Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kur mosçelja e negociatave, festohet si fitore e opozitës

Postuar: 15/05/2018 - 07:35

Shqiptarët e duan Shqipërinë në Europë. Dhe këtë e shprehin përditë. Jo vetëm me fjalë e deklarata, po së pari me qëndrimet e tyre. Me përpjekjet për reforma, përballimin e efekteve të tyre rraskapitëse. Dashuria për Europën nuk është një dëshirë subjektive. Aq më pak simbolikë. Dhe nuk është vetëm materiale. Po së pari shpirtërore. Prej vitesh kemi ecur nëpër shtigje të panjohura dhe kemi ndjekur politika që në shumicën e rasteve nuk kanë qenë në një vijë me perceptimin e shqiptarëve. Më së shumti qëndrim ideologjik e “parimor” në zbatim të dogmave dhe teorive jashtë konstitucionit shpirtëror dhe traditës shqiptare. Europa mbetet destinacioni i vetëm për më shumë emancipim, demokraci, zhvillim e mirëqenie të konsoliduar. Për më shumë zhvillim dhe punësim. Investime në të gjitha fushat e ekonomisë. Për këto, Europa është busulla ku duam të shkojmë. Dhe për Europën, shqiptarët kanë luftuar ndër shekuj edhe atëherë kur nuk ekzistonte sistemi politik europian. Mjafton të kujtojmë këtu, Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun, i cili në emër të mbrojtjes së krishtërimit, ia arriti të mbrojë edhe vetë shtetet e kërcënuara nga sundimi otoman, vende disa herë më të mëdha se vendi ynë i vogël. “Princi i Paqes”, Skënderbeu është figurë e vlerësuar nga vet Europa. Ai u bë aleati më i rëndësishëm i kohës në emër të lirisë dhe refuzimit të sundimit të perandorisë osmane. Po nuk është i vetmi.

Janë të shumtë heronjtë tanë, jo vetëm ata që kanë kontribuar në radhët e brigadave internacionale kundër nazizmit dhe fashizmit, por edhe personalitete të shkencës e kulturës të cilët kanë shkruar e gdhendur emrat e tyre në librin e nderit të shumë shteteve. Në Spanjë, në vitin 1936, në mbrojtje të Republikës. Në shumë shtete në front për lirinë. Në Afganistan, Irak, përkrah aleatëve e shumë vende të tjera, duke përballuar presionin e jashtëzakonshëm të fushë betejave luftarake. Duke mundur ankthin. Pa kursyer asgjë në emër të lirisë. Deri edhe jetën për demokracinë e vendeve që kërkojnë shembjen e diktaturës apo terrorizmit. Pa folur këtu për mbështetjen pa asnjë rezervë, mikpritjen, hapjen e dyerve të atyre që luftojnë në emër të lirisë së munguar nga shtetet që vijnë, siç jemi bërë mikpritës së Muxhahedinëve iranianë, që sot e kanë Shqipërinë shtëpinë e tyre. Pa llogaritur pasojat e një mikpritjeje të tillë. Shqipëria ka sot mijëra “ambasadorë” të kulturës dhe artit, të cilët janë kontributorë në skenat më të mëdha botërore, përmes këngës, aktrimit, pikturës, shkrimtarë e artistë në zë, që punojnë me gjithë fuqinë për t`i dhënë vendeve ku jetojnë më të mirën e tyre. Pa folur këtu për futbollistë me emër. Këngëtarë të talentuar. Jo vetëm në Eurovizionin më të fundit, ku tre ishin nga Shqipëria në emër të tre shteteve. Janë këta pararendësit europianë. Ata prej kohësh i kanë “çelur” negociatat. E kanë marrë çelësin e Europës. Janë europianizuar. Siç janë të tillë, dhjetra të tjerë që qëndrojnë në krye të klasifikimit të muzikës botërore.Këtu nuk mbeten mënjanë edhe individët problematikë që i kanë dhënë vendit tonë negativitet me sjelljet e tyre kriminale. Edhe ata janë shqiptarë. Po që kanë shkelur ligjin. Njolla jonë. Po nuk janë Shqipëria. Është pjesëza e keqe e jona! Po pa vijuar me historinë proeuropiane të shqiptarëve, vetëm sa për të thënë se nuk vijmë nga hiçi, sot kur jemi në prag të portave të BE-së, e keqja duket se nuk qëndron tek të huajt. Në politikën tonë, partitë tona, liderët tanë, deputetët, ka një sjellje të çuditshme. Shumë dyshuese. E pashpjegueshme kjo. Jo thjeshtë të kritikueshme, por të dënueshme për qëndrimet që mbajnë për përpjekjet që bëjnë për pengimin e çeljes së negociatave. Dy palë ballë-përballë. Ata që në emër të ëndrrave shumëshekullore luftojnë për të bërë realitet këto aspirata. Bashkë me ta, populli. Dhe një palë që pret në shteg me çifte gati për zjarr, për të qëlluar çdo përpjekje për ta bërë realitet këtë aspiratë mbarëkombëtare. Edhe pse jemi në qendër të Europës, kemi qëndruar tërë këto kohë në oborrin e pasëm të saj. Edhe atje jemi llogaritur tepër. Kontrasti mes forcave politike në lidhje me hapjen e negociatave është i dhimbshëm. I papranueshëm. Hendeku është kilometrik. Në njërën anë qëndrojnë ata që luftojnë për të bërë realitet këtë aspiratë dhe karshi, ata që duan të mos ketë kurrë, sa është ky pushtet, kjo qeveri, një vendimmarrje pozitive. A është kjo palë antieuropiane? A mund të themi se nuk e duan Shqipërinë? Kurrsesi nuk mund ta pohojmë këtë. Po atëherë si ta komentojmë qëndrimin e ashpër dhe entuziazmin pa kufi të Lulzim Bashës së PD-së dhe Monika Kryemadhit të LSI-së, dhe tërë shpurës pas tyre dhe një dyzine opinionistësh që u fryjnë borive të moshapjes së negociatave? Që gëzojnë si fëmijë pas çdo lajmi skeptik? Buzëqeshin e qeshin me tërë trupin për çdo sinjal negativ nga do që të zbresi? Si është e mundur që prej tyre brohoritet dhe mbështetet pa kushte sa del një deklaratë nga deputetët holandezë, të cilët flasin me skepticizëm dhe janë të pavendosur për këto negociata? Ata janë në shtëpinë tyre. Janë indipedentë. Në shumë probleme mund të kenë të drejtë. Edhe paragjykimi edhe gjykimi e vendimmarrja e tyre është sovrane. Po pse gjithë ky entuziazëm dhe kënaqësi për liderët tanë që bëhen njësh me deklaratat që nuk janë objektive? Pa folur mirë, deputetët faktmbledhës të Parlamentit Holandez, atyre që arritën të mbajnë shënim dhe të tjera që ua dërguan me e-maile nga zyrat e SHQUP-it, shpërthyen në brohoritje gëzimi që ata, vendimmarrësit holandezë nuk janë dakord me largimin e Prokurorit të Krimeve të Rënda se cënohej dosja “Tahiri”. Kur faktet flasin ndryshe. Ai sot është i arrestuar. E arrestoi ai prokuror. Dhe alibia nuk rezultoi reale. Përse kaq entuziazëm, sikur është koha për të festuar kur opozita i shkruan Kancelarive të Europës mbi dënimin e 16 viteve të shkuara të Agron Xhafës, vetëm se është vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ndaj të cilit liderët e paduruar dhe juristët “ekselentë” të PD, Alibeaj dhe Bardhi, mburren me “zbulimin” e nenit surprizë, “trafikuar” në “Kodin Penal”, sipas tyre nga Xhafaj, për mbrojtjen e vëllait të tij? Hajde logjikë hajde! Zbulim i madh ky! Kulmi i investigimit! Kapja e “peshkut të madh”. Paraqitja si fakt i kryer. Po duke bërë copë ministrat, asnjë fjalë për arrestimet e bujshme të grupeve kriminale. Për kapjen e “baronit të kokainës” Kanani. Kërkesës për ekstradim të Çelës nga Gjermania. Shkatërrimin e grupit kriminal dhe arrestimin e 19 trafikantëve, shtrirë në disa vende të Europës me një veprimtari të frikshme në trafikimin e kanabisit dhe drogave të forta. Asgjë për ata. Foli Ambasadori Lu. Përgëzoi policinë, prokurorinë, gjykatën. Asnjë fjalë nga deputetët opozitarë që thërrasin ditë-natë kundër krimit! Përkundrazi, Kryemadhi e LSI-së nuk u mor me bandën e Kananit. Asaj i ka mbetur ora tek “banda” qeveritare. Si një analiste e “paanshme” për të, e vetmja bandë është qeveria. I vetmi target për të është pushteti. Të tjerat janë pupla. Inekzistente. Hije. Fjalë. Nuk kanë asnjë vlerë. Dhe akuzon “Zonja e Parë” për krimin dhe oqeanin kriminal qeveritar pa asnjë provë. Me të vetmin qëllim të pamundësohen negociatat. Të ndalet miratimi. Lobojnë fort për “jo-në”. I gjithë meraku, si të pengohet Shqipëria. Të poshtërohet qeveria. T`i thyhen hundët kryeministrit, Edi Rama, këtij “strategu” dhe “organizatori” të shpërndarjes së drogës. Njëlloj si foli deputeti i “Agimit të Artë” në parlamentin e Greqisë. Paralelizëm i frikshëm! Në të njëjtën gjatësi vale edhe deputetët e vendit tonë. I njejti qëndrim në frontin e të keqes. Edhe pse etiketimet bëhen nga shqiptarë, të një kombi e një gjaku. Po këto janë periferike për synimet opozitare. Për akuzatorët dhe kundërshtarët e egër të negociatave, mjafton të humbasin këta dhe të fitojnë ata. Fitorja e mazhorancës shihet humbje e opozitës edhe për negociatat. Seç ka një mllef të jashtëzakonshëm tek shumë prej deputetëve të opozitës që e nisin mëngjesin me lutjen “Ishalla nuk i hapen negociatat qeverisë!”. “Ah sikur të mbeten pas porte!”, “t`u ngeci sharra në gozhdë të poshtërve!”. Dhe bien të flenë me mallkimin për vetë Europën nëse pranojnë në tavolinë qeverinë. Një dëshirë e pashpjegueshme kjo. Një urrejtje dhe egërsi, e cila duket sikur derdhet mbi pushtetarët, po realisht bie mbi shqiptarët. Ministri për Europën i Gjermanisë, në takimet zyrtare në Tiranë e tha troç: -Negociatat janë detyrim si për qeverinë edhe për opozitën. Nuk është fitorja e dikujt dhe humbja e tjetrit. Ndaj opozita duhet të bëjë detyrën e vet. E citojmë ministrin gjerman, jo se këtë kërkesë nuk e bën populli ynë përditë, jo se këtë nuk e dinë opozitarët, po për t`i kujtuar se kërkesa vjen nga vendi që opozita ka varur çengelin për të argumentuar qëndrimin skeptik të shteteve të veçanta. Po ndryshe nga tanët, gjermani ishte ku e ku më realist. Më dashamirës. Më shqiptar. Vlerësues i reformave aq më tepër të reformës në drejtësi e cila është goditur me zell nga liderët tanë në opozitë. Edhe vetë deputetët hollandezë ishin më dashamirës se deputetët e PD dhe LSI-së. Edhe pse kritikë dhe këmbëngulës në luftën kundër korrupsionit. Të dashuruarit pas skeptikëve mbeten vetëm tanët. Të shkrirë me ta. Të bashkuar kundër me ata që e shikojnë çeljen e negociatave të vendit tonë me BE, duket se kanë vetëm një qëllim. Një objektiv. Si të dështojnë negociatat. Jo si të fitojë Shqipëria. Po si të humbi. Të “triumfojë” opozita. Për ta arritur këtë objektiv strategjik, fatkeqësisht opozita shqiptare, herë hapur e herë maskuar nuk lë gjë pa trazuar. Goditje nga të gjitha anët. Luftë pa mëshirë për të baltosur cilindo që punon. Sfumimin e çdo suksesi dhe arritjeje. Zbehjen e gjithçkaje që vlerësohet. Lartësimin e negativitetit në çdo hallkë të jetës. Nxitjen e revoltave. Përkrahjen e protestave edhe kur nuk janë të drejta. Shkurt, përpjekje titanike për ta shitur vendin sa më zi. E rëndësishme për ta është dështimi me çdo kusht i çeljes së negociatave. Humbja e këtij shansi. Kjo është motua ogurzezë e opozitës tonë. E gjithë kjo strategji nuk është e paqëllimtë. Llogaritarët e PD -LSI, vlerësojnë se fitimi është shumë më i madh nëse portat e Europës nuk hapen. Janë më entuziastë për “jo” se për “po”. Për përplasjen e derës. Për goditjen e qeverisë. Filozofia e tyre: Këtu jemi. Le të presim. Të vijmë në pushtet. Portat për në Europë do t`i hapim ne. Jemi e ardhmja. Jemi progresistët. Reformistët. Europianistët. Ne na do Europa. Këta që janë sot e kanë vendin në gropë. Të “fitojë” opozita. Le të humbasin shqiptarët. Të fundoset qeveria dhe Shqipëria! Mjafton të festojë e lumturohet, PD dhe LSI-ja!/ Nga Bardhyl BEJKO

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/12/2018 - 07:22

U nisën në dhjetor 1990, 28 vite më parë protestat e famshme të rinisë studentore, të cilat ashtu të pafajshme dhe të sinqerta siç ishin, realizuan ëndrrën gjysmë shekullore të ndryshimit të sistemit diktatorial në nj

Postuar: 15/12/2018 - 07:20

 

Postuar: 15/12/2018 - 07:19

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi mbetet shumë origjinale në përpjekjet për menaxhimin e prote

Postuar: 15/12/2018 - 07:13

Mos kujtoni se ka lidhje me filmin “Ballë për ballë”, ku u përplasën dy shtete.

Postuar: 14/12/2018 - 17:44

Nëse jeni duke pyetur veten se si mund të humbisni peshë në 7 ditë, e dini se tashmë është e mund

Postuar: 14/12/2018 - 07:09

Është një çudi, pse lëvizja e studentëve ka tërhequr aq shumë vëmendjen? Aq shumë komente.

Postuar: 14/12/2018 - 07:07

Një tjetër ciklon i afrohet uraganit të protestave të studentëve...