje e ndeshje trup më trup me ata që krijojnë e ndërtojnë për njerëzit dhe për t`i bërë qytetet tona më të jetueshme. Po jo. Kundërshtarëve të përparimit iu dhëmbin sytë, iu bëhet zemra copë kur shohin ndryshimin. Revoltohen nga zhvillimi. Ndjehen keq nga përparimi. Nuk e duan dritën. Urrejnë të renë. Përbuzin të bukurën. Luftojnë këdo që hedh një hap drejt të ardhmes dhe projektojnë e ndërtojnë. Në filozofinë e tyre, ka vend vetëm urrejtja. Në mendjet e tyre ka hedhur rrënjë e keqja. Janë vëllezër të prapambetjes. Ata e mbajnë larg të renë. I tremben asaj. Nuk i duan njerëzit novatorë. Janë kundër personaliteteve me vizion, atdhetarë, të edukuar dhe ushqyer me ndjenjën e punës. Modeli i tyre është errësira. Dashuria e tyre është e shëmtuara. Vëllezërit e tyre janë ata që shkatërrojnë. Përparimi është vdekja e tyre.

Le të ndalemi në kundërshtitë në rrafshin fizik. Është më e konceptueshme dhe e prekshme: Janë me mijëra objektet që janë vënë përballë histerisë së armiqve të progresit. Të gjithë kujtojmë si u mblodhën të pakënaqurit përballë ndërtuesve, inxhinierëve, muratorëve, lulishtarëve, kur nisi puna në “Sheshin Skënderbej”. U shanë, u përbaltën iniciatorët. U bënë llogaritë sa banesa mund të bëheshin me paratë e këtij sheshi. Se ndërtohej një ujësjellës i ri për Tiranën. U fyen arkitektët nga “arkitektët” që kanë zanat vetëm injorancën. U përbuzën deri pllakat e ardhura nga tërë trevat shqiptare. U zhvillua luftë e egër, jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare. U përdor tërë arsenali i denigrimit nga ata që nuk e donin sheshin. Ishte shesh për kryetarin. Pengonte lëvizjen e mjeteve. Ishte betonizim i Tiranës. Po ja, sheshi u bë. Në qendër të Tiranës u ndërtua sheshi i gjithë kombit shqiptar. Dhe për “inat” të kundërshtarëve, arkitektët dhe urbanistët më në zë të botës e vlerësuan maksimalisht në bienalen e New Yorkut. Po tipike e luftës mes dy botëve, zhvillimit dhe errësirës, ku u përfshinë aktivistë që nuk dinin ç`kërkonin, politikanë të të gjithë niveleve, ku nuk qëndroi në hije as vetë ish Presidenti, Bujar Nishani, deputetët e grupit të zjarrit, Noka e Strazmiri që zbriti në arenë i armatosur me kobure në brez, është “Parku i lojrave për fëmijë” në liqenin e Tiranës. Ndërtimi i këndit të lojrave për fëmijë, ishte një betejë epike. Një skenim i legjendës së Rozafës i kohëve moderne. Ballëpërballë. Dy “ushtri”. Ata që ndërtonin dhe mbronin, dhe sulmuesit që prishnin dhe shkatërronin si të ishin jo qytetarë e prindër, baballarë dhe nëna, po të ardhur nga shpellat prehistorike me heshta e ushta për të luftuar me lodrat e fëmijëve. Një betejë e gjatë dhe absurde si në një skenë surealiste. Dy botë ballëpërballë. Dy axhenda. Dy qëndrime. Sulmuesit që fshiheshin nën mburojën false. Mbrojmë drurët. Nuk e lëmë parkun ta shkatërrojnë vandalët. Në ndeshjen epike mes dy botëve, kundërshtarët e përparimit dhe ndërtimit të këndit të lojnave ata që kanë në majë të gjuhës kundërshtimin, humbën me turp. I mundi e drejta. Kompetentët ranë “dëshmorë” të hipokrizisë së tyre. Fitoi e bukura. Triumfoi e mira.

Po seriali i kundërshtive dhe “ushtria” e kundërshtarëve nuk ka fund këtu tek ne. Zhurmë pa fund, me nota epike, po bëhet prej muajsh që realisht e ka fillimin prej dekadash për Teatrin Kombëtar. Artistët, personalitete të shquara që na kanë dhënë kënaqësi me lojën e tyre aktoriale, përmes veprave të mëdha të dramaturgjisë dhe komedisë botërore,janë përfshirë në një debat të zjarrtë prej muajsh. Debate shumë herë me tone të larta. Në këtë debat u përfshinë aktorët tanë të talentuar. Thanë fjalën e tyre, Robert Ndrenika, Bujar Asqeriu, Ndriçim Xhepa, Ema Andrea e dhjetra të tjerë. Po diskutimi degjeneroi e mori rrugë tjetër sapo në të u përfshinë “specialistët” e kundërshtimit. Nga momenti që e shndërroi në menunë e ditës, opozita degjeneroi gjithçka. E kthyen në kauzë teatrin dhe ligjin për artin, politikanët e profilizuar që e mbajnë veten të gjithëditur. “Kompetentët” që nuk janë ulur në atë sallë asnjëherë në jetën e tyre. Nisën të bëjnë avokatin. Në këtë diskutim, qëllimi i tyre nuk ishte zgjidhja. Rrëmuja është në axhendën e tyre. Ndaj i gjithë debati u kufizua: Si do ndërtohej godina?! Me kullë. Pa kullë. Investim shtetëror apo privat? Cili do financonte? Kush do përfitonte? Sa do fitonte qeveria? Po bashkia? Sa sipërfaqe do falej? Do bëhej godinë e re apo do rehabilitohej egzistuesja? Gjithë “ekspertët” e kundërshtimit u rreshtuan anti ndryshimit. U anatemua iniciativa e qeverisë. U përbuz projekti i Bashkisë së Tiranës. Nuk ishte halli se si do ndërtohet. Po pse duhet ndërtuar. Interesat që fshihen nga pushtetarët. Dhe fjalë pa fund e individë pa numër u përfshinë në këtë ligjëratë që do vazhdojë deri sa të ngrihet perdja e aktit të parë në shtëpinë e re e moderne të aktorëve. U njohëm të gjithë me projektin e Teatrit Kombëtar. Një vepër dinjitoze. Vepër e arkitektit danez me famë botërore. Një mjedis i denjë i shekullit XXI-të. Po kritikët nuk heshtën. Nuk e mbyllën gojën. Shpërthyen me të njëjtin fjalor. Nisën me radhë. Lulzim Basha. Si gjithnjë Petrit Vasili. Analistë. Gazetarë. Opinionistë. Sa tryeza do shohim dhe sa oratorë do dëgjojmë në ditët në vijim? Kori i refuzuesve, kukuvajkat, mohuesit e përgojuesit e gjithçkaje u ngritën në këmbë. U irrituan. Fjalime përçartëse. Indinjatë pa kufi. Sherr pa arsye. Debate pa logjikë.

Kundërshtarët e stërvitur, profesionistët e anatemimit të çdo ndryshimi nuk u kënaqën dhe nuk iu mbushi syrin asgjë. Ata kanë axhendën e tyre. Larg nga ajo e aktorëve dhe artit. Ata art, bëjnë me sulmet që ndërmarrin. Arti i tyre është ulërima. Denigrimi. Sulmi me gjithë bataret e fjalorit vulgar. Për ta, rëndësi ka trualli. Kush do e marri. Në ëndërr iu dalin kullat. Se e drejtë dhe vërtetë për ta është vetëm ajo që kanë brenda vetes. Ligësia. Përherë kundër. Duan që teatri të mbetet atje. Të mbretërojnë mjediset, ku të shpon hundët amonjaku. Dimri të ngrin e vera të nxin. Po ata, kritizerët e përjetshëm nuk duan artin. Një teatër i ri, e llogarisin një plus për qeverinë. Po nuk është vetëm qeveria targeti i tyre. Edhe aktorët janë të padëshiruar. Aktorët i kanë shndërruar politikanët në personazhe groteske. Kanë skicuar karakteret e tyre përmes skeçeve dhe aktrimit, duke i kthyer në figurina e lolo. Dhe për të qenë më të besueshëm në luftën e tyre kundër ndryshimit nuk hezitojnë të bëjnë aleatë edhe vetë artistët, të cilët edhe pse njerëz të artit ndonjëherë debatojnë si të ishin ndërtues dhe muratorë. Si të ishin ca vegla të politikës agresive. Kundërshtarët e ndryshimit, fushëbetejën e tyre nuk e kufizojnë vetëm me objektet fizike. Armiqësinë e tyre nuk e zbrazin vetëm mbi godina. Lufta e tyre nuk është vetëm me ndërtesat e veprat inxhinjerike. Objekt i luftës së tyre nuk janë vetëm ato që renditëm më lart. Secili mund t`iu shtonte me mendje, mijëra raste që i ka përjetuar nga kundërvënia për rrugët e fshatit deri tek qendrat e qyteteve. Pa u anatemuar nuk ka mbetur asgjë. Aksionet e pastrimit të lumenjve janë përqeshur. Pezullimin e guroreve, këtyre varrezave masive si plagë të gjakosura mbi shpatet e blerta të maleve janë marrë në mbrojtje. Furrat e gëlqeres, këto çiban mbi trupin e Shqipërisë që u morën nën shqetull nga Sali Berisha.

“Kompetentët” e kundërshtimit shquhen edhe në luftën kundër reformave themelore. Janë anti ideve, programeve, lëvizjes në rrafshin shoqëror e atë të mendimit. Kundër gjithçkaje që i paraprin shoqërisë. Antët e përjetshëm të zhvillimit, janë në ballë të përpjekjeve për të penguar integrimin. Argumente nga më të ndryshmet, pa asnjë provë për t`i penguar negociatat dhe rrugëtimin drejt BE-së. Për antët e përhershëm, vendi ynë ende nuk është gati. Shoqëria jonë është e pazonja t`i bashkohet Europës. E njejta luftë për të penguar skemat e punësimit. Përpjekje që kërkojnë t`i lënë tërë jetën në mëshirë të ndihmës ekonomike, të qindarkave qeveritare. Siç shquhen kundër strategjisë së zhvillimit të turizmit. Dhe më pikantja. Reforma në drejtësi. Kjo është beteja me e madhe kohore, mes progresistëve dhe nihilistëve. Luftë pa ndërprerje midis atyre që kërkojnë ta mbajnë varur reformën dhe atyre që duan zhbllokimin e saj. Dhe këtu janë në llogari edhe ndërkombëtarët të cilët nuk janë kursyer nga sulmuesit e kundërshtarët e zhvillimit. Pozicionuesit kundër, janë të shumtë. Janë palë. Të dukshëm. Të fshehtë. Hipokritë. Të egër. Cinik. Të drejtpërdrejtë. Pas perdes. Të kamufluar. Kameleonë. Me ngjyrë. Pa ngjyrë. Të veçuar. Të bashkuar. Me platforma. Me strategji. Po që i bashkon një qëllim: Lufta kundër reformave. “Profesionistët” e kundërshtimit me çdo çmim dhe për gjithçka e ka vendosur shoqërinë tonë në llogore ballëpërballë. Edhe pse jemi të gjithë shqiptarë. Kemi lindur këtu. Dhe do të vdesim po këtu!Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 26

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/06/2018 - 07:39

Si asnjëherë deri më sot, nuk ka patur një çoroditje të tillë në folenë e brumbujve, atje ku ata gjejnë “lëndën e parë”!

Postuar: 23/06/2018 - 07:37

Lufta e egër mes mazhorancës dhe opozitës është zhvilluar vazhdimisht e ashpër edhe për faktin se

Postuar: 23/06/2018 - 07:35

Në vitin 2004 kam pasur fatin të kem në studio të një televizioni në Shkodër, një nga korifenjtë

Postuar: 23/06/2018 - 07:31

KLSH e shikon veten si një katalizator jo vetëm për mirëqeverisjen dhe transparencën në menaxhimi

Postuar: 23/06/2018 - 00:21

Lali Eri vazhdon të na befasojë!

Postuar: 22/06/2018 - 21:57

Mjafton një ditë si kjo për të kuptuar se sa fake është Përbindëshi dhe administrata lokale që

Postuar: 22/06/2018 - 10:59

Koordinatori Kombëtar i Partisë Demokratike, Dritan Shano analizon faktin se shqiptarëve nuk u in