BREAKING NEWS

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas ‘bombën’ live nga spitali ‘Shefqet Ndroqi’: Ministria po gënjen!

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas
x

Opinion / Editorial

Kur politika harron historinë, gabimi kthehet në faj për territoret shqiptare!

Kur politika harron historinë, gabimi kthehet në faj për

Historianografia komuniste ka bërë një dëm shumë të madh (në shoqërinë shqiptare) në trajtimin e sidomos kohës së mbas pavarësisë, rrethimit të Shkodrës, ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha dhe diplomacisë së asaj kohe prej së cilës sigurisht kemi një cungim paturpësisht të trojeve shqiptare, por dhe krijimin e shtetit të ri shqiptar, me firmat dhe vulat e fuqive të mëdha ashpërsisht në konflikt me njëra-tjetrën. Ky moment ka bërë dy gjëra thelbësore për ne. Ka bërë me mungesa dhe padrejtësi, një territor shtetit shqiptar dhe po ashtu ka lënë në histori dhe dramatikën e tragjikën e problemit të madh të kombit dhe territorit shqiptar. Një riparim u bë me krijimin e shtetit të Kosovës, por sigurisht do të vinin ditët që territoret që diskutoheshin sërish mes gjakatarëve (pushtuesve) dhe viktimave. Sigurisht që duket e njëjta situatë me shqiptarët për territore, por në avantazhin e madh të pothuaj dyfishimit të territoreve duke pasur Kosovën shtet. Ndryshimi është se në vitin 1913 këto territore me biseda, pazar dhe marrëveshje të lodhshme u krijuan nga Austro-Hungaria, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia, kurse sot është dhe USA. Sigurisht sot është BE dhe padyshim dhe koha plot mistere dhe trandje të mëdha ekonomike dhe politike. Ka dhe një ndryshim tjetër të madh se atëherë shqiptarët nuk përfaqësoheshin dhe pak kush i pyeste diplomatikisht dhe politikisht. Sot sigurisht ka plot institucione shqiptare dhe dy shtete e pyeten, por absolutisht dhe si atëherë interesat janë kaq lart nesh dhe kaq shumë të ndërlikuara, sa sërish mund të thuhet se pak kush na pyet jo vetëm ne, por dhe serbët që mbahen si më "kodoshë". Po pra ata që dje donin të dilnin deri në Durrës dhe Shëngjin, t’i linin Shkodrën Malit të Zi dhe të kalonin plotësisht nga Durrësi në Kosovë duke pasur gjithçka apo pothuaj gjithçka. Për Shkodrën në atë kohë humbën në bisedime Gjakova, Dibra dhe qytetet si Peja dhe Prizreni nga territori shqiptar i Shqipërisë. Për fat, sot ka humbur vetëm Hashim Thaçi dhe që sigurisht me vjen keq si viktimë i vetëm (duke qënë pro USA dhe pro UE gjithë jetën e tij) mes ingranazhit të madh USA, EU dhe ide të shkëmbimeve të territoreve. Kjo kuptohet qartë dhe pastër si nga John Bolton dhe nga vështirësia e madhe e ambasadorit Grenell, i cili dhe si ambasador i SHBA-ve në Berlin, ka qenë një fajkua pothuaj i bezdisshëm për pikërisht politikën e jashtme të Gjermanisë. Kur dha dorëheqjen zoti Grenell nga posti i ambasadorit në Gjermani, pikërisht në Berlin u duk se "morën frymë lirisht". Ai ka bërë një jehonë kritikave të ashpra dhe përsëritshme të presidentit Trump për shpenzimet ushtarake të Gjermanisë, e po ashtu dhe përzierjen e Gjermanisë në projektin e gazsjellësit NordStreem 2 nga Rusia, akordin bërthamor me Iranin dhe mundësinë e përdorimit të teknologjisë 5G të Huawei kinez në Gjermani. Vetëm ky fakt të jep të kuptosh se nisja punë e Grenell si njeriu fuqiplotë për bisedimet Kosovë Serbi do të kishte në Gjermani një rrudhje buzësh politikisht dhe diplomatikisht. Por USA është faktor parësor e çlirimtar në Kosovë e vendi më i dashur për shqiptarët dhe BE është vendi ku Kosova kërkon të hyjë si shtet. Në mes të tyre, ishte problemi i bisedave reciproke të njohjes dhe bashkëpunimit Kosovë – Serbi. Është për të ardhur keq se viktima e vetme në një aferë të madhe ndërkombëtare është Thaçi ose pika më e dobët e zinxhirit në sajë të zgjatjes së pushtetit të luftëtarëve të UÇK-së në politikat e drejtimit të shtetit në Kosovë duke ditur se ju është kërkuar gjithmonë të paraqiten në tribunale dhe duke ditur se kanë pranuar një tribunal "denatyrisht të formuar" pikërisht për krimet e këtyre luftëtarëve të UÇK mbas lufte. Po pra mbas një krimi masiv dhe gjenocid të serbëve, kundër një kombi dhe race tjetër në tokat e tyre. Shkojnë ku shkojnë punët dhe dalin pikërisht aty që shqiptarët vetë si faktor nuk mund dhe nuk do të mundnin ta zgjidhnin kurrë këtë rebus, sepse historia ka treguar gjithmonë se është në dorë të fuqive të mëdha. Po pra dhe jo si historia e treguar në diktaturë se "populli shqiptar i ka zgjidhur vetë fatet e tij me gjakun e tij". Sigurisht që ka derdhur gjak dhe Kosova më shumë se kushdo, por territoret dhe shtetet përkatëse i kanë formuar dhe si presion i atij gjaku pikërisht fuqitë e mëdha në zgjidhje dhe paqtim të interesave të tyre. Nga janari i 1913 Edëard Grey shprehej se, “Nëqoftëse Austro-Hungaria marshon kundër Mali të Zi, Rusia do të sulmojë atëherë Austro-Hungarinë; Gjermania do të sulmojë Rusinë; Franca do të sulmojë Gjermaninë: e gjitha kjo për llogari të Shkodrës. Një gjë e tillë nuk mund të tolerohet... Shkodra është një bombë e cila mund ta vendosë të gjithë Europën në flakë prandaj ne duhet ta parandalojmë atë nga shpërthimi”! Dakord? Kështu ishte atëherë dhe sigurisht nuk është sot, por mentaliteti aty afër është dhe fuqitë po ato janë. Prandaj kur dëgjuan të gjithë diskursin e zotit Grenell në një farë mënyre morën vesh diçka më shumë. Richard Grenell ka deklaruar se ideja e shkëmbimit të territoreve ishte e ish-këshilltarit për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, John Bolton, por aspak e Presidentit Trump. Sipas Grenell, ky fakt i është pohuar atij nga palët në bisedime, përkatësisht presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Pra Grenell thotë se Vuçiç dhe Thaçi i paskan thënë se Bolton ka këtë ide. Tanimë një person out (shkarkuar) nga administrata e presidentit Trump, reagon për të sqaruar sipas tij se "kush e ka fajin" për ide territoresh dhe shkëmbimesh duke thënë: “Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, kishte të dhëna, që në 2018, se liderët donin t’i zgjidhnin çështjet, sepse e panë se nuk mund të kishin pavarësi ekonomike dhe stabilitet derisa marrëdhëniet e tyre të normalizoheshin. Një nga gjërat që ata po diskutonin ishte mundësia e shkëmbimit të territoreve. Në vende të Ballkanit, në Gjermani dhe në Europën Perëndimore kjo shihej me druajtje, sepse kishin frikë se shkëmbimi i territoreve mund të çonte në ketë praktikë edhe në vende të tjera. Kjo ndodh në histori. Është diçka që duhet të jetosh. Ju do të më thoni se nëse Kosova dhe Serbia do të kishin rënë dakord për shkëmbimin e territoreve, një pjesë e Europës do të thoshte jo. Jo, kjo nuk është e pranueshme për ne, ne do ta refuzojmë këtë zgjidhje, mendoj se kjo do të ishte e paimagjinueshme. Tani, ka shumë rrugë deri atje, sepse pengesa të reja kanë dalë kohët e fundit. Por, në fund të fundit, ju përmendët Jim Baker, që ka qenë mentori im për shumë vjet. Ai u ka thënë një herë izraelitëve dhe arabëve, se vetëm palët e përfshira mund të realizojnë një paqe të qëndrueshme. Ne do të ishim të lumtur t’i ndihmonin. Ky është numri i Shtëpisë së Bardhë, kur ta keni seriozisht, na telefononi”, deklaron Bolton. Nga vetë kjo deklaratë e zotit Bolton del qartë se ideja e ndarë me thikë është mes USA dhe EU! E sigurisht më pak faj mund të kenë dy "qyqarë" në Ballkan përballë gjigantëve në kancelaritë e Washingtonit, Moskës, Berlinit Parisit, Londrës etj. etj! Vetë njeriu që u shkarkua nga Presidenti Trump thotë se ideja e tyre në bazë të zotit Beker ishte se "duheshin të merreshin vesh dy palët sepse kjo do të ishte e qëndrueshme si zgjidhje pa përfillur interesat e atyre jashtë”! Po ai këmbëngul se për Europën kjo është e pamundur, sepse ka shumë probleme që do të dilnin përpara saj po të bihej dakord në Prishtinë dhe Beograd, pra nuk do të lejonin marrëveshje dy palëshe. Kur në fakt Beker kishte thënë se "mjafton të merren vesh izraelitë dhe palestinezë" dhe gjithçka mbaron. Kjo logjikë e Bolton është e qartë (merruni vesh ju kosovarë shqiptarë dhe serbë) se është pikërisht ai ideatori i shkëmbimit të territoreve dhe "marrjesh vesh vetëm mes Serbisë dhe Kosovës". Ai praktikisht e provon vetë se nuk ishte e pranueshme për të dhe politikën e kohës së tij në administratën USA që Europa dhe BE të ndërhynin me interesat e tyre në praktikat e marrëveshjeve Kosovë-Serbi. Kur ndërkohë si Serbia dhe Kosova aspirojnë të futen në BE! Sigurisht dhe pse unë besoj se është Bolton, jo vetëm ideatori, por ai që mori përsipër me shumë "optimizëm" zgjidhjen vetëm nga Serbia dhe Kosova, faji do ti mbetej atyre që ranë në këtë kurth territoresh, duke mos respektuar të gjithë palët historinë! E kjo vlen dhe për Presidentin Thaçi. Një lexim më i saktë dhe më i qetë i historisë të bën të jesh më largpamës, më pak emotiv dhe më i zgjuar për të dhënë përgjigje më të mira si kur je në avantazh dhe kur je në zor të madh për të pasur një zgjidhje.