BREAKING NEWS

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti s’ka ndodhur në asnjë vend të botës!

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti
x

Opinion / Editorial

Kur “Majko moja”, flet si e ëma e Zeqos në majë të thanës

Kur “Majko moja”, flet si e ëma e Zeqos në majë

Unë aspak nuk kam dyshim se çështjen tonë të madhe kombëtare, që mbas vdekjes së viganit, tribunit popullor dhe epokal Enver Hoxha, klasa drejtuese e cila erdhi në pushtet me tam-tame e brohoritje sikur të kishte kapur “qiellin e shtatë” e ka tradhëtuar në mënyrën më të paskrupullt.

Nëse mësuesja ime e historisë do më pyeste sot, se me cilët kufizohet Shqipëria, do t'i përgjigjesha se “Shqipëria atdheu im i dashur në Veri kufizohet me Shqipërinë, në Lindje me Shqipërinë, në Jug me Shqipërinë, në Jugperëndim me detin e Shqipërisë dhe në Perëndim, për fatin e mirë se s’kanë mundur dot të na marrin tokë, me Italinë. Me Italinë sepse, kanë sjellë anijet e tyre të rojës (na ruajnë ne shqiptarëve në Durrës dhe në Vlorë). Por kjo maskaradë tradhtie filloi me Ramizin, i cili na solli operacionin “Pelikan”, me Saliun i cili na solli operacionin “Alba” me Nanon apo Majkon, i cili na mburrej se na u paskësh hapur portat vëllezërve tanë kosovarë gjatë luftës e idiotësira të tilla deri te shakatë pa kripë të Nano Venturës (lapsus- desha të shkruaja aventurës) i cili me çamçakëz në gojë, sipër një helikopteri me flamur të huaj i propozonte zv/ministrit të Jashtëm italian me humor, që t’i jepte një copë tokë andej nga Riviera shqiptare, për të ndërtuar një vilë të bukur (Sikur t’i kishte ato sarajet e të atit të vet, megjithëse i ndjeri Thanas ishte burrë i mirë e i ndershëm) e pa folur këtu aspak, që toka jonë do dilte në ankand me kandar dore duke klithur nëpër Europë: “Hajde shesim tokë shqiptare kush do e Shqipërinë me një euro?! Ejani se mbaroi Shqipëria dhe pak tokë ka ngelur! Eja Shqipëria një euro”.

Këtë thiriadë të shkruar më sipër jo pa qëllim e nënvizova për të dalë te “Majko moja” që në serbisht i thonë nëna ime, por kur është emër njeriu, rezulton Majko im. Po përse e zgjodha këtë term, për të fyer Majkon? Jo aspak dhe kur shprehem kështu e kam fjalën te fenomeni “Majko” ngaqë e gjithë veprimtaria e tij flet për një person ende të parritur, që mban në dorë i gëzuar akulloren dhe u buzëqesh të gjithëve si një fëmijë i pafajshëm. Si duket dhe ka të ngjarë, që zgjedhjet në Kosovë dhe fitorja e Albin Kurtit e zgjuan këtë djalosh nga letargjia e tejzgjatur dhe mbasi hapi sytë, u habit se si ishte e mundur që Albini të kishte fituar dhe për më tepër dhe të deklaronte se një ndër prioritetet e politikës së tij, do të ishte bashkimi me Shqipërinë?! Dhe ashtu si i përgjumur në vend që ta uronte vëllanë e tij për fitoren, pse jo dhe për deklaratën e fortë të tij me karakter atdhetar na deklaron para ekraneve se: |Albini duhet të mendojë se si të drejtojë sa më mirë shtetin e Kosovës dhe jo të merret me bashkimin e saj me Shqipërinë”... Kështu që dhe për të plotësuar më tej mendimin e tij vazhdon se ky bashkim do të binte ndesh me aktet e qarqeve diplomatike të Europës dhe për hir të ruajtjes së stabilitetit (po përsëri sipas “Majko mojës”) ky term i bashkimit dhe kjo ëndërr e shqiptarëve na i përkiste shekullit të kaluar. Me këtë rast e me sa vërehet, latanti i politikës gjasme “të majtë”, i cili ka vendosur për tridhjetë vjet të ndenjurat në kolltukun e pallavrave, shpalos paditurinë e vet se nuk di as “abc”- në më të thjeshtë të politikës dhe të filozofisë së popujve. Të jetë se nuk e di apo nuk ka dëshirë as vetë ta mësojë këtë gjë?! A është në dijeni ky lloj politikani që ka dhe disa konventa që e përcaktojnë të drejtën e barazisë së popujve dhe vullnetit të tyre për të vendosur për fatet e veta e për të qenë të lirë, ose sikurse i thonë të vetëvendosi, sikurse është “Karta e Atlantikut” në gusht të vitit 1941, por dhe ajo e ONU në qershor të 1945-ës. Dokumenta këto që janë firmosur dhe vulosur nga vetë Europa, Amerika madje dhe Rusia dhe që ende janë në fuqi edhe sot?! Pra, sikurse vërehet nga ajo çka deklaron, rezulton se shqiptari “atdhetar” Majko, me apo pa dashje, më shumë na del në përkrahje të dëshirës së qarqeve reaksionare serbe, (indirekt dhe greke) se sa shqiptare. E them këtë sepse ata jo vetëm se nuk e njohin Kosovën shtet, por dhe më keq akoma, kurrë nuk do ta dëshironin ta shikonin atë as të bashkuar me Shqipërinë. Vallë, a nuk e kupton i riu Majko se zgjidhja drejt e “Çështjes Kombëtare” është e duhet të ngelet problem i vet popujve tanë, që na kanë ndarë në 4-5 pjesë dhe jo i kancelarive të huaja dhe europiane? Po çfarë ndryshimi ka ballisti i ri modern Pandeli Majko me kollare, por pa qylaf në kokë, që përherë rri buzagaz, nga ballisti klasik e inatçi me kobure në dorë Saliu i Protopapajve? Aspak! Përkundrazi ngjajnë si dy pika uji,veç në kohë të ndryshme. Protopapa antik i luftës (që bënte sikur luftonte) e shikonte bashkimin kombëtar nën pushtimin dhe çizmen ushtarake të italianit dhe gjermanit, pse jo dhe dreqi me të bir të vinin, veç jo ata të kuqtë e malit; teksa Majko e shikon te pushtimi ekonomik i Europës, por që de fakto është dhe pushtim politik, sepse pa firmë dhe vulë të Europës kasta jonë dhe një “ fëqe” nuk e lëshon dot pa lejen e tyre, aq sa ka për borxh që për hir të këtij servilizmi të zhyejë dhe pantallonat duke e ngrenë turpin me bukë. Çështja është se nëse kështu do fliste Vuçiçi apo ndonjë “viç” tjetër i Serbisë shoviniste, nuk do na bënte shumë përshtypje, por kur “dërrcka” të tilla i lëshon një ish-k/ministër, që partia e tij është aktualisht në pushtet, do të thotë se kjo është vijë e përgjithshme e politikës së Partisë Socialiste. Do të thotë nga ana tjetër, se Shqipëria nuk është dakord me Bashkimin Kombëtar. Bukur! Po mirë o “Majko moja” pse nuk u jep kurajo ti vëllezërve tanë që t’i thonë Serbisë: Nuk e njeh ti Serbi, Kosovën si shtet?! Punë e madhe na u prish gjiza! Dhe që nuk e njeh bën mirë, sepse ne jemi Shqipëri... dhe me këtë rast, menjëherë të shpallin botërisht bashkimin me Shqipërisë me Atdheun amë. Mirë që në Rambuje Berisha bashkë me Rugovën e tradhtuan çështjen e Atdheut të përbashkët, mirë që në kohën e luftës nuk futët asnjë brigadë apo divizion për të mbrojtur vëllezërit tanë atje në tokën Dardane (Teksa në Spanjë më 1936 çuam me dhjetëra), po tani, përse iu errëson sytë një deklaratë e tillë e Albinit? Tradhtarët e Shqipërisë, në kohën kur Kosova digjej e përvëlohej dhe nuk dinte ku kishte bijtë e saj, vrapuan në Rambuje në dëm të Kosovës dhe dihet botërisht tashmë se ai takim, ishte mina e parë me sahat e programuar nga qarqet reaksionare të Europës në bashkëpunim me frikacakët dhe tradhtarët shqiptarë që favorizonin dhe ende favorizojnë Serbinë, minë kjo e vendosur mbi themelet tona të përbashkëta, minë kjo që do të pasohej gjatë gjithë këtyre viteve me minime të tjera. Ju dhe një vargan i tërë i sërës tuaj, që na merrni pamje filozofësh e merrni guximin pa patur aspak ndroje, për ta kundërshtuar krejtësisht hapur bashkimin e shqiptarëve në një shtet e në një komb. Një deklaratë të tillë kaq antishqiptare nuk do ta kishte kurajon, pse jo do kishin zili dhe i gjithë shovinizmi që na sillet përreth si hienat mishngrënëse, pse jo rrezik të krenohej dhe vetë Koçi Xoxe se paska lenë nipër “me çika” në rrugën e tij të tradhtisë. A nuk e kupton or qyqar, se deklarata jote, gëzon jo vetëm shovinizmin serb, por gjithë shovinizmin e egër të fqinjëve tanë, të cilëve ende ju kullojnë jargët për trojet tona?! Ju dhe karvani tjetër si ju, duke filluar që nga Saliu e përfunduar te Rama, nuk e kini burrërinë dhe ju ka humbur ndjenja e shqiptarizmës, sepse nëse do të ishit të tillë së pari do mohonit privilegjet dhe pasurinë tuaja (që ua ka dhënë Europa) e do bënit si Ismaili i Vlorës, por ju nuk jeni të tillë. Ju nuk e keni atë guxim të mobilizoni të gjithë shqiptarët e trojeve tona, jo si luftënxitës, por të paktën ata që e bënë luftën dhe fituan për t’u bashkuar me njëri-tjetrin, pra bashkim të shqiptarëve me shqiptarët. Kjo nuk bëhet me fjalë, por me vepra. E di si? Duhet të tronditet Europa me gjithë Ballkanin, që shqiptarët të mos reshtin duke demonstruar e protestuar, madje me referendum mbarë popullor duke e bërë dhe de facto bashkimin pa i pyetur aspak ata që përherë na kanë dëmtuar dhe e kanë sakatosur kombin tonë. Po ja po ju pyes ju, që nëse dikush do fillonte luftën me ne si thoni ju zoti Majko t’i themi Europës e t'i marrim asaj mendimin që..hëëëë si thua t’i Europë do e luftosh ti armikun tonë apo jo? Dhe po qe se nuk e lufton a na e jep lejen ne shqiptarëve që ta luftojmë? Mjerë ne për këta politikanë që kemi! Kur ne atyre nuk u morëm leje për fillimin e luftës pse u dashka t’i pyesim tani që kërkojmë paqen dhe vëllazërimin tonë shqiptarë me shqiptarë?! Po dhe unë kot flas, se ju nuk kini ushtri e as mbrojtje dhe e kini lënë Shqipërinë han pa porta. Falë ndjenjës së atdhedashurisë së popullit tonë, se po të jetë për ju, greku vjen me buzukë duke kërcyer “Zorbën” dhe serbi me këngën popullore “Majko moja”. Kështu ndodh dhe do të ndodhi nëse Majko flet si e ëma Zeqos në majë të thanës, për çështjen tonë kombëtare.