BREAKING NEWS

Përditësimi zyrtar/ Rritet sërish numri i të prekurve me Covid-19, Ministria zbulon shifrat e 24 orëve të fundit

Përditësimi zyrtar/ Rritet sërish numri i të prekurve me
x

Opinion / Editorial

 Kur ngjitesh në Tarabosh!

 Kur ngjitesh në Tarabosh!

(Në 35 vjetorin e ndarjes nga jeta të shqiptarit të madh Enver Hoxha)

Taraboshi, ky mal i lashtë sa koha, e i bukur si natyra! Si një kurorë madhështore pasqyrohet në ujërat e kaltra të liqenit të famshëm, e në vetë qytetin që shtrihet përbri. Nga pikëpamja ushtarake, Taraboshi është një roje e sigurt e qytetit dhe gjithë ultësirës përreth. Mali i vendosur si nga dora e një strategu e mbron Shkodrën, këtë qytet të vjetër e të ri, nga dallgët e zeza të perëndimit, por edhe nga erërat e ftohta të verilindjes, dy drejtimet prej nga rreziku i është qasur disa herë. Kush zotëron Taraboshin, zotëron çelsat e Shkodrës. Dhe kjo kështu ka qenë e do të mbetet ngaherë.

Pikërisht se ishte kështu, Komandanti legjendar Enver Hoxha e armatosi Taraboshin me armët më moderne të kohës, me fortifikata të pakalueshme, dhe ajo që ishte më kryesorja, e armatosi me gjokse ushtarësh e qytetarësh trima, duke e bërë atë mal mbi mal, një kala të pakapërcyeshme nga rreziku, nga e keqja. Dhe si një Komandant i rrallë, u ngjit një ditë edhe vetë aty në majë, pranë ushtarëve të thjeshtë, jo për t’u mbajtur ligjërata, por për t’i përgëzuar për punën, gatishmërinë e vigjilencën që tregonin në ruajtjen e atij mali, i cili është avanposti i parë i asaj ane të kufirit të Atdheut.

Në kujtim të kësaj vizite historike, të rinjtë ushtarë, së bashku me plot të rinj nga qyteti e fshatrat përreth, një ditë të bukur pranvere, pasi marshuan gëzueshëm drejt Taraboshit, bash afër majës më të lartë, në shpatin me pamje nga liqeni dhe qyteti, skalitën pesë germa të thjeshta, pesë germat e emrit të Komandantit të tyre ENVER. Nga çdo pikë e qytetit, apo rrethinave, qytetari i shihte këto germa, që ndrisnin si yje të zjarrtë dhe qetësohej. Komandanti me ushtarët ishte atje, në roje të qytetit, të Atdheut, ndaj dhe punonte e gëzonte i lumtur dhe i qetë.

Por një ditë të zezë sterrë, kohërat u turbulluan. Armiku papritur u shfaq tek portat e qytetit. Ç’kishte ndodhur? Mos kishte rënë Taraboshi? Mos vallë e kishte zënë gjumi kësaj radhe malin e lashtë? Jo, s’ishte as njëra e as tjetra. Armiku kishte pjellë midis nesh, në vatrat tona. Medet!

Ishte 20 shkurti i vitit 1991, një ditë e errët pis. Bandat e zeza neofashiste përmbysën në Tiranë shtatoren e Komandantit. Pas kësaj, si vemje të ndyra pështytën e përdhosën simbolet tona, krenarinë tonë, jetën tonë anë e kënd Atdheut. Populli u ngrit peshë, i gatshëm për të “sulmuar edhe qiejt”, në mbrojtje të figurës së Prijësit, të Komandantit. Por “Skilja” e vjetër, që ne e pandehnim për qen besnik, tashmë e kishte thurur pabesinë atje në kulisat e kurvërisë politike. Turmat e etura për gjak e dhunë, pasi përmbysën, plaçkitën e dogjën gjithçka të bukur, të ngritur në rreth pesë dekada, erdhën më në fund në pushtet, duke plotësuar kështu synimet e vjetra të pinjollëve borgjezë dhe Nëndajës së tyre, që ruante për vite me radhë matanë vrimave të gardhit.

1992. një togë ushtarësh zhulalistë, të udhëhequr nga disa idhtarë pëdëistë, u nisën drejt malit të Taraboshit. Pesë germat e thjeshta të emrit të Komandantit, atje në shpat të malit, duheshin hequr. Duheshin hequr, sepse ato pesë germa ishin si pesë shigjeta të zjarrta, që përcëllonin në zemër pushtetarët e rinj dhe lakejt e tyre. Ndaj ministri Zhulali kishte urdhëruar forcat ushtarake, të ndihmonin idhtarët pëdëistë të fshinin atë emër të njeriut që i tmerronte edhe pas vdekjes.

Të detyruarit ushtarë, me kazma e lopata, madje dhe me lëndë djegëse, u munduan të shuanin atë emër aty në malin e lashtë, por e kotë. Si për inat, jo të ushtarëve të thjeshtë, por për inat të autorëve të vërtetë të kësaj pune të shëmtuar, ato pesë germa nuk mundën t’i zhduknin plotësisht. Përsëri edhe sot pas tri dekadash, ato duken qartazi nga çdo pikë e qytetit. Por edhe sikur të arrihej zhdukja e plotë e tyre, qytetarët e dinë se ku kanë qenë të shkruara ato, dhe do t’i shihnin çdo ditë me sytë e mEndjes. Ato pesë germa, si pesë yje të zjarrta, mund të shuhen vetëm nëse shuhet krejt mali i Taraboshit. E kjo gjë sigurisht nuk mund të ndodhë. Por ato pesë germa nuk mund të shuhen edhe për një arsye akoma më madhore. Prapa atyre germave qëndron jo një mal, por shumë male me vepra, të cilat, sado t’i shkatërrojnë e përdhosin, do t’i ruajnë gjurmët e tyre në përjetësi, si dëshmitare të një periudhe nga më të ndriturat në historinë shumë shekullore të Shqiptarëve.

Ja, provojeni të ngjiteni në Tarabosah dhe nga maja e tij e lartë hidhni vështrimin përreth. Sado që dora e zezë e bandave që erdhën në pushtet ka ndyrë qytetin, rrugët, arat dhe vetë natyrën; nuk ka mundur të zhdukë plotësisht gjurmët dhe themelet e atij ndërtimi të madh, atij zhvillimi e lulëzimi të pakrahasueshëm, që arriti Shkodra dhe e gjithë Shqipëria gjatë viteve të socializmit. Shikoni zonën industriale të qytetit (shkatërrimet nuk kanë mundur të zhdukin konstruksionet e larta beton-armé të saj), aty ku ziente dikur puna dhe jeta gazmore e mbi tridhjetë e pesë mijë punëtorëve. Në jugë të qytetit, akoma duken gjurmët e Zooteknikës moderne e të famshme; në lindje të shfaqen oxhaqet e ish uzinës “Drini”, dhe pak më tej Hidrocentralet e famshme, që i rrinë si kurorë margaritarësh qytetit, rrethit dhe gjithë vendit. Por mbi të gjitha, nga maja e Taraboshit, syri të kënaqet me pamjen e fushës së gjerë e të begatë të Mbi e Nënshkodrës. Megjithëse ka vite, që pjesa më e madhe e kësaj fushe nuk mbillet, syri dallon qartë atë punë kolosale, që është bërë për bonifikimin dhe sistemimin e gjithë tokës fushore e kodrinore, qysh nga Kopliku i Malësisë së Madhe, Vau i Dejës, Bushati, Barbullushi, Dajçi i Bregut të Bunës e gjer në bregun e detit në Velipojë. E gjithë kjo zonë prej qindra e mijëra hektarësh, duket si qilim i stërmadh e i blertë, ku dikur prodhonte të gjitha llojet e drithrave, pemëve e perimeve, të cilat patën dominuar në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.

Ej, ti pëdëist, republikan, ballist, psudosocialist, apo kushdo qofsh, që shanë më të majtë e më të djathtë epokën e socializmit: Ngjitu në Tarabosh të shohësh veprën e asaj epoke të ndritur. Ngjitu në male të tjerë të lartë, në Korab, në Shpirag, në Tomorr, në Çajup, në Trebeshinë etj., të shohësh qilimin e artë, me të cilin Socializmi e pati veshur Shqipërinë, duke e bërë si një nuse të bukur. . . .

Por më kot! Ju nuk mund t’u ngjiteni majave. Ju jeni të kallamishteve, të moçaleve, të gjirizeve, dhe të bukurën e madhështoren nuk mund ta shikoni se u vriten sytë.

Ndaj dhe unë, thirrjen jua drejtoj qytetarëve që duan të shohin dritën; jua drejtoj të rinjëve që propaganda e helmuar e borgjezëve i ka çoroditur; jua drejtoj bashkëqytetarëve të mi, që mund t’u jetë lëkundur besimi e rrjedhur kujtesa: Ngjituni në Tarabosh, në Korab dhe në malet e tjera të larta, nga ku horizonti nuk mund të errësohet prej kallamishteve, dhe shihni Shqipërinë tonë si ishte para tridhjetë vitesh. Po ta bëni këtë, do të kuptoni se sa poshtë kemi rënë, do të kuptoni edhe se si duhet vepruar për të rikthyer atë periudhë të ndritur për popullin, për Atdheun.

Shtatorja e Enver Hoxhës, vërtet u përmbys në Tiranë në atë 20 shkurttin e zi të 1991-shit. Emrin e tij u munduan t’ia zhgarravisin në shpatin e Taraboshit, të Tomorrit, të Shpiragut, të Çajupit . . . . , Por kujtimin e tij nuk mundën e nuk do të mundin ta zhdukin nga kujtesa e popullit. Se ai kujtim lidhet me veprat e ndritura, me veprat e larta sa malet. Dhe malet nuk mund të zhduken.