BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Kur dihen politikanët, si mund t’u besohet “teknicienëve” të tyre?!

Kur dihen politikanët, si mund t’u besohet

E sotmja politike në botë, por dhe në Shqipëri, është humbja e një drejtpeshimi politik dhe filozofik dhe neveritja deri në kulm me elitokracitë korruptive dhe arrogante në cënim të lirisë dhe demokracisë. Mirëpo ne nga diktatura, faktikisht kemi fituar jo kaq shumë alternativën, se sa arsyen për të mos shkuar përpara kutive të votimit. Po sigurisht, në rastet kur alternativat janë pothuaj ose të njëjta për nga fajet dhe nga tirano-korrupsioni qeverisës. Kryesisht tirania e tyre, arroganca e tyre, i drejtohet shtresës së mesme, të cilën jo vetëm e mbytën në taksa dhe mashtrime, por dhe e kanë shënjestër me anën e militantëve poshtë dhe oligarkisë injorante dhe shfrytëzuese sipër. Në këto kushte, duke u penguar dhe alternativa, duke mos pasur një elitë të re individë, akademikë dhe nganjëherë dhe ne gazetarët – filozofojmë se ndoshta një qeveri teknicienësh të përbashkët mbase do të mund të “ndreqë” një zallamahi kriminale qeverisëse në korrupsion dhe riparojë dhe përkuljen deri në thyerje të demokracisë. Po dhe dikush dhe e ka seriozisht, por… Por si ka mundësi të besohet se zgjidhjet politike tonat, të mos jenë të sëmura si vetë politika dhe personazhet politikë tanët. Sepse dhe propozimet nga politika do të vijnë. Po të njëjtët ato prej më shumë se dy dekadave.? Si ka mundësi të realizohet një qeveri me teknicienë që dalin nga marrëveshja politike mes elitës korruptive shqiptare dhe të jenë të pavarur prej tyre? Si ka mundësi të besojmë se kjo klasë politike super e korruptuar dhe pothuaj e gjitha për nesër para gjyqit dhe llogarisë për mijëra e mijëra abuzime dhe krime - të propozojë individë që kanë “integritet moral dhe politik” kur mentorët e tyre janë afër burgut apo rreth e qark tij? Kush nga teknicienët normalë do t’i besonte PS, PD, LSI apo dhe të tjerëve rreth rrotullakë të tyre, se nuk do të ndërhyjnë me planet e tyre të mbrojtjes së llogarive, mbrojtjes së letrave dhe pasurive apo dhe horrllëqeve që kanë bërë. Mirë kjo, po kush mund të besojë poshtë se të tillë “teknicienë” nuk janë të “emëruarit” e pikërisht atyre që duhet të japin llogari për t’iu mbrojtur asetet e tyre kriminale në majë pushtetesh okulte dhe korruptive? Kush është kaq naiv sa të besojë se Rama do të propozonte “teknicienë” dhe për çfarë arsyeje? Ose pse duhet teknicienët e Bashës dhe ata të Berishës dhe pse ata të Kryemadhit? Kur në fakt “pilafin e bëjnë” këta vetë dhe nuk kanë nevojë për asnjë njeri tjetër që t’ua përziejë atë. Për më tepër, se dhe sikur të bien dakord (gjë jo e paraparë, sepse nuk ka pikërisht pse) dilemat e posteve dhe të veprimeve do të ishin akoma më të nëndheshme dhe pavarësia e marrjes së vendimeve dhe administrimi akoma më i mefshtë, i fshehtë dhe hileqar. E gjithë struktura organizative e PS dhe PD, por dhe ajo e LSI-së, është një “ushtrim urdhri” dhe tiranokraci politike ekstreme, “sa mendimi se e tillë marrëzi politike propozon njerëz të ndershëm teknicienë” duket absurditet dhe pse jo – aspak i ndershëm. Me teknicienët e Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, Shqipëria është akoma më keq se me atë vetë. Sepse, në qoftë se janë vetë mund të luajnë “në laborator” nganjëherë dhe kavien, kurse kur kanë “teknicienët” kaviet e vetme jemi ekskluzivisht ne poshtë. Nganjëherë mbase duhet një provokim i tillë që të bëjnë të mundur qeverisjen politike bashkë mbas 25 prillit. E zakonisht vjen nga palët që mundohen të kenë një model pune PD-PS kur e dinë mirë se Lulzim Basha dhe PD nuk fiton dot zgjedhjet e vetme përballë Ramës, Rilindjes dhe PS? Apo mos vallë e dinë se fiton “bindshëm” dhe nuk duan të qeverisë dhe Basha vetëm si Rama? Hëëë cila është? Çfarë kuptimi kanë në “ndershmëri” teknicienët e Ramës dhe Bashës, për njerëz që duan të shikojnë qeveri teknike në Shqipëri? Me idenë se do të ndërtojnë qeveri e cila të zbatojë ligjin dhe “integrojë” Shqipërinë. Kush, teknicienët e politikës më korruptive në Shqipëri? Se nga kjo politikë do dalin. Kush është ai “teknicien” që punon me Ramën? Apo me Bashën dhe Berishën njëkohësisht dhe Kryemadhin bashkërisht? Kush janë këta UFO në politikë, që mund të bëjnë një gjë të tillë? Si mund të shitet një kopilo-infantilizëm si zgjidhje dhe pse mund të ketë qëllim të mirë në fund të diskursit? Klasa politike shqiptare nuk ka “teknicienë” nuk pranon të tillë dhe urren çdo individ që është një teknicien. Kjo klasë politike nuk administron dhe nuk qeveris. Ajo grabit (nuk vjedh pra por grabit) dhe këtë kanë bërë ata që kërkojnë pushtetin dhe kështu bëjnë dhe këta në pushtet. Nuk ka nevojë për teknicienë për të vjedhur tendera, për të bërë plutokracinë më të egër me bashkimin e tyre dhe të pasunarëve oligarkë në Shqipëri. Çfarë teknicienësh dhe “teknikësh” mund të kenë të tilla bashkësi korruptive për t’iu bërë qejfin disave që kujtojnë se bashkimi i tyre vepron më mirë me të tjerë se vetë ata. Për të vjedhur që për të vjedhur – më mirë të bashkohen politikisht dhe fillojnë vjedhjen masive bashkë. Pra PD, PS, LSI dhe njëherë dhe o burra mbi taksat dhe shpinën tonë pa mëshirë, sepse askush nuk ka për t’iu thënë gjë përfshi dhe ndërkombëtarët që kanë arritur të njohin mirë shoqërinë shqiptare. Të zgjuar që duan medemek të zbusin lëtyrën politike me “teknicienë” nuk janë asgjë më shumë se rrondokopë mendimi “filozofik” pa Aristotelin, Platonin, Volterin, Rusonë, apo dhe Shopenhaurin brenda. Po po, janë të modelit “filozofi telenovelash” kur virtualja zëvendëson realen dhe e mbulon atë. Sigurisht pra, duke bërë akoma më keq. Mbas (por dhe përpara në mënyrë të qartë) 25 prillit, ne do të shikojmë se si partitë dhe individët e krimit, do të katapultojnë njerëzit e tyre në vendin që nuk marrin dot vetë afër karrigeve të Kuvendit të Shqipërisë. Do të shikojmë “teknicienët” e gangsterëve të politikës, që do të futen në listat e partive dhe do të fitojnë. Do jenë të pastër në biografinë e tyre morale dhe ekonomike, por do të jenë në shërbim të plotë ndaj hajdutëve dhe gangsterëve të politikës. Këta janë “teknicienët” që ëndërrojnë dhe akademikët tanë? Më e pakta është foshnjëri, kurse më e shumta është marrëzi qëllim keqe politike pa kufi. Po sigurisht që tenton të bëjë paqe në sipërfaqe dhe grabitje në brendësi, që tenton të duket bukur në fotografi (qeverie) kur në brendi ka më shumë krim dhe babëzi vjedhje dhe korrupsioni. E fundit, është e pa mundur se deri këtu në këtë marrëzi nuk shkojnë as të korruptuarit e mëdhenj që kemi majtas dhe djathtas. Nuk janë kaq budallenj. Sepse e dinë se mbas dy muajve do t’iu duhet ta prishin dhe njëherë bakllavanë e pushtetit. Por po, ngaqë ka qënë shumë e ëmbël.