BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Kur ndërkombëtarët të kuptojnë tekstin e “bir Selmani nënës kë të qaj më parë”!

Kur ndërkombëtarët të kuptojnë tekstin e “bir

Ambasadorja Kim e detyruar nga ngjarjet e rënda shkruan në FB e Ambasadës: Kam takuar Prokurorin e Përgjithshëm Çela pak më parë, së shpejti do të takoj Shefin SPAK e Kraja, të hënën takova Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Veliu. Mesazhi është ky: Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe duhet të ndiqen plotësisht. Asnjë trajtim i veçantë. Asnjë përjashtim. Askush nuk është mbi ligjin e në fund - Ambasadorja amerikane Yuri Kim! Në fakt, vetëm ky tekst, vërteton mungesën e shtetit e së të drejtës në Shqipëri dhe tregon qartë mungesën e vet demokracisë. Mjafton të kuptojmë se në sy të policisë, në prani të dy nëndrejtorëve të saj në Elbasan plas arma, vriten dhe plagosen njerëz që të dalë konkluzioni se në çfarë shteti jetojmë! Kur hyhet në zar partia dhe qëllohet kuptohet se në çfarë varfërie shteti jetojmë. Se sa kontrollohet territori dhe se çfarë policie për t’i besuar se na mbron kemi. Po të vjen keq dhe për policët e shkretë që vuajnë dhe ato, po ky është realiteti. Mjafton të shikosh se si një Drejtor i Policisë së Shtetit nuk ka kapacitet intelektual të mbajë gazetarët në pyetje me përgjigjet e tij, por prapësohet dhe konkluzioni është tashmë i qartë! Mjafton të kuptojnë se ka plot që paguajnë dhe marrin para, që tentojnë deviacionin e votës dhe mungesën në votim me marrjen e kartës e ID të mbledhur në sajë të pareve dhe qartësohesh se ky vend është shumë i sëmurë politikisht dhe akoma më shumë korruptivisht. Mjafton të kuptosh se çfarë do të thotë grupe të organizuara nga një parti që kontrollojnë grupet e organizuara nga parti të tjera, nëse po bëhen blerje vote dhe kjo të çon në konkluzion se ne nuk jemi jo vetëm shtet normal, por nuk jemi shtet fare. Kuptohet se ne nuk kemi parti, por – banda! Mjafton të shikosh kreun e shtetit me diskursin “zot na ruaj” në një armiqësi të plotë, kryeministrin e Shqipërisë në groteskun dhe cinizmin arrogantë “zot na ruaj” dhe kreun e opozitës me kruarje nën pantallona “zot na ruaj” dhe padiskutim liderin akoma maximus doktorin, me batuta “zot na ruaj” dhe ndonjë “lidere partie” me fjalë televizive “zot na ruaj” për të kuptuar se ne jemi një vend – zot na ruaj! Mjafton të shikosh tashmë irritimin e militantëve dhe atyre që i fryjnë politikisht akoma më shumë dhe ajo “zot na ruaj shumëfishohet”! Sepse kemi dhe një shoqëri “zot na ruaj” që është mësuar të shesë votën dhe të ketë respekt për ata që paguajnë që ai ta shesë. Ka respekt për kriminelë dhe një pjesë i ka frikë ata, sepse nuk ka shtet që e mbron më pas. Retorika e fushatës elektorale në kushte acarimi është një “zot na ruaj” dhe përballja maxhorancë dhe opozitë, është një “zot na ruaj” për nga mungesa e rregullave në demokraci dhe etikës në media! Jemi për faqe të zezë dhe nuk ka asnjë shans që të bëhemi më mirë, sepse është e gjithë klasa politike e sëmurë kështu! Kanë tre dekada që janë “bolshevikë” të gjithë palët në Shqipëri. Marrin me dhunë dhe nuk lëshojnë pa dhënë pushtet. Janë të “dobishëm” vetëm për dëshirën e tyre kriminale për pushtet. Kjo në 360 gradë dhe pa asnjë dallim njëri nga tjetri.

 Çudia është te ndërkombëtarët. Po, te ata që kanë qënë jo kaq shumë prezent në diktaturë, por janë “më shumë, se shumë” në demokraci. Si ka mundësi që nuk mësuan më herët domethënien apo tekstin e këngës – “bir Selman i nënës kë të qajë më parë, njërin e kam nip, tjetrin e kam djalë”! E kam fjalën se përgjatë tranzicionit ata vetë iu kanë përkëdhelur kokën të tillë xhahilëve që kanë dalë për fat të keq nga një shoqëri që respekton dhe do xhahilë. Por kjo shoqëri, ka dhe pikërisht atë tekstin e bukur dhe madhështor që është te kënga – “Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë”! Po pra, sepse si djali dhe nipi ishin për të qarë. Nuk ishin ndryshe dhe nuk mund të ndryshonin më, sepse ishin bërë për të qarë. Shkurt kishin mbaruar. Alegoria dhe fakti i kryer i së keqes së përbashkët, në lotët e një nëne, tashmë është praktikë dhe në politikën tonë por kthyer përmbys në bazë të këngës folklorike të madhe që përmenda më lart. Tashmë unë besoj se ndërkombëtarët e kanë kuptuar dhe e dinë këtë tekst. Le që ka plot histori të tilla dhe në vendet e tyre pavarësisht se nuk shkon deri te shteti dhe te qeverisja kjo gjë! Pikërisht pra, ky është dhe momenti tragjik yni. Për pushtet, për qeverisjen dhe për ato të mira që vinë nga ky pushtet, sa të jenë të tillë bastardë politikë, shushunja shoqërore dhe mitomanë politikë të qelbur, gjithmonë do të kemi përplasje me armë dhe gjithmonë devijim vote, gjithmonë gangsterë në politikë dhe gjithmonë politikanë të inkriminuar dhe korruptuar. Po gjithmonë, sepse janë – bir Selman i nënës kë të qajë më parë! E akoma më keq, kur ndërkombëtarët e dinë këtë dhe nuk veprojnë ndryshe se çfarë kanë vepruar dhe kanë bërë këto tre dekada në Shqipëri. Kjo është fatkeqësi dhe faj i joni, por tashmë është dhe faji i madh i miqve tanë ndërkombëtarë (si me shprehjet e komandanti të Surrelit, për partronazhistët e partisë së tij edhe ne ndërkombëtarët) na kanë marrë në – patronazh! Po e kjo është histori në vete, e cila ka dritë hijet e saj. Në këto kushte çfarë mund të presësh për mirë nga 25 prilli dhe çfarë mund të jesh entuziast për datën 26-të? As ka shanse që të jemi ndryshe dhe më të mirë, apo më të “bukur”! Fjalët për më mirë dhe për ditë më të bukura, janë thjeshtë eufemizma idiote që lëshuara nga njerëz të tillë. Të gjitha të tjerat janë njësoj me po ata njerëz, ato vese ato armë dhe ata militantë e ide çapraze politike prej tre dekadash në Shqipëri nga të gjitha forcat politike. Asgjë më shumë se sa kaq.