Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kupa e mbushur e Ramës dhe filxhani bosh i Bashës

Postuar: 23/10/2019 - 07:20

Për opozitën tonë jashtëparlamentare si në tërë këto vite, gjithçka që ndodh në këtë vend individualizohet e pykëzohet në një emër të vetëm. E gjithë përgjegjësia për çdo ngecje në çdo fushë, deri tek fluturimet e dështuara të ANS-së i faturohen Edi Ramës. Shpresat për një fitore të mundshme në zgjedhjet e radhës nuk i përcakton aksioni opozitar, programet politike,takimet masive, rritja e besimit, po varen vetëm me qenien ose jo të tij në krye të qeverisë. Jo më kot Berisha, ka deklaruar: “Nëse nuk ikën Rama nga pushteti, shkrihet opozita, opsion tjetër nuk ka”! Sipas liderëve opozitarë, ai është i vetmi fajtor i rënies ekonomike, varfërisë, emigrimit që nga janari i 1991 e tërë historinë post rrëzimit të sistemit të kaluar. Rama merret për gjithçka, si pikë referimi, gati siç merrej viti 1939 i fundit i sundimit të Zogut në krahasimet e rritjes ekonomike dhe tërë treguesve social-kulturor në sistemin socialist që lamë pas. Tërë të zezat që ka ky vend i ngarkohen Ramës. Këto ditë, pas vetos franceze edhe pse u errën dhe u gdhinë në Bruksel, edhe pse për këtë ditë u luftua fort, jo me slogane, po me reforma dhe masa të jashtëzakonshme, sulmet janë mbështetur në kauzën më të re, atë të dështimit të negociatave. Pavarësisht mbështetjes dhe aksionit gjerman, takimeve, mbledhjeve që nisnin në mbrëmje dhe mbylleshin në mëngjes në sallën e Këshillit Europian, kërkesës dhe këmbënguljes së 25 shteteve me argumenta për të bindur skeptikët dhe ndryshimin e qëndrimit të atyre që këmbëngulnin për jo-në, vendi ynë nuk ia arriti. Lobimi i drejtuesve më të lartë të Komisionit Europian, Parlamentit të Europës, zotit Hahn, Tusk e një numri pafund udhëheqësish botërorë, mbi të gjitha vendosmërisë së kancelares Merkel, e cila i kishte dhënë unionit një orientim perfekt, duke siguruar edhe ecurinë e reformave të Europës dhe Shqipërisë dhe faktin se ishin vetëm hapje e një porte për tu stacionuar në oborrin e unionit. Lulzim Basha, Monika Kryemadhi e një duzinë opozitarësh që gëzojnë e duartrokasin mosçeljen e negociatave, për të cilën kanë punuar e luftuar fort gjatë tërë këtyre viteve, veçanërisht me revolucionet e dhunshme me të cilat habitën tërë botën në kundërvënie të arsyes dhe fakteve e provave të padiskutueshme të faktorëve përcaktues europianë, që i njohin Shqipërisë progresin, luajnë me të gjitha forcat për ta shfrytëzuar ngecjen me bërjen fajtor të politikave të qeverisë. Me të vetmin fajtor, kryeministrin Rama. Kjo opozitë më shumë se njëherë ka provuar të ndalet para dyerve të BE-së edhe atëherë kur nuk ishin këto rregulla strikte dhe askush nuk kërcënonte me veto. Harron Berisha stanjacionin që i vendosi Shqipërisë me batërdinë e vjedhjes së votave në 1996 dhe rënien e shtetit në 1997, faktorë që ndikuan në mosçeljen e negociatave dhe humbjen e shansit për t`u ulur në tavolinën e BE-së. Harron bëmat e mëpastajme, grushtin e shtetit e me radhë aksionet anti sistem që kanë krijuar një ngërç politik që dërgon sinjale negative në kancelaritë europiane. Tabloja e një viti direkt nga bulevardi i Tiranës, dhuna mbi insitucione, dorëzimi i mandateve të deputetëve dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet e pushtetit lokal, kanë qenë mesazhet më të zeza që kjo opozitë dhe këta liderë që sot bëjnë paqësorin, të dhimbsurin, të tronditurin e të pafajshmin i dërguan live Europës, tablotë rrëqethëse. Jo njëherë kancelaritë europiane dhe përtej Atlantikut, i kërkuan opozitës edhe nominalisht me emra, largimin nga rruga dhe kthimin në institucione. Po PD dhe LSI, Lulzimi e Kryemadhi i bënë karshillëk këshillave dashamirëse dhe i kthyen kurrizin arsyes dhe veprimeve që do ti jepnin demokracisë drejtpeshimin e munguar dhe të cenuar pikërisht nga ata që sot nuk i lënë radhë njëri-tjetrit me ultimatume, duke anatemuar dhe bërë trimoshët, sikur jemi në prag lufte. Krahasimi me qëndrimin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zaev, përdoret si etalon me të cilën bën lojë opozita jonë. Dhe flet kjo opozitë, e cila nuk ka asnjë përngjasim me asnjë opozitë në demokracitë e vendeve që na rrethojnë, ku vërtet bëhet opozitë, po askush nuk iu largohet zgjedhjeve e nuk kërkon pushtet me firma dhe marrëveshje në tavolinë. PD dhe lidershipi i saj iu duket se u erdhi shansi në duar dhe është momenti për të arritur objektivin që prej vitesh lufton, duke shmangur zgjedhjet, duke fituar vetëm duke vënë gishtit mbi një fajtor, Edi Ramën. Realisht kur një individi qoftë ai edhe kryeministri i blatohen tërë sukseset edhe kur bëhet fajtor për të gjitha, është një subjektivizëm ekstrem. Është thjesht luftë politike e cila përdoret nga opozita, si kauzë për të goditur mazhorancën. Kur kjo betejë, zhvillohet brenda kornizave e të demokracisë dhe nuk tejkalon kufijtë e objektivitetit dhe realitetit, atëherë thuhet se opozita është në rrugën e vet normale dhe top t`i bëhet fjala. Kur kryeministri kritikohet për mungesat në vend, pamjaftueshmëri të luftës kundër korrupsionit edhe për këtë meriton bravo opozita! Po kur dëgjon broçkulla se mosçelja e negociatave është për faj të Ramës, se pa të dhe me liderët e progresit, Ndoka, Dule, Noka, Basha, Kryemadhi, Duka, do ishim sot në BE, duket se na vihet në dyshim inteligjenca dhe kultura politike, dijet që kemi mësuar në këto tri dekada demokraci. Edhe më keq kur liderët recitojnë fraza standarde dhe pa asnjë kuptim se: Komisionerët e Europës janë blerë nga Rama, ata nuk thonë të vërtetën, shtrembërojnë realitetin, janë fajtorë si dhe qeveria që nuk i barazojnë opinionet e tyre me ato të opozitës. Turp për këtë opozitë. Shumë turp për këta liderë që u janë lëpirë këtyre drejtuesve, sa herë i kanë takuar. Sa keq për naivitetin e Bashës kur reciton se Rama e ka mbushur kupën dhe duhet të largohet. Po si, me revolucion apo dhunë? Me gjak deklaron Alibeaj. Atij i ka mbetur ora në vitin 1944. Mendoni pak që akuzuesi Basha e ka të zbrazët filxhanin, trok fare, nuk ka arritur të mbushë njëherë të vetme me një sukses qëkurse mori drejtimin e PD-së. Me se mburret zoti Lulzim Basha? Cila është arritja e tij e vetme në këto gjashtë vite? Janë kontributet e tij në reformat e mëdha, si ajo e drejtësisë dhe miratimi i korpusit të ligjeve, të cilat mbetën për dy vite në sirtarët e Parlamentit apo se u ulë në zbatim të këshillës së gjermanëve për miratimin e reformës zgjedhore? Cili është kontributi i Bashës në rrugëtimin drejt çeljes së negociatave dhe sa i shërbeu këtij objektivi me rëndësi kombëtare, duke bërë revolucionin me zjarrin në kazanët e plehrave nëpër rrugët e Tiranës apo duelin me policinë dhe xhamat e godinave qeveritare? I mbeti bosh filxhani politik i partisë që kryeson me produktin e aksioneve që ndërmori. Fitoi apo dështoi me protestat? Faktet flasin se jo vetëm që nuk fitoi asgjë, po i zbriti edhe më poshtë aksionet opozitare, e thau filxhanin e cekët, duke e zhveshur partinë që solli demokracinë dhe udhëhoqi rënien e sistemit në atë derexhe sa edhe vetë militantët qëndrojnë e bëjnë sehir si shkërmoqet partia, largohen deputetët dhe kryebashkiakët hoqën dorë nga tërë pushtetet dhe institucionet. Pas gjithë këtyre aksioneve, sot është duke shtrënguar fort, gati për ta mbytur dhe bërë pavlerë edhe vet kauzën më të re që i ra nga qielli, atë të bllokimit të negociatave. Dhe me këtë kauzë, duke luajtur fort, kërkon të hapë shtigjet drejtë pushtetit. Po bilanci shkatërrues dhe filxhani bosh brenda të cilit nuk gjen asnjë thërrime lavdie apo fitore pushteti janë humbjet radhazi në tërë ndeshjet e derisotme që nga dita që Basha mori timonin e PD-së. Nëse Basha do pyeste shqiptarët që kërkojnë me ngulm hapjen e negociatave dhe ardhmërinë e vendit në BE nuk do gabonte me strategjinë të kapjes fort pas kauzës së pezullimit të hapjes së tyre. Shqiptarët nuk janë aq naivë sa të brohorasin çdo tekë të Bashës dhe atyre që e rrethojnë. Ata besojnë më shumë zotin Tusk dhe Hahn, se Berishën që kujtojnë se ia hedhin popullit, duke duartrokitur jo-në Makron. Edhe pse nuk kanë asgjë me presidentin francez nuk mund të besojnë në bllok deklaratat e liderëve të opozitës e t`i përvishen qeverisë për t`i hapur rrugën Bashës drejt pushtetit, me inatin se nuk u pranuam në BE. Shqiptarët janë aq të mençur sa të diferencojnë objektivitetin nga subjektiviteti. Të mos barazojnë dëshirat e Bashës dhe interpretimet që ai u bën deklaratave të 25 shteteve dhe drejtuesve të BE-së për të rënë pre e interpretimeve të qëllimshme të liderëve opozitarë. Është në të drejtën e opozitës të përdorë jo-në si kalë beteje në revolucionin që po përgatit kundër mazhorancës për të vijuar dhunën, si tërë këto vite. Po është edhe në të drejtën e qytetarëve që t`i thonë jo opozitës, e cila nuk ka hallin e humbjes së BE-së, po të vetes. Thellë –thellë, opozita jonë është e gëzuar nga bllokimi në portat e BE. Për këtë ka kohë që lufton. Dhe këtë e tregoi me mos lëvizjen as të gishtit për po-në me brohoritjet fuqimisht sapo u mësua vetoja e presidentit Macron. Vetëm për jo-në ulëritën. Asnjë fjalë për tërë ato përpjekje për t`i dhënë Shqipërisë të drejtën për tu pranuar në BE. Liderët e opozitës nuk u ngritën as në lartësinë e shumë prej politikanëve, që edhe në opozitë në shtetet përreth, Tsipras në Greqi, apo qeveri, Conte në Itali, kryeministri Mitsotakis e dhjetëra personalitete botërore e DASH që mbrojtën me forcë pranimin dhe të drejtën e Shqipërisë për t`u bërë pjesë e unionit. Për të gjithë këta, Shqipëria e meritonte. Vetëm për liderët tanë opozitarë, jo. Mesa duket, jo-ja, u shkon më për shtat se shërben për kompaktësim, mobilizim dhe zgjim. Beteja me mazhorancën dhe ëndrra për një ardhje në pushtet me forcë përmes rrugës, u duket se është pas porte.

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/11/2019 - 20:43

Reforma në Drejtësi përpos çlirimit të drejtësisë nga turlilloj injorantësh, hajdutësh, sharlatanësh dhe dallkaukësh prokurorë e gjyqtarë, po çliron sistemin politik nga fara  e keqe që mund ti ketë rënë për hise

Postuar: 16/11/2019 - 07:21

Është një ulërimë e madhe, është një gjëmë pa përmasa, është një apokalips dhe përmbysje rrënjëso

Postuar: 16/11/2019 - 07:19

Mini-Shengeni Ballkanik midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë ka krijuar insinuata të ndryshme

Postuar: 16/11/2019 - 07:16

Situata e gjendjes së rënduar financiare në të cilën ndodhen shumica e bashkive të vendit kërkon

Postuar: 16/11/2019 - 07:13

Sigurisht që është e njohur me kohë batuta "zot më ruaj nga miqtë se nga armiqtë ruhem vetë&

Postuar: 15/11/2019 - 13:40

Sipas nenit 129 të Kushtetutës “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën bet

Postuar: 15/11/2019 - 07:14

Sa nisi reforma në drejtësi të skicohej dhe komisioni i posaçëm nisi punë, përplasjet mes palëve