BREAKING NEWS

Njoftim i rëndësishëm nga Policia/ Si dhe në cilat shtete mund të lëvizin shqiptarët (DETAJET)

Njoftim i rëndësishëm nga Policia/ Si dhe në cilat shtete
x

Opinion / Editorial

Kur protestat të mos bëhen shembuj frustues për demokracinë

Kur protestat të mos bëhen shembuj frustues për demokracinë

Asnjë shoqëri demokratike nuk mund të konsiderohet e përsosur, në sensin transformues dhe konsakrimit të vlerave demokratike. Aq më tepër kur këto vlera frustrohen nga organizatorët e politikës së vjetër, që kanë mbetur si shprehje e diskrecionit izolacionist. Këto qëndrime të saj duke u bërë jo vetëm organizuese, por edhe palë me protestuesit, po e largojnë gjithnjë e më shumë nga bota politike dhe emergjencat kombëtare. E mbërthyer nga egocentrizmi, që ngrihet mbi sajesa pa asnjë kauzë, e kanë zbritur në mendësitë e diktaturës enveriste, e cila krijonte armiq imagjinarë, si derivat të frikës ngaqë mendonte se po luftonte në rrethim. Kjo psikozë që po e mundon opozitën e mbërthyer edhe nga kriza e ndarjes brenda saj, po e largon edhe më shumë nga relacionet social-politike. Duke u bërë thirrje mbështetësve të saj për mos bindje civile, po nxit një nacionalizëm absurd që fatkeqësisht era e tij, po ndihet në të dy anët e kufirit. Në këtë nacionalizëm absurd janë përfshirë jo vetëm njerëz të thjeshtë, por edhe artistë e analistë të vjetër e të rinj që nuk e njohin realitetin shqiptar, por bazohen tek një mori lajmesh, që më shumë terrorizojnë se sa informojnë. Kjo protestë që drejtohet nga politika si në asnjë vend demokratik, duke u bërë palë me artistët, kanë krijuar një arrati intelektuale, që nuk i shërben klimës së integrimit por frustrimit psikologjik të qytetarëve. Po t'i hedhim një sy realitetit që po përjetojmë, është për të ardhur keq të themi se kjo klasë politike nuk është identifikuar kurrë me sakrilegjin për të mirën e qytetarëve. Ajo ka mbetur po ajo e viteve të fillimit, në nivelet e një plagjiature autokratike, pa mundur ta moralizojë këtë realitet me marrëdhëniet e reja institucionale e shoqërore. Telenovelat e protestave që nuk pasqyrojnë asnjë vlerë të shoqërisë demokratike, po luhen nga grupe politikanësh, jo për interesat e qytetarëve, por për ato personale e klanore. Protesta e radhës me indikacione deformuese, pa plan kërkesash, pa plan miratimi, kohëzgjatje, ishte një ngjarje e shëmtuar politike, shumë larg atyre që shohim në demokracitë e konsoliduara. Mos respektimi i asnjë norme ligjore për drejtimin e tyre, si dhe mungesa e strategjisë operacionale për qëllimin e organizmit, kanë krijuar gjithnjë situata destabilizimi e terrori, të përafërta me ato të luftës civile. Këto situata që po shohim në Shqipëri pas përmbysjes së monizmit, na çojnë tek ngjarjet e Revolucionit të Tetorit më 1917 në Rusi. Nëse Lenini u fut nga gjermanët në Shën Petërsburg, për të organizuar kryengritjen e nxjerrjes së Rusisë nga lufta, UDB ndihmoi emërimin e Saliut në krye të PD, për të minuar strategjinë e demokratizimit të Shqipërisë. Duke ju referuar kësaj retorike me ngjashmëri historike, Lenini ngarkoi Trockin për të krijuar ushtrinë e kuqe, e cila u bë tmerri i të bardhëve që ishin kundër revolucionit. Për organizimin e CEKA-s Lenini ngarkoi Xherxhinskin, ndërsa Saliu ngriti SHIKU-n që u bë më keq se sigurimi famëkeq. Këto ngjashmëri shfaqjesh midis Leninit dhe Saliut, megjithëse në kohë të ndryshme, me vendosjen në krye të partive, e përbashkëta e tyre ka qenë marrja e pushtetit. Nëse Lenini erdhi në pushtet në emër të një bote të re, Saliu hoqi xhaketën e kuqe dhe veshi atë me ngjyrë blu, në emër të lirisë dhe demokracisë. Nëse Lenini erdhi me tren të mbyllur në Rusi, Saliu u mbështet nga shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët nuk e dinin se kë përfaqësonte dhe çfarë qëllime kishte. Është e njëjta tablo me të sotmen, kur shqiptarë të kulturave të ndryshme jashtë Shqipërisë, bëhen palë me këta demonstrues që nuk mbështeten nga aleatët strategjikë SHBA-BE. Sepse nuk mund të përsëritet historia e djeshme, kur mbështetja e atëhershme i dha atij pushtet, influencë, që nuk i vuri në shërbim të demokracisë, por u bë dhe mbeti kërcënim real edhe sot, për shoqërinë shqiptare. Ngjarjet që kulmojnë përdorimin e dhunës institucionale, që e kompromentojnë rëndë figurën e pashembullt të tij, janë ato të viteve 1996, ‘97, ‘98, 2011, Gërdec, 21Janar e deri në protestën e fundit, për mbrojtjen e gërmadhës së Teatrit Kombëtar. E gjithë kjo retrospektivë e këtyre ngjarjeve, është përshkruar nga psikologjia e terrorit, prandaj jo vetëm që nuk mund të mohohet, por as edhe nuk mund të fshihet nga kujtesa e shqiptarëve. Partia e tij nuk ka patur kurrë si synim demokratizimin e jetës së vendit, ndërtimin e shetit të së drejtës, por hakmarrjen politike. Kjo strategji është përshkruar nga nekrofilia dhe psikologjia e destruktivitetit irracional. Dalja herë pas here në skenën politike si nxitës i protestave të dhunshme, është në vazhdën e filozofisë së tij të pandryshuar, ashtu si dikur kur u drejtohej mbështetësve më fjalët përçarëse të kombit ne dhe ata. Kjo psikologji terrori u bë alternative si në pozitë edhe sot në opozitë megjithëse e quan veten të përjashtuar nga politika, ai prapë mbetet inspiruesi i saj. Me pushtetin e djeshëm ai mbolli liri pa fre, që kërkon ta bëjë edhe tani, ku dëshmi janë ngjarjet kruciale, të njohura nga ata që i përjetuan dhe jo nga Parlamenti tallava kafe-demokraci. Nga ngjarjet e shumta kruciale, ishte ajo e shkatërrimit të ekonomisë, të drejtësisë, arsimit si dhe të ushtrisë. Shkatërrimin e ushtrisë e bëri nga frika e ndonjë grushti shteti, duke përdorur tezën e Leninit: "Tmerro njerëzit që të binden ty". Këto i përmendim që njerëzit të mos harrojnë politikën e terrorit që përdori ai dhe partia e tij, me ligjin famëkeq 24/1, që e zbatoi për persekutimin e socialistëve, megjithëse kishte dalë nga ato rrënjë. Me këtë ligj ai veproi për kundërshtarët që nuk pajtoheshin me shkatërrimin e sistemit të votës më 1996, ku masakroi protestuesit tek fusha "Ali Demi" me policinë speciale të sadistit Agim Shehu. Këto veprime e vinin atë në të njëjtat pozita me Pol Potin e Kamboxhias dhe Pinoçetin e Kilit. Për këtë dhunë prej diktature, flet raporti i të drejtave të njeriut të DASH, ka shkruar gazeta "The New Jork Times" më 27 e më 28 maj të atij viti, ku del qartë edhe irritimi i SHBA, të cilët i vunë vijë të kuqe demokracisë së Saliut. Po a kanë ndonjë ndryshim protestat e sotme në Shqipëri, me ato të vendeve të demokracive të zhvilluara? Sigurisht që po. Ato dalin jashtë shtratit demokratik, për vetë natyrën e zhvillimit, pa kauzë, pa program, pa kërkesa, pa miratim. Por ajo që i veçon është se ato nuk bëhen për kërkesa pune, për uljen e nivelit të varfërisë, për kushtet e punës, për korrupsionin, por vetëm për interesat e partive politike. Këto interesa bëjnë që njerëzit t'u binden mashtruesve populistë, në të dy krahët e politikës që hanë në një çanak. Nxitja për interesat e tyre, duke i kthyer në mish për top, bëjnë që këto protesta të humbasin karakterin e tyre, në dobi të problemeve që shqetësojnë qytetarët. Prandaj e vetmja rrugë e partive politike është që ato t'i referohen gjykimit të arsyes, për të ndryshuar politikëbërjen, në interes të vendit dhe ndryshimeve demokratike.