BREAKING NEWS

Pandemia e COVID! Rama publikon të dhënat dhe jep lajmin fantastik: Krenarë, por kujdes se shikoni ç’po ndodhet në... (Foto)

Pandemia e COVID! Rama publikon të dhënat dhe jep lajmin fantastik:
x

Opinion / Editorial

Kur flasim për atdhetarët, të parët janë dëshmorët...

Kur flasim për atdhetarët, të parët janë

Në ka njerëz, për të cilët nuk është kurrë e tepërt të flasim e të shkruajmë, këta janë Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut. Dëshmorëve u përshtatet aq mirë fjala e urtë “Më mirë të vdesësh në lule, sesa të jetosh në pleh”!

“Ka “vdekje” dhe vdekje

“Mund të vdesësh në shtrat, mund të vdesësh si hajdut, po lum ai që vdes në flakën e predhave, në zjarrin e luftës për një ideal të madh, për atdheun”, kështu shprehej Heroi i Popullit, Reshit Çollaku. Dhe luftoi me trimëri duke dhënë jetën! E tillë është vdekja e dëshmorëve. “Vdekje si me le”! Por burrëria, trimëria dhe mençuria rrojnë edhe pas vdekjes së dëshmorëve! Dëshmorët kanë jetuar e jetojnë në zemrat e njerëzve të dashur. Kjo nuk është thjesht metaforë. Bashkëkohësve u kanë mbirë në sy e në zemër dhe i përfytyrojnë e i kujtojnë dëshmorët ashtu siç ishin: të gjallë, të qeshur, të bukur, dinjitozë, mirëdashës, fisnikë! Dhe ajo që ka rëndësi është se frymëzohemi nga vepra e tyre atdhetare, nga virtytet e tyre njerëzore. Ndërsa brezat e rinj, që u lindën më vonë e nuk arritën t’i njohin, as t’i shohin ballë për ballë, i kanë në imagjinatën e tyre. E të dyja së bashku, -përfytyrimi dhe imagjinata- na i sjellin dëshmorët para syve: në ballë, gjithë mall, të nderuar! “Hëni shokë, mos më qani, mos më qani e zi mos mbani, se nuk vdes po jam i gjallë, nuk jap shpirt me yll në ballë”! Çlirimi i vendit nga pushtuesit e huaj ishte betim i madh dhe ëndërr e bukur e partizanëve, e këtyre trimave çlirimtarë të atdheut, por ata që ranë dëshmorë nuk arritën ta shihnin të realizuar ëndrrën e tyre. Kur Heroi i Popullit, Mustafa Kaçaçi mori vesh se do të niseshin për të çliruar Krujën, u gëzua së tepërmi dhe tha: “Jam i lumtun që sonte pas 13 vjetësh, do të hyj në qytetin tim të lindjes dhe nuk më vjen aspak keq në qoftë se do të vritem, mjafton që të arrijë kjo ditë”. Dhe luftonte i vendosur pa marrë parasysh se mund të ndahej nga jeta. Qyteti i Krujës po çlirohej. Në ato çaste Kaçaçi thirri me zë të lartë: “Përpara shokë”! Në sulm! Vetëm kazermat kanë ngelë. Dhe automatiku i tij villte zjarr mbi armiqtë. Por një nazist aty afër, i plagosur rëndë, i cili ishte duke dhënë shpirt, mori hak: qëlloi mbi heroin, fjalët e fundit të të cilit që arriti t’u thoshte shokëve, ishin: “S’ka gja se po vdes… Ta gëzoni ju Shqipninë”! Dhe mbylli sytë përgjithmonë… Ëndrra e tij “Jam krejt i bindun se dikur kam me e gëzue lirinë”, që shpreh optimizëm, u realizua më 29 Nëntor 1944 me çlirimin e Shqipërisë.

Histori pëllëmbë e gjak

Historia e LANÇ është e shkruar jo me penë, por me bajonetë. Jo në zyra, por në male. Jo me bojë, por me gjak. Jo me mashtrime, por sinqerisht e realisht. Jo në letër, por në shkëmbinj, atje ku luftëtari vallen dridhte, në çdo breg a në çdo ledh, ku era ballin ia flladiste e mbrëmja hapte bukuritë; atje ku kënga partizane jehonte e bridhte nëpër kodra e përrenj, atje ku fitorja nisi të buzëqeshë, ku vendi skuqej me gjak dëshmorësh; atje nën dritën e Hënës, shkruhej histori, me fjalë për nënën, të madhen Shqipëri! “Kombi që nuk harron bijtë e tij të rënë në luftë, nuk ka vdekje kurrë”. Dëshmorët janë të pranishëm në sofrat familjare, në kuvende popullore, në ditë me furtunë, në ditë të qeta e në festa, përherë në krahë me të gjallët, në jetë, në luftë e në punë. Dhe kudo e kurdoherë na frymëzojnë atdhedashuri, trimëri, vendosmëri, përkushtim, urtësi, fisnikëri, drejtësi, ndershmëri, harmoni, dashuri njerëzore. Jeta ka dallgët e saj, tallazet e saj. Por jeta dhe vepra e dëshmorëve kanë për tipar dallues: unitetin e kompaktësinë, vendosmërinë, atdhedashurinë, luftën për kapërcimin e vështirësive. Duke luftuar për çlirimin e vendit, ata mbillnin farën e madhe të lirisë, embrioni i së cilës rritej në zemrat e shqiptarëve atdhetarë. Dhe shembullin e jepnin vetë të parët, me jetën dhe gjakun e tyre. Në thelbin e zemrës së dëshmorëve qëndronte krenar e i pamposhtur atdheu. Në sytë e bukur të tyre ishte vizatuar qielli i kaltër i lirisë, në emër të së cilës ata ranë për të mos vdekur kurrë: mbetën përgjithmonë Yje të Pashuar, Yje Gjaku! Ja pse nderimi ndaj dëshmorëve mbetet një detyrim moral, atdhetar, njerëzor dhe i natyrshëm! Mbi 28.000 dëshmorë të LANÇ, një dëshmor për çdo kilometër katror! Shqipëri faqekuqe! Të skuqën dëshmorët me gjakun e tyre të kulluar. Dhe populli ju kujton, ju nderon, rreth më rreth, nga baza në bazë. Zhvillohen veprimtari të bukura, kulturore, të larmishme, të lavdërueshme, në lapidare, në pllaka përkujtimore, në familje baza të luftës e të tjera. Mbahet gjallë emri dhe vepra juaj atdhetare. Veprojnë aktivisht Organizata e Veteranëve, Organizata e Familjeve të Dëshmorëve. Dëshmorët i falën atdheut e popullit lulen e rinisë. Ç’të jepnin më tepër? Një dëshmor binte, dhjetëra ngriheshin. I gjen në vëllimet e serisë “Yje të Pashuar”, botuar nga partizani shkrimtar Resul Bedo. Vetëm në një vëllim me 527 partizanë janë 160 dëshmorë, nga të cilët 18 dëshmorë 17-vjeçarë, të cilët tani do t’i kishin kaluar 93 vjeçët.

Një mal me këngë!

I kanë ngritur populli dhe bashkëluftëtarët. Me dhimbje e lot. Dhe kur thuhej trimat nuk qahen, por u këndohet, pika gjaku binin në zemrat e luftëtarëve, e njerëzve të tyre që linin pas: “Vëlla, pse s’më vjen në derë, Të më flasësh si një herë, Qysh fryjti ajo erë, Të rrëmbeu menjëherë, Mbeta e shkretë dhe e mjerë, Të dy krahët më janë prerë, Nuk kam vëllezër të tjerë”. Emrat e dëshmorëve populli i ka gdhendur në kujtesë e në zemër. Për bijtë e tij trima ka thurur një mal me këngë, fjalët dhe melodia e të cilave gjëmonin në male e në fusha, në kodra e në pyje, në fshatra e qytete, ditën dhe natën, në ilegalitet, nën dritën e elektrikut të dorës, nën batanije, nën dritën e zbehtë të kandilit, të idaresë, të pishës, pa frikë, me guxim, me gëzim, me buzëqeshje!

Era e kuqe që frynte i shpërndante ato këngë patriotike e partizane në çdo skutë të vendit. Mbi gjakun dhe eshtrat e tyre, brez pas brezi, ngrihet dhe mbijeton atdheu ynë i dashur! Dhe populli pyet e këndon: “Shqipëri, o tokë amtare, Ç’janë këta lapidare, Këto pllaka me mbishkrime, Monumente plot kujtime, Përmendore dhe tregime? -Janë plagë, janë thika, Janë beteja edhe prita, Janë mundime dhe vuajtje, Luftë, përpjekje pa druajtje. Është gjaku ynë i derdhur, Në shekuj shumë ka rrjedhur. Janë trimëri të rralla, Nga shumë breza përpara. Ranë si bie mbi mal reja, si bie mbi lis rrufeja”! Ata që dolën malit për çlirimin e vendit e për një jetë më të mirë, në radhë të parë ishin kryesisht të varfrit, një pjesë e të cilëve janë dëshmorë. Flasin faktet që janë kocka e argumentit. Edhe kur jeta e partizanit me plumbin në kokë, pleksej me vdekjen, dekada të tëra dhimbjeje me shokë, jeta mposhtte vdekjen, plumbi mposhtte jetën. Derisa mirënjohja është kërkesë morale e njerëzve në marrëdhënie me njëri-tjetrin, po ndaj dëshmorëve, që e skuqën me gjak “Manushaqen” e Naimit, “të bukurën e dheut, piktuar nga lart, nga reja, që ndrit si margaritar, e bardhë si shkuma e detit”, lule që nuk fishket kurrë, po mbetet e bukur, e freskët, ku fluturojnë shqiponja mali, për dëshmorët, që janë maja më e lartë e vendit tonë, ajka e trimërisë shqiptare? Janë ata, pa jemi ne… Natyra i bën njerëzit njëlloj, por edukata i ndan. Dëshmorët nderohen edhe nga “gurët, nga udhët, nga pemët”, kurse kundërshtarët politikë i përçmojnë, i mohojnë. Por kot e kanë, dështojnë, bëhen qesharakë… Kur ballisti gjirokastrit vrau Niazi Karagjozin dhe ky u shpall dëshmor, zagari i vet besnik ndaj të zotit gjahtar, qëndroi mbi varrin e tij dy javë, pa ngrënë e pa pirë, derisa dha shpirt! Qeni besnik, ballisti vrasës, ndaj dhe u arratis e shkoi në Amerikë!

***

 Sa vjet që nga koha e LANÇ kanë ikur, sa kohë që s’ju kemi parë, o shokë të dashur e të ndritur, mall shumë për ju na ka marrë! Dhe sot ne, veteranë e familje dëshmorësh, djem e vajza pasardhës, i gjithë populli, si një vargmal i gjatë margaritar, jemi me ju, u kemi në zemër e në mendje!