BREAKING NEWS

“U puthën në buzë dhe pastaj ikën”, presidenti Meta sulmon hapur Donald Lu dhe Vlahutin

“U puthën në buzë dhe pastaj ikën”, presidenti
x

Opinion / Editorial

Kundër qeverisë dakord, po kundër Shqipërisë pse?

Kundër qeverisë dakord, po kundër Shqipërisë pse?

Orkestra e stërmadhe antiqeveritare, ku veç opozitës jashtëparlamentare janë pjesë si orkestrantë, edhe një shpurë analistësh apo “gazetarë të fushës”, që ulen përnatë në tryezat e debateve televizive, prej kohësh është duke luajtur “simfoninë” e titulluar “Shqipëria nuk bëhet”. Sot, pas disa dhjetëra e qindra shfaqjesh, në muaj e vite, drejtuesit e kësaj orkestre të stërmadhe e shikojnë sallën dikur bosh, të mbushet,dhe, të ekzaltuar thonë: “Jemi ne shumica”. Nuk e di nëse ata janë bërë shumicë apo kanë mbetur ende pakicë, po kjo pak rëndësi ka. Ajo që më shqetëson (dhe jo vetë mua) ka të bëjë me baltën që hidhet mbi vendin tim, mbi Shqipërinë tonë. Më shqetëson fakti që e gjithë kjo shpurë “orkestrantësh” e “baballarë” të opinionit publik, nga zelli për të goditur kryeministrin “autoritarist” të vendit dhe qeverinë socialiste, vjellin vrer, shpifin, keqinterpretojnë, keqinformojnë, thërrasin e ulërasin se po u merret fryma nga kjo mënyrë qeverisje, se po u shkelen të drejtat qytetarëve, se po u mohohet fjala e lirë gazetarëve (dhe vetë, këta analistë e gazetarë, flasin pa doganë dhe askush nuk i prek), se policia po bën terror, se KÇK-ja i shërben Ramës “per të fshehur lidhjet e tij me krimin”, se Rama ka kapur drejtësinë, se paratë e shqiptarëve vidhen përditë, etj. etj. Dhe e gjithë kjo furtunë “anti” kapërcen edhe kufijtë e vendit, futet nëpër sallonet e kancelarive perëndimore dhe në veshët e partnerëve; tiposet në gazeta bulevardeske, dhe duke u bërë një lëndë e shijshme e debateve politike e mediatike, mbetet atje si njollë e kohëve të shkuara për Shqipërinë, e përmbledhur në thënien: “E keqja e Shqipërisë janë vetë shqiptarët”. Edhe se po mbushen 30 vjet nga koha e ndarjes me regjimin monist dhe po ecim në vitin e 20-të të shekullit të ri, “fotografia” social- politike e Shqipërisë ka aty- këtu imazhin e dekadave të shkuara, se psikologjia shoqërore, mënyra e të menduarit, të vepruarit,e të sjellit kanë ende ngjyrime arkaike. Këtu e 150 vite të shkuara, austriaku Jakob Fyjemajer, që kishte shëtitur nëpër Shqipëri, do të shkruante në kujtimet e veta se “Shqipëria është vendi i mendjeve të shkurtra, një magazinë e fuqisë fizike. Shqipëria nuk i nënshtrohet kurrë vullnetarisht as vetes, as të tjerëve. Shqipëria është element që përherë mohon, dhe ku anarshia dhe paligjshmëria janë, si të thuash, shpirti dhe fryma e jetës”. Natyrisht nuk jemi atje, dhe e sotmja e vendit tonë nuk është ajo e shekullit të 18-të, as e 30 apo 20 viteve të shkuara. Ajo që mund të thuhet është se ngjashmëria mbetet në mentalitetet e jo pak shqiptarëve dhe, çuditërisht, të duket se ushqen “krijimtarinë” muzikore që luhet edhe sot në skenën politike shqiptare. Duhet ta pranojmë se konstatimi i austriakut Jakob, se “Shqipëria është vend i mendjeve të shkurtra” mbetet edhe sot një dukuri keqardhëse. Pse? Sepse harrojmë shpejt. Nuk e kthejmë kokën pas për të krahasuar të djeshmen me të sotmen. Harrojmë keqbërësit e djeshëm dhe amplifikojmë dukuritë negative të sotme. Duhet të pranojmë, gjithashtu, se ndër shqiptarët dallon shpirti i mohimit dhe nihilizmi, ndërsa prirja e jo pak individëve drejt anarshisë dhe paligjshmërisë nuk përbën shqetësim për politikën opozitare. A nuk duket kjo në mesazhet që përcjellin politikanët e opozitës (edhe të djeshme po deshe) dhe shpura e analistëve “anti”? Shembuj? Ka me qindra. Hap televizorin (mos e dhëntë zoti të kini parë “Opinionin “ te Klani me kryeministrin përballë “gazetarëve të fushës”) dhe aty i ke: duke u qarë e duke sharë, mallkuar e anatemuar çdo punë të mirë, apo duke “derdhur lot” për këtë popull që vuan nën këtë qeverisje me qeveritarë hajdutë, duke anatemuar nismat ligjore që i presin botës së krimit ushqimin që e rrit dhe e mban atë në këmbë si një kërcënim permanent për sigurinë tonë, dhe do kuptosh se sa dhe si i shërbejnë këta “baballarë” vendit të tyre. I keni dëgjuar? Duan të dominojnë dhe të tymnizojnë gjithçka në emër të “interesit publik”, kur nuk e dinë se publiku u vë paçavuren disave prej këtij soji. Politika jashtëparlamentare dhe këta “kundër”,që bëhen avokatë të krimit duke anatemuar luftën që bëhet për ta goditur atë, bëhen bashkë për interesa pushteti dhe fitimi. E gjithë kjo retorikë, me sharje, shpifje, anatemime, nihilizma, përgojime, akuza politike, prodhon një energji vetëshkatërruese, që ushqen pesimizmin dhe i bën njerëzit të humbasin besimin dhe shpresën. E pas kësaj njerëzit nuk mund të jenë të qetë në vendin e tyre, të mendojnë për jetën, ta ndërtojnë të sotmen dhe të nesërmen e tyre dhe familjes së tyre këtu, duke u përballur edhe me realitete të vështira. Si një këmbanë pas veshi atyre u gjëmojnë këngët e vajit që përcillen përditë nga megafonët “anti...” dhe, s’ka se si të mos thyhesh, të mos mendosh se “vërtet ky vend nuk bëhet”. Pastaj vjen dalldisja e largimit. Njerëzit ikin... ikin duke sharë dhe ata, masivisht,vendin e tyre, si një vend që “s’bëhet”. Kundër qeverisë dakord. I bini o “baballarë”, i bini fort. Po me Shqipërinë ç’keni? Pse e nxini atë në sytë e botës? Pse e shani, pse e bëni atë vend- kanabisi e kokaine, vend të krimit e të pajetueshëm? Partitë nuk janë të të gjithëve, as politika nuk është e të gjithëve. Shqipëria po, është e të gjithëve. Braktisja e vendit nga mijërat për vit (pak rëndësi kanë shifrat. Ato u shërbejnë vetëm kritizerëve nëpër debate televizive dhe opozitarëve, për të qëlluar me gurrë kryeministrin) është një plagë e hapur në trupin e vendit, të Shqipërisë sonë, plagë që dhemb e duhet t’u dhembë të gjithëve. Shërimi i saj është emergjencë kombëtare, ndaj në këtë pikë kërkohet bashkim, solidaritet,mirëkuptim dhe jo hedhje gurësh mbi njëri-tjetrin. Qeveria, natyrisht ka barrën më të rëndë. Dhe, kam përshtypjen se edhe ajo, edhe kryeministri i vendit, duhet ta marrin më seriozisht frenimin e emigrimit, të kthyer, pa droje e them, në një mani ikjeje, jo thjesht e vetëm per një jetë më të mirë, por edhe për të qenë larg kësaj zallamahie politike, larg këtyre “baballarëve” që ua nxijnë jetën përnatë me gërgëre nëpër studiot televizive. Shqiptarët mund t’i ndajnë bindjet politike, rrugët për të mbërritur te i njëjti destinacion, por s’ka pse i ndan politika, përballë nevojës së bashkimit për ta bërë, bashkarisht, me të mirë dhe më të jetueshëm këtë vend. Për sa kohë shqiptarët nuk do ta shikojnë të ndodhë kjo, ata do zgjedhin ikjen. Në atë kohë qeverisja duhet të numërojë ditët e largimit, dhe opozita mos ta ëndërrojë pushtetin. Vendit do t’i duhet një politikë e re.