Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kur njëri promovon Shqipërinë, tjetri e nxin

Postuar: 07/12/2017 - 07:05

Në Bruksel ballëpërballë, Edi Rama me Lulzim Bashën. Një udhëtim në pallatin europian. Dy axhenda të ndryshme në valixhet diplomatike. Njëri, kryeministri promovon fort për të ardhmen, lideri i opozitës Basha lobon ashpër për ta nxirë Shqipërinë. Të duket si skena në Pashaliman, tek filmi “Ballëpërballë”. Komandanti i bazës shqiptare me rusin Zheleznov. Po në Bruksel, janë dy shqiptarë. Është mazhoranca dhe opozita. Rrallë ndodh që të jenë në të njëjtën ditë e në të njëjtën orë bashkë ata që edhe në Shqipëri kur takohen, gjëmojnë televizionet, shpërthejnë mediumet e pëlcasin portalet. Kaq të rralla janë kontaktet mes tyre. Mendova se ishte dita që do ishin në krah të njëri- tjetrit, si dy anë të së njëjtës medalje, si dy shqiptarë që kanë në mendje dhe zemër Shqipërinë. Ardhmërinë e saj, perspektivën dhe integrimin. Lulzimi kishte shansin e madh të tregohej, jo vetëm më i mençur e atdhetar, por edhe me staturën e kryeministrit që pret pas porte të ngjitet në fronin qeveritar të udhëheq vendin pasi demokracia funksionon me rotacionin politik. Këtu tek ne prisnin, jo çdo thoshte kryeministri, po sa racional dhe i kujdesshëm do tregohej lideri i opozitës. Si do flasi? Si do reagojë? Patjetër, mendonim, mirë për Shqipërinë për integrimin për reformat, ku ka kontribut edhe opozita. Ndoqa me vëmendje si do fliste kryeopozitari. A do ngrihej në lartësinë e detyrës. A do ishte një shqiptar i madh apo një kolltukaxhi i vogël. Do ishte përfaqësuesi dinjitoz i Shqipërisë apo spikeri i partisë? Do fliste si burrë shteti, si lider apo siç flet këtu sa herë gjendet para mikrofonit, si kalander. Zemra më thoshte, ai do mbrojë ngjyrat e flamurit se është njëri nga ne. Do bëjë pak armëpushim dhe do gjejë forcën të kapërcejë ideologjinë partiake, do lërë pas shpine inatet, mllefet, zemërimin, etjen për pushtet. Do të stakojë e lërë mbrapa bagazhet e së keqes, mllefet, sharjet. Zënkat e Tiranës do i ketë lënë në sepete dhe do flasë për mua, për ty dhe për gjithë Shqipërinë. Prita dhe dëgjova. U trondita. Nuk besova. U zhgënjeva. Natyrisht nuk u gëzova. U hidhërova vërtetë. Jo vetëm që nuk i dha një dorë përafrimit me BE-në dhe të evidentonte disa nga reformat e thella që ka ndërmarrë vendi ynë në zbatim të prioriteteve të njohura dhe vlerësuara edhe nga partnerët ndërkombëtarë, përkundrazi e nxiu, sterrosi, anatemoi dhe mallkoi gjithçka që është shqiptare. Jo vetëm nuk lëvizi as gishtin për një shtysë për hapjen e portave të integrimit, por loboi shumë fort për t`iu mbushur mendjen qeverive dhe përfaqësuesve të tyre që gjendeshin në PPE se nuk jemi gati për Europë. Se vërtetë ai e do këtë vend, i qan zemra e i dhemb shpirti që të ecim me hapa të shpejtë e të sigurtë, por ja që nuk e meritojmë. Dhe ai si “parimor” e udhëheqës modern, njeri me principe, kampion i demokracisë, demokrat njëzetë e katër karat nuk mund t`ia lejojë vetes të bëjë kompromise me demokracinë. Është dëshmitar i së vërtetës. Le ti mbetet qejfi cilitdo. Le t`i prishet punë kujtdo. Qoftë edhe Shqipërisë. Ndaj e zhveshi pallën. Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë reformë. Nuk ka luftuar krimin. Korrupsioni na ka zënë derën, na ka bllokuar frymën. Kanabisi ka mbuluar territorin nën mbrojtjen e qeverisë. Shkurt një sterrosje më të madhe sa kaq, zor se do e bënin edhe kundërshtarët më të mëdhenj të vendit tonë.

Shumë prej atyre vendeve që për arsye historike kemi ndarje të thella dhe jemi shumë larg për sa i përket politikave mes shteteve dhe vështrimeve të ndryshme që kemi edhe për arsye të konkurencës mes vendeve që aspirojnë Europën nuk ka folur deri sot me gjuhën e liderit të opozitës tonë. Asnjë përfaqësues i shteteve pranë apo larg që kanë edhe probleme të hapura dhe diskutime për çështje thelbësore me vendin tonë nuk ia lejon vetes të hapi thesin e të zbraz atë që ka në mendje e në zemër. Tek e fundit ka një etikë. Ka një moral. Ka edhe reciprocitet. Është kjo arsyeja që shtetet bëjnë edhe diplomaci. Po kanë edhe realizëm. Se të ishte për opozitën tonë kjo qeveri do ishte bërë pluhur e hi dhe gjithë qeveritarët do ishin sot në burg e jo në shtëpi. Në Bruksel u njohën reformat, vlerësuan ndryshimet. Dëgjuam Presidentin Tusk, Komisioneren Mogherini, Presidentin Tajani, Presidentin Juncker. Tërë kupola e BE pranuan arritjet. Inkurajuan ecjen përpara. Dhe të gjithë njëzëri i shumëzuan me zero pretendimet e Bashës. Dhe çdo i mençur do kthente timonin. Do vetëkorigjohej. Po Basha nuk mund ta bëjë këtë. Arsyet? Janë shumë. Kryesorja mungesa e vullnetit për t’u marrë vesh.

Të flasësh me të njëjtën gjuhë edhe pse je shumë larg të drejtës dhe të vërtetës, të shash pa kufi vendin tënd, gjoja në emër të sinqeritetit dhe transparencës se kështu arrin ta vësh me shpatulla për muri kundërshtarin tënd politik, “armikun” që ke përballë që e do të vdekur e jo të gjallë, sikur të ishte pushtues dhe jo i zgjedhur me votat e popullit dhe të gjitha këto në emër të pushtetit, meriton më e pakta të quhesh politikan i vogël që nuk je racë shqiptari që nuk ke në deje gjak arbri që nuk ke asnjë ideal tjetër veç lakmisë për pushtetin. Të shkosh në Bruksel dhe të përveshësh mëngët e të shqyesh gojën, jo se nuk ke të drejtë të denoncosh as për të mbuluar të keqen, por të thuash të paqena, vetëm për të dëmtuar mazhorancën është një sjellje që nuk ka asnjë ndershmëri, as etikë dhe as një princip e ideal kombëtar. Lulzim Basha nuk e ka për herë të parë këtë sjellje. Kjo është gjuha me të cilën e ka përfaqësuar e përshkruar ai vendin tonë. Është vija e sjelljes që ka ndjekur qysh se ka zënë kreun e PD-së. E pavërteta është në fjalorin e tij. Nxirja është në praktikën e tij. Lobimi për t`i prerë rrugën e integrimit është qëllimi që i ka vënë vetes dhe të gjitha këto në emër të luftës pa princip dhe vështrimit ngushtësisht se me përparimin dhe integrimin drejtë BE nuk fiton Shqipëria po mazhoranca. Në logjikën e Bashës është ngulitur si gozhdë ideja:- Nëse BE nënshkruan negociatat me vendin tonë, tani apo në 2018-ën, atëherë Basha i largohet më shumë pushtetit. Dhe më e keqja sipas llogarive, Rama forcohet e çimentohet. Llogaritari Basha i bën hesapet mes tij dhe qeverisë, sikur të ishte një fajdexhi dhe jo një politikan që kryeson opozitën e sotme që doemos do jetë edhe qeveria e nesërme. Po në psikologjinë e Bashës është ulur këmbëkryq mendimi se sot më shumë se kurrë ai duhet t`i prishë punë mazhorancës. T`i ndali hapin, t`i zhbëjë vullnetin, ta godasi në pikat e saj më të forta, të ndalë ecjen, të bindë shtetet europiane që t`i vendosin vendit tonë embargo, ta vënë përballë sinjalit “stop”. Ta ndalin para semaforit të kuq. Dhe llogaritë vazhdojnë, sa më gjatë të mbetet në këtë stacion ndalimi mazhoranca, aq më shpejt i vjen radha liderit opozitar për të qenë i parë. Llogari më meskine dhe keqdashëse, zor se gjen diku tjetër. Në gjithë vendet demokratike ka kontradikta dhe qëndrime të ndryshme për shumë çështje, po kur vjen puna për interesa madhore, atëherë bëhen bashkë. Siç thamë lobimi kundër nuk është vetëm në Bruksel. Pas lobimit të bërë me kundërshtarët e zgjidhjeve të problemeve mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku lideri opozitar dërgoi beniaminin e vet që loboi kundër dialogut mes fqinjëve, ku kërkoi as më shumë e as më pak, por të ruhen ndarjet mes Shqipërisë dhe Greqisë, këtë herë e mori vetë rrugën drejt e në qendër të Europës, jo për të promovuar, po për mos t`u integruar. Nuk e kuptojmë përse në Bruksel duhej patjetër të trajtohej mazhoranca si mbrojtëse e krimit pasi nuk la arrestimin e Tahirit dhe e mori në mbrojtje atë kur realisht, PS dhe grupi i saj kuvendor e dorëzoi për ta hetuar e gjykuar prokuroria e gjykata. E vërteta, jo vetëm që nuk e mbrojti, por u anatemua se e lëshoi, po nga të njejtët persona që sot ua do interesi ta paraqesin rastin të përmbysur. Po kështu nga një vështrim edhe i përciptë, po objektiv në momentin kur lufta kundër drogës është një rezultat i certifikuar dhe sipërfaqet e mbjella janë zeruar. Kur janë duke u goditur fuqimisht grupet kriminale nga aksioni “Forca e Ligjit’ në një kohë kur këtu tek ne janë duke u konfiskuar prona dhe asete të përfituara nga paratë e krimit në vlera shumë milionëshe, si hotele, motele, toka, prona, objekte, pallate, apartamente, makina luksoze, duke goditur në zemër krimin dhe kriminelët. Flitet kështu kur janë ulur këmbëkryq dhe po kontribuojnë specialistë të anti krimit nga Amerika deri nga Gjermani e Itali, dhe kur perceptimi, jo vetëm këtu, por edhe në qendrat e vendimmarrjes europiane e amerikane se është duke u luftuar fort krimi, Basha thotë të kundërtën.

Të lobosh kundër socialistëve si kundërshtarë politikë është një veprim normal nga demokratët. Je në terrenin tënd. Të shash Ramën dhe gjithë qeverinë me fakte e argumenta është po kështu normale. Do t`i zësh vendin dhe në politikë kjo është e pranueshme. Ta kritikosh qeverinë, je përsëri brenda të drejtës si opozitë. Po të mos të lësh gjë pa anatemuar për nxirë Shqipërinë, atdheun tonë të përbashkët që nuk është i socialistëve as e demokratëve, komunistëve e ballistëve, po e gjithë shqiptarëve, ke bërë gabimin më të madh dhe të pakorigjueshëm. Njerëzit e mëdhenj të Shqipërisë në historinë shumë shekullore të vendit tonë edhe kur në kuletë kishin mbetur me disa qindarka apo rasti ekstrem kur eruditit dhe shkrimtarit De Rada, kur në xhep iu gjendën pas vdekjes disa cironka; kur Noli dhe Konica në Londër linin mënjanë divergjencat dhe kanë gjetur kurajon dhe janë bërë bashkë kur para tyre ka qenë e ardhmja e vendit. Ata kanë ulur armët dhe kanë bërë paqe e kompromise të mëdha. Kanë folur me një gjuhë. Kanë mbajtur një qëndrim. Dhe kështu janë lartësuar e simpatizuar nga populli ynë që të fal edhe ligësinë, po jo tradhtinë e përpjekjet që të nxish Shqipërinë. Askush nuk lartësohet duke sharë e anatemuar. Asnjeri nuk mund të ngrihet mbi keqdashjen. Simpatia ndaj kritizerëve është zero. E për këdo që vepron kështu, populli mban shënim dhe ta vë kapelen sipas kokës. Historia jonë ka treguar se cilido që ka bërë përpjekje për t`u ngjitur mbi interesa më të mëdha, cilido që ka vënë përpara partinë e ka lënë pas krahëve Shqipërinë, cilido që ka dashur ta pengojë ecjen e vendit, politikan, shtetar, qeveritar, shkencëtar, i ditur, anadollak, modern, liberal, pacifist, centrist, komunist apo ballist, përmes poshtërimit e nxirjes, ka marrë mbi shpinë mallkimin e Shqipërisë. Kështu ka ndodhur. Kështu ndodh. Dhe kështu do ndodhë, sot e mot. Lulzim Basha me gjuhën që përdori në Bruksel, erën mbolli, furtunën do korri. 

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 10/12/2017 - 09:41

Shoqëria shqiptare po emancipohet, po civilizohet, po del nga kornizat e një bote të mbyllur, ku nuk hynte as drita, as mjeku. Ndoshta nuk është në ritmin e duhur, por e rëndësishme është se ecën në drejtimin e duhur.

Postuar: 10/12/2017 - 09:37

Nuk ma merr mendja se e kanë ditur në vitin 1990 studentët, por dhe profesorët, që ishin mbledhur për të kujtuar John Lenon-in për kunj të diktaturës, se ai ka një batutë të til

Postuar: 10/12/2017 - 09:18

Duket se në arenë kanë zbritur “Titanët”.

Postuar: 09/12/2017 - 07:13

Thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ishte në themel të lëvizjes së dhjetorit 1990.

Postuar: 09/12/2017 - 07:08

Sigurisht që me largimin nga mbarimi i kohës reale të pushtetit të Llallës, Partia Demokratike, por më shumë se ajo, lidershipi i vogël mbi të – do të shqetësoheshin rëndë

Postuar: 09/12/2017 - 07:04

Në harkun kohor prej 27 vjetësh, po të vlerësosh gjithë ndryshimet që kanë ndodhur në jetën politike dhe shoqërore, në kuadër të pluralizmit demokratik, standardet e deri më sot

Postuar: 09/12/2017 - 07:00

Ekonomia informale është vrasëse për financat e shtetit, burim për tregtinë e paligjshme, sfidë për shtetin ligjor dhe ajo që na dhëmb më shumë, është një rrezik i shtuar për sh