Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kur “minjtë” kapardiseshin në “hambarët me grurë”!

Postuar: 20/02/2018 - 08:36

LSI-stët i kujtojnë me nostalgji vitet kur kapardiseshin si “minjtë” në hambarët e mbushur me grurë dhe qëndronin si “veshka në mes të dhjamit”! Tek e kujtojnë atë kohë dhe e krahasojnë me të sotmen, tek kujtojnë edhe të ardhmen e tyre të pashpresë e drejt falimentimit, kalojnë në ekstazë dhe bëhen të papërmbajtur! Njërën dorë atëherë e mbanin në “revani”, tjetrën në “bakllava! Të tjerët përpiqeshin të mblidhnin “bereqetin” në hambar dhe LSI-stët, ishin të lirë të shkonin në çdo “hambar” që ata dëshironin, por në mënyrë të veçantë atje ku gjoja puna ishte një “kut” dhe përgjegjësia një m...! Hanin por mendonin edhe për tarafin e tyre, duke pretenduar që “hambarët” ishin plot dhe më tepër nga sa hanin shpërdoronin “grurin” rrugëve në përpjekje për të mbushur edhe “strofullat” ku qëndronin, dhe mbushnin edhe “xhepat. Kishin për këtë “vizën” nga prokurorë e gjykatës, por kishin edhe “spiunët” e Visho Likës me vete, që të mos raportonin! Kjo, e ashtuquajtur drejtësi, “themelet ” e të cilës u hodhën tek plepat e Durrësit nga “mësuesit” e parë të LSI-stëve, vazhdon akoma edhe sot. Hë pra, a nuk kanë të drejtë sot që më shumë se kushdo tjetër të bërtasin e të çirren opozitarët për largimin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm e për ta kthyer atë përsëri në detyrë? Si të mos e bëjnë këtë kur kanë mbetur me “gisht në gojë” dhe askush nuk po ua vë veshin? Kur “minjtë” qëndronin rehat në hambarët e grurit i “qanin hallin” fukarenjve të majtë, propagandonin sukseset e mëdha të qeverisjes, si në kohën kur ishin me qeverinë e djathtë, ashtu edhe kur gjoja qeverisnin me të majtët. Është e vërtetë që vetëm katër “rondele” u montuan në “makinën” e PD-së, në vitin 2013 por që kishin aq shumë vlerë, sa që edhe me një lëvizje të thjeshtë të kryetarit të LSI-së për të “zhvidhosur” këto “rondele”, “makina” PD merrte tatëpjetën. Me kalimin e kohës, “rondelet” pa asnjë funksion u shumuan aq shumë sa që nuk merrte vesh i pari të dytin! Ç’të bënin të djathtët!? E dinin që “bashkëqeverisësit” e tyre vetëm pengonin, por bënin një vesh shurdh e një sy qorr për të mbajtur “ngrehinën” në këmbë! Vetëm në këtë periudhë filluan të zbatoheshin ato që dikur “mësuesit” e LSI-stëve propagandonin: “Me ne fitojnë të gjithë” dhe “Ne qeverisim, bota na ndihmon”. Sot, dikush duhet të paguajë dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi jo vetëm për “grurin” e harxhuar por edhe për “ndotjen”që kanë bërë në “hambarë”! Kush më shumë se ish Kryeprokurori i Përgjithshëm do t’i merrte në mbrojtje kolegët e vet për t’i shpërblyer për nderet që ata i kishin bërë? A nuk e “shiti” Amerikën Presidenti i sotëm, për hir të Kryeprokurorit duke e marrë atë në mbrojtje për nderin e madh që i bëri? A nuk po ecin në gjurmët e shefit të tyre një Manjan e një Vasil, të cilët e quajnë një “fatkeqësi të madhe” ndalimin e hyrjes në SHBA të këtij farë burri, Adriatik Llalla!? Shikoni, sa të shqetësuar janë LSI-stët nga ajo që Llallës i ndalohet hyrja në SHBA, aq sa janë gati të “rrëmbejnë edhe pushkët e të dalin malit”! Nuk e kanë patur ndonjëherë këtë shqetësim as për interesat e Shqipërisë, as për nderet që i ka bërë Amerika, që herë i servilosen asaj në mënyrën më të shëmtuar e herë e akuzojnë sikur “persekutimet po vijnë nga Amerika! Para pak kohësh bënë një interpelancë me ministrin e Jashtëm për votën e Shqipërisë kundër Amerikës për çështjen e Jeruzalemit. Hallin nuk e kishin tek vota kundër, por e kishin tek ajo që Amerika, nëpërmjet ambasadorit të vinte e të shihte me sytë e saj se kush janë ata që u “digjet barku” për Amerikën dhe kush janë “bukëshkelurit” e saj! “Nuk preferoi të vinte në këtë interpelancë ambasadori amerikan, ç’ka i prishi shumë punë LSI-së, që të shihte me sytë e tij e të dëgjonte me veshët e tij, “amerikanët” më amerikanë nga amerikanët! Monika ka të drejtë të thotë që amerikanët nuk e dinë kush janë pro saj e kush janë kundër! Kanë të drejtë opozitarët e sotëm t’i ngjajnë atyre të “marrëve” që kanë dalë nga “pavioni” dhe vrapojnë por nuk e dinë se ku, që bërtasin përçart dhe që as vetë e as të tjerët nuk e dinë se çfarë kërkojnë, megjithëse ja dinë hallin që kanë! Lëvizje të përçartura, britma të pakuptimta, lëpirje të atyre që vetë “kanë pështyrë”! Edhe kaq sa kanë bërë e po bëjnë, do të ishte gjysma e të keqes, sikur të ishte puna për të marrë në mbrojtje një Kryeprokuror, prokuror apo gjykatës që ka qenë model në zbatimin e ligjit. Por, të marrësh në mbrojtje një Kryeprokuror që për pesë vite fjeti mbi pluhurin e dosjeve të krimit e të korrupsionit e u la atyre dorë të lirë, ky është absurditeti më i madh i kohës! Pikërisht për të marrë nën mbrojtje krimin e korrupsionin LSI-stët, janë të gatshëm të vendosin në “shënjestër” cilindo, nga funksionari më i thjeshtë i mazhorancës e deri tek Amerika. Për këtë, LSI-stët ishin të gatshëm edhe t’i vinin zjarrin Parlamentit, edhe të përdornin të gjithë arsenalin e tyre të “armëve”, përfshi edhe “armën” çizme kundër mazhorancës! Nuk i mjaftuan tetë vite “muaj mjalti” në pushtet, por kërkojnë që edhe në të ardhmen të rrinë si “minjtë” në hambarët e grurit. Tani kërkojnë që edhe “grurin” me të cilin kanë mbushur edhe “strofkën” e tyre ta shijojnë, por edhe të rrëmbejnë akoma, sepse oreksi vjen duke ngrënë! Duam apo nuk duam, na duhet të pranojmë edhe një të vërtetë. LSI-stët janë fajtorë, po janë edhe “Rilindasit” që ata i vendosën pranë “koçekëve” ku “gruri” jo vetëm pikonte por edhe “rridhte”! Këto “koçekë, ishin shëndetësia, tatimet, AKU-ja e degët e saj në qarqe, transporti, hipotekat e Aluizni, rrugët, administrata e burgjeve, etj., etj. A kanë faj “minjtë” kur “rilindasit” u varën atyre në qafë “qeskat” me grurë? Cili nga këta funksionarë LSI-stë mbeti pa u ndëshkuar apo dënuar për korrupsion e abuzime skandaloze me fondet? Po sa të tjerë ka mbuluar Llalla dhe “llallistët” në gjykata? Edhe sot, askush prej tyre nuk qëndron duarkryq. Të gjithë i janë drejtuar gjykatave për të përfituar shuma të mëdha, për largimin nga puna “padrejtësisht” sepse këto kushte i siguroi “Rilindja”, të cilët janë gjithashtu bashkëfajtorë po aq sa edhe ata, me dëmet që po u sjellin taksapaguesve shqiptarë, e në mënyrë të veçantë familjeve në nevojë. Tek e dëgjon një ish ministër LSI-st, Manjani, është më shumë se për të qeshur. Ja ç’thotë ai: “Llalla po persekutohet siç u bë me familjen e tij në kohën e Diktaturës” dhe “Sot, po persekutohet, po familjarisht madje edhe pa gjyq nga ambasada amerikane dhe DASH”! Për t’i dhënë fund këtyre mendimeve “filozofike” të këtij ish Ministri, po e citojmë përsëri: “Ka një rradhë shumë të gjatë VIP-ash që duhen ndëshkuar para Llallës”, na thotë “profeti” Manjan! Edhe sikur të jesh qytetar i Republikës së Kiribatit, të lind pyetja: Po pse more Manjan, nuk denoncuat ndonjë “VIP” bashkë me Llallën, kur kishit në dorë “frenat” e drejtësisë? Mos vallë këta VIP-a” u bënë të tillë vetëm brenda disa javëve? Që ka “VIP-a” nga të gjitha krahët e politikës, kjo është e vërtetë si drita e diellit, por kush më shumë se ju do t’i denoncojë ata para drejtësisë? Flasim për VIP-at që janë bërë të tillë me djersën e taksapaguesve, jo ata që janë bërë me djersën e vet. Unë, as që merrem fare me heqjen e “vizës” së Llallës për të hyrë në SHBA, mua dhe të gjithëve ne na intereson vetëm një, na intereson ajo që “Llalla dhe jo vetëm ai, por edhe “llallat” e tjerë, ja kanë hequr me kohë “vizën” drejtësisë dhe i kanë dhënë “vizë” korrupsionit dhe krimit. Ky është shkaku qe Shqipëria ka arritur deri këtu. Kjo është ajo që u intereson qytetarëve të këtij vendi, ku krerët dhe ish krerët e politikës kanë nxitur dhe nxisin korrupsionin dhe krimin E kanë vënë në “shënjestër” Kryeprokuroren e Përgjithshme, të përhershme apo të përkohshme, kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që ajo po vepron sipas Kushtetutës, e për zbatimin e Ligjit. Por, ajo ç’ka i “tërbon” opozitarët PD-istë e LSI-stë, është zbatimi i ligjit. Ata kanë dashur dhe duan si deri më sot, që të mos kenë “telashe” nga drejtësia, e të bëjnë siç kanë bërë të parët e tyre në kohën e “hazretit”! Arta Marku nuk po bën as më shumë e as më pak, përveç asaj që po “ç’pluhuros” një nga një dosjet ku flinte Llalla i cili vetëm me veshjet që i ka bërë fëmijëve të vet, kushtojnë aq sa marrin të gjithë pensionistët e Kryeqytetit! Ky “pluhur” po ja verbon sytë edhe opozitarëve të cilët bashkë me “verbimin” e arsyes, janë çoroditur e janë bërë më tepër nga ç’dihet qesharakë në sytë e botës. Mirë që “gomari” na ka ngordhur me kohë, por si do t’i vejë halli “mizave” ndotja e të cilave, e kalon shumë herë edhe varfërinë,“ndotja” e të cilave vret shpresën dhe të ardhmen, “ndotja” e të cilave krijon në Shqipëri, një ambient mbytës...!/Nga Pandeli BARDHI  

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 62

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2018 - 07:21

Bashkohem me të gjithë zërat që konsiderojnë protestën e studentëve si një vlerë të shtuar për demokracinë.

Postuar: 12/12/2018 - 07:20

Po i japin leksion demokracie pikërisht ato djem dhe vajza që tashmë nuk duan asnjë negociatë, di

Postuar: 12/12/2018 - 07:18

Protestuesit studentë u futën në ditën e shtatë të protestës së tyre dhe do ta vazhdojnë atë deri

Postuar: 12/12/2018 - 07:16

Ka disa ditë që shqiptarët janë përballur me protesta të forta nga banorët e Unazës së Re, të cil

Postuar: 12/12/2018 - 07:13

CIA ka nxjerrë të tjera detaje sa i takon regjimit komunist në vendin tonë.

Postuar: 11/12/2018 - 07:19

Ashtu si në çdo lëvizje e protestë të viteve të fundit apo pas ndonjë skandali të shpërthyer

Postuar: 11/12/2018 - 07:17

Nuk dua të hyj në të drejtat e tyre legjitime, sepse i zoti e di ku i pikon çatia, tjetër gjë kam