BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Kur bota dhe Amerika panë marrëzitë tona “live”!

Kur bota dhe Amerika panë marrëzitë tona “live”!

Isha i përgatitur që me thirrjen për protestë të bërë nga Presidenti Trump, se “patriotët” e tij dhe idiotët e mos respektit ndaj demokracisë dhe institucioneve të saj, do të jepnin shfaqen e pështirë të sulmit grotesk mbi Capitol Hill. E dija, sepse pak a shumë në katër vitet e administrimit Trump, respekti ndaj institucioneve të shtetit amerikan, ka rënë në mënyrë fatkeqe më tepër se sa duhet si përballë amerikanëve dhe ndaj botës. Lidershipi i Amerikës në botë po ashtu dhe padyshim ajo “Amerika” e ëndrrave dhe dashurisë tonë, u ngjyros me groteskun e formës dhe përmbajtjes së “outsiderit” Trump. Sot është kollaj mbas një veprimi grotesk dhe në thyerje të demokracisë nga Presidenti Trump ta akuzosh vetëm atë, sepse vetë ardhja e tij në “Shtëpinë e Bardhë” është pikërisht një rrënim demokracie dhe fillim i kthimit të institucioneve të larta të shtetit në domen të miliarderit, logjikës vetëm tregtare me talentin e “Showman-it”. Ishte populli amerikan që Presidentin Trump e vendosi atje dhe nuk erdhi si pasojë e një “puçi ushtarak”, por si vullnet zgjedhësish. Por ishte e qartë se ishte ndryshe dhe padyshim kjo ndryshe, qëndron në faktin se ai – nuk njihte dhe nuk donte institucionet kushtetuese të SHBA-së. Tashmë kanë marrë guximin ta thonë dhe liderët perëndimorë që deri dje flisnin në dhëmbë kur testata të mëdha, gazetarë të mëdhenj e kritikonin zotin Trump për “fashistizim” karriere politike dhe frymëzim anti kushtetues në veprime nga më të ndryshmet. Duke filluar në sjelljet e tij të pazakonta dhe jashtë standarteve të një presidenti Amerikan që është shembull kujdesi dhe kalorësie apo dhe mirësjelljeje. U duk dhe në sjelljen ndaj Mbretëreshës Elisabeta dhe u duk dhe në samitet me liderët botërorë dhe europianë. Presidenti Trump tashmë është njeriu që mund të rrezikojë “impiçment”, por dhe që mund të falet nga elitokracia amerikane për të mos u bërë me “grada” demokracie më shumë se sa në fakt ka krijuar me marrëzitë anti institucione që ka demonstruar. Vetë të shkruarat e tij gjatë sulmit që policët janë kështu dhe ashtu dhe asnjë fjalë për vendin, i cili sulmohej, tregojnë se ai në radhë të parë urren Capitol Hill ose vendin ku demokracia amerikane përballë botën dhe vetë presidentin që del nga vendimi i popullit fantastik amerikan. Kthimi ekskluziv në idetë e biznesit në drejtim të SHBA-ve vinte mbas një sëmundje tashmë të qartë të elitokracive si demokrate dhe republikane në vendin e madh të demokracisë. Po ashtu dhe në Shqipëri, një ndryshim kursi gjeo-strategjik mbi parimin Trampist “rregullohet biznesi dhe pastaj demokracia”, në vend të parimit të deritanishëm amerikan se është demokracia që pastaj rregullohet ekonomia - pati viktima politike sidomos në Kosovë. Gjithsesi Amerika është simboli i demokracisë dhe do të mbetet në jetë të jetëve e tillë. Por sigurisht shfaqja e fundit e idiotëve populistë (fashistoidë) mbi dhe në sallat e Capitol Hill ishte për fat të keq një ngjashmëri tragjike me shfaqet që kanë bërë Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Edi Rama përpara Kryeministrisë apo dhe Parlamentit shqiptar. Nuk kishte më fatkeqësi për mua se të shikoja të tilla skena të ngjashmet me tona “live” në Washington, ose vendin kur buron demokracia moderne. Po shikoja protestat e dikurshme të Berishës në 1998-tën dhe marrjen me sulm të Kryeministrisë dhe Kuvendit. Po të njëjtët idiotë që marrin institucione demokracie qoftë dhe jo kaq shumë të konsoliduara. Po ashtu 21 Janarin e Ramës që si Trumpi rrinte larg, por pjesa e “të acaruarave” sulmonte Kryeministrinë dhe ku u vranë po ashtu si në Capitol Hill katër veta. E te ne i vrau kryeministri i “kullës së ngujimit” Berisha. Individë që luanin me turmën dhe marrëzitë populiste të folklorizmit shqiptar pushtet mos lëshues dhe pushtet marrës me dhunë. Pastaj dhe sulmet mbi Kryeministri të Bashës më vonë deri sa kuptoi se po bën një marrëzi groteske jashtë kontureve të demokracisë. Bota me gjashtë janar pa në Washington një pjesë të marrëzisë sonë shqiptare të politikës. Në mënyrë absurde, por e pa në kryeqendrën botërore të demokracisë moderne. E kjo është një fatkeqësi. I është bërë një e keqe e madhe demokracisë dhe pa asnjë dyshim faj nuk ka vetëm njeriu që sot konsiderohet përgjegjësi kryesor. Jo, kanë faj të madh dhe establishmentet amerikane dhe botërore, të cilat tashmë kanë përthyer demokracinë e vërtetë në mënyrë tragjike. Pandemia dhe përballja e saj e çoi në fund dhe respektin ndaj institucioneve në saj të një marrëzie, e cila solli tymrat dhe erën e tiranokracive të shëmtuara dikur. Institucionet në SHBA janë të forta dhe padyshim dhe një president që tentoi ti sipërkalonte apo dhe denigronte do të humbë, por pamjet mbesin dhe fatkeqësia duhet të bëhet mësim. Jo gjithçka popullore është demokratike dhe jo gjithçka demokratike mund në mënyrë apriori të jetë popullore. Mes tyre është ligji dhe janë institucionet që mbajnë demokracinë në këmbë. E institucionet kur sulmohen nga turmat tregohet dhe lëkundja e madhe. Por Amerika është zemra e demokracisë dhe këto lëkundje nuk e rrëzojnë kurrë. Ajo do të jetë dashuria e madhe e shqiptarëve dhe për shumë kohë. Asnjë dyshim për demokracinë e saj dhe sidomos miqësinë e madhe të saj për ne. Lidhjet tona me këtë vend të bekuar janë të forta dhe asgjë nuk i lëkund. Po, asgjë dhe askush si në Amerikë dhe te ne.